Hyrje te Ethëri
Përse të Studiohet Ky Libër?
Duke studiuar librin e Ethërit, ju do të mësoni rreth jareditëve – një grup njerëzish që udhëtuan për në hemisferën perëndimore dhe jetuan atje për shumë shekuj përpara arritjes së popullit të Lehit. Ky libër do t’ju ndihmojë të mësoni parime të rëndësishme lidhur me lutjen, zbulesën dhe marrëdhënien midis ushtrimit të besimit në Jezu Krishtin dhe marrjes së njohurisë shpirtërore. Ai do t’ju ndihmojë gjithashtu që të kuptoni rolin e profetëve në bindjen e njerëzve për t’u penduar dhe pasojat që vijnë tek ata që nuk e pranojnë Jezu Krishtin dhe profetët e Tij.
Kush e Shkroi Këtë Libër?
Moroni e përmblodhi këtë libër nga 24 fletët e arta, që u quajtën fletët e Ethërit. Ai është emërtuar sipas profetit Ethër, i cili ishte profeti i fundit i jareditëve dhe krijoi një anal të historisë së tyre (shih Ethëri 15:33–34). Në ditët e mbretit Mosia, disa nga populli i Limhit zbuluan fletët e Ethërit ndërsa po kërkonin për tokën e Zarahemlës (shih Mosia 8:7–11; Ethëri 1:2). Profetët nefitë dhe mbajtësit e analeve i përcollën fletët e Ethërit derisa ato erdhën në zotërim të Moronit. Moroni deklaroi se ai nuk përfshiu madje as “të njëqindtën pjesë” të analit në përmbledhjen e tij (Ethëri 15:33).
Kur dhe Ku u Shkrua Ai?
Burimet origjinale që u përdorën për të krijuar librin e Ethërit, u shkruan shekuj përpara se Moroni të bënte përmbledhjen e tij. Anali i parë jaredit u krijua kur vëllai i Jaredit shkroi vegimin që kishte marrë përpara se populli i tij të kapërcente detet (shih Ethëri 4:1). Asnjë mbajtës tjetër analesh midis jareditëve nuk është përmendur deri te Ethëri (shih Ethëri 13:3; 15:33). Moroni e përmblodhi librin e Ethërit (shih Mormoni 8:3–6; Moroni 10:1). Moroni nuk e tha se ku ndodhej kur bëri përmbledhjen, edhe pse ai shkroi se jareditët ishin shkatërruar në “kët[ë] vend … verior” (Ethëri 1:1), duke treguar se ai mund të ketë qenë në vendin ku ata ishin shkatërruar.