Seminari
Njësia 25: Dita 2, 3 Nefi 13


Njësia 25: Dita 2

3 Nefi 13

Hyrje

Siç është shënuar te 3 Nefi 13, Shpëtimtari vijoi predikimin e Tij në tempullin në tokën e Begatisë. Ai i paralajmëroi njerëzit ndaj hipokrizisë dhe i mësoi ata që veprat e tyre të drejta ishin të kënaqshme për Atin Qiellor. Ai gjithashtu e udhëzoi turmën të mblidhnin thesare në qiell dhe pastaj i udhëzoi dymbëdhjetë dishepujt e Tij që së pari të kërkonin mbretërinë e Perëndisë përpara se të shqetësoheshin për problemet e tyre vetjake tokësore.

3 Nefi 13:1–18

Shpëtimtari i paralajmëron nefitët ndaj hipokrizisë dhe i mëson ata të bëjnë vepra të drejta që janë të kënaqshme për Atin Qiellor

Plotësoni në mendje vetëshqyrtimin vijues për veten tuaj duke zgjedhur se cila frazë e përshkruan më mirë shtysën tuaj për t’u dhënë lëmoshë të varfërve (për t’u dhënë të tjerëve), për t’u lutur dhe për të agjëruar:

Unë jap lëmoshë sepse:

  1. Kjo pritet prej meje.

  2. E dua Zotin dhe gjej kënaqësi kur ndihmoj njerëz të tjerë.

  3. Dua që të tjerët të mendojnë mirë për mua.

Unë lutem sepse:

  1. Nuk dëshiroj të them “jo” përpara njerëzve të tjerë kur më kërkojnë të lutem.

  2. Është thjesht pjesë e rutinës sime të përditshme.

  3. Dua të bashkëbisedoj me Atin tim Qiellor.

Unë agjëroj sepse:

  1. Agjërimi më ndihmon të afrohem më pranë Zotit.

  2. Njerëz të tjerë do të mendojnë se jam i keq nëse nuk agjëroj.

  3. Prindërit e mi nuk më lënë të ha kur duhet të agjëroj.

Te 3 Nefi 13, Jezu Krishti e mësoi turmën nefite rreth rëndësisë së shtysave të një personi për dhënien e lëmoshave, për lutjen dhe agjërimin. Përgjigjet e renditura në këtë vetëshqyrtim pasqyrojnë shtysat e ndryshme që mund të kemi për të bërë këto veprime apo të tjera të përkushtimit fetar.

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: A është e rëndësishme arsyeja përse bëjmë vepra të drejta? Përse po ose përse jo?

  2. journal iconKopjojeni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta dhe plotësojeni duke lexuar secilën referencë të shkrimit të shenjtë dhe duke iu përgjigjur dy pyetjeve. Ndërsa lexoni, mund të jetë e dobishme të dini se hipokrit është dikush që vesh një paraqitje të jashtme të rreme drejtësie ose që thotë një gjë dhe bën diçka tjetër.

    Veprimtaria

    Për cilën shtysë na paralajmëroi Zoti [që të mos e kemi si shtysë] kur bëjmë këtë veprimtari?

    Në ç’mënyrë tha Zoti se duhet ta bëjmë [këtë] veprimtari?

    Jepni lëmoshë (3 Nefi 13:1–4)

    Lutuni (3 Nefi 13:5–6)

    Agjëroni (3 Nefi 13:16–18)

Merrni parasysh pyetjet që vijojnë:

  • Si mund të ndikojnë shtysat tona për bërjen e veprave të drejta në mënyrën se si i bëjmë ato?

  • Cilat janë disa shtysa të drejta që mund ta frymëzojnë një njeri për të dhënë lëmosha, për t’u lutur ose për të agjëruar në fshehtësi?

Shtysa jonë e drejtë për bërjen e këtyre gjërave është që të kënaqim Atin Qiellor. Lexoni 3 Nefin13:4, 6, 18 dhe kërkoni atë që u premton Zoti atyre që veprojnë drejtësisht në fshehtësi.

Një parim i rëndësishëm që Shpëtimtari dha mësim në këto vargje, është: Nëse veprojmë me drejtësi për shkak se e duam Atin Qiellor, Ai do të na shpërblejë haptas.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një rasti kur u ndiet i bekuar që u përpoqët të bënit diçka për të kënaqur Atin Qiellor më shumë sesa për t’u parë nga të tjerët.

Rishikojeni shkurtimisht vetëshqyrtimin tuaj në fillim të mësimit dhe vlerësoni shtysat tuaja për dhënien e lëmoshave, për lutjen dhe agjërimin. Mbani parasysh se si mund t’i zbatoni mësimet e Shpëtimtarit për të përmirësuar shtysat tuaja për bërjen e këtyre veprimeve ose të tjera të përkushtimit ndaj Zotit.

Shpëtimtari u dha udhëzim shtesë nefitëve për lutjen. Lexoni 3 Nefin 13:7 dhe kërkoni për atë se si i përshkroi Zoti frazat e përsëritura ose të ndërlikuara që shprehen pa sinqeritet në lutje. Fjala të kota do të thotë boshe, pa kujdes apo ndjenjë. Përsëritje të kota mund të ketë edhe kuptimin e përsëritjes së pamenduar të fjalëve të njëjta ose të lutjes pa besim.

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni ju, përse është e rëndësishme ta shmangim përsëritjen e kotë në lutjet tona drejtuar Atit Qiellor?

    2. Cilat janë disa gjëra që mund t’i bëni për ta shmangur përsëritjen e kotë kur luteni?

Lexoni 3 Nefin 13:8 dhe kërkoni parimin që Jezu Krishti dha rreth Atit Qiellor. Ju mund të dëshironi ta shenjoni këtë frazë në shkrimet tuaja të shenjta. Një qëllim i lutjeve tona është që “të sigurojmë për veten tonë dhe për të tjerët bekimet që Perëndia është tashmë i gatshëm për t’i dhënë, në qoftë se ne do t’i kërkojmë ato me besim” (Bible Dictionary, “Prayer”, [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lutje”, f. 107]).

i ri duke u lutur

Lexoni 3 Nefin 13:9–15 dhe përsiatni se çfarë dëshiron Zoti që të mësoni rreth lutjeve tuaja. Mendoni për mënyra se si t’i përmirësoni lutjet tuaja duke zbatuar atë që mësuat nga mësimet e Shpëtimtarit.

3 Nefi 13:19–24

Jezu Krishti i jep mësim turmës se si të mbledhë thesare në qiell

A keni lexuar ose dëgjuar ndonjëherë histori rreth [ndonjë] thesari të humbur ose të fshehur? Nganjëherë në këto histori, gjuetarët e thesarit më në fund ia arrijnë qëllimit të tyre porse për të zbuluar që thesari ka humbur ose nuk ka ekzistuar kurrë. Lexoni 3 Nefin 13:19–20 dhe përcaktoni dy llojet e thesarit për të cilët foli Zoti. Cili nga ato thesare tha Ai se do të ishte gjithmonë i arritshëm për ne nëse e kërkojmë?

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cili është dallimi mes “thesareve … mbi tokë” dhe “thesareve … në qiell”?

    2. Nga ajo që mësoni te 3 Nefi 13:21–24, cilat janë disa prej të vërtetave që Shpëtimtari dha mësim rreth kërkimit të thesareve tokësore dhe thesareve qiellore? (Mund t’ju ndihmojë t’i kuptoni më mirë këto vargje dijenia se fjala mamon është një term për gjërat e botës ose pasuritë.)

    3. Si mund të na e shkëputë vëmendjen nga kërkimi i thesareve në qiell, kërkimi i thesareve në tokë?

Shpëtimtari nuk dha mësim që paratë apo pasuritë tokësore janë të liga. Por Ai theksoi rëndësinë e vendosjes së zemrës sonë në thesare qiellore të cilat do të durojnë, dhe jo në thesare tokësore.

Një parim që mund të mësojmë nga 3 Nefi 13:19–24, është: Me qëllim që ta kemi Perëndinë si zotërinë tonë, ne duhet ta duam Atë dhe t’i shërbejmë Atij më shumë sesa gjërave të botës.

Cilët mund të jenë disa shembuj të përpjekjes për t’i shërbyer Perëndisë dhe mamonit në të njëjtën kohë? Përse mund të jetë e vështirë që gjithmonë ta doni Perëndinë dhe t’i shërbeni Atij në vend të gjërave të botës? Përse ia vlen të përpiqemi për ta vendosur Perëndinë të parin?

  1. journal iconLexoni shembujt vijues. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni se cilit zotëri mendoni që po i shërben personi: Perëndisë apo mamonit (gjërave të botës).

    1. Një i ri nuk e pranon një punë e cila do të kërkonte që ai t’i humbte mbledhjet e së dielës, dhe në vend të saj zgjedh një punë me pagesë më të vogël e cila nuk kërkon që ai të punojë të dielave.

    2. Një e re shpesh u ankohet prindërve të saj për nevojën e saj për rroba të reja. Veshjet që ajo dëshiron, kushtojnë më shumë sesa mund të shpenzojë familja e saj.

    3. Një i ri e paguan të dhjetën e tij rregullisht me paratë që merr nga puna e tij. Por, ai i përdor të ardhurat që i mbeten për të blerë artikuj argëtimi, duke përfshirë disa filma dhe këngë të papërshtatshme, dhe nuk ka kursyer aspak para për të paguar për një mision ose për arsimim.

    4. Një e re shpesh e përdor një pjesë të të ardhurave të saj për të blerë dhurata të vogla që të tregojë dashurinë e saj për të tjerët.

3 Nefi 13:25–34

Shpëtimtari i udhëzon të dymbëdhjetë dishepujt për të kërkuar mbretërinë e Perëndisë përpara shqetësimeve të tyre vetjake materiale

Tre Nefitët

Ndërsa shkuan të shërbenin mes njerëzve, Jezu Krishti i udhëzoi të dymbëdhjetë dishepujt e Tij nefitë të mos shqetësoheshin rreth nevojave të tyre materiale për ushqim dhe veshje (shih 3 Nefi 13:25–31). Lexoni 3 Nefin 13:32–33 dhe kërkoni atë që iu tha Shpëtimtari dishepujve të Tij lidhur me nevojat e tyre materiale. Çfarë u premtoi Ai atyre që e vendosin Perëndinë dhe mbretërinë e Tij të parën në jetën e tyre?

Një parim që mund të mësojmë nga këto vargje, mund të jetë: Nëse kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë, Ai do të na ndihmojë t’i sigurojmë nevojat tona.

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si e “kërkon së pari mbretërinë e Perëndisë” një individ? (3 Nefi 13:33).

    2. Në çfarë mënyrash është kujdesur Zoti për nevojat tuaja kur ju e keni vënë Atë të parin në jetën tuaj?

Presidenti Ezra Taft Benson dëshmoi për bekimet që vijnë nga vënia e Perëndisë të parin në jetën tuaj (ju mund të dëshironi ta shkruani këtë citat në një letër dhe ta mbani në shkrimet tuaja të shenjta që ta rishikoni ose ta ndani në të ardhmen):

Presidenti Ezra Taft Benson

“Kur ne e vendosim Perëndinë të parin, gjithë gjërat e tjera zënë vendin e duhur ose largohen nga jeta jonë. Dashuria jonë për Zotin do të qeverisë shpalljet e dashurisë sonë, kërkesat e kohës sonë, interesat që ndjekim dhe rendin e përparësive tona. …

Ne duhet t’i japim Perëndisë, Atit të shpirtrave tanë, një epërsi të veçantë në jetën tonë” (“The Great Commandment—Love the Lord”, Ensign, maj 1988, f. 4–5).

Përsiatni mënyrën se si ju ose njerëzit që njihni, janë bekuar për vënien e Perëndisë të parin në jetën e vet.

  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 3 Nefin 13 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: