Njësia 4: Dita 1
1 Nefi 15
Hyrje
Te 1 Nefi 15 ju do të shihni ndryshimin e dallueshëm midis përpjekjeve të zellshme të Nefit për të marrë zbulesë personale dhe përpjekjeve pa besim të vëllezërve të tij. Ndërsa e studioni këtë kapitull, përsiatni për përpjekjet që po bëni për të marrë përgjigje dhe udhëheqje nga Zoti.
1 Nefi 15:1–11
Vëllezërit e Nefit ankohen se nuk mund ta kuptojnë vegimin e Lehit
Shumë veprimtari kërkojnë përpjekje nga ana jonë përpara se të jemi në gjendje t’i gëzojmë rezultatet. Mendoni për një veprimtari në të cilën ju merrni pjesë – të tillë si detyrat e shkollës, luajtja e një vegle muzikore apo atletika – dhe përsiatni mbi marrëdhënien midis përpjekjes që harxhoni në veprimtarinë dhe rezultateve që pasojnë. Kërkoni për një model të ngjashëm teksa studioni 1 Nefin 15. Vini re se si bërja e përpjekjes ka lidhje me të mësuarit e të vërtetave shpirtërore dhe marrjen e zbulesës nga Zoti.
Pas kërkimit të zellshëm për të kuptuar vegimin dhe mësimet e atit të tij, dhe më pas marrjen e vetë zbulesës së tij, Nefi u kthye tek tenda e atit të tij. Atje ai gjeti vëllezërit e tij duke debatuar me njëri-tjetrin. Kërkoni te 1 Nefi 15:1–3 dhe gjeni se për çfarë po diskutonin.
Te 1 Nefi 15:6–7, nënvizoni se çfarë i shqetësoi vëllezërit e Nefit dhe shkaktoi debatin. Sipas 1 Nefit 15:3, përse ishte e vështirë për ta t’i kuptonin mësimet e Lehit?
Lexoni 1 Nefin 15:8 dhe nënvizoni pyetjen që Nefi u bëri vëllezërve të tij. Përse kjo është një pyetje logjike e bërë nga Nefi, pas asaj që ai sapo kishte përjetuar?
Nënvizoni përgjigjen e vëllezërve te 1 Nefi 15:9. Fjala pasi në këtë varg do të thotë sepse. Me fjalë të tjera, vëllezërit e Nefit shpjeguan: “Ne nuk i kemi kërkuar Zotit, sepse Ai nuk na flet”.
-
Përfytyroni se keni një mik që nuk i kërkon Zotit udhëheqje, sepse ai ose ajo nuk beson se Ai do të përgjigjet. Studioni 1 Nefin 15:11 dhe përsiatni për këshillën që Nefi u dha vëllezërve të tij lidhur me marrjen e përgjigjeve nga Zoti. Pastaj, në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta, shkruani një letër duke e nxitur mikun tuaj t’i kërkojë Perëndisë me besim. Tregoni në letër këshillën e Nefit dhe ndjenjat tuaja rreth lutjes.
Një parim ungjillor që mund të mësojmë nga veprimet dhe përvojat e Nefit dhe vëllezërve të tij, është se, nëse i kërkojmë Zotit me besim dhe u bindemi urdhërimeve të Tij, atëherë ne vërtet do të përgatitemi për të marrë zbulesë dhe udhëheqje më të madhe prej Tij.
-
Zgjidhni një nga pyetjet më poshtë dhe jepini përgjigje asaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë do të thoshit për ta ndihmuar një anëtar të ri të Kishës të kuptojë atë që kërkohet prej nesh, me qëllim që të mësohemi dhe udhëhiqemi nga Zoti?
-
Si e kanë ndikuar përpjekjet tuaja për të mësuar të vërteta shpirtërore dhe për të kërkuar udhëheqjen e Zotit, aftësinë tuaj për ta ndier Shpirtin dhe për ta kuptuar ungjillin?
-
Në një çast të përshtatshëm brenda ditës vijuese, tregojani përgjigjen tuaj për detyrën e mësipërme një prindi, një anëtari tjetër të familjes, një udhëheqësi të Kishës apo një mësuesi. Ndërsa e bëni, ftojeni personin të ndajë me ju përvoja për kohën kur ai ose ajo bëri përpjekje dhe pati besim në kërkimin e ndihmës dhe të udhëheqjes së Atit Qiellor.
1 Nefi 15:12–20
Nefi shpjegon shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit
Vëllezërit e Nefit ishin të hutuar rreth profecisë dhe mësimeve të Lehit për pemën e ullirit dhe johebrenjtë (shih 1 Nefi 15:7; shih edhe 1 Nefi 10:12–15). Nefi shpjegoi se shpërndarja e degëve natyrale të pemës së ullirit simbolizonte shpërndarjen fizike dhe shpirtërore të shtëpisë së Izraelit (populli i besëlidhjes së Perëndisë) për shkak të mosbindjes së tyre. Në gjendjen e tyre të shpërndarë, ata humbën njohurinë e ungjillit, si edhe identitetin e tyre si anëtarë të shtëpisë së Izraelit. Si pjesë e mbledhjes së shtëpisë së Izraelit në ditët e mëvonshme, njerëzit kudo në botë do ta pranojnë ungjillin e rivendosur dhe do të kuptojnë se ata janë populli i besëlidhjes së Zotit (shih 1 Nefi 15:14–15).
Lexoni 1 Nefin 15:14 dhe shenjoni se çfarë do të kuptojë Izraeli i shpërndarë në ditët e mëvonshme.
Nefi dha mësim se ata që bashkohen me Kishën, janë sikur të ishin shartuar “në pemën e vërtetë të ullirit” (1 Nefi 15:16). Ai tha gjithashtu se, sikurse shpërndarja e shtëpisë së Izraelit, ky shartim apo kjo mbledhje do të ndodhte “nga johebrenjtë” (1 Nefi 15:17). Mund të jetë ndihmuese të kuptojmë se “në shkrimet e shenjta, fjala johebrenj ka disa kuptime. Nganjëherë përcakton njerëz që nuk janë me prejardhje izraelite, nganjëherë njerëz që nuk janë të prejardhjes judease dhe nganjëherë kombe që janë pa ungjillin, edhe pse mund të ketë disa me gjak izraelit mes njerëzve. Ky përdorim i fundit është veçanërisht karakteristik për fjalën siç përdoret në Librin e Mormonit” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Johebrenj”, f. 79).
Zoti i mban premtimet e Tij dhe i kujton besëlidhjet e Tij me fëmijët e Tij. Ai dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të marrin bekimet e ungjillit të përjetshëm (shih 1 Nefi 15:18). Përpjekjet tuaja për ta ndarë ungjillin me miq dhe anëtarë të familjes, dhe zotimi juaj për të shërbyer një mision të nderuar, ndihmojnë për ta përmbushur profecinë e Lehit.
1 Nefi 15:21–36
Nefi u përgjigjet pyetjeve të vëllait të tij rreth vegimit të Lehit nga vetë përvoja e tij
Pjesa e mëtejshme e 1 Nefit 15 tregon për pyetje që vëllezërit e Nefit i bënë atij rreth ëndrrës së Lehit. Ata pyetën: “Ç’do të thotë shufra e hekurit që ati ynë pa në një ëndërr, që të çonte te pema?” 1 Nefi 15:23.) Lexoni përgjigjen e Nefit te 1 Nefi 15:24–25 dhe përcaktoni bekimet e premtuara ndaj atyre që e dëgjojnë me zell fjalën e Perëndisë. Në thëniet e mëposhtme nga Presidenti Ezra Taft Benson rreth fuqisë së fjalës së Perëndisë, nënvizoni frazat që janë të ngjashme me atë që dha mësim Nefi:
-
“Jo vetëm që fjala e Perëndisë do të na çojë te fruta që është më i dëshirueshëm mbi gjithë të tjerët, por në fjalën e Perëndisë dhe nëpërmjet saj ne mund të gjejmë fuqinë për t’i bërë ballë tundimit, fuqinë për të rreshtur punën e Satanit dhe të dërguarve të tij.”
-
“Fjala e Perëndisë … ka fuqinë për t’i fortifikuar shenjtorët dhe për t’i armatosur ata me Shpirtin, kështu që ata mund t’i bëjnë ballë të ligës, të mbahen tek e mira dhe të gjejnë gëzim në këtë jetë.”
-
“Sukses në drejtësi, fuqinë për të shmangur mashtrimin dhe për t’i bërë ballë tundimit, udhëheqje në jetën tonë të përditshme, shërimin e shpirtit – këto janë veçse pak nga premtimet që Zoti u ka dhënë atyre që do të vijnë te fjala e Tij. … Sado të zellshëm që ne mund të jemi në aspekte të tjera, bekime të caktuara mund të gjenden vetëm në shkrimet e shenjta, vetëm në ardhjen te fjala e Zotit dhe në mbajtjen fort tek ajo, ndërsa çajmë rrugën tonë përmes mjegullës së errësirës për te pema e jetës” (“The Power of the Word”, Ensign, maj 1986, f. 80, 82).
Është jetike që ne të mbahemi te fjala e Perëndisë nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta, lutjes dhe dëgjimit të udhëheqësve të frymëzuar.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, skiconi një fletushkë që nxit fjalën e Perëndisë. Sigurohuni që t’i përfshini bekimet që Nefi u premtoi atyre të cilët mbahen fort te fjala e Perëndisë. Ju gjithashtu mund të doni të renditni burime për të gjetur fjalën e Perëndisë.
Merrni parasysh shkrimin e parimit vijues në shkrimet tuaja të shenjta afër 1 Nefi 15:24–25: Studimi dhe ndjekja e fjalës së Perëndisë çdo ditë na forcon kundër tundimeve të Satanit.
-
Për të ndihmuar në forcimin e dëshmisë suaj për këtë parim, përgjigjiuni njërës ose të dyja pyetjeve të mëposhtme në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta:
-
Cila përvojë që ka lidhje me studimin tuaj personal të shkrimeve të shenjta, ju ka ndihmuar të dini se ky parim është i vërtetë?
-
Si mund të zbuloni nëse ky parim është i vërtetë?
-
Në ëndrrën e Lehit, ata që u mbajtën fort te shufra e hekurt, u çuan të sigurt përmes mjegullës së errësirës për te pema e jetës. Te 1 Nefi 15:26, vëllezërit e Nefit i kërkuan atij të shpjegonte kuptimin e lumit që ishte afër pemës së jetës. Shikoni te 1 Nefi 15:27–29 dhe përcaktoni se çfarë përfaqësonte lumi.
Lexoni 1 Nefin 15:32–36. Përse vëllezërit e Nefit do të ishin shqetësuar nga këto mësime?
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Cilat pjesë të ëndrrës së Lehit dhe të interpretimit të Nefit për ëndrrën, tregojnë dashurinë dhe shqetësimin e Perëndisë për vëllezërit e Nefit?
-
Si e kuptoni dashurinë dhe shqetësimin e Perëndisë për ju te 1 Nefi 15?
-
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 1 Nefin 15 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe pikëpamje shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: