Seminari
Njësia 18: Dita 1, Alma 25–29


Njësia 18: Dita 1

Alma 25–29

Hyrje

Pas vitesh duke predikuar ungjillin, Amoni e lëvdoi Zotin dhe shprehu mirënjohje për bekimin e të qenit një mjet në duart e Tij për t’ua sjellë ungjillin lamanitëve. Shumë lamanitë filluan të besonin te Zoti, të pendoheshin e ta quanin veten anti-nefi-lehitë. Pasi anti-nefi-lehitët bënë një besëlidhje me Perëndinë që të mos i merrnin më kurrë armët e luftës, amalekitët dhe lamanitët filluan të bënin përgatitje për të shkuar në betejë kundër tyre. Për t’i ndihmuar ata ta mbanin besëlidhjen e tyre me Zotin, anti-nefi-lehitët pranuan një ofertë mbrojtjeje nga nefitët. Profeti nefit Alma shprehu gëzimin që ndjeu nga predikimi i ungjillit dhe të ftuarit e të tjerëve që të vinin te Krishti.

Alma 25

Profecia e Abinadit përmbushet dhe shumë lamanitë kthehen në besim

Mendoni rreth çdo ndryshimi që keni bërë teksa jeni bërë më të kthyer në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit. Alma 25 tregon për përmbushjen e profecisë së Abinadit se pasardhësit e priftërinjve të Noeut do të ndiqeshin e do të vriteshin dhe tregon se Zoti merr hak për profetët e Tij dhe i përmbush profecitë e tyre (shih Alma 25:9). Ai tregon edhe se si shumë lamanitë u penduan dhe u bashkuan me anti-nefi-lehitët. Lexoni tek Alma 25:14 dhe përcaktoni se çfarë bënë këta lamanitë ndërsa u bënë të kthyer në besim. Tek Alma 25:15 ne mësojmë dy arsye përse ata iu përmbajtën ligjit të Moisiut.

Alma 26

Amoni u gëzohet mëshirave të Zotit kundrejt lamanitëve dhe bijve të Mosias

punëtor ndërtimi duke përdorur vegla

Çfarë duhet për të ndërtuar një shtëpi ose një kishë? Çfarë lloj kishe mund të ndërtonte një zanatçi mjeshtër me veglat apo mjetet e duhura? Tek Alma 26, Amoni e përshkroi veten dhe vëllezërit e tij si mjete në duart e Perëndisë për të bërë një punë të madhe. Lexoni tek Alma 26:1–5, 12–13 dhe përcaktoni atë që përmbushi Zoti duke i përdorur Amonin dhe vëllezërit e tij si mjete në duart e Tij. (Ju mund të dëshironi t’i shenjoni përgjigjet që gjeni në shkrimet tuaja të shenjta.) Në vargun 5 shprehja “[hedh] drapërin” do të thotë të punosh fort, “duaj[t]” përfaqësojnë të kthyerit në besim, “hambarë[t]” përfaqësojnë Kishën dhe shprehja se ata që mblidhen të “mos shkojnë kot”, i drejtohet Perëndisë që i ruan të kthyerit në besim dhe u dhuron atyre jetë të përjetshme.

Përcaktoni ose shenjoni një ose më shumë shprehje tek Alma 26:12 që tregon se Amoni e kuptonte që ishte vetëm një mjet në duart e Zotit dhe se ishte Zoti ai që i përmbushi mrekullitë gjatë misionit të tij.

Nga këto vargje ne mësojmë këtë parim: Kur e përgatitim dhe e përulim veten, Zoti na forcon dhe na përdor si mjet në duart e Tij. Një parim shoqërues që mësojmë gjithashtu tek Alma 26, është: Ne përjetojmë gëzim kur u shërbejmë me besnikëri Zotit dhe fëmijëve të Tij. Lexoni tek Alma 26:11, 13, 16 dhe shenjojeni sa herë ta shikoni fjalën gëzim ose gëzohemi/ngazëllehemi.

Lexoni tek Alma 26:13–16 dhe përcaktoni arsyet që dha Amoni për gëzimin e tij.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përse mendoni se ne përjetojmë gëzim kur jemi në shërbimin e Zotit. Ju mund të doni të shkruani rreth një kohe kur ndiet gëzim si rezultat i shërbimit tuaj në Kishë.

Lexojini vargjet e mëposhtme dhe mendoni rreth përgjigjeve për pyetjet e tyre shoqëruese:

Alma 26:22–23, 26–29. Vini re kërkesat që renditen për të ditur misteret e Perëndisë. Çfarë premtimi u jepet misionarëve që i kanë këto cilësi? Çfarë pengesash hasi Amoni dhe vëllezërit e tij në shërbimin e tyre ndaj Zotit dhe lamanitëve? Cilat prej këtyre pengesave janë të ngjashme me pengesat e hasura nga ata që i shërbejnë Zotit sot? Çfarë mund të mësojnë misionarët e kohëve të sotme nga Alma 26:29 rreth vendeve se ku duhet ta japin mësim ungjillin?

Alma 26:30. Çfarë i nxiti bijtë e Mosias që të vazhdonin të shërbenin edhe gjatë kohëve të vështira?

  1. ikona e ditaritLexoni tek Alma 26:35–37 dhe përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat të vërteta që mësohen në këto vargje, do t’ju jepnin arsye për t’u gëzuar nga mirësia e Perëndisë? (Ju mund të dëshironi t’i shenjoni shprehjet që i tregojnë këto të vërteta.)

    2. Çfarë ndryshimi bën kur e dini se Perëndia kujdeset për ju?

Alma 27

Amoni e prin popullin e anti-nefi-lehit drejt sigurisë mes nefitëve

Teksa përgatiteni për të studiuar Almën 27, mendoni rreth përgjigjeve për pyetjet e mëposhtme:

  • A ju ka ndodhur që dikush t’ju bëjë një premtim e më pas të mos e mbajë atë premtim?

  • A njihni dikë që i ka mbajtur gjithmonë premtimet që ai ose ajo ju ka bërë?

  • Si ndiheni ndaj njerëzve që i mbajnë premtimet e tyre? Përse?

Pas përpjekjeve të tyre të pasuksesshme për t’i shkatërruar nefitët, lamanitët u përpoqën t’i shkatërronin ata lamanitë (anti-nefi-lehitët) që ishin kthyer në besim nga Amoni dhe vëllezërit e tij. Kujtoni se anti-nefi-lehitët i varrosën armët e tyre të luftës për të treguar se do ta mbanin besëlidhjen e tyre për të mos vrarë më kurrë. Për të zbuluar se sa të zotuar ishin anti-nefi-lehitët për ta mbajtur premtimin e tyre, lexoni tek Alma 27:2–3.

Beteja lamanite

Përfytyroni forcën e zotimit të anti-nefi-lehitëve për ta respektuar besëlidhjen e tyre për të mos i marrë më armët kur po sulmoheshin. Merrni parasysh si mund ta forconi zotimin tuaj për t’i mbajtur besëlidhjet tuaja me Atin Qiellor kur duket e vështirë ta bëni këtë.

Për shkak të përndjekjes dhe sulmeve nga lamanitët e ligj, Amoni i udhëhoqi anti-nefi-lehitët për në Zarahemla – një qytet nefit – ku nefitët premtuan t’i mbronin ata nga armiqtë e tyre. Merrni parasysh se çfarë mund të bënit për t’i ndihmuar njerëzit përreth jush që t’i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë me Zotin.

Pasi shkuan në Zarahemla, anti-nefi-lehitët u quajtën nga nefitët populli i Amonit. Lexoni Almën 27:27–30, duke kërkuar atë për të cilën u bë i njohur populli i Amonit. Shenjoni çdo fjalë ose shprehje që ju mësojnë parimin vijues: Kur kthehemi plotësisht në besim te Zoti, ne i mbajmë besëlidhjet që kemi bërë me Të.

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni njërës ose të dyja pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë përvojash keni pasur në të cilat ishte e vështirë për ju që t’i mbanit besëlidhjet tuaja me Zotin, por ju prapëseprapë i mbajtët ato?

    2. Kush ka qenë shembull për ju si dikush që është besnik dhe i vërtetë ndaj besëlidhjeve të veta me Zotin? Si ka treguar ai njeri besnikëri ndaj atyre besëlidhjeve?

Alma 28

Nefitët i shpartallojnë lamanitët në një betejë të madhe

  1. ikona e ditaritPërfytyroni se jeni një gazetar i caktuar për të pasqyruar ngjarjet që gjenden tek Alma 28. Lexoni tek Alma 28:1–6, 11–14 dhe shkruani një paragraf të shkurtër në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta duke përmbledhur atë që ndodhi. Sigurohuni që t’u jepni përgjigje pyetjeve në vijim në paragrafin tuaj.

    1. Çfarë çmimi paguan nefitët që e ndihmuan popullin e Amonit t’i mbante besëlidhjet e tij? (Shih Alma 28:1–3.)

    2. Sa i prekën këto vdekje nefitët? (Shih Alma 28:4–6.)

    3. Përse disa njerëz u frikësuan kur të dashurit e tyre vdiqën ndërkohë që të tjerët u gëzuan dhe ishin plot shpresë? (Shih Alma 28:11–12.)

Shkruani një thënie si parim për të përmbledhur atë që mësuat nga Alma 28:11–12:

Një nga parimet që na mësohen tek Alma 28 është: Kur kemi besim te Jezu Krishti dhe premtimet e Tij, ne mund të kemi shpresë dhe gëzim pavarësisht nga vdekja.

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni njërës ose të dyja pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur e keni dëshmuar dikë që është ndeshur me vetë vdekjen e tij ose të saj, apo vdekjen e një njeriu të dashur, me shpresë për shkak të besimit në Jezu Krishtin?

    2. Si do t’ia shpjegonit vdekjen dikujt në mënyrë që ai njeri të ketë shpresë edhe pas vdekjes së një njeriu të dashur?

Përcaktoni tri thënie “dhe kështu ne shohim” të Mormonit tek Alma 28:13–14. Ju mund të dëshironi t’i shenjoni këto në shkrimet tuaja të shenjta. Çfarë pikash thekson Mormoni teksa e mbyll rrëfimin e misionit të bijve të Mosias tek lamanitët? Përsiatni arsyen përse këto të vërteta janë të rëndësishme që ju t’i dini.

Alma 29

Alma ngazëllohet në sjelljen e shpirtrave te Perëndia

A keni dashur ndonjëherë të kishit fuqinë që i vetëm fare të bënit të ndodhte një e mirë e madhe ose që të ndalnit një ligësi të tmerrshme në botë? Alma 29 përmban shprehjen e Almës për dëshirën e tij për të qenë një mjet në duart e Zotit. Kërkoni tek Alma 29:1–3 dhe gjeni dëshirën e zemrës së Almës.

Alma Ngrihet

Duke kujtuar atë që i kishte ndodhur Almës kur ishte i ri, merrni parasysh përse Alma mund të kishte pasur dëshirën që shprehu. Vini re tek Alma 29:3 përse mendonte ai se po mëkatonte në dëshirën e tij. Lexoni Almën 29:4–5 dhe përcaktoni atë që Zoti u jep atyre që kanë dëshira të drejta.

Kërkoni tek Alma 29:10, 14–16 dhe shenjoni shpërblimin që mori Alma për sjelljen e shpirtrave te Krishti. Ju mund të doni ta shenjoni çdo herë që Alma përdor fjalën gëzim në këto vargje.

Një parim që na mësohet tek Alma 29, është: Ne do të përjetojmë gëzim kur i ndihmojmë të tjerët të pendohen dhe të vijnë te Jezu Krishti. Çfarë përvojash keni pasur që ju kanë ndihmuar të ndieni gëzim kur u keni dhënë ndihmë të tjerëve të vijnë te Krishti?

Përsiatni për një çast mënyra se si mund t’i ndihmoni individët në grupet vijuese të njerëzve, që të bëjnë ndryshime të nevojshme në jetën e tyre dhe që të vijnë te Jezu Krishti: a) miqtë tuaj, b) pjesëtarët e familjes suaj dhe c) ata që ju ende nuk i njihni mirë. Kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit ndërsa gjeni mundësi për t’i sjellë të tjerët te Jezu Krishti.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 25–29 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: