Njësia 20: Dita 2
Alma 40–41
Hyrje
Siç shënohet tek Alma 40–41, Alma i mësoi të birit, Koriantonit, doktrina të rëndësishme të lidhura me jetën pas vdekjes. Alma shpjegoi se, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi do të ringjallej. Alma i mësoi Koriantonit edhe për botën e shpirtrave, ku të vdekurit, në varësi të zgjedhjeve të tyre në vdekshmëri, presin në parajsë ose në burgun shpirtëror deri në ringjallje. Koriantoni mësoi nga Alma se plani i rivendosjes nuk përfshinte vetëm ringjalljen fizike, por edhe një rivendosje shpirtërore në të cilën ne marrim pasojat për veprimet dhe dëshirat tona. Së fundi, Alma theksoi se për këtë plan të rivendosjes është qendrore e vërteta se ligësia nuk mund të çojë kurrë në lumturi të vërtetë.
Alma 40
Alma i mëson Koriantonit për botën e shpirtrave dhe ringjalljen
Përfytyroni se keni një mik që ka përjetuar kohët e fundit vdekjen e një njeriu të dashur. Miku juaj, duke e ditur se jeni besimtar, ka ardhur te ju me pyetjet e mëposhtme:
-
Çfarë e bën të mundur për ne që të jetojmë përsëri? Kush do të ringjallet?
-
Ku shkojmë pasi vdesim dhe si është atje?
-
Çfarë është ringjallja? Cili është ndryshimi midis trupave tanë të vdekshëm dhe trupave të ringjallur? Çfarë ndodh pasi ringjallemi?
Informacioni tek Alma 40 mund të ndihmojë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Ky kapitull është vazhdim i mësimeve të Almës dhënë birit të tij, Koriantonit. Koriantoni ishte shqetësuar rreth ringjalljes së të vdekurve.
-
Lexojini që të tre fragmentet e shkrimeve të shenjta në vijim. Zgjidhni një ose më tepër nga fragmentet dhe shpjegoni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si i përgjigjet pyetjes që lidhet me to, ajo çka na mësoi Alma. (Nëse keni kohë në fund të mësimit, ju mund të doni të ktheheni e të shqyrtoni atë që dha mësim Alma në vargjet e tjera.)
-
Studioni Almën 40:1–5. Çfarë e bën të mundur për ne që të jetojmë përsëri? Kush do të ringjallet?
-
Studioni Alma 40:6–7, 11–14. Ku shkojmë pasi vdesim dhe si është atje? (Kur Alma dha mësim se shpirtrat e të gjithë njerëzve “çohen në shtëpi tek ai Perëndi që u dha atyre jetë” (Alma 40:11), ai po na mësonte se pas vdekjes sonë, por përpara ringjalljes sonë, shpirtrat tanë kthehen në botën e shpirtrave, jo në vendmbërritjen përfundimtare pas gjykimit nga Perëndia. Mund të jetë e dobishme të lexoni shënimet në fund të faqes te vargu 13 për të kuptuar atë që donte të thoshte Alma kur përmendi “errësirën e mëtejshme”. Alma 40:14 na ndihmon të kuptojmë edhe se kjo përmendje e errësirës së mëtejshme po i drejtohet një gjendjeje para ringjalljes të cilën ne zakonisht e quajmë burgu i shpirtrave dhe jo vendmbërritja përfundimtare apo e përhershme për ata që mallkohen.)
-
Studioni Almën 40:21–26. Çfarë është ringjallja? Cili është ndryshimi midis trupave tanë të vdekshëm dhe trupave tanë të ringjallur? Çfarë ndodh pasi ringjallemi?
-
Duke iu drejtuar Almës 40:11–12, Presidenti Xhorxh Q. Kenon, i Presidencës së Parë, shpjegoi se Alma “nuk synon të përçojë idenë se ata shoqërohen menjëherë në praninë vetjake të Perëndisë. Ai e përdor dukshëm atë shprehje në një kuptim të përshtatur” (Gospel Truth: Discourses and Writings of President George Q. Cannon, përzgj. Jerreld L. Newquist, 2 vëllime [1957–1974], 1:73).
Plaku Nil A. Maksuell, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi një pjesë të asaj që ne vërtet do të përjetojmë pasi të ringjallemi:
“Në Ditën e Gjykimit … do të ketë objektivitet gjithëpërfshirës. Jo vetëm që do të kemi atë që Libri i Mormonit e quan ‘kujtesë të mirë’ dhe ‘kujtim të plotë’ të keqbërjeve tona, por do të parashtrohen dhe rivendosen edhe gjërat e gëzueshme. Ne do të dimë ‘madje siç dimë tani’. (Alma 5:18; 11:43; shih edhe DeB 93:33.) Ne do të shohim ‘sy për sy’ (Mosia 12:22; 15:29) për shkak të një baze të dhënash të përbashkët.
Mes ‘të gjitha gjëra[ve] [që] do të rikthehen’ (Alma 40:23), do të jetë kujtesa, përfshirë, më së fundi, kujtesën tonë para lindjes. Merrni parasysh gëzimin e të qenit me mendje e zemër të bashkuar nga kujtimet e rëndësishme të të dyja gjendjeve, të parës e të dytës.
Çfarë vërshimi ndjenjash do të na vijë atëherë, kur një Perëndi i dashur e shikon të urtë që kujtimet të rikthehen plotësisht! Ky vërshim freskues i fakteve do ta shtojë më tej mirënjohjen tonë për faktin se sa larg shkon durimi i Perëndisë dhe për mirësinë e dashur të shlyerjes vullnetare të Jezusit!” (Lord Increase Our Faith [1994], f. 103).
Ringjallja është ribashkimi i shpirtit dhe i trupit, me të gjitha gjërat e rikthyera në formën e tyre të duhur dhe të përkryer. Pas ringjalljes ne vërtet do të qëndrojmë në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar. Lexoni tek Alma 40:25–26 dhe gjeni përshkrimin e Almës për gjendjen përfundimtare të atyre që zgjedhin drejtësi në këtë jetë, siç krahasohet me gjendjen përfundimtare të atyre që zgjedhin ligësinë. Merrni parasysh si mund ta prekë ky fragment dëshirën tuaj për të qenë të pastër përpara Perëndisë.
Sikurse shënohet tek Alma 40:16–22, ringjallja për të cilën foli Alma, qe në lidhje me kohën në tokë. Jezu Krishti ishte i pari që u ringjall, i ndjekur pak pas kësaj nga të drejtët që kishin jetuar e vdekur nga koha e Adamit deri në kohën e Ringjalljes së Krishtit (shih Alma 40:16, 20; DeB 133:54–55). Kjo ringjallje është ajo që Alma i drejtohet si “ringjallja e parë”.
Alma 41
Alma i mëson Koriantonit rreth planit të rivendosjes
Duke marrë parasysh të vërtetat që Alma na mësoi rreth ringjalljes, botës së shpirtrave dhe gjykimit, mendoni rreth mënyrës se si mund të ndikojë te veprimet e dikujt nëse beson apo jo te sa vijon:
-
Nuk ka jetë pas vdekjes.
-
Pasi të vdesim, ne do të bëhemi të përsosur pavarësisht nëse punët tona në tokë qenë të mira ose të liga.
-
Në gjykimin, ne vërtet do të shpërblehemi për punët tona të mira dhe do të ndëshkohemi për punët tona të këqija.
Tek Alma 41 ne mësojmë se Koriantoni ishte i hutuar nga ajo që disa njerëz po jepnin mësim për ringjalljen. Vini në dukje shprehjen “shkua[n] në udhë të gabuar” tek Alma 41:1 dhe më pas lexojeni këtë varg duke kërkuar se çfarë po i bënte disa njerëz të shkonin në udhë të gabuar. Për t’ju ndihmuar ta kuptoni këtë varg, mund të jetë e dobishme të dini se t’i shtrembërosh shkrimet e shenjta do të thotë t’ia shtrembërosh, ndërrosh apo ndryshosh kuptimin shkrimeve të shenjta.
Çfarë koncepti tha Alma se do ta qartësonte për Koriantonin?
Rivendosje do të thotë të kthehesh përsëri. Alma dëshironte që Koriantoni ta kuptonte se ka një anë fizike dhe një shpirtërore të atij që ai e quajti “plani i rivendosjes” (Alma 41:2). Kërkoni tek Alma 41:2–5 dhe shenjoni se çfarë do të na rivendoset fizikisht pas vdekjes dhe çfarë do të na rivendoset shpirtërisht. (E nevojshme në këto vargje do të thotë që kërkohet apo nevojitet.)
Cila është ana fizike e planit të rivendosjes të përmendur tek Alma 41:2?
Ana shpirtërore e planit të rivendosjes, e përshkruar tek Alma 40:3–5, është: Ne do të rivendosemi ose në lumturi ose në mjerim, sipas punëve dhe dëshirave tona në vdekshmëri.
-
Hamendësoni se do t’ju kërkohet t’ia mësoni Almën 40:3–5 një klase të Fillores. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si do t’iu shpjegonit doktrinën e rivendosjes shpirtërore në një mënyrë të thjeshtë që fëmijët ta kuptonin atë që dha mësim Alma.
Përsiatni se si të kuptuarit e doktrinës së rivendosjes mund dhe duhet t’i ndikojë veprimet dhe dëshirat tuaja.
Ndërsa arrijmë ta kuptojmë doktrinën e rivendosjes, ne fillojmë natyrshëm të shqetësohemi rreth pasojave që do të vijnë për shkak të mëkateve dhe zgjedhjeve tona të gabuara. A ka ndonjë mënyrë për t’i ndryshuar pasojat negative të dëshirave dhe veprimeve tona të gabuara? Alma i dha Koriantonit një arsye për të shpresuar. Lexoni tek Alma 41:6–9 dhe gjeni se çfarë mund të bëjmë për të pasur mirësi dhe lumturi të rivendosur për ne edhe kur kemi mëkatuar rëndë. Mund të dëshironi të shenjoni fjalë apo shprehje tek Alma 41:6–7 që sugjerojnë se ne jemi përgjegjës për atë që marrim në ringjallje. Mendoni për pyetjen që vijon: Në bazë të këtyre vargjeve, në çfarë kuptimi jemi gjykatës të vetvetes?
Ka disa njerëz që mendojnë se mund të kthehen për të banuar me Perëndinë pa mbajtur përgjegjësi personale për veprimet e tyre. Ata shpesh pretendojnë se zgjedhjet e tyre mëkatare janë zbavitëse. Ndonjëherë ata, të cilët përfshihen në mëkat, madje mund të duken se janë të lumtur. Por lexoni tek Alma 41:10 dhe kërkoni atë që Alma na mësoi rreth ligësisë. (Alma 41:10 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme që të mund ta gjeni ku është në të ardhmen.)
-
Tek Alma 41:10, Alma i dëshmoi birit të tij se “ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi”. Plotësojini detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Shkruani rreth arsyes pse ju besoni se pohimi i Almës është i vërtetë.
-
Shkruani një shembull rreth mënyrës se si Satani mund të përpiqet të na bindë të besojmë se mund t’i thyejmë urdhërimet e Perëndisë dhe prapëseprapë të jemi të lumtur.
-
Merrni parasysh ta shkruani thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson në shkrimet tuaja të shenjta pranë Almës 41:10: “Ju nuk mund të veproni gabim dhe të ndiheni mirë. Është e pamundur!” (“A Message to the Rising Generation”, Ensign, nëntor 1977, f. 30).
Alma 41:11 shpjegon arsyen përse është e pamundur për të qenë me të vërtetë të lumtur kur bëjmë zgjedhje të gabuara. Për t’ju ndihmuar ta kuptoni këtë varg, plotësojeni tabelën e mëposhtme duke e përkuar çdo shprehje nga shkrimet e shenjta me kuptimin e saj. (Kur të mbaroni, kontrollojini përgjigjet tuaja me përgjigjet në fund të mësimit.)
Fjalët ose shprehjet tek Alma 41:11 që përshkruajnë të qenit në një “gjendje të natyrshme” |
Kuptimi |
---|---|
|
|
|
|
|
|
Tani që i keni përkufizuar këto terma, lexojeni përsëri Almën 41:11 për të përcaktuar pse është e pamundur të jesh i lumtur ndërkohë që zgjedh diçka të gabuar. Disa njerëz që zgjedhin ligësinë, mund të mendojnë se janë të lumtur për momentin, por zgjedhjet e tyre përfundimisht do të çojnë në keqardhje dhe palumturi.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjeve vijuese:
-
Përse mendoni se të qenit në “një gjendje të natyrshme” ose një “gjendje të mishit” apo të mëkatit është në kundërshtim me natyrën e lumturisë?
-
Cilët janë disa shembuj të arsyes përse të rinjtë mund ta gjejnë veten pa shoqërimin e Shpirtit të Shenjtë, të kufizuar ose të rënduar nga mëkatet e tyre, apo të drejtuar nga vullneti i mishit?
-
Lexoni tek Alma 41:12 dhe kërkoni pyetjen që Alma i bëri Koriantonit rreth rivendosjes. Tani lexoni tek Alma 41:13 dhe shenjoni mënyrën si iu përgjigj Alma kësaj pyetjeje.
-
Përfytyroni se po i flisni një miku që dëshiron të jetë i lumtur, por po zgjedh të veprojë në mënyra që janë në kundërshtim me urdhërimet e Zotit. Duke përdorur doktrinën e rivendosjes që keni studiuar sot, shpjegoni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përse ai ose ajo nuk po përjeton lumturi dhe atë që duhet të bëhet për t’u bërë vërtet i/e lumtur.
Një bumerang është një mjet që përdorej fillimisht për gjueti. Për shkak të formës së tij, kur hidhet siç duhet, ai i kthehet personit që e hodhi. Lexoni tek Alma 41:14–15, duke kërkuar mënyra në të cilat një bumerang mund të jetë simbol për të vërtetat që na mësohen në këto vargje. Ju mund të dëshironi ta shenjoni fjalën “dërgon” te vargu 15. Merrni parasysh një kohë kur keni dërguar mirësi, mëshirë ose mirësjellje dhe e keni marrë atë prej të tjerëve.
Cili është një veprim i drejtë që do t’ju pëlqente t’ua dërgonit të tjerëve ose një qëndrim i drejtë që do t’ju pëlqente ta shihnin të tjerët te ju, që do t’ju pëlqente ta merrnit edhe ju nga të tjerët? Çfarë synimi mund të vendosni për të “dërg[uar]” një prej këtyre qëndrimeve apo veprimeve?
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Alma 41:10
-
Lexoni Almën 41:10 dhe shkruani sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Nëse ligësia kurrë nuk ka qenë lumturi, atëherë do të çojë gjithnjë në lumturi. Shkruani një fjalë në vendin bosh që e plotëson më së miri fjalinë. Tani, renditni një numër veprimesh të caktuara, të drejta, që ndieni se përshtaten në vendin bosh (për shembull, shërbimi ndaj të tjerëve). Shkruani dëshminë tuaj mbi mënyrën se si i keni parë disa nga këto veprime të drejta të çojnë në lumturi.
Është e rëndësishme të kuptohet se lumturia që vjen nga drejtësia, nuk është gjithnjë e menjëhershme, e qëndrueshme apo e vazhdueshme këtu në vdekshmëri. Megjithatë, paqja dhe lumturia gjithnjë do t’i vijnë në mënyrën dhe kohën e Zotit një individi që është në harmoni me mësimet dhe urdhërimet e Tij.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Almën 40–41 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: