Njësia 19: Dita 3
Alma 37
Hyrje
Siç shënohet tek Alma 37, Alma e vazhdoi këshillën e tij për birin e tij, Helamanin, dhe i dha atij përgjegjësi për analet e shenjta. Ai e kujtoi Helamanin se shkrimet e shenjta tashmë kishin qenë mjetet për t’i sjellë mijëra lamanitë te Zoti dhe ai profetizoi se Zoti kishte qëllime të tjera të mëdha për analet në të ardhmen. Alma e udhëzoi të birin për atë që duhej t’u mësonte njerëzve dhe i mësoi Helamanit rëndësinë e të parit tek fjalët e Jezu Krishtit për udhërrëfim, duke i krahasuar fjalët e Shpëtimtarit me Liahonën.
Alma 37
Alma ia beson Helamanit analet, e këshillon atë të zbatojë urdhërimet dhe e kujton atë se si Liahona vepronte sipas besimit
Merrni parasysh diagramën vijuese:
Mendoni për dy ose tri gjëra të vogla që e kanë ndryshuar rrënjësisht botën, të tilla si llamba elektrike. Mendoni për disa gjëra të vogla që kanë bërë një ndryshim të madh për mirë në jetën tuaj. Shkruajini dy prej këtyre gjërave të vogla në anën e majtë të diagramit të mësipërm. Në anën e djathtë, shkruani disa fjalë që përshkruajnë ndikimin e madh që këto gjëra të vogla kanë pasur në jetën tuaj.
Siç shënohet tek Alma 37, Alma po e përgatiste birin e tij, Helamanin, që të bëhej mbajtësi i ardhshëm i analeve të shenjta. Alma i mësoi Helamanit një parim rreth rolit të gjërave të vogla dhe të thjeshta në planin e Zotit. Lexoni tek Alma 37:6–7 dhe më pas plotësoni parimin vijues: Për t’i bërë të ndodhin qëllimet e Tij të përjetshme, Zoti vepron me anë të.
Lexoni tek Alma 37:1–7 dhe kërkoni se çfarë përshkroi Alma si një gjë të vogël e të thjeshtë. Kërkoni edhe tek Alma 37:8–10, duke parë për mënyrat në të cilat fletët prej tunxhi (që përmbanin shkrimet e shenjta) çuan në gjëra të mëdha për njerëzit e Librit të Mormonit. Ndërsa lexoni, shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta se cilat nga këto bekime keni marrë edhe ju nëpërmjet studimit tuaj vetjak të shkrimeve të shenjta.
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cilat janë dy ose tri mënyra se si shkrimet e shenjta kanë bërë që të ndodhin gjëra të mëdha në jetën tuaj?
Alma 37:13–16 shënon këshillën që Alma i dha Helamanit ndërsa ai i ngarkoi të birit detyrën e analeve. Studiojini këto vargje dhe kërkoni parimet që dha mësim Alma. Një prej këtyre parimeve është: Nëse u bindemi urdhërimeve të Zotit, ne do të përparojmë. Përsiatni se si ka të bëjë ky parim me diagramin në fillim të këtij mësimi.
Siç shënohet tek Alma 37:35–47, Alma e udhëzoi Helamanin t’u mësonte njerëzve që ta mposhtnin ligësinë dhe tundimin nëpërmjet besimit në Zotin Jezu Krisht. Më poshtë janë dy plane mësimore që i trajtojnë këto mësime. Studiojeni secilin mësim dhe shkrimet e shenjta që e shoqërojnë atë. Pastaj përgatituni për t’ia mësuar një prej mësimeve një anëtari të familjes, gjithë familjes suaj (ndoshta si pjesë të një mësimi të mbrëmjes familjare), apo një miku. Mund të doni të bëni disa përshtatje të mësimit në varësi të kujt po i jepni mësim dhe vendit ku po e jepni atë. Planifikoni një orar dhe jepeni mësimin në ditën e caktuar. Gjithashtu, silleni përmbledhjen e mësimit në klasën tjetër të studimit tuaj në shtëpi dhe jini të përgatitur, nëse thërriteni, që t’ia mësoni klasës.
Mësimi 1 – Alma 37:35–37
U shpjegoni atyre që u jepni mësim, se është e zakonshme për ata që mbjellin pemë, ta lidhin një pemë të re te një kunj dhe më vonë ta heqin mbështetjen kur pema rritet. Pyetni: Përse mendoni se një peme do t’i nevojitet të ketë një kunj për mbështetje ndërkohë që është e re dhe në rritje?
Lexoni përvojën e mëposhtme nga jeta e Presidentit Gordon B. Hinkli:
Presidenti Gordon B. Hinkli mbolli një pemë të re pranë shtëpisë së tij pak kohë pasi u martua. I kushtoi pak vëmendje asaj gjatë viteve që kaluan. Një ditë vuri re se pema ishte shformuar dhe anonte nga perëndimi, sepse erërat nga lindja e kishin përkulur ndërkohë që ajo ishte e re dhe e përkulshme. Ai doli jashtë dhe u përpoq ta shtynte drejt, por trungu ishte shumë i trashë. U përpoq të përdorte një litar dhe pulexha për ta drejtuar, por ajo nuk do të përkulej. Më së fundi, mori sharrën dhe e preu degën e rëndë në anën perëndimore, e cila la një shenjë të shëmtuar. Ai më vonë tha për pemën:
“Kishte kaluar më shumë se gjysmë shekulli që kur e mbolla atë pemë. Bija ime dhe e gjithë familja e saj jetojnë atje tani. Të nesërmen, i hodha një sy përsëri pemës. Është e madhe. Forma e saj është më e mirë. Është një gjë me vlerë për shtëpinë. Por sa e rëndë ishte trauma e rinisë së saj dhe sa i egër trajtimi që përdora për ta drejtuar atë.
Kur u mboll fillimisht, një copë spangoje do ta kishte mbajtur në vend kundrejt forcave të erës. Unë mund ta kisha vendosur dhe duhej ta kisha vendosur atë spango me shumë pak përpjekje. Por nuk e bëra dhe ajo u përkul ndaj forcave që erdhën kundër saj” (“Bring Up a Child in the Way He Should Go”, Ensign, nëntor 1993, f. 59).
Vëreni dikë të lexojë këshillën e Almës për Helamanin tek Alma 37:35 dhe diskutoni si lidhet ky varg me përvojën e Presidentit Hinkli me pemën. (Alma 37:35 është një fragment për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme që të mund ta gjeni ku është në të ardhmen.)
Ftojini ata, të cilëve u jepni mësim, që të thonë një parim që përmbledh Almën 37:35. (Mund të jetë diçka e ngjashme me sa vijon: Ne duhet të mësojmë në rininë tonë që të zbatojmë urdhërimet e Perëndisë.) Ju mund të doni të bëni një ose më tepër nga pyetjet e mëposhtme:
-
Çfarë ndryshimi do të bënte në jetën e njerëzve nëse ata do të mësonin t’i zbatonin urdhërimet e Perëndisë kur ishin ende të rinj?
-
Si ka bërë ndryshim për ju mbajtja e udhërimeve ndërsa jeni në rininë tuaj?
-
A mund të mendoni për dikë që u bekua për gjithë pjesën tjetër të jetës së tij ose të saj, ngaqë kishte mësuar t’u bindej urdhërimeve sa ishte i/e ri/re? Si u bekua ky njeri?
Kërkojini dikujt të lexojë Almën 37:36–37 me zë të lartë e të kërkojë këshillën e posaçme që mund ta ndihmojë një njeri për t’i zbatuar urdhërimet. Bëni pyetje si këto në vijim:
-
Si mund t’ju ndihmojë ndjekja e kësaj këshille çdo ditë, që t’i zbatoni urdhërimet?
-
Në çfarë mënyrash përpiqeni ta vini Zotin të parin në mendimet dhe veprimet tuaja? Si mund të përmirësoheni?
-
Çfarë premtimesh u jepen atyre që janë plot lutje?
Jepni dëshminë tuaj rreth mënyrës se si këshillimi me Zotin ju ka ndihmuar që të zbatoni urdhërimet. Ftojini ata të cilëve po u jepni mësim, që t’i ndjekin fjalët e Almës mbi këshillimin me Zotin.
Mësimi 2 – Alma 37:38–45
Kërkojuni atyre të cilëve po u jepni mësim, nëse e dinë emrin e busullës që Zoti i dha familjes së Lehit, e cila i ndihmoi ata të udhëtonin për në tokën e premtuar. Pastaj kërkojini dikujt të lexojë Almën 37:38. Shpjegoni se Alma përmendi Liahonën që t’i mësonte Helamanit një parim të rëndësishëm rreth mënyrës se si Zoti i udhëzon fëmijët e Tij.
Bëjini ata të cilëve po u jepni mësim, që t’u përgjigjen pyetjeve vijuese me anë të leximit të vargjeve të përmendura dhe kërkimit për përgjigjen:
-
Sipas Almës 37:38–40, si punonte Liahona?
-
Sipas Almës 37:41–42, përse ndonjëherë Liahona pushonte së punuari?
-
Sipas Almës 37:43–45, si ngjason Liahona me fjalët e Krishtit?
Shpjegoni se fjalët simbolikë dhe simbolike (Alma 37:43, 45) nënkuptojnë diçka që përdoret si simbol për një ide më të madhe. Për shembull, bindja ose mosbindja e familjes së Lehit ndaj udhëzimeve të Liahonës është një simbol i zgjedhjeve tona sot për t’iu bindur apo mosbindur fjalëve të Krishtit. Pikërisht ashtu siç mbërriti familja e Lehit në tokën e premtuar duke ndjekur Liahonën, ne vërtet do të marrim jetë të përjetshme kur i ndjekim fjalët e Krishtit.
Kërkojini dikujt të shpjegojë se ku mund t’i gjejmë fjalët e Krishtit në jetën tonë. (Disa përgjigje të mundshme mund të jenë shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve të kohës sonë, një bekim patriarkal dhe nxitjet e Shpirtit).
Pyetni: Çfarë parimesh po i mësonte Alma Helamanit duke përdorur shembullin e Liahonës? (Përgjigjet mund të jetë disi të ngjashme me parimin vijues: Nëse ua vëmë veshin fjalëve të Jezu Krishtit, ato do të na drejtojnë për të marrë jetë të përjetshme.) Ju mund të doni të jepni dëshminë tuaj se të dëgjuarit e fjalëve të Zotit dhe bindja ndaj tyre do të sjellin bekime të mëdha në jetën tonë.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani disa fjali duke përshkruar atë që mësuat nga studimi i mësimit që zgjodhët të jepni.
-
Shkruani sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Kam vendosur ta jap mësimin tim mbi Almën 37: (shkruani se cilat vargje do të jepni mësim). Do t’i jap mësim (shkruani se kujt keni zgjedhur t’i jepni mësim) më (shkruani datën kur keni planifikuar ta jepni këtë mësim).
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Alma 37:35
Shenjoni Almën 37:35. Përpiquni ta mësoni përmendsh këtë varg. Më pas ia thoni përmendsh ose lexojani një prindi ose një të rrituri tjetër të besuar. Bëjini këtij njeriu pyetjet vijuese:
-
Si ju ka ndihmuar në jetën tuaj bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë?
-
Çfarë këshille keni për mua, që mund të më ndihmojë të kem më shumë urtësi në rininë time?
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth asaj që mësuat nga njeriu të cilit i folët rreth Almës 37:35.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Almën 37 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: