Njësia 13: Dita 1
Mosia 18
Hyrje
Alma, që ishte një prift i mbretit të lig Noe, i besoi fjalët e profetit Abinadi dhe u pendua për mëkatet e tij. Pas vdekjes së Abinadit, Alma mësoi njerëz të tjerë fshehtas rreth Jezu Krishtit. Ata që e besuan Almën, kishin dëshirë të hynin në grigjën e Perëndisë. Ata hynë në besëlidhjen e pagëzimit në një vend të quajtur Ujërat e Mormonit. Teksa studioni Mosian 18, kërkoni atë që Alma u mësoi lidhur me premtimet që bëni kur pagëzoheni, dhe atë që Zoti do të bëjë për ju kur i mbani ato premtime.
Mosia 18:1–16
Alma i mëson dhe pagëzon njerëzit
Mendoni rreth pagëzimit tuaj. Çfarë hollësish kujtoni rreth përvojës? Si u përgatitët për pagëzimin tuaj? Çfarë ndjenjash kujtoni rreth pagëzimit tuaj? Përsiatni se çfarë mund të vlerësoni edhe më shumë rreth pagëzimit tani, nga sa e vlerësuat kur u pagëzuat.
Mosia 18 na ndihmon të kuptojmë besëlidhjen që bëjmë me Perëndinë në pagëzim. Një besëlidhje është “një marrëveshje ndërmjet Perëndisë dhe njeriut, por ata nuk veprojnë si të barabartë në marrëveshje. Perëndia jep kushtet e besëlidhjes dhe njerëzit pranojnë të bëjnë atë që ai u kërkon të bëjnë. Perëndia më pas u premton njerëzve bekime të caktuara për bindjen e tyre” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besëlidhje”, f. 14 ose scriptures.lds.org).
Për të parë se si Mosia 18 na ndihmon të kuptojmë besëlidhjen e pagëzimit, vini në dukje përmbledhjen vijuese të këtij kapitulli: Mosia 18:1–7, Përgatitja për Besëlidhjen; Mosia 18:8–16, Bërja e Besëlidhjes; dhe Mosia 18:17–30, Vënia në Jetë e Besëlidhjes. Ju mund të dëshironi ta shkruani secilën temë (për shembull, Përgatitja për Besëlidhjen) në krah të vargjeve përkatëse në shkrimet tuaja të shenjta.
Lexoni Mosian 18:1–2, 6–7, duke kërkuar doktrinat dhe parimet që Alma u mësoi njerëzve për t’i ndihmuar për pagëzimin. Në hapësirën më poshtë, shkruani se si një kuptueshmëri e asaj që Alma u mësoi popullit të tij, do ta ndihmonte dikë sot për t’u përgatitur për pagëzim:
Mosia 18:8–11 shënon se si Alma e ndihmoi popullin e tij që t’i kuptonte premtimet të cilat do t’i bënin dhe merrnin nëpërmjet besëlidhjes së pagëzimit.
-
Vizatoni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Hetoni Mosian 18:8–11 për atë që Alma u mësoi rreth premtimeve që ne i bëjmë Perëndisë (çfarë “je[mi] të gatshëm” të bëjmë) dhe premtimet që Perëndia na bën ne kur pagëzohemi. Shkruajeni atë që zbuloni, në kolonat e duhura të tabelës suaj.
Unë Premtoj |
Perëndia Premton |
---|---|
Një nga parimet e ungjillit, i dukshëm te Mosia 18:8–11 është: Ne marrim Shpirtin e Zotit dhe premtimin e jetës së përjetshme duke bërë dhe mbajtur besëlidhjen e pagëzimit.
-
Në fund të tabelës në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një përmbledhje të asaj që keni mësuar rreth rëndësisë së bërjes dhe mbajtjes së besëlidhjes së pagëzimit.
Lexoni thënien në vijim nga Plaku Xhozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe nënvizoni bekimet që mund të na vijnë kur i kuptojmë premtimet që bëjmë dhe marrim në pagëzim: “Gjatë jetës sime kam vënë re se, kur njerëzit arrijnë t’i kuptojnë plotësisht bekimet dhe fuqinë e besëlidhjes së tyre të pagëzimit, qoftë si të kthyer të rinj në besim apo anëtarë të lindur në Kishë, gëzim i madh vjen në jetën e tyre dhe ata u drejtohen detyrave të tyre në mbretëri me entuziazëm ngjitës” (“Alma the Elder: A Role Model for Today”, në Heroes from the Book of Mormon [1995], f. 84).
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth mënyrës se si besëlidhja juaj e pagëzimit mund të ndikojë në mënyrën se si e jetoni çdo ditë. (Për shembull, merrni parasysh premtimin tuaj për të “qëndr[uar] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat”, sikurse lidhet me mënyrën se si ndërveproni me të tjerët, duke përfshirë mënyrën se si i trajtoni anëtarët e familjes, gjërat që diskutoni me miqtë dhe të njohurit, gjuhën që përdorni, llojin e filmave ose të shfaqjeve televizive që shihni, muzikën që dëgjoni, marrëdhëniet shoqërore e daljen në takime dhe mënyrën se si iu përgjigjeni atyre që i kritikojnë bindjet tuaja.)
Me kujdes hetoni Mosian 18:12–16 dhe përcaktoni shembuj të mënyrës se si Zoti e përmbushi pjesën e Tij të besëlidhjes me Almën dhe popullin e tij pas pagëzimit të tyre. Ju mund të dëshironi t’i shenjoni ndryshimet që gjeni.
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth një kohe kur e ndiet se Zoti ju bekoi me Shpirtin e Tij ndërsa e mbajtët premtimin që bëtë në pagëzim për t’i shërbyer Atij.
Mosia 18:17–30
Alma themelon Kishën e Jezu Krishtit mes popullit
Sa shpesh mendoni për besëlidhjet që bëtë në pagëzim dhe i ripërtërini kur merrni sakramentin? Sa shpesh duhet të mendoni për to? Kur harxhoni zakonisht kohë për të menduar rreth këtyre besëlidhjeve?
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, na mësoi për rëndësinë e mbajtjes së besëlidhjeve tona me Zotin: “Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë popull i besëlidhjes. Që nga dita e pagëzimit përmes arritjeve shpirtërore të jetëve tona, ne i bëjmë premtime Perëndisë dhe Ai na bën premtime neve. Ai gjithmonë i mban premtimet e Tij, të dhëna nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të autorizuar, por prova vendimtare e jetës sonë është që të shohim nëse ne do t’i bëjmë e do t’i mbajmë besëlidhjet tona me Të” (“Witnesses for God”, Ensign, nëntor 1996, f. 30).
Lexoni Mosian 18:17–18, 20–23, 27–29, duke kërkuar se si anëtarët e Kishës në kohën e Almës i mbajtën besëlidhjet e tyre të pagëzimit. Ju mund të dëshironi të shenjoni fjalë dhe fraza të veçanta te Mosia 18:22, 26, 30, të cilat vënë në dukje se bekime të mëdha iu vijnë atyre që i mbajnë besëlidhjet e tyre të pagëzimit.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cila është një gjë që do të bëni për t’i mbajtur më mirë besëlidhjet që bëtë në pagëzim? Si do ta mbani këtë zotim?
Mosia 18:31–35
Ata që i përkasin Kishës, i shpëtojnë përndjekjes së mbretit Noe
Studioni Mosian 18:31–33 për të mësuar atë që po bënte mbreti Noe në qytetin e Lehi-Nefit, ndërkohë që Alma dhe populli i tij po gëzonin bekime të mëdha pranë Ujërave të Mormonit. Lexoni Mosian 18:34 dhe më pas Mosian 23:1–2 për të gjetur se si Alma u “lajmërua” lidhur me rrezikun me të cilin do të përballej populli i tij.
Merrni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në krah të Mosias 18:34: Zoti mund t’i paralajmërojë të drejtët kur ata janë në rrezik.
Lexoni përvojën e mëposhtme, të treguar nga Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e cila e ilustron këtë të vërtetë:
“Në punën e tij si agjent i posaçëm për FBI-në, miku im hetonte grupe kriminale të organizuara që transportonin droga të paligjshme për në Shtetet e Bashkuara.
Në një rast, ai dhe një agjent tjetër iu afruan një apartamenti ku ata besonin se një shitës i njohur droge po shpërndante kokainë. Miku im përshkruan atë që ndodhi:
‘Trokitëm në derën e shitësit të drogës. I dyshuari e hapi derën dhe, me të na parë, u përpoq të na zinte pamjen. Por ishte tepër vonë; ne arritëm ta shihnim kokainën mbi tryezë.
Një burrë dhe një grua që ishin tek tryeza, filluan menjëherë të hiqnin kokainën. Na duhej t’i ndalnim nga shkatërrimi i provave, kështu që unë menjëherë e shtyva të dyshuarin e drogës, i cili po bllokonte derën anash. Kur e shtyva, sytë më hasën me sytë e tij. Çuditërisht, nuk dukej i zemëruar apo i frikësuar. Ai po më buzëqeshte.
Sytë dhe buzëqeshja e tij çarmatosëse më dhanë përshtypjen se ishte i parrezikshëm dhe prandaj me të shpejtë e lashë atë dhe zura t’i afrohem tryezës. I dyshuari tashmë ndodhej pas. Në atë çast, një përshtypje e qartë dhe e fuqishme më erdhi në mendje: “Ruhu nga e keqja prapa syrit të qeshur”.
Menjëherë u ktheva në drejtim të të dyshuarit. Dorën e kishte në xhepin e madh të përparmë. Instinktivisht ia mbërtheva dorën dhe ia nxora nga xhepi. Vetëm atëherë e pashë, në dorën e shtrënguar, revolen gjysmëautomatike gati për zjarr. Pasoi një veprim i rrufeshëm dhe unë e çarmatosa atë.’ …
… Fryma e Shenjtë e paralajmëroi mikun tim për rrezikun fizik; Fryma e Shenjtë do t’ju paralajmërojë juve edhe për rrezikun shpirtëror” (“Beware of the Evil behind the Smiling Eyes”, Ensign ose Liahona, maj 2005, f. 46–47).
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth ndjenjave që keni pasur nga Fryma e Shenjtë ose rreth përvojave që kujtoni, ku jeni paralajmëruar për rrezikun fizik ose shpirtëror, apo jeni mbrojtur prej tij, ose shkruani rreth përvojave të dikujt që njihni ose për të cilin keni lexuar apo dëgjuar.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Mosian 18 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: