Njësia 22: Dita 1
Helamani 1–2
Hyrje
Pasi kryegjykatësi Pahoran vdiq, pati një grindje të rëndë mes nefitëve rreth asaj se cili prej bijve të tij – Pahorani, Peanki dhe Pakumeni – duhej të bëhej kryegjykatësi i ri. Pahorani u zgjodh nga populli si kryegjykatësi i ri. Një prej pasuesve të Peankit, një burrë me emrin Kishkumeni, i cili ishte zëdhënës i një bande të fshehtë, e vrau Pahoranin dhe atëherë Pakumeni u caktua kryegjykatës. Duke përfituar nga kjo grindje dhe përçarje, lamanitët qenë në gjendje të pushtonin kryeqytetin e nefitëve, Zarahemlën, dhe të vrisnin Pakumenin. Gjenerali i nefitëve, Moroniha, rimori qytetin e Zarahemlës dhe Helamani u caktua kryegjykatës. Kishkumeni vritet teksa përpiqet të vrasë Helamanin dhe Gadiantoni bëhet udhëheqës i bandës së fshehtë.
Helamani 1
Grindja mbi atë se cili duhet të jetë kryegjykatës u jep mundësi lamanitëve ta pushtojnë Zarahemlën, kryeqytetin e nefitëve
Mendoni për herën e fundit kur keni pasur një debat me dikë ose keni parë të tjerët të kishin një debat. Çfarë problemesh shkakton një grindje e tillë? Ndërsa studioni Helamanin 1, shihni për problemet që u solli grindja nefitëve dhe përsiatni se çfarë mund të mësoni nga përvoja e tyre.
Lexoni fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë dhe shkruani në hapësirat e dhëna bosh përgjigjet tuaja për pyetjet:
-
Helamani 1:1–4. Çfarë e shkaktoi grindjen dhe ndarjet mes popullit nefit?
-
Helamani 1:5–8. Kush ishte caktuar kryegjykatës? Si reaguan dy vëllezërit e kryegjykatësit të ri?
-
Helamani 1:9–12. Çfarë bëri Kishkumeni dhe çfarë besëlidhje bënë Kishkumeni dhe banda e tij e fshehtë me njëri-tjetrin?
Gjatë kësaj periudhe grindjeje midis nefitëve, një njeri me emrin Koriantumr i udhëhoqi lamanitët në betejë kundër qytetit të Zarahemlës. Lexoni Helamanin 1:18–22 dhe përcaktoni se çfarë qenë në gjendje të bënin lamanitët si pasojë e grindjes mes nefitëve.
Një prej të vërtetave që mund të mësojmë nga ky rrëfim, është: Grindja është përçarëse dhe na bën të cenueshëm nga ndikimi i kundërshtarit. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta pranë Helamanit 1:18.
-
Për t’ju ndihmuar që ta kuptoni më mirë këtë parim, përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Një e re ka bërë fjalë me prindërit rreth miqve të saj. Si mund të ndikojë kjo grindje në qëndrimin e saj kundrejt të dëgjuarit të këshillës së prindërve për sfera të tjera të jetës së saj?
-
Një i ri ka ndjenja inati kundrejt dikujt në kuorumin e tij të priftërisë. Si mundet të ndikojë kjo grindje në mënyrën se si sillet ai në Kishë?
-
Mendoni për një sferë të jetës suaj në të cilin ndieni se ka grindje midis jush dhe njerëzve të tjerë. Çfarë është një gjë e posaçme që mund të bëni për ta eliminuar këtë grindje nga jeta juaj? Si mund ta arrini këtë?
-
Helamani 1:22–30 shënon se pasi lamanitët mposhtën Zarahemlën, ata menjëherë filluan të marshonin drejt qytetit të Begatisë në mënyrë që ta pushtonin edhe atë. Ushtritë nefite qenë në gjendje t’i rrethonin lamanitët dhe t’i mundnin ata. Shumë lamanitë u vranë dhe ata që u dorëzuan, u lejuan të riktheheshin në tokat e tyre.
Helamani 2
Helamani bëhet kryegjykatës dhe shërbëtori i tij pengon një bandë të fshehtë që t’ia marrë jetën
Përpara se të studioni Helamanin 2, mendoni rreth asaj se si një e re apo një i ri besnik do të përpiqej ta zgjidhte një gabim ose mëkat. A do të përpiqej ai ose ajo ta fshihte atë apo do t’i kërkonte falje Zotit dhe atyre që ishin lënduar?
Pasi Kishkumeni vrau Pahoranin, ai dhe anëtarët e bandës së tij të fshehtë i premtuan njëri-tjetrit që kurrë nuk do t’i tregonin askujt se cili e kishte bërë vrasjen. Lexoni Helamanin 2:3–4 dhe kushtojini vëmendje frazës “kishin hyrë në besëlidhje se askush nuk duhej të dinte ligësinë e tij”. Pastaj lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 58:43 dhe kërkoni mënyrën se si Zoti dëshiron që të veprojmë kur kemi bërë diçka të gabuar.
-
Bazuar në studimin që i keni bërë Helamanit 2:3–4 dhe Doktrinës e Besëlidhjeve 58:43, shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta ndryshimet midis asaj se si Zoti dëshiron që ne të veprojmë nëse kryejmë një mëkat, dhe asaj se si vepruan Kishkumeni dhe pasuesit e tij.
Pas vdekjes së Pakumenit, vëllait të Pahoranit, Helamani u bë kryegjykatësi i ri dhe atëherë Kishkumeni dhe banda e tij e fshehtë vendosën ta vrisnin edhe Helamanin. Një njeri me emrin Gadianton u bë udhëheqësi i bandës së fshehtë në këtë kohë. Lexoni Helamanin 2:2–9 dhe shkruani në hapësirën bosh më poshtë se si u vra Kishkumeni:
Lexoni Helamanin 2:10–14 dhe shihni për atë çfarë i ndodhi bandës së hajdutëve të Gadiantonit. Mormoni paralajmëroi se grupet e fshehta, si hajdutët e Gadiantonit, të cilat u quajtën “lidhje të fshehta” (shih, për shembull, Helamani 3:23), do të çonin përfundimisht në shkatërrimin e popullit nefit. Profetët e mëparshëm të Librit të Mormonit kishin paralajmëruar gjithashtu kundër përqafimit të lidhjeve të fshehta (shih 2 Nefi 26:22; Alma 1:12). Libri i Mormonit na mëson këtë parim: Lidhjet e fshehta mund të çojnë në shkatërrimin e shoqërive.
Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, paralajmëroi për rreziqet e lidhjeve të fshehta sot. Ndërsa e lexoni paralajmërimin e tij, shenjoni atë që mund të bëjmë për t’u bërë ballë lidhjeve të fshehta.
“Libri i Mormonit na mëson se lidhjet e fshehta që merren me krimin, paraqesin një sfidë serioze, jo vetëm për individët dhe familjet, por për mbarë qytetërimet. Ndër lidhjet e fshehta të sotme janë bandat, kartelet e drogës dhe familjet e krimit të organizuar. Lidhjet e fshehta të ditëve të sotme funksionojnë në mënyrë shumë të ngjashme me hajdutët e Gadiantonit në kohën e Librit të Mormonit. … Mes qëllimeve të tyre janë ‘të vr[asin] dhe të plaçkit[in] dhe të [vjedhin], dhe të bë[jnë] lavirësi dhe të gjitha llojet e ligësisë, në kundërshtim me ligjet e vendit të tyre dhe gjithashtu me ligjet e Perëndisë së tyre’ [Helamani 6:23].
Nëse ne nuk jemi të kujdesshëm, lidhjet e fshehta të sotme mund të fitojnë pushtet dhe ndikim po aq shpejt dhe po aq plotësisht, siç arritën ato në kohët e Librit të Mormonit. …
Libri i Mormonit na mëson që djalli është ‘autori i të gjitha mëkateve’ dhe themeluesi i këtyre lidhjeve të fshehta [Helamani 6:30]. … Synimi i tij është që të shkatërrojë individë, familje, komunitete dhe kombe [shih 2 Nefi 9:9]. Deri diku, ai ishte i suksesshëm gjatë kohëve të Librit të Mormonit. Dhe po arrin shumë më tepër sukses sot. Kjo është arsyeja pse është aq e rëndësishme që ne … të kemi një qëndrim të patundur për të vërtetën dhe të drejtën duke bërë ç’të mundim për të ndihmuar t’i mbajmë të sigurta komunitetet tona.
… [Ne mund të] ‘qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë’ duke dhënë shembullin, duke mbajtur standardet e Kishës dhe duke e ndarë dëshminë tonë me ata që janë rreth nesh [shih Mosia 18:9]” (“Standing for Truth and Right”, Ensign, nëntor 1997, f. 38).
Mendoni për një ose më shumë mënyra si mund ta zbatoni mësimin e Plakut Ballard për të qëndruar për të vërtetën dhe drejtësinë në komunitetin tuaj dhe në vendin tuaj.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Helamanin 1–2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: