Hyrje te 3 Nefi
Përse të Studiohet Ky Libër?
Ndërsa e studioni 3 Nefin, ju do të mësoni rreth fjalëve dhe veprave të Shpëtimtarit gjatë shërbesës së Tij mes njerëzve të Librit të Mormonit. Udhëheqësit e Kishës e kanë quajtur 3 Nefin “Ungjilli i pestë” i Zotit tonë sepse, ashtu si katër Ungjijtë e Dhiatës së Re, ai përqendrohet te mësimet e drejtpërdrejta dhe shërbesa e Jezu Krishtit (shih Gordon B. Hinkli, “The Cornerstones of Our Faith”, Ensign, nëntor 1984, f. 52). Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim se “3 Nefi përmban disa nga pjesët më prekëse dhe më të fuqishme në të gjitha shkrimet e shenjta. Ai dëshmon për Jezu Krishtin, profetët e Tij dhe doktrinat e shpëtimit” (“The Savior’s Visit to America”, Ensign, maj 1987, f. 6). Duke parë se si Jezu Krishti tregoi dhembshuri për njerëzit “një nga një” (3 Nefi 11:15; 17:21), ju mund të kuptoni më mirë shqetësimin e Tij për ju si individ. Ju gjithashtu mund të merrni mësime të rëndësishme duke vënë re se si disa njerëz u përgatitën për të takuar Shpëtimtarin, ndërsa të tjerë ia mohuan vetes përjetimin e bekimeve të mahnitshme.
Kush e Shkroi Këtë Libër?
Mormoni përmblodhi anale nga fletët e mëdha të Nefit për të krijuar librin e 3 Nefit. Librit i është vënë emri i Nefit, birit të Nefit, veprat e të cilit përfshinë periudhat përpara, gjatë dhe pas shfaqjeve të Shpëtimtarit te njerëzit. Gjatë kohës së ligësisë së madhe që parapriu vizitat e Jezu Krishtit, Nefi shërbeu “me fuqi dhe me autoritet të madh” (3 Nefi 7:17). Sidoqoftë, shërbesa e Nefit ishte vetëm një parathënie e shërbesës së Jezu Krishtit, fjalët dhe veprat e të cilit përbëjnë përqendrimin kryesor të 3 Nefit. Ndërsa bënte përmbledhjen e tij të analit të Nefit, Mormoni i shtoi këtij libri edhe komentet dhe dëshminë e tij (shih 3 Nefi 5:8–26; 26:6–12; 29–30).
Kur dhe Ku u Shkrua Ai?
Analet origjinale që u përdorën si burime për librin e 3 Nefit, ka të ngjarë të jenë shkruar mes viteve 1 pr.K. dhe 34 pr.K. Mormoni i përmblodhi ato anale diku midis viteve 345 ps.K. dhe 385 ps.K. Mormoni nuk e shënoi se ku ishte kur e përpiloi këtë libër.