Njësia 24: Dita 4
3 Nefi 11:1–17
Hyrje
Diku pas shkatërrimit të madh dhe tri ditëve të errësirës, rreth 2.500 burra, gra dhe fëmijë u mblodhën rreth tempullit, në tokën e Begatisë (shih 3 Nefi 17:25). Ata dëgjuan një zë, të cilin në fillim nuk e kuptuan. Teksa u përpoqën të dëgjonin, ata e kuptuan se ishte zëri i Atit Qiellor duke paraqitur Birin e Tij, Jezu Krishtin. Shpëtimtari i botës u shfaq. Jezu Krishti i ftoi njerëzit një nga një të dëshmonin personalisht se Ai ishte vrarë për mëkatet e botës duke prekur plagën në anën e tij dhe gjurmët e gozhdëve në duart dhe këmbët e Tij.
3 Nefi 11:1–7
Njerëzit dëgjojnë zërin e Atit duke shpallur shfaqjen e Birit të Tij
Dilni jashtë me një laps dhe këtë udhëzues studimi dhe dëgjoni për 60 sekonda. Shkruani sa më shumë tinguj që mundeni në hapësirën e dhënë bosh:
Tani vini një yll pranë çdo tingulli që mendoni se do të ishte i vështirë për t’u dalluar ose që ju nuk do të mund ta vinit re pa u përpjekur ta dëgjonit. Pastaj kthehuni brenda.
Menjëherë pas shkatërrimit të madh dhe errësirës që shënonte vdekjen e Jezu Krishtit, njerëzit u mblodhën në tempull në tokën e Begatisë. Ndërsa po diskutonin atë që kishte ndodhur, një përvojë e mrekullueshme ndodhi që ata në fillim nuk mundën ta kuptonin. Lexoni 3 Nefin 11:1–3 dhe shihni për atë që populli kishte vështirësi ta kuptonte. Ju mund të dëshironi të shenjoni mënyrën si është përshkruar zëri i Perëndisë dhe ndikimin që zëri kishte tek ata që e dëgjuan.
Ndaloni një çast për të menduar se si karakteristikat e zërit që njerëzit dëgjuan, janë si nxitjet që marrim nga Fryma e Shenjtë. Çfarë të vërtete mund të mësoni nga 3 Nefi 11:1–3 rreth mënyrës se si na flasin shpesh Zoti dhe Fryma e Shenjtë? Një doktrinë që mund ta shohim të ilustruar në këto vargje, është: Fryma e Shenjtë shpesh na flet me një zë të qetë, të ulët që ne e ndiejmë në zemrat tona.
Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si zëri i Zotit, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, vepron mbi mendjen dhe zemrën tonë:
“Ndoshta gjëja e vetme më e madhe që unë mësova nga leximi i Librit të Mormonit, është se zëri i Shpirtit vjen si një ndjesi më shumë sesa një zë. Ju do të mësoni, siç unë kam mësuar, të ‘dëgjoni’ për atë zë që ndihet më shumë sesa dëgjohet. …
Dhurata e Frymës së Shenjtë … do t’ju drejtojë e mbrojë dhe madje do të korrigjojë veprimet tuaja. Ai është një zë shpirtëror që vjen në mendje si një mendim apo ndjenjë e vendosur në zemrën tuaj” (“Këshillë për Rininë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 17–18).
-
Mendoni për një rast kur e keni ndier zërin e Zotit apo përshtypjet e Shpirtit të vijnë në mendjen apo zemrën tuaj. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta në lidhje me përvojën tuaj dhe se çfarë ndjesie ju dha.
Nefitët e dëgjuan zërin dy herë dhe nuk e kuptuan. Lexoni 3 Nefin 11:4–7 dhe kërkoni se çfarë tjetër bënë nefitët herën e tretë në mënyrë që ta kuptonin zërin. Çfarë mendoni se do të thotë që njerëzit hapën “veshët që ta dëgjonin” zërin? (3 Nefi 11:5).
Presidenti Bojd K. Paker dha këshillën vijuese në lidhje me atë që duhet të bëjmë për ta dëgjuar dhe për ta kuptuar zërin e Zotit nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Nënvizoni fjalët ose frazat që ju ndihmojnë të dalloni çfarë të bëni ose çfarë të shmangni, për ta dëgjuar më mirë zërin e Zotit nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
“Shpirti nuk e tërheq vëmendjen tonë duke bërtitur. Kurrë nuk na shkund me një dorë të rëndë. Shpirti pëshpërit. Ai na ledhaton kaq butë, me të vërtetë, saqë nëse jemi vërtet të shqetësuar, mund të mos e ndiejmë atë aspak.
Me raste, Shpirti do t’ju shtyjë mjaftueshëm fort ose shpesh aq sa të mjaftojë që t’i kushtojmë vëmendje; por nga përvoja ime, shumicën e kohës, nëse nuk ia vëmë veshin ndjenjës së butë, nëse nuk e dëgjojmë me ato ndjenja, Shpirti do të tërhiqet dhe do të presë derisa ne të vijmë duke kërkuar e dëgjuar, në mënyrën tonë dhe në shprehjen tonë” (“How Does the Spirit Speak to Us?” New Era, shkurt 2010, f. 3).
Ju mund të dëshironi ta shkruani parimin vijues pranë 3 Nefit 11:5–6 dhe në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Ndërsa mësojmë se si ta dëgjojmë zërin e Zotit nëpërmjet Frymës së Shenjtë, ne vërtet do të jemi në gjendje ta kuptojmë komunikimin që Ai na jep.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë ju ndihmon ta përgatitni mendjen dhe zemrën tuaj për ta dëgjuar dhe kuptuar zërin e Zotit?
-
Kur e keni kuptuar komunikimin nga Zoti, që mund të mos e kishit vënë re nëse nuk do të ishit përpjekur ta dëgjonit atë?
-
Kur keni marrë një nxitje nga Fryma e Shenjtë më shumë sesa një herë para se ta kuptonit dhe ndiqnit atë?
-
3 Nefi 11:8–17
Jezu Krishti shfaqet dhe i fton njerëzit që të vijnë një nga një për të prekur plagët e Tij
Mundohuni t’i parafytyroni ngjarjet e 3 Nefit 11:8–10 ndërsa i lexoni ato.
-
Ndërsa merrni parasysh se si do të ishte të dëshmonit shfaqjen e Jezu Krishtit të ringjallur mes njerëzve të Librit të Mormonit, shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta mendimet dhe ndjenjat që mund të kishit përjetuar në qoftë se do të kishit qenë atje.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për rëndësinë e shfaqjes së Shpëtimtarit te nefitët:
“Ajo shfaqje dhe ai deklarim përbënë pikën qendrore, çastin më të madhërishëm, në të gjithë historinë e Librit të Mormonit. Ishin manifestimi dhe vendimi që e kishin vënë në dijeni dhe frymëzuar çdo profet nefit për gjashtëqind vitet e mëparshme, pa përmendur paraardhësit e tyre izraelitë dhe jareditë për mijëra vjet përpara kësaj.
Kushdo kishte folur për të, kishte kënduar për të, kishte ëndërruar për të dhe ishte lutur për praninë e tij – por ja ku ishte me të vërtetë. Dita e ditëve! Perëndia i cili e kthen çdo natë të errët në dritë mëngjesi, kishte ardhur” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 250–251).
Kujtoni që nefitët dhe lamanitët e mbetur kishin përjetuar kohët e fundit shkatërrim të tmerrshëm dhe tri ditë errësire të plotë. Lexoni 3 Nefin 11:10–12 dhe kërkoni atë që Jezu Krishti dëshironte që njerëzit të dinin rreth Tij dhe rreth asaj që Ai kishte bërë gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Cila nga formulimet e Shpëtimtarit mendoni se do të kishte qenë më ngushëlluesi për veshët tuaj në qoftë se do të kishit qenë atje? Përsiatni se përse ajo thënie do të kishte qenë kaq shumë domethënëse për ju. Ju mund të dëshironi të shenjoni frazën që është më kuptimplote për ju në shkrimet tuaja të shenjta.
Lexoni 3 Nefin 11:13–15 dhe shenjoni atë që Jezu Krishti i ftoi njerëzit të bënin për të marrë njohurinë vetjake që Ai donte që ata të kishin në lidhje me Të. Mendoni për përgjigjet ndaj pyetjeve vijuese: Sipas 3 Nefit 11:14, çfarë donte Shpëtimtari që të dinin njerëzit nga kjo përvojë? Duke marrë parasysh se kishte rreth 2.500 njerëz të pranishëm në atë kohë (shih 3 Nefi 17:25), sa kohë mund të ketë marrë kjo? Çfarë ju mëson kjo rreth Shpëtimtarit?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjeve vijuese:
-
Si mendoni ju, përse Zoti donte që njerëzit ta shihnin dhe ta preknin Atë “një nga një”? (3 Nefi 11:15.)
-
Çfarë ndikimi do të kishte te ju të preknit plagët që mori Shpëtimtari ndërsa shlyente për mëkatet tuaja?
-
Merrni parasysh ta shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta pranë 3 Nefit 11:11–15 ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Jezu Krishti më fton të marr një dëshmi vetjake që Ai është Shpëtimtari im.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Sa e fortë ndieni se është dëshmia juaj vetjake për Shpëtimtarin? Si është rritur ajo dhe është bërë më e fortë gjatë të shkuarës së afërt?
-
Cilat përvoja kanë bërë që të fitoni dëshminë tuaj vetjake për Shpëtimtarin, ose çfarë mund të bëni për të fituar një dëshmi më të fortë?
-
Si mund ta dini se Shpëtimtari është i vetëdijshëm për ju individualisht?
-
Lexoni 3 Nefin 11:16–17 dhe kërkoni atë që bënë njerëzit pasi patën këtë përvojë personale me Shpëtimtarin. Mund të jetë e dobishme të kuptoni se “Hosana” është një thirrje lavdërimi për Zotin.
Hidhini një vështrim më të kujdesshëm 3 Nefit 11:15 dhe përcaktoni atë që bënë njerëzit pasi kishin prekur personalisht plagët e Shpëtimtarit. Meqenëse nuk ishit atje për t’i ndier personalisht plagët e Shpëtimtarit, siç bënë njerëzit e përshkruar te 3 Nefi, si mund ta dini që Jezusi është Krishti? (Shih Gjoni 20:30–31; Moroni 10:3–7; DeB 46:13–14 për disa përgjigje të mundshme.)
Për ta përqasur 3 Nefin 11:15 me veten tuaj, plotësoni thënien vijuese: Kur marr një dëshmi vetjake për Jezu Krishtin, unë kam përgjegjësi që .
Mendoni për mënyrat si një person me dëshmi për Jezu Krishtin mund të “dëshm[ojë]” për Të.
Presidenti Bojd K. Paker dha mësim sa vijon për dëshmitë: “Ju nuk mund t’i impononi gjërat shpirtërore. Një dëshmi nuk ngulitet me forcë në ju, ajo rritet. Dhe një dëshmi është një dëshmi, dhe ajo duhet të respektohet, qoftë nëse është e vogël apo e madhe. Ne bëhemi më të fortë në dëshminë tonë ashtu siç rritemi në shtatin fizik dhe vështirë ta dallojmë se po ndodh, për shkak se ajo vjen përmes rritjes” (“How Does the Spirit Speak to Us?”, f. 3).
-
Përfundojeni këtë mësim duke shkruar dëshminë tuaj për Jezu Krishtin në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Ju mund të dëshironi të përfshini atë që keni bërë për të fituar dëshminë tuaj ose atë që planifikoni të bëni për ta forcuar atë. Nëse nxiteni nga Shpirti, lexojani atë dikujt tjetër ose ftoni dikë për ta lexuar.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 3 Nefin 11:1–17 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime, dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: