Hyrje te Mosia
Përse të Studiohet Ky Libër?
Gjatë studimit tuaj vetjak të librit të Mosias, do të lexoni dëshmi të fuqishme për misionin e Jezu Krishtit. Do të mësoni edhe rreth popullit që Zoti e çliroi nga robërimi prej mëkatit ose nga shtypja fizike. Për më tepër, ju do të mësoni se si përpjekjet e drejta të njerëzve të tillë si mbreti Beniamin, Abinadi dhe Alma u sollën bekime të pamasa të tjerëve. Nga ana tjetër, do të shikoni se si zgjedhjet jo të mira të njerëzve të tillë si Zenifi dhe biri i tij, mbreti Noe, u sollën pasoja negative atyre dhe popullit të tyre.
Kush e Shkroi Këtë Libër?
Mormoni përpiloi dhe përmblodhi analet e disa shkruesve të tjerë për të krijuar librin e Mosias. Librit iu vu emri i Mosias, i cili qe i biri i mbretit Beniamin. Mosia qe profet, shikues, zbulues dhe mbret që sundoi në Zarahemla afërsisht nga viti 124 deri në vitin 91 pr.K. Ai u quajt si gjyshi i tij, Mosia, që ishte gjithashtu mbret i Zarahemlës (shih Omni 1:12–13, 19).
Mormoni mori nga një numër analesh për të hartuar librin e Mosias. Ai përmblodhi dhe citoi nga anali i mbajtur nga Mosia në fletët e mëdha të Nefit, që jepte me hollësi historinë e nefitëve në tokën e Zarahemlës (shih Mosia 1–7; 25–29). Ai gjithashtu mori materiale nga anali i Zenifit, i cili rrëfente historinë e popullit të Zenifit që nga koha kur ata u larguan nga Zarahemla derisa u rikthyen (shih Mosia 7–22). Përveç kësaj, Mormoni citoi dhe përmblodhi pjesë të shkrimeve të Almës, i cili i ruajti fjalët e Abinadit (shih Mosia 17:4) dhe mbajti një anal të vetë popullit të tij (shih Mosia 18; 23–24).
Kur dhe Ku u Shkrua Ai?
Analet origjinale të përdorura si burime për librin e Mosias ka të ngjarë të jenë shkruar mes viteve 200 pr.K. dhe 91 pr.K. Mormoni i përmblodhi këto anale diku midis viteve 345 dhe 385 ps.K.. Mormoni nuk e ka shënuar vendin ku ishte kur e përpiloi këtë libër.