Seminari
Njësia 27: Dita 1, 3 Nefi 23


Njësia 27: Dita 1

3 Nefi 23

Hyrje

Pasi citoi fjalët e Isaias, Jezu Krishti i urdhëroi nefitët që t’i kërkonin fjalët e profetëve. Shpëtimtari gjithashtu i qortoi nefitët se nuk kishin qenë të zellshëm në mbajtjen e analeve të tyre.

3 Nefi 23:1–5

Jezu Krishti i urdhëron njerëzit t’i kërkojnë fjalët e profetëve

Përsiatni përvojat tuaja lidhur me studimin e shkrimeve të shenjta gjatë këtij viti të kaluar. Shkruani disa fjalë ose fraza të shkurtra që përshkruajnë bekimet që kanë ardhur në jetën tuaj si rrjedhim i studimit të shkrimeve të shenjta nga ana juaj.

Ndërsa e këqyrni listën tuaj, merrni parasysh atë që mund t’ju mësojnë këto bekime rreth rëndësisë së studimit të shkrimeve të shenjta.

Pasi citoi disa prej mësimeve të Isaias (shih 3 Nefi 22), Shpëtimtari i urdhëroi njerëzit që t’i studiojnë me zell fjalët e Isaias dhe të profetëve. Lexoni 3 Nefin 23:1–5 dhe përcaktoni arsyen përse Shpëtimtari tha se ne duhet t’i kërkojmë fjalët e Isaias dhe të profetëve. Merrni parasysh të shenjoni fjalë dhe fraza që do t’ju ndihmojnë të mbani mend atë që mësuat.

Një arsye pse jemi urdhëruar që t’i studiojmë fjalët e Isaias është për shkak se “ai foli mbi të gjitha këto gjëra në lidhje me popullin [e besëlidhjes së Zotit] i cili është nga shtëpia e Izraelit” (3 Nefi 23:2). Për shkak se keni bërë besëlidhje me Zotin, ju jeni pjesë e shtëpisë së Izraelit. Shkrimet e Isaias ju përkasin juve. Arsye tjetër përse duhet t’i studiojmë fjalët e Isaias është për shkak se ato do të përmbushen (shih 3 Nefi 23:3).

Vini re te 3 Nefi 23:1 se Jezu Krishti i urdhëroi veçanërisht nefitët që t’i “kërkoni[n] [fjalët e Isaias] me zell”.

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cili mendoni se është ndryshimi mes leximit të fjalëve të profetëve dhe kërkimit me zell të tyre?

    2. Cilat metoda të studimit të shkrimeve të shenjta mund t’ju ndihmojnë që t’i kërkoni në mënyrë më të efektshme dhe domethënëse fjalët e Isaias dhe të profetëve? (Ju mund të dëshironi të rishikoni mësimin e Njësisë 1: Dita 1, “Studimi i Shkrimeve të Shenjta”, për të kujtuar disa ndihma të rëndësishme për studimin e shkrimeve të shenjta.)

Plaku Merrill J. Beitmen, anëtar nderi i Të Shtatëdhjetëve, vërejti disa bekime që vijnë në jetën tonë kur i kërkojmë fjalët e profetëve: “Ka bekime të caktuara që fitohen kur dikush i kërkon shkrimet e shenjta. Ndërkohë që një njeri studion fjalët e Zotit dhe u bindet atyre, ai ose ajo afrohet më pranë Shpëtimtarit dhe fiton një dëshirë më të madhe për të jetuar një jetë të drejtë. Fuqia për t’i bërë ballë tundimit rritet dhe dobësitë shpirtërore kapërcehen. Plagët shpirtërore shërohen” (“Coming unto Christ by Searching the Scriptures”, Ensign, nëntor 1992, f. 28).

Lexoni 3 Nefin 23:5 dhe kërkoni premtimin që Shpëtimtari i dha gjithsecilit prej nesh nëse i studiojmë dhe veprojmë sipas ftesave në shkrimin e shenjtë.

  1. journal iconPërfytyroni sikur keni një shok ose anëtar të familjes që po mundohet t’i studiojë shkrimet e shenjta rregullisht. Duke përdorur atë që mësuat te 3 Nefi 23:1–5, shkruani atë që mund të thoni për ta nxitur këtë person t’i studiojë fjalët e profetëve me zell dhe të ketë një përvojë kuptimplote në lidhje me shkrimet e shenjta.

3 Nefi 23:6–14

Jezu Krishti i qorton dishepujt e Tij që nuk arritën të shënojnë ngjarje të rëndësishme

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Spenser W. Kimball:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Vetë Zoti Jezu Krisht u theksoi nefitëve dhe lamanitëve rëndësinë e madhe të mbajtjes së analeve [shih 3 Nefi 23:6–13]. …

Jam i gëzuar që nuk isha unë ai që u qortua, edhe pse butësisht e me mirësi, se nuk kishte përmbushur detyrimin për t’i përditësuar analet e mia. …

… Kujtoni, Shpëtimtari i qortoi ata që harruan të shënonin ngjarje të rëndësishme” (“The Angels May Quote from It”, New Era, shkurt 2003, f. 32, 34–35).

Pjesa e mbetur e 3 Nefit 23 përmban rrëfimin e përshkruar nga Presidenti Kimball, kur Shpëtimtari i qortoi nefitët që nuk kishin përfshirë ngjarje të rëndësishme në analet e tyre. Lexoni 3 Nefin 23:6–11 dhe përcaktoni se çfarë kishin harruar të shënonin nefitët. Përse mendoni se qe e rëndësishme që nefitët ta shënonin përmbushjen e kësaj profecie të dhënë nga Samuel Lamaniti? Si na ndihmon në kohën tonë të pasurit e këtij anali në Librin e Mormonit?

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse mund të jetë e rëndësishme për ju që t’i shkruani ngjarjet dhe nxitjet shpirtërore që ndodhin në jetën tuaj?

Në qoftë se ka pasur një ngjarje shpirtërore kohët e fundit në jetën tuaj që keni harruar ta shënoni, merrni parasysh ta shkruani tani në ditarin tuaj vetjak. Një fletore ose bllok i thjeshtë shënimesh është i mjaftueshëm për të mbajtur një ditar vetjak. Lexoni 3 Nefin 23:12–14 dhe kërkoni se çfarë bëri Shpëtimtari pasi nefitët iu bindën urdhërimit për ta shkruar përmbushjen e profecisë së Samuel Lamanitit.

Shpëtimtari “shpjegoi të gjitha … shkrimet e shenjta”, që do të thotë se Ai sqaroi kuptimin e shkrimeve të shenjta.

Lexoni 3 Nefin 24:1 dhe vini re ngjashmëritë mes pjesës së parë të këtij vargu dhe asaj që ndodhi te 3 Nefi 23:12–14. Vini re se, pasi nefitët shënuan atë që Jezu Krishti u mësoi, Ai u dha më shumë njohuri dhe zbulesë duke iu shpjeguar të gjitha gjërat.

Bazuar te ajo që keni mësuar nga 3 Nefi 23:6–14, plotësoni parimin vijues: Kur i shkruaj nxitjet dhe ngjarjet e shenjta, unë ftoj .

Midis mundësive të tjera, ju mund ta keni plotësuar parimin e mësipërm në këtë mënyrë: Kur i shkruaj nxitjet dhe ngjarjet e shenjta, unë ftoj Zotin që të më japë më shumë zbulesë.

Për ta kuptuar më plotësisht të vërtetën që keni mësuar, lexoni dy thëniet vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

Plaku Riçard G. Skot

“Njohuria e mbajtur shënim me kujdes është njohuri e gjendur në kohë nevoje. Informacioni i ndjeshëm shpirtëror duhet të mbahet në një vend të shenjtë që i komunikon Zotit se sa e vlerësoni atë. Kjo praktikë rrit gjasat që ju të merrni më tepër dritë [njohurie]” (“Acquiring Spiritual Knowledge”, Ensign, nëntor 1993, f. 88).

“Shënoni në një vend të sigurt gjërat e rëndësishme që mësoni nga Shpirti. Do të zbuloni se, ndërsa shkruani përshtypje të çmueshme, shpesh do të vijnë të tjera. Gjithashtu, njohuria që fitoni do të jetë e gjendur gjatë gjithë jetës suaj” (“To Acquire Knowledge and the Strength to Use It Wisely”, Ensign, qershor 2002, f. 32).

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse mendoni se të shkruarit e zbulesave që kemi marrë nga Zoti, mund të na ndihmojë të marrim më shumë zbulesa.

    2. Si na ndihmon të ndiejmë mirënjohje për bekimet tona dhe t’i shprehim mirënjohjen tonë Zotit kur kalojmë kohë duke shkruar për ndikimin e Tij në jetët tona?

Ju mund të jeni i shqetësuar se nuk keni pasur përvoja të veçanta apo të shenjta, që do të ishin mjaft të vlefshme sa të mbahen shënim. Plaku Xhon H. Groberg, anëtar nderi i Të Shtatëdhjetëve, foli për këtë shqetësim: “Disa njerëz thonë: ‘Nuk kam ndonjë gjë për të shënuar. Asgjë shpirtërore nuk më ndodh mua.’ Unë them: ‘Filloni të shënoni dhe gjërat shpirtërore do të ndodhin. Ato janë aty gjithë kohën, por ne bëhemi më të ndjeshëm ndaj tyre kur shkruajmë’” (“Writing Your Personal and Family History”, Ensign, maj 1980, f. 48).

Ju mund të filloni ta zbatoni atë që keni mësuar rreth mbajtjes shënim të përvojave shpirtërore, duke mbajtur me vete një copë letër, bllok shënimesh ose ditar për javën e ardhshme. Mbani shënim çfarëdo nxitjesh, përshtypjesh, përvojash ose ndjenjash që keni gjatë gjithë javës. Gjithashtu mbani shënim përshtypjet që merrni për të vepruar në lidhje me ato nxitje që merrni. Pasi të ndiqni ecurinë e atyre veprimeve, shkruani për përvojën tuaj.

Tregojini dikujt (një pjesëtari të familjes, shoku ose udhëheqësi të Kishës) për planin tuaj për të mbajtur një anal të përvojave tuaja shpirtërore. Merrni parasysh ta ftoni këtë person të bashkohet me ju në këtë përpjekje duke shënuar disa prej përvojave vetjake shpirtërore të tij apo të saj. Duke ftuar një person tjetër që ta bëjë këtë projekt me ju, ju mund ta nxitni përparimin tuaj dhe t’ia raportoni atë njëri-tjetrit. Sidoqoftë, duhet të mbani mend se nuk është e nevojshme – dhe mund të jetë e papërshtatshme – t’i ndani përvojat tuaja të shenjta me dikë tjetër.

  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 3 Nefin 23 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: