Seminari
Njësia 21: Dita 4, Alma 59–63


Njësia 21: Dita 4

Alma 59–63

Hyrje

Helamani i shkroi një letër Kapiten Moronit, duke i treguar atij rreth përpjekjeve të ushtrisë dhe duke kërkuar ndihmë nga qeveria nefite. Kapiten Moroni u gëzua kur mësoi për sukseset e Helamanit, por ishte i zemëruar me qeverinë që e kishte shpërfillur dërgimin e përforcimeve. Kapiten Moroni i shkroi një letër qortimi kryegjykatësit Pahoran. Në përgjigjen e tij, Pahorani tregoi për një rebelim kundër qeverisë. Moroni marshoi në ndihmë të tij dhe i mposhti rebelët. Pastaj ushtritë nefite mundën t’i mposhtin në mënyrë të bashkuar lamanitët. Pas 14 vitesh në luftë, nefitët patën përsëri paqe në vend, duke u lejuar Helamanit dhe vëllezërve të tij që të përqendroheshin tek forcimi i Kishës.

Alma 59

Nefitët humbasin një fortesë dhe Kapiten Moroni brengoset për shkak të ligësisë së popullit

Kur Kapiten Moroni mori një letër nga Helamani, ku përshkruheshin sukseset e ushtrisë së tij, Moroni dhe populli i tij u gëzuan. Moroni më pas, i dërgoi një letër Pahoranit, udhëheqësit nefit në Zarahemla, duke i kërkuar atij t’i dërgonte përforcime dhe furnizime Helamanit. Por nuk u dërgua asnjë përforcim. Prandaj, kur lamanitët e sulmuan qytetin e Nefihës, populli i Nefihës u detyrua të arratisej dhe lamanitët e pushtuan qytetin.

Lexoni tek Alma 59:9–12 për të mësuar reagimin e Moronit ndaj fitores së lamanitëve. Merrni parasysh ta shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta këtë shprehje tek Alma 59:9: “Ishte më e lehtë të mbahej qyteti që të mos binte në duart e lamanitëve, sesa të merrej rishtas prej tyre”. Nga kjo shprehje, ne mund të mësojmë këtë parim: Është më e lehtë dhe më mirë që të qëndrosh besnik sesa të kthehesh në besim pas daljes nga udha e drejtë.

  1. ikona e ditaritStudiojeni shprehjen që keni shënuar tek Alma 59:9, dhe parimin me germa të theksuara në paragrafin e mëparshëm. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse është më e lehtë t’i shmangësh varësitë ndaj substancave të dëmshme sesa të mposhtësh një varësi?

    2. Përse është më e lehtë ta ruash një dëshmi sesa të rifitosh një dëshmi pasi ta humbësh?

    3. Përse mund të jetë më e lehtë për një njeri që të qëndrojë aktiv në Kishë sesa të kthehet në Kishë nga mungesa e aktivizimit?

një i ri duke u mbështetur pas dollapit

Alma 60–62

Moroni e pyet Pahoranin për shkakun e moskokëçarjes së qeverisë

Pasi qyteti i Nefihës u shti në dorë nga lamanitët, Kapiten Moroni vendosi t’i shkruante një thirrje Pahoranit, kryegjykatësit në Zarahemla. Lexoni tek Alma 60:17–24 dhe kërkoni akuzat që bëri Moroni kundër Pahoranit dhe popullit në Zarahemla.

Lexojeni Almën 60:23 prapë dhe vini re përmendjen nga Kapiten Moroni të pastrimit fillimisht të “brendësi[së së] enës”. Ai e kishte fjalën për nevojën për të hequr korrupsionin nga qeveria nefite dhe populli i saj. Megjithatë, ky varg mund të zbatohet edhe për jetën tonë. Përfytyroni se po hidhni pluhur ose baltë në brendësi të një filxhani. Edhe pse e latë anën e jashtme të filxhanit, a do të ndiheshit mirë po të pinit nga filxhani?

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Nëse e konsiderojmë veten si “enë”, çfarë mendoni se do të thotë të pastrosh brendësinë e enës?

    2. Përse do të na ndihmonte pastrimi i brendësisë së enës sonë që t’i shërbejmë më mirë mbretërisë së Zotit?

Sikurse shënohet tek Alma 60:33–36, Kapiten Moroni i tha Pahoranit të dërgonte shpejt burra dhe furnizime për ushtrinë e tij dhe të Helamanit. Nëse Pahorani nuk do ta bënte, Moroni tha se do të udhëhiqte një trupë ushtarake drejt Zarahemlës dhe do ta detyronte atë t’i bënte këto gjëra. Pahorani e mori letrën e Moronit dhe i ktheu përgjigje me të shpejtë. Lexoni tek Alma 61:1–5 për të zbuluar çfarë po ndodhte në Zarahemla.

Lexoni tek Alma 61:9–14 dhe mendoni rreth mënyrës si iu përgjigj Pahorani akuzave të Moronit. Mbani parasysh t’i shenjoni ato thënie që zbulojnë madhështinë e karakterit të Pahoranit. Në vend që të fyhej, Pahorani e ftoi Moronin të bashkohej me të në forcën e Zotit për ta luftuar armikun. Lexoni tek Alma 62:1 për të zbuluar se si u ndje Moroni kur mori përgjigjen e Pahoranit.

Merrni parasysh shkrimin e të vërtetave vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Ne mund të zgjedhim të mos fyhemi nga fjalët ose veprimet e të tjerëve. Kur bashkohemi në drejtësi me të tjerët, ne jemi më të fortë në luftërat tona kundër të keqes.

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Nëpërmjet fuqisë forcuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ju dhe unë mund të bekohemi për ta shmangur fyerjen dhe për të triumfuar mbi të. ‘Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë’ (Psalmeve 119:165). …

… Moroni … i shkroi Pahoranit ‘për t[a] dënuar’ (Alma 60:2) dhe e akuzoi ashpër për moskokëçarje, plogështi dhe mospërfillje. Pahorani shumë lehtë mund ta merrte zët Moronin dhe mesazhin e tij, por ai zgjodhi të mos fyhej. …

Një nga treguesit më të mëdhenj të pjekurisë shpirtërore vetjake shfaqet në mënyrën se si i përgjigjeni dobësisë, mungesës së përvojës dhe atyre veprimeve të të tjerëve të cilat mund të shkaktojnë fyerje. Një gjë, një ngjarje apo një shprehje mund të jetë fyese, por ju edhe unë mund të zgjedhim të mos fyhemi dhe, për ta thënë së bashku me Pahoranin, ‘nuk ka rëndësi’ [Alma 61:9]” (“Dhe Nuk Ka Asgjë që Mund t’i Rrëzojë”, Ensign ose Liahona, nëntor. 2006, f. 90–91).

  1. ikona e ditaritMendoni për një kohë kur zgjodhët të mos fyheshit nga fjalët apo veprimet e të tjerëve. Shkruani një paragraf të shkurtër rreth rëndësisë së zgjedhjes për të mos u fyer.

Sikurse shënohet tek Alma 62, Kapiten Moroni e solli ushtrinë e tij në Zarahemla për ta ndihmuar Pahoranin që t’i rrëzonte njerëzit e mbretit – të shkëputurit nefitë që donin të vendosnin një mbret e të hynin në aleancë me lamanitët. Njerëzit e mbretit e kishin penguar Pahoranin që të dërgonte burra dhe furnizime në ndihmë të Moronit dhe Helamanit. Moroni dhe Pahorani më pas i bashkuan forcat dhe morën ndihmë nga ushtri të tjera nefite për t’i dëbuar lamanitët jashtë nga vendi. Gjatë kësaj kohe, shumë lamanitë u penduan dhe u bashkuan me popullin e Amonit.

Përfytyroni disa nga sfidat që mund të kenë ekzistuar për familjet dhe individët në fund të një lufte të tillë. Lexoni Almën 62:39–41 për të kuptuar se si u prekën nefitët nga sprovat e luftës. Teksa lexoni, kërkoni të vërteta që mund t’i përcaktoni në këto vargje.

Shkruajeni parimin ose të vërtetën vijuese në shkrimet tuaja të shenjta afër Almës 62: 39–41 ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Ne mund të afrohemi më shumë me Zotin gjatë sprovave tona.

  1. ikona e ditaritShkruani përgjigje për pyetjet vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse mendoni se disa njerëz i afrohen më shumë Zotit kur përballen me sprova, ndërkohë që të tjerë largohen prej Tij?

    2. Çfarë ju kanë mësuar kapitujt mbi luftën rreth të qenit një dishepull i Jezu Krishtit në kohë vështirësie ose sprove?

Alma 63

Shumë nefitë udhëtojnë drejt tokave në veri

Pasi vdiq Helamani (shih Alma 62:52), vëllai i tij, Shibloni, i mori në zotërim analet e shenjta. Lexoni tek Alma 63:1–2 për të parë se çfarë lloj njeriu ishte Shibloni. Siç shënohet tek Alma 63, Moroni dhe Shibloni vdiqën dhe djali i Moronit, Moroniha, mori drejtimin e ushtrive nefite.

Lexoni tek Alma 63:10–13. Përpara se të vdiste, Shibloni i dha Helamanit, që ishte i biri i Helamanit, përgjegjësinë e analeve të shenjta. Helamani i ruajti analet që ishin shkruar tashmë, dhe nisi të mbante analin që do të bëhej libri i Helamanit.

Alma 63:5–8 shënon se shumë nefitë udhëtuan me anije për në tokat në veri dhe nuk u dëgjua më kurrë për ta. Gjithashtu, në fund të Almës 63 zbulohet se përsëri atje filloi të kishte disa grindje midis lamanitëve dhe nefitëve, duke e mbyllur kështu librin e gjatë dhe frymëzues të Almës.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 59–63 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: