Seminari
Moroni


Hyrje te Moroni

Përse të Studiohet Ky Libër?

Ndërsa studioni librin e Moronit, ju mund të merrni fuqi nga shembulli dhe dëshmia e fuqishme e Moronit. Përveç kësaj, nga mësimet e Moronit dhe të babait të tij, Mormonit, ju do të mësoni rreth ordinancave dhe praktikave bazë të Kishës së Jezu Krishtit, rëndësisë së bërjes së veprave të drejta me dëshirë të sinqertë, mënyrës për të gjykuar midis së mirës dhe së keqes dhe lidhjes midis besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore. Ju do të lexoni gjithashtu këshillën e Moronit për t’u lutur që ta dini vetë se Libri i Mormonit është i vërtetë dhe të “[vini] te Krishti dhe [të përsoseni] në të” (Moroni 10:32).

Kush e Shkroi Këtë Libër?

Moroni e shkroi këtë libër, që përfshin fjalët e tij, fjalët e Jezu Krishtit drejtuar dymbëdhjetë dishepujve të Tij (shih Moroni 2) dhe fjalët e babait të tij, Mormonit (shih Moroni 7–9). Përpara shkatërrimit të nefitëve, Moroni shërbeu si një udhëheqës ushtarak dhe i Kishës midis tyre (shih Mormoni 6:12; Moroni 8:1). Ashtu si shkrimtarë dhe hartues të tjerë të mëdhenj të Librit të Mormonit, Moroni ishte një dëshmitar i Shpëtimtarit. Ai dëshmoi: “Unë kam parë Jezusin dhe … ai foli me mua ballë për ballë” (Ethëri 12:39). Moroni ishte besnik ndaj dëshmisë së tij dhe theksoi gatishmërinë e tij që më mirë të vritej sesa të mohonte Krishtin (shih Moroni 1:1–3).

Në vitin 1823, afërsisht 1.400 vite pasi plotësoi analin e Librit të Mormonit, Moroni iu shfaq Profetit Jozef Smith si një qenie e ringjallur dhe e informoi atë se anali ishte vendosur në një kodër pranë shtëpisë së Jozef Smithit. Në atë kohë dhe gjatë disa viteve më pas, Moroni gjithashtu e udhëzoi Jozef Smithin “lidhur me atë që Zoti do të bënte dhe se si e në çfarë mënyre mbretëria e tij do të udhëhiqej në ditët e fundit” (Joseph Smith – Historia 1:54).

Kur dhe Ku u Shkrua Ai?

Moroni ndoshta e shkroi dhe hartoi këtë libër midis viteve 401 ps.K. dhe 421 ps.K. (shih Mormoni 8:4–6; Moroni 10:1), ndërsa endej për sigurinë e jetës së tij (shih Mormoni 1:1–3).