Njësia 18: Dita 2
Alma 30
Hyrje
Pas një beteje të madhe midis nefitëve dhe lamanitëve, u vendos paqe në tokën e Zarahemlës. Në mes të kësaj periudhe paqeje, një burrë i quajtur Korihor, filloi të predikonte se nuk do të kishte Krisht. Mësimet e tij të rreme i çuan në mëkat ata që e besuan. Ai foli kundër udhëheqësve të Kishës, duke shpallur se ata po u mësonin “tradita të marra” (Alma 30:27). Korihori u soll përpara Almës, i cili i mësoi se të gjitha gjërat dëshmojnë për Krishtin. Më së fundi, Korihori rrëfeu se veprimet e tij u udhëzuan nga djalli.
Alma 30:1–29
Korihori, një anti-Krisht, përqesh doktrinën e Krishtit
Përfytyroni se dikush përgatiti një vakt ushqimi për ju. Dukej i shijshëm dhe kishte aromë të mrekullueshme por, kur e hëngrët, u bëtë jashtëzakonisht i sëmurë. Mendoni për një çast se si mësimet e rreme mund të jenë të ngjashme me të ofruarin e ushqimit që duket i shijshëm, por që fshehurazi është helmues.
Më parë ju studiuat për anti-Krishtët, Sheremin (shih Jakobi [LiM] 7) dhe Nehorin (shih Alma 1). Mbani mend se një përkufizim i anti-Krishtit është “dikush ose diçka që falsifikon planin e vërtetë të ungjillit për shpëtimin dhe që haptazi apo fshehurazi kundërshton Krishtin” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Antikrisht”, f. 7 ose shih scriptures.lds.org). Sot do të mësoni rreth një burri tjetër që ishte armik i Krishtit dhe mësimet e rreme të të cilit mashtruan njerëz të tjerë dhe i çuan ata në mëkat. Shumë njerëz në botë sot përdorin argumente të ngjashme me të Korihorit kundër atyre që shprehin besim te Perëndia.
Korihori filloi te predikonte mes nefitëve. Lexoni tek Alma 30:6, 12 dhe kërkoni shprehje që tregojnë se Korihori ishte një anti-Krisht.
Lexoni tek Alma 30:12–18 dhe përkojini mësimet e rreme të Korihorit me nënkuptimet e tyre.
Disa Mësime të Rreme të Korihorit, një Anti-Krisht |
Interpretime dhe Nënkuptime të Mundshme të Mësimeve të Rreme |
---|---|
| |
| |
| |
|
|
|
|
|
(Përgjigjet për këtë ushtrim me kombinime gjenden në fund të këtij mësimi.)
Alma 30:18 na mëson parimin: Satani përdor doktrina të rreme për të na joshur që të bëjmë mëkat.
Presidenti Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:
“Sjellja jonë nuk kontrollohet tërësisht nga impulset natyrore. Sjellja nis edhe nga bindja.
Bindjet lindin nga filozofitë apo doktrinat. Doktrinat mund të jenë shpirtërore ose laike, të shëndetshme ose shkatërruese, të vërteta ose të rreme. …
Doktrina e vërtetë, kur kuptohet, ndryshon qëndrimin dhe sjelljen” (“Little Children”, Ensign, nëntor 1986, f. 17).
-
Zgjidhni dy ose më shumë mësime të rreme të Korihorit të renditura në tabelën e ushtrimit me kombinime. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se cilat janë doktrinat e vërteta dhe tregoni se si njohja e së vërtetës i ndikon qëndrimet dhe sjelljen tuaj.
Pas suksesit të tij në tokën e Zarahemlës, Korihori shkoi në tokën e Jershonit për t’i predikuar popullit të Amonit. Lexoni tek Alma 30:19–20 dhe zbuloni nëse ata i pranuan mësimet e tij të rreme.
Njerëzit e Amonit “qenë më të zgjuar se shumë prej nefitëve” dhe “bë[në] që ai të largohej nga vendi” (Alma 30:20–21). Nga ajo që keni mësuar për popullin e Amonit, përse mendoni se ata nuk i besuan mësimet e rreme të Korihorit?
Alma 30:21–29 tregon se si Korihori shkoi më pas në tokën e Gideonit “dhe as këtu nuk pati shumë sukses” (Alma 30:21). Disa nga argumentet e Korihorit kundër Kishës dhe mësimeve të saj gjenden tek Alma 30:24, 27, dy prej të cilëve janë: 1) ata që besojnë në Perëndinë, janë në robëri dhe 2) feja i heq liritë. Këto argumente përdoren ende nga kundërshtarët e fesë sot.
Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, na mësoi se besimi ynë në Perëndinë na jep liri: “Korihori po jepte argumente, sikurse kanë dhënë argumente në mënyrë të rreme burra e gra që nga fillimi i kohës, se, të marrësh këshillë nga shërbëtorët e Perëndisë, është të heqësh dorë nga të drejtat e të qenit i pavarur, të dhëna nga Perëndia. Por argumenti është i rremë, sepse e shtrembëron realitetin. Kur hedhim poshtë këshillën që vjen nga Perëndia, ne nuk zgjedhim të jemi të pavarur nga ndikimi i jashtëm. Ne zgjedhim një tjetër ndikim. Ne hedhim poshtë mbrojtjen e një Ati të përsosur, të dashur, të gjithëfuqishëm, të gjithëditur në Qiell, gjithë qëllimi i të cilit, ashtu si ai i Birit të Tij të Dashur, është të na japë jetë të përjetshme, të na japë të gjithëve gjithçka që ka dhe të na sjellë përsëri në shtëpi, me familje, në krahët e dashurisë së Tij. Kur hedhim poshtë këshillën e Tij, ne zgjedhim ndikimin e një fuqie tjetër, qëllimi i së cilës është të na mjerojë dhe shtysa e së cilës është urrejtja. Ne kemi lirinë e zgjedhjes morale si një dhuratë nga Perëndia. Më tepër sesa e drejta për të zgjedhur që të jemi të lirë nga ndikimi, ajo është e drejta e patjetërsueshme për t’iu nënshtruar cilësdo prej atyre fuqive që zgjedhim” (“Finding Safety in Counsel”, Ensign, maj 1997, f. 25).
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se çfarë do t’i rekomandonit një njeriu për ta mbrojtur veten e tij ose të saj nga të besuarit e doktrinave të rreme, si ato të dhëna mësim nga Korihori.
Alma 30:30–60
Korihori kërkon një shenjë nga Alma dhe bëhet memec me anë të fuqisë së Perëndisë
Përfundimisht, Korihori u soll përpara Almës. Lexoni tek Alma 30:30–31 dhe kërkoni akuzat që Korihori bëri kundër Almës dhe udhëheqësve të tjerë të Kishës. “Të përfitonin nga punët e njerëzve” nënkupton që Alma dhe të tjerët pasuroheshin për shkak të shërbimit të tyre në Kishë. Mendoni rreth përgjigjeve për pyetjet e mëposhtme:
-
Nga përvoja juaj me udhëheqësit tuaj të Kishës, përse janë të rreme këto akuza?
-
Si mendoni se do t’i përgjigjeshit akuzave të Korihorit nëse do të ishit Alma?
Lexoni tek Alma 30:32–35 dhe zbuloni përgjigjen e Almës ndaj Korihorit. Mendoni se si e keni parë vërtetësinë e përgjigjes së Almës në jetën e atyre që udhëheqin lagjen ose degën tuaj, apo të anëtarëve të tjerë të Kishës që i admironi.
Nëse është e mundur, ftoni një mik ose një pjesëtar të familjes që të lexojë tek Alma 30:37–45 me ju. Njëri nga ju të lexojë fjalët e Almës dhe tjetri fjalët e Korihorit. Ndërsa ju të dy lexoni, kërkoni se çfarë paraqiti Alma si provë për ekzistencën e Perëndisë. (Nëse nuk është e mundur të keni dikë që të lexojë me ju, përfytyroni shkëmbimin e fjalëve që po ndodh midis dy burrave teksa lexoni.)
-
Plotësojini detyrat vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Shkruani se cila nga provat që citoi Alma është një dëshmi veçanërisht domethënëse për ju për ekzistencën e Perëndisë dhe arsyen përse është një dëshmi kaq e fortë e ekzistencës së Tij.
-
Shkruani të paktën tri prova të tjera që keni parë në jetën tuaj të cilat “tregojnë se ka një Perëndi” (Alma 30:44) dhe shpjegoni shkurtimisht se si e ka forcuar secila besimin tuaj në Perëndinë.
-
Një doktrinë që gjendet në vargjet që studiuat, është: Të gjitha gjërat dëshmojnë për Perëndinë si Krijuesi Suprem. Merrni parasysh çfarë i ndodh besimit tuaj kur zgjidhni t’i kërkoni e t’i kujtoni këta dëshmitarë e dëshmi.
Vini re se çfarë bëri profeti Alma, teksa ndërveproi me Korihorin: ai i korrigjoi mësimet e rreme (shih Alma 30:32–35), dëshmoi për të vërtetën (shih Alma 30:37–39), e zhvendosi nevojën për të sjellë prova te Korihori (shih Alma 30:40–42) dhe ai dha prova për ekzistencën e Perëndisë (shih Alma 30:44). Çfarë mund të mësoni nga shembulli i Almës rreth mënyrës se si t’i trajtoni ata që japin argumente kundër së vërtetës?
Ndonjëherë e vetmja mbrojtje që kemi kundër atyre që e sulmojnë besimin tonë, është të japim dëshminë tonë për të vërtetën. Nuk është turp të mbash këtë qëndrim – Alma, një profet i Perëndisë, e përdori këtë qëndrim me Korihorin. Siç e shpjegoi Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Argumentet e Korihorit tingëllojnë shumë aktuale për lexuesin e kohës sonë, por Alma përdori si përgjigje një armë të të gjitha kohërave dhe në fund të fundit të pamohueshme – fuqinë e dëshmisë vetjake” (Christ and the New Covenant [1997], f. 121).
Pavarësisht nga provat, apo shenjat, e shumta që Alma i tregoi Korihorit për të vërtetuar ekzistencën e Perëndisë, Korihori kërkoi një shenjë tjetër dhe u godit duke u bërë memec (domethënë që ai nuk mund të fliste; shih Alma 30:45–50). Lexoni tek Alma 30:51–53, duke kërkuar arsyen përse tha Korihori se u mësoi njerëzve ato që u mësoi.
Kur Korihori nuk mundi më t’u mësonte doktrina të rreme, ai e pranoi se kishte dhënë mësim idetë e tij të rreme, “sepse ishin të këndshme për mendjen e mishit” (Alma 30:53). Të pasurit e një “mendje[je] [të] mishit” nënkupton të qenit të përqendruar në kënaqësitë e botës ose në kënaqjen e epsheve të trupit. Ata që u besuan mësimeve të Korihorit, menduan se mund të jepeshin pas kënaqësive fizike e gjërave materiale dhe se nuk do të kishte pasoja. Këto ide çuan drejt një jete të mëkatit (shih Alma 30:18).
Alma 30:54–59 tregon se Korihori u dëbua, shkoi shtëpi më shtëpi duke lypur ushqim dhe përfundimisht u shkel derisa vdiq. Lexoni tek Alma 30:60 dhe kërkoni një të vërtetë të rëndësishme rreth asaj që u ndodh përfundimisht atyre që zgjedhin të ndjekin Satanin. Shenjojeni shprehjen vijuese në shkrimet tuaja të shenjta: “Djalli nuk do t’i përkrahë fëmijët e tij [pasuesit e tij] në ditën e fundit”. (Në këtë varg, fëmijët do të thotë pasuesit.)
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si u shfaq e vërteta që shenjuat tek Alma 30:60, në jetën e Korihorit?
-
Krahasoni Almën 30:60 me Almën 36:3. Çfarë prove keni parë në jetën tuaj ose në jetën e të tjerëve që tregon se Perëndia do të vazhdojë t’i përkrahë ata që përpiqen t’i ndjekin urdhërimet e Tij?
-
Rishikoni parimet dhe doktrinat e vërteta që keni studiuar sot. Mendoni për mënyra se si mund ta shmangni të qenit të mashtruar nga mësime të rreme, të tilla si ato të Korihorit.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Almën 30 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: