Njësia 15: Dita 2
Alma 5:37–62
Hyrje
Ndërsa Alma vazhdonte predikimin në Zarahemla, ai i paralajmëroi njerëzit që vendimi i tyre për t’i dëgjuar ose për të mos i pranuar fjalët e tij mbante bekime ose pasoja të caktuara. Ai i nxiti ata t’i përgjigjeshin zërit të Bariut të Mirë, Zotit Jezu Krisht, i cili i thirri ata dhe dëshironte t’i kthente në tufën e Tij. Ndërsa e studioni këtë mësim, merrni parasysh faktin se si ndjekja e zërit të Bariut të Mirë do t’ju ndihmojë t’i shmangni gjërat e papastra të botës dhe të ktheheni për të qenë me Perëndinë.
Alma 5:37–42, 53–62
Alma i fton të gjithë ta ndjekin Bariun e Mirë, i cili është Shpëtimtari
Në shkrimet e shenjta, Jezu Krishti ndonjëherë përmendet si “Bariu i Mirë” (shih Gjoni 10:11–15). Si mendoni ju, përse një bari është një simbol i mirë për Shpëtimtarin? Presidenti Ezra Taft Benson dha përshkrimin vijues për barinjtë e lashtë:
“Në kohën e Jezusit, bariu palestinez shquhej për mbrojtjen e deleve të tij. Ndryshe nga ruajtësit modernë të deleve, bariu gjithmonë ecte në krye të tufës së tij. Ai e udhëhiqte atë. Bariu e njihte secilën dele dhe zakonisht kishte një emër për secilën. Delet e njihnin zërin e tij dhe e besonin atë e nuk do të ndiqnin një të panjohur. Prandaj, kur i thërriste, delet do të vinin tek ai. (Shih Gjoni 10:14, 16.)
Natën barinjtë i sillnin delet e tyre te një vend i rrethuar që quhej vathë. Mure të larta rrethonin vathën dhe në majë të atyre mureve viheshin gjemba për të penguar kafshët e egra dhe vjedhësit që të ngjiteshin mbi to.
Nganjëherë, megjithatë, një kafshë e egër, e shtyrë nga uria, kërcente mbi muret e shkonte mes deleve, duke i frikësuar ato. Një situatë e tillë e veçonte bariun e vërtetë – atë që i donte delet e tij – nga rrogëtari – që punonte vetëm për pagesë dhe detyrë.
Bariu i vërtetë ishte i gatshëm që të jepte jetën e tij për delet. Ai do të shkonte në mes të deleve dhe do të luftonte për mirëqenien e tyre. Rrogëtari, nga ana tjetër, e vlerësonte sigurinë e vet personale mbi delet dhe zakonisht do t’ia mbathte nga rreziku.
Jezusi e përdori këtë ilustrim të zakonshëm të kohës së tij për të shpallur se Ai ishte Bariu i Mirë, Bariu i Vërtetë. Për shkak të dashurisë Tij për vëllezërit dhe motrat e Tij, Ai do ta jepte me gatishmëri dhe me dëshirë jetën e Tij për ta. (Shih Gjoni 10:17.–18.)” (“A Call to the Priesthood: ‘Feed My Sheep’”, Ensign, maj 1983, f. 43.)
Shkruani përgjigje të shkurtra për pyetjet vijuese në këtë manual:
-
Çfarë mund t’iu ndodhë deleve nëse nuk e dëgjojnë bariun?
-
Si ngjajmë ne me delet dhe si ngjan Shpëtimtari me bariun tonë?
-
Çfarë do të thotë të sillesh në vathën e Tij? (shih Alma 5:60).
Tek Alma 5:37, Alma e përshkroi popullin e Zarahemlës si dele që kishin “humbur”. Lexoni tek Alma 5:37–42 dhe kërkoni atë që Alma dha mësim rreth të dëgjuarit të zërit të Shpëtimtarit.
-
Shkruani përgjigje për pyetjet vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Studioni Almën 5:37–38 dhe shpjegoni me vetë fjalët tuaja atë që Alma dha mësim rreth përpjekjeve të Shpëtimtarit për të na bërë thirrje që ta ndjekim Atë.
-
Tek Alma 5:41, çfarë na mësoi Alma rreth mënyrës se si mund ta dallojmë nëse po e dëgjojmë zërin e Bariut të Mirë? Cilat janë disa “vepra të mira” që mund të tregojnë se një i ri shenjtor i ditëve të mëvonshme po e ndjek Bariun e Mirë?
-
Njohja dhe ndjekja e zërit të Shpëtimtarit nuk është gjithnjë e lehtë. Përsiateni citimin vijues nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Në mes të korit të zërave që dëgjojmë në vdekshmëri, ne duhet ta njohim zërin e Bariut të Mirë, i cili na bën thirrje që ta ndjekim Atë drejt shtëpisë sonë qiellore” (“Alternate Voices”, Ensign, maj 1989, f. 27).
Lexoni tek Alma 5:53–56 dhe shenjoni sjellje e veprime që mund ta bëjnë të vështirë për dikë që ta dëgjojë zërin e Shpëtimtarit.
Mendoni për ndonjë sjellje apo veprim tjetër sot në botë që e bën të vështirë për njerëzit që ta dëgjojnë zërin e Shpëtimtarit. Shpjegoni shkurtimisht përse mendoni se këto sjellje dhe veprime e bëjnë të vështirë për dikë që ta dëgjojë zërin e Shpëtimtarit:
Tek Alma 5:57, shenjoni shprehjen “të gjithë ju që dëshironi të ndiqni zërin e bariut të mirë”. Pastaj shenjoni tri shprehjet e tjera në vargun 57 që tregojnë atë që mund të bëni për ta ndjekur zërin e Shpëtimtarit.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një shembull për secilën nga tri pohimet e mëposhtme, duke treguar çfarë mund të bëjnë një i ri shenjtor i ditëve të mëvonshme në shkollën ose komunitetin tuaj: a) të dalë nga të këqijat, b) të veçohet dhe c) të mos prekë gjëra të papastra. Pastaj mendoni për dy veprimtari ose zakone të drejta që do ta ndihmojnë rininë për ta dëgjuar më mirë zërin e Bariut të Mirë. Nëse njëra prej këtyre veprimtarive ose zakoneve ju ka ndihmuar ta dëgjoni zërin e Shpëtimtarit, merrni parasysh të shkruani rreth saj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta për t’ia treguar mësuesit ose klasës suaj më vonë.
Sikurse shënohet tek Alma 5:58–60, Alma na mësoi këtë të vërtetë: Nëse e ndjekim zërin e Zotit (Bariut të Mirë), ne vërtet do të mblidhemi në mbretërinë e Tij. Shenjojini premtimet ose bekimet tek Alma 5:58–60 që do të marrin ata, të cilët marrin një trashëgimi në krahun e djathtë të Perëndisë.
-
Merrni parasysh atë që do të thotë për ju secili prej këtyre premtimeve ose bekimeve që shenjuat. Pastaj shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth arsyes përse mendoni se ia vlen shkëputja e vetes nga gjërat e liga për këto bekime.
Teksa e ndiqni zërin e Shpëtimtarit, ju do t’i merrni këto bekime dhe përfundimisht do të merrni bekimin e ekzaltimit.
Alma 5:43–52
Alma tregon se si fitoi një dëshmi dhe na mëson rreth pendimit
Mendoni për diçka që e keni mësuar nëpërmjet çdonjërës prej pesë shqisave tuaja fizike: të parit, të dëgjuarit, të prekurit, të nuhaturit dhe të shijuarit. A ka ndonjë mënyrë se si mund ta njihni diçka pa përdorur njërën prej shqisave tuaja fizike? Lexoni tek Alma 5:45–48 dhe kërkoni atë që Alma tha se dinte dhe se si e dinte atë.
Shenjoni tek Alma 5:48 atë që Alma u mësoi rreth Jezu Krishtit. Mesazhi tek Alma 5:45–48 mund të përmblidhet në këtë mënyrë: Ne mund ta dimë vetë, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, se Jezu Krishti është Shëlbuesi i njerëzimit.
Gjithsecili has sfida ndaj besimit dhe dëshmisë së tij. Të pasurit e dëshmisë suaj vetjake për vërtetësinë e ungjillit me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë mund t’ju forcojë gjatë atyre kohëve sfiduese. Mbajtja mend e vetë dëshmisë suaj për Frymën e Shenjtë, ashtu siç bën Alma, mund t’ju ndihmojë të qëndroni të patundur në mes të një sfide. Nga shembulli i Almës, ne mund të mësojmë edhe që agjërimi e lutja mund të na ndihmojnë ta ndiejmë Shpirtin të ripohojë të vërtetat dhe t’i mbështetë dëshmitë tona kur ato kanë nevojë të forcohen.
Përsiatni dëshminë tuaj vetjake teksa lexoni citimin vijues nga Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, që na nxit të kërkojmë vetë dëshminë tonë për Jezu Krishtin: “Dëshmia individuale, vetjake për të vërtetën e ungjillit, veçanërisht për jetën dhe misionin hyjnor të Zotit Jezu Krisht, është thelbësore për jetën tonë të përjetshme. ‘Dhe kjo është jeta e përjetshme’, tha Shpëtimtari, ‘të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar’ [Gjoni 17:3]. Me fjalë të tjera, jeta e përjetshme bazohet në vetë diturinë tonë individuale, vetjake për Atin tonë në Qiell dhe Birin e Tij të Shenjtë. Thjesht të dimë për ta nuk mjafton. Ne duhet të kemi përvoja vetjake, shpirtërore për të na mbështetur” (“Feasting at the Lord’s Table”, Ensign, maj 1996, f. 80).
-
Kryeni një ose më tepër prej veprimtarive vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Shkruani rreth një kohe kur e dëgjuat dikë të jepte një dëshmi të fuqishme, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, se Jezu Krishti është Shëlbuesi i njerëzimit. Shkruani se si u ndiet ndërsa dëgjonit këtë dëshmi.
-
Lexoni tek Alma 5:46 dhe shkruani me vetë fjalët tuaja se si e mori Alma dëshminë e tij për Jezu Krishtin. Mendoni rreth mënyrës se si mund ta ndiqni shembullin e Almës që t’ju ndihmojë për ta forcuar dëshminë tuaj për Shpëtimtarin dhe shkruajini mendimet tuaja.
-
Shkruani rreth një kohe kur e ndiet Frymën e Shenjtë t’ju dëshmojë që Jezu Krishti është Shëlbuesi i botës. Shkruani një synim të caktuar që do t’ju ndihmojë të fitoni ose ta forconi dëshminë tuaj për Shpëtimtarin, të tillë si agjërimi ose lutja me më tepër zell apo studimi i shkrimeve të shenjta me më tepër qëllim. Punoni për ta përmbushur këtë synim, edhe nëse do të duhen “shumë ditë” (Alma 5:46). (Kryerja e kësaj veprimtarie mund t’ju ndihmojë edhe të përmbushni një kërkesë të “Përparimit Personal” ose “Detyrës ndaj Perëndisë”.)
-
Lexoni tek Alma 5:49–52 dhe kërkoni atë që Alma i mësoi popullit rreth pendimit. Në rreshtat e dhënë, shpjegoni përse mendoni se të gjithë njerëzit duhet të pendohen në mënyrë që të jetojnë përjetësisht me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin:
Plaku Dallin H. Ouks na ftoi të marrim parasysh disa pyetje që mund të na ndihmojnë ta vëmë në zbatim atë që Alma dha mësim rreth pendimit dhe përgatitjes për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë:
“Po sikur dita e ardhjes së Tij të ishte nesër? Sikur ta dinim që do ta takonim Zotin nesër – nëpërmjet vdekjes sonë të parakohshme ose nëpërmjet ardhjes së papritur të Tij – çfarë do të bënim ne sot? Çfarë rrëfimesh do të bënim? Çfarë praktikash do të ndërpritnim? Cilat llogari do të shlyenim? Çfarë faljesh do të jepnim? Çfarë dëshmish do të jepnim?
Nëse do t’i bënim ato gjëra atëherë, përse jo tani? Përse të mos kërkojmë paqe, ndërkohë që paqja mund të fitohet?” (“Preparation for the Second Coming”, Ensign ose Liahona, maj 2004, f. 9).
-
Mendoni për një nga pyetjet e Plakut Ouks. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth arsyes përse mendoni se është e rëndësishme ta jetoni çdo ditë si të përgatiteshit për t’u takuar me Zotin.
Merrni parasysh me lutje se si mund të veproni sipas asaj që mësuat sot, që të mund të përgatiteni për të takuar Shpëtimtarin dhe të hyni në mbretërinë e Tij.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Almën 5:37–62 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: