Seminari
Njësia 20: Dita 1, Alma 39


Njësia 20: Dita 1

Alma 39

Hyrje

Alma qortoi birin e tij të pabindur, Koriantonin, i cili e kishte braktisur shërbesën dhe kishte kryer mëkat të rëndë seksual. Alma i mësoi Koriantonit sa të rënda [ishin] veprimet e tij dhe shprehu zhgënjimin e tij që Koriantoni qe fajtor për një gabim të tillë të rëndë. Alma e urdhëroi Koriantonin që të ndalonte së shkuari pas “epsheve të syve të [tij]” dhe të pendohej (Alma 39:9). Mesazhi i Almës për Koriantonin gjendet tek Alma 39–42.

Alma 39:1–6

Alma i shpjegon birit të tij, Koriantonit, sa i rëndë [është] mëkatit seksual

Merrni parasysh thënien në vijim: Disa mëkate janë më të rënda se mëkatet e tjera.

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: A jeni dakord se disa mëkate janë më të rënda se sa mëkatet e tjera? Përse janë ose përse jo?

Sikurse shënohet tek Alma 39, Alma i dha këshillë birit të tij, Koriantonit, që mund t’ju ndihmojë të kuptoni natyrën e rëndë të mëkateve të caktuara. Koriantoni e kishte shoqëruar Almën dhe vëllanë e tij, Shiblonin, në një mision për t’u predikuar ungjillin zoramitëve. Ndërkohë që ishte atje, Koriantoni kreu një mëkat të rëndë seksual.

Lexoni tek Alma 39:1–4 dhe kërkoni se çfarë kishte bërë gabim Koriantoni. Për t’ju ndihmuar që t’i kuptoni këto vargje, mund t’ju vijë në ndihmë të dini se një grua e përdalë është një grua e pamoralshme ose një prostitutë. Është e rëndësishme të kuptoni se “Zoti, nuk mund ta shoh[ë] mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit” (DeB 1:31); mëkatet seksuale janë veçanërisht të rënda. Vini re gjithashtu se Koriantoni e la me qëllim misionin e tij për të shkuar pas gruas së përdalë Isabel, gjë që luajti rol në faktin sa i rëndë [ishte] mëkati i tij.

Lexoni tek Alma 39:5 dhe kërkoni mënyrën se si e shpjegoi Alma sa i rëndë [ishte] mëkati seksual krahasuar me mëkatet e tjera. Një neveri është diçka që është mëkatare, e ligë ose e ndyrë. Nga këto vargje ne mësojmë se mëkati seksual është një neveri në pamjen e Zotit. Përsiatni përse mendoni se mëkati seksual radhitet pranë vrasjes për nga shkalla e rëndesës.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këtë shpjegim rreth arsyes pse mëkati seksual është i neveritshëm për Zotin: “Duke i caktuar një rëndesë të tillë një dëshire fizike, të dhënë në mënyrë kaq të përgjithshme, çfarë po përpiqet të na thotë Perëndia për vendin e saj në planin e Tij për të gjithë burrat dhe gratë? Unë po ju bëj të ditur se Ai po bën pikërisht atë – duke folur pikërisht për planin e vetë jetës. Haptazi, mes shqetësimeve të Tij më të mëdha lidhur me vdekshmërinë, janë se si një person vjen në këtë botë dhe se si largohet prej saj. Ai ka vendosur kufizime shumë të rrepta për këto çështje” (“Personal Purity”, Ensign, nëntor 1998, f. 76).

Lexojini paragrafët në vijim dhe kërkoni e shenjoni përgjigje për pyetjen e mëposhtme: Cilat janë disa nga bekimet e të qëndruarit të pastër seksualisht?

“Intimiteti fizik midis bashkëshortit dhe bashkëshortes është i bukur dhe i shenjtë. Ai është shuguruar nga Perëndia për krijimin e fëmijëve dhe për shprehjen e dashurisë midis bashkëshortit dhe bashkëshortes. Perëndia ka urdhëruar se intimiteti seksual rezervohet për martesën.

Kur jeni seksualisht të pastër, ju e përgatitni veten për të bërë dhe mbajtur besëlidhjet e shenjta në tempull. Ju e përgatitni veten për të ndërtuar një martesë të fortë dhe për të sjellë në botë fëmijë si pjesë e një familjeje të përjetshme dhe të dashur. Ju mbroheni nga dëmet shpirtërore dhe emocionale që vijnë nga ndarja e intimitetit seksual jashtë martesës. Ju gjithashtu e mbroni veten nga sëmundjet e dëmshme. Të qëndruarit të pastër seksualisht ju ndihmon të jeni të sigurt e vërtet të lumtur dhe rrit aftësinë tuaj për të marrë vendime të duhura tani dhe në të ardhmen” (Për Forcën e Rinisë [broshurë, 2011], f. 35).

Tani lexojini paragrafët në vijim, duke kërkuar përgjigje për pyetjen e mëposhtme: Cilët janë standardet e Zotit për të qëndruarit të pastër seksualisht?

“Standardi i Zotit lidhur me pastërtinë seksuale është i qartë dhe i pandryshueshëm. Mos kryeni marrëdhënie seksuale para martese dhe jini plotësisht besnik/e ndaj bashkëshortes/bashkëshortit tuaj pas martesës. Mos lejoni që mjetet e informimit, bashkëmoshatarët tuaj apo të tjerët t’ju bindin se intimiteti seksual përpara martesës është i pranueshëm. Nuk është i pranueshëm. Nga pikëpamja e Perëndisë, mëkatet seksuale janë tepër serioze. Ato ndyjnë fuqinë e shenjtë që Perëndia na ka dhënë për të krijuar jetë. Profeti Alma na dha mësim se mëkatet seksuale janë më shumë serioze se çfarëdo mëkat tjetër përveç vrasjes apo mohimit të Frymës së Shenjtë (shih Alma 39:5).

Kurrë mos bëni ndonjë gjë që mund t’ju çojë në shkelje seksuale. Trajtojini të tjerët me respekt, jo si objekte të përdorura për të kënaqur epshin dhe dëshirat vetjake. Përpara martesës, mos u përfshini në puthje pasionante, mos u shtrini mbi trupin e një personi tjetër, ose mos prekni pjesët intime e të shenjta të trupit të një personi tjetër, me ose pa rroba. Mos bëni asgjë tjetër që zgjon emocione seksuale. Mos i zgjoni ato emocione në vetë trupin tuaj. Kushtojuni vëmendje nxitjeve të Shpirtit në mënyrë që të mund të jeni të pastër dhe të virtytshëm. Shpirti i Zotit do të largohet nga ai person që ka kryer shkelje seksuale.

Shmangini situatat që ftojnë tundime të mëdha, të tilla si aktivitetet natën vonë, ose gjatë natës larg shtëpisë tuaj, ose aktivitetet ku mungon mbikëqyrja e të rriturve. Mos merrni pjesë në diskutime ose ndonjë shfaqje tjetër audio-vizive që zgjon ndjenjat seksuale. Mos merrni pjesë në asnjë lloj pornografie. Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini kur jeni në rrezik dhe do t’ju japë forcën ta largoni veten nga situata. Kini durim dhe jini të bindur ndaj këshillës së drejtë të prindërve dhe udhëheqësve tuaj.

Sjellja homoseksuale dhe lezbike është një mëkat i rëndë. Nëse e gjeni veten duke u ndeshur me tërheqjen ndaj personave të së njëjtës gjini ose po ju mbushet mendja për të marrë pjesë në sjellje të papërshtatshme, kërkoni këshillë nga prindërit tuaj dhe peshkopi. Ata do t’ju ndihmojnë.

Viktimat e abuzimit seksual nuk janë fajtorë për mëkatin dhe nuk kanë nevojë të pendohen. Nëse keni qenë viktimë e abuzimit, dijeni se jeni të pafajshëm dhe se Perëndia ju do. Flisni me prindërit tuaj ose një të rritur tjetër të besuar dhe kërkoni menjëherë këshillën e peshkopit tuaj. Ata mund t’ju mbështetin shpirtërisht dhe t’ju ndihmojnë për të marrë mbrojtjen dhe ndihmën që ju nevojitet. Procesi i shërimit mund të kërkojë kohë. Besoni te Shpëtimtari. Ai do t’ju shërojë dhe do t’ju japë paqe.

Nëse jeni tunduar të kryeni ndonjë formë të shkeljes seksuale, kërkoni ndihmë nga prindërit dhe peshkopi ose presidenti juaj i degës. Lutjuni Atit tuaj në Qiell, i cili do t’ju ndihmojë t’i bëni ballë tundimit dhe të mposhtni mendimet e ndjenjat e papërshtatshme. Nëse keni kryer shkelje seksuale, flisni me peshkopin tuaj tani dhe filloni procesin e pendimit, në mënyrë që të mund të gjeni paqe dhe të keni Shpirtin si shoqëruesin tuaj të vazhdueshëm.

Bëni një zotim vetjak që të jeni të pastër seksualisht. Nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tuaja, nxitini të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë” (Për Forcën e Rinisë, f. 35–37).

Përsiatni se në çfarë mesazhi mendoni se Zoti do të dëshironte që të përqendroheshit nga ajo që sapo lexuat.

Alma 39:7–19

Alma e nxit Koriantonin të pendohet

Përfytyroni se po bëni një bisedë me prindërit tuaj, udhëheqësit e Të Rinjve apo udhëheqëset e Të Rejave, ose peshkopin apo presidentin tuaj të degës rreth rëndësisë së pastërtisë seksuale. Merrni parasysh si mund t’ju përgjigjeni prindërve ose udhëheqësve tuaj të Kishës, kur ju këshillojnë rreth rëndësisë së të qëndruarit të pastër seksualisht. Lexoni tek Alma 39:7–8 për të gjetur se cili ishte qëllimi i Almës kur i mësoi Koriantonit rreth faktit sa i rëndë [ishte] mëkati i tij. Përsiatni se si përgjigjja juaj ndaj këshillës së prindërve apo udhëheqësve tuaj të Kishës do të ndikohej nga dijenia se ishte një ftesë e dashur për të qëndruar të pastër ose për t’u penduar e për t’i shmangur gjykimet e Perëndisë.

Plaku D. Tod Kristoferson

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi pse prindërit, njësoj si Alma, i ftojnë fëmijët e tyre për t’u penduar: “Ftesa për t’u penduar është shprehje e dashurisë. … Nëse ne nuk i ftojmë të tjerët që të ndryshojnë ose, nëse nuk ia kërkojmë pendimin vetes, ne dështojmë në një detyrë themelore për të cilën i detyrohemi njëri-tjetrit dhe vetes. Një prind lejues, një mik tolerues, një udhëheqës Kishe me frikë, në të vërtetë, janë më të shqetësuar për veten sesa për mbarëvajtjen dhe lumturinë e atyre që ata mund t’i ndihmonin. Po, thirrja drejt pendimit nganjëherë konsiderohet si jotolerante ose fyese dhe madje mund të urrehet, por, e udhëhequr nga Shpirti, ajo në të vërtetë është një akt i përkujdesjes së sinqertë” (“Dhurata Hyjnore e Pendimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 39).

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Pendimi përfshin … Pastaj, ndërsa studioni Almën 39:9–14, bëni një listë në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta me ato që Alma i mësoi Koriantonit rreth pendimit, që mund t’ju ndihmojë ta plotësoni këtë pohim.

Përdorini pyetjet dhe komentet e mëposhtme që t’ju ndihmojnë për ta kuptuar e zbatuar këshillën e Almës. Përpiquni të përcaktoni e shkruani të paktën një të vërtetë për çdo varg të renditur më poshtë, që mund t’ju ndihmojë ta plotësoni pohimin në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Nuk është e nevojshme t’u përgjigjeni pyetjeve në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Lexoni Almën 39:9. (Alma 39:9 është një varg për zotërimin e shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi ta shenjoni atë në një mënyrë të dallueshme që të mund ta gjeni ku është në të ardhmen.) Çfarë lidhje kanë shprehjet “të mos shkosh më pas epsheve të syve të tua” dhe “t’u vësh kryq të gjitha këtyre gjërave” me heqjen dorë nga mëkati?

Në kohën tonë, shprehja “epshe[t] [e] syve të tua” gjen shumë zbatim për pamoralshmërinë dhe pamjet apo argëtimin që është pornografik në çfarëdolloj mënyre. Shprehja “t’u vësh kryq”, siç përdoret tek Alma 39:9, do të thotë t’i mohosh vetes diçka. Kjo shprehje nuk është dhe aq e njohur për ne sot. Sidoqoftë, në kohën e Jozef Smithit, disa kuptime të fjalës vë kryq ishin “të fshish; të anulosh. … Të kundërveprosh … ; të ndalosh” (Noah Webster’s First Edition of an American Dictionary of the English Language, bot. faksimile [1967]). Nëse i zbatojmë këto përkufizime ndaj gjërave që Alma po i mësonte birit të tij, ne mund ta kuptojmë rëndësinë e heqjes së të gjitha aspekteve të pamoralshmërisë (përfshirë burimet e tundimit drejt pamoralshmërisë që janë në kontrollin tonë) nga jeta jonë, që të mund të “trashëgojmë mbretërinë e Perëndisë”. Cilat janë disa mënyra se si të rinjtë shenjtorë të ditëve të mëvonshme mund të ushtrojnë vetëkontroll në çështjet e pastërtisë seksuale dhe të shmangin vajtjen pas epsheve të syve të tyre?

Lexoni Almën 39:10. Në çfarë mënyrash mund ta ndihmojë kërkimi i ushqimit shpirtëror – nga prindërit, udhëheqësit e Kishës, motrat e vëllezërit apo miq të besuar – dikë që të pendohet?

Lexoni tek Alma 39:11–12 dhe përsiatni pyetjet vijuese:

  • Çfarë duhet të ndryshojë në zemrën e dikujt gjatë procesit të pendimit me qëllim që ai ose ajo të mos çohet në udhë të gabuar nga djalli që të bëjë mëkat?

  • Si mund ta ndihmojë dikë që të pendohet shmangia nga të shkuarit pas gjërave të kota e të marra?

Lexoni Almën 39:13. Kujtoni se Alma i tha Koriantonit se, kur zoramitët e kishin parë sjelljen e Koriantonit, ata nuk do t’u besonin fjalëve të Almës (shih Alma 39:11). Mund të jetë e dobishme të kuptoni se, në shkrimet e shenjta, shprehja “të kthehesh drejt Zotit” nënkupton pendimin. Pendim është “një kthim i zemrës dhe i vullnetit te Perëndia” (shih Bible Dictionary, “Repentance [Pendim]”).

  • Çfarë mendoni se do të thotë të pendohesh me tërë “mendjen, fuqinë dhe forcën tënde”?

  • Kur mëkatet tona i ndikojnë të tjerët, çfarë duhet të bëjmë si pjesë e pendimit tonë?

  • Kur bëhet një mëkat i rëndë, pse është e nevojshme të kërkohet ndihma e një peshkopi ose presidenti të degës?

Nga Alma 39:9–13 ne mësojmë: Pendimi përfshin pranimin dhe braktisjen e mëkateve tona dhe kthimin drejt Zotit me tërë mendjen, fuqinë dhe forcën tonë.

Përsiatni për atë që ndieni se Zoti do të donte që ju të bënit për ta kthyer më plotësisht zemrën dhe vullnetin tuaj drejt Tij. Çfarë mund të bëni sot për të filluar që të veproni mbi këto nxitje?

Pa Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, nuk do të ishte e mundur që ju të faleshit për mëkatet tuaja. Lexoni tek Alma 39:15–16, 19 dhe kërkoni mënyrën si e përshkroi Alma njohurinë se Jezu Krishti do të vinte për të marrë mëkatet e botës.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth arsyes përse Jezu Krishti është një lajm i mirë për Koriantonin dhe për ju.

ikona e zotërimit të shkrimit të shenjtë
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – Alma 39:9

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha sa vijon rreth mësimit përmendsh të shkrimeve të shenjta:

“Mësimi, mendimi thellë, kërkimi dhe mbajtja mend e shkrimeve të shenjta është si të mbushësh një skedar me miq, vlera dhe të vërteta që mund t’i ftosh në çdo kohë, kudo në botë.

Fuqi e madhe mund të vijë nga futja në kujtesë [mësimi përmendsh] i shkrimeve të shenjta. Futja në kujtesë e shkrimeve të shenjta është si të krijosh miqësi të re. Ajo është si të zbulosh një individ të ri që mund të të ndihmojë në kohë nevoje, të japë frymëzim e ngushëllim dhe të jetë një burim nxitjeje për ndryshimin e nevojshëm” (“Fuqia e Shkrimeve të Shenjta”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 6).

  1. ikona e ditaritProvoni ta mësoni përmendsh Almën 39:9. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një apo dy fjali rreth mënyrës si të mësuarit përmendsh të këtij vargu mund të jetë mbrojtje për ju në një çast tundimi.

  2. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 39 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: