Seminari
Njësia 16: Dita 4, Alma 14–16


Njësia 16: Dita 4

Alma 14–16

Hyrje

Pasi i dëgjuan të predikonin Almën dhe Amulekun, disa njerëz në Amoniha besuan dhe u penduan, përfshirë Zizromin. Të tjerë ishin të zemëruar dhe bënë që Alma dhe Amuleku të burgoseshin. Njerëzit e ligj në Amoniha i dëbuan burrat që besuan dhe i dogjën gratë dhe fëmijët e tyre. Pas shumë ditësh, Zoti i çliroi Almën dhe Amulekun nga burgu dhe i shkatërroi udhëheqësit e ligj të Amonihës. Në Sidom, Zizromi po vuante fizikisht dhe shpirtërisht. Ai i shprehu Almës besimin e tij në Jezu Krishtin dhe u shërua. Në përmbushje të profecisë, një ushtri lamanite e shkatërroi qytetin e Amonihës. Udhërrëfimi profetik i Almës i lejoi ushtritë nefite ta ndalnin sulmin e lamanitëve. Alma, Amuleku dhe shumë të tjerë e forcuan Kishën nëpër të gjithë vendin e nefitëve.

Alma dhe Amuleku në burg

Alma 14

Alma dhe Amuleku burgosen dhe njerëzit besimtarë të Amonihës dëbohen ose digjen

Mendoni për një rast kur mund të keni parë ose dëgjuar për dikë që ishte i pafajshëm, të vuante në duart e një njeriu tjetër – për shembull, një incident i dikujt që përndiqet për bindjet e tij ose të saj. Përsiatni pyetjet që vijojnë:

  • Çfarë ndjenjash kishit për njeriun që po vuante?

  • Si u ndiet kundrejt njeriut që po e shkaktonte vuajtjen?

  • Përse mendoni se nganjëherë gjëra të këqija u ndodhin njerëzve të pafajshëm dhe të drejtë?

Ndërsa lexoni Almën 14, lidhini këto pyetje me përvojat e Almës dhe të Amulekut.

Lexoni tek Alma 14:1–10, duke gjetur se cilët vuajtën dhe si vuajtën ata. Më pas plotësoni tabelën vijuese:

Cilët Vuajtën?

Si Vuajtën?

Sikurse shënohet tek Alma 14:10, çfarë donte të bënte Amuleku? Lexoni tek Alma 14:11 dhe përcaktoni një të vërtetë që mund ta ndihmonte dikë, i cili e ka të vështirë ta kuptojë përse të ligjtë ndonjëherë lejohen t’i dëmtojnë ata që janë të pafajshëm ose të drejtë.

Një mënyrë për ta përçuar një të vërtetë nga Alma 14:11 është: Zoti i lejon të drejtët të vuajnë nga duart e të ligjve, me qëllim që gjykimet e Tij të mund të jenë të drejta. Vini re që Almës iu zbulua se ata që vdiqën, u pranuan nga Zoti “në lavdi” (Alma 14:11). Duke na mësuar për këtë ngjarje me një këndvështrim të përjetshëm, Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha: “Amulekut iu dha bekimi ta shihte mirësinë dhe drejtësinë e Perëndisë, madje edhe në një tragjedi kaq të tmerrshme” (“Amulek: The Blessings of Obedience”, në Heroes from the Book of Mormon [1995], f. 110).

Lexoni tek Alma 60:12–13 dhe bëjeni referencë kryq me Almën 14:10–11. Ne mësojmë se mes arsyeve përse të drejtët lejohen të vuajnë, janë që t’i vulosin dëshmitë me jetën e tyre (shih DeB 135:3) dhe që të qëndrojnë si dëshmitarë kundër të ligjve.

Të kuptuarit përse Perëndia i lejon të drejtët të vuajnë mund të jetë një parim i vështirë për t’u kuptuar nga ana jonë. Reflektoni mbi thënien e mëposhtme nga Presidenti Spenser W. Kimball për ta kuptuar më tej përse Perëndia i lejon njerëzit ta ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes, edhe në qoftë se bëjnë zgjedhje të gabuara:

Presidenti Spenser W. Kimball

“Nëse do ta konsideronim vdekshmërinë si tërësinë e ekzistencës, atëherë dhembja, hidhërimi, dështimi dhe jeta e shkurtër do të ishin një gjëmë. Por nëse e shohim jetën si një gjë të përjetshme që shtrihet larg në të shkuarën e paralindjes dhe në vazhdim, në të ardhmen e përjetshme të pasvdekjes, atëherë të gjitha ngjarjet mund të vendosen në këndvështrimin e duhur. …

… Nëse të gjithë të drejtët do të mbroheshin dhe të ligjtë do të shkatërroheshin, i gjithë plani i Atit do të anulohej dhe parimi bazë i ungjillit, liria e zgjedhjes, do të mbaronte. Asnjë njeriu nuk do t’i duhej të jetonte sipas besimit” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 15).

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni se si të vërtetat që mësuat tek Alma 14:11 dhe te thënia e Presidentit Kimball, ju ndihmojnë të kuptoni përse Perëndia ndonjëherë i lejon të drejtët të vuajnë në duart e të ligjve.

Lexoni tek Alma 14:12–13 dhe kërkoni atë që Alma i mësoi Amulekut për ta ndihmuar atë t’i duronte sprovat që ata po përjetonin. Si mendoni, përse Alma ishte në gjendje të përgjigjej me një siguri të tillë?

Lexoni thënien në vijim nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, që t’ju ndihmojë të kuptoni atë që Alma po i mësonte Amulekut rreth mirëbesimit te Zoti: “Kjo jetë është një përvojë me mirëbesim të thellë – mirëbesim te Jezu Krishti, mirëbesim te mësimet e Tij, mirëbesim te aftësia jonë siç udhëhiqemi nga Shpirti i Shenjtë për t’iu bindur atyre mësimeve për të pasur lumturi tani dhe për një ekzistencë të përjetshme madhërisht të lumtur. Të mirëbesosh do të thotë të bindesh me dëshirë, pa e ditur mbarimin që nga fillimi (shih Fjalët e Urta 3:5–7). Për të dhënë fryt, mirëbesimi i juaj te Zoti duhet të jetë më i fuqishëm dhe më i durueshëm se sa besimi juaj te ndjenjat dhe përvojat tuaja vetjake” (“Trust in the Lord”, Ensign, nëntor 1995, f. 17).

Mund të jetë e dobishme ta theksoni këtë të vërtetë duke e shkruar në anë të Almës 14:12–13 në shkrimet tuaja të shenjta: Kur kemi mirëbesim te Zoti, Ai na forcon gjatë sprovave tona.

  1. ikona e ditaritZgjidhni një ose më shumë nga situatat vijuese dhe në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni se si parimi që sapo shkruat në shkrimet tuaja të shenjta, mund t’i ndihmonte individët e përshkruar:

    1. Disa lojtarë në ekipin sportiv të një të riu e shmangin atë dhe e tallin ose e ngacmojnë haptas për besnikërinë e tij ndaj standardeve të ungjillit. Ata duket se planifikojnë së bashku me paramendim veprimtari jashtë stërvitjes që e dinë se ai nuk do t’i ndjekë për shkak të bindjeve të tij.

    2. Një e re kërkon punë në një dyqan ku punon një shoqe e saj e mirë. Ajo nuk e fiton punën dhe shoqja e saj i tregon më vonë se pronari i dyqanit i tha se nuk do të punësonte kurrë një mormone.

    3. Kur një i ri i kërkon një grupi të rinjsh të tjerë në shkollë që të ndalojnë së përdoruri gjuhë përdhosëse kur janë me të, ata e shtyjnë dhe e kërcënojnë se do ta lëndojnë më tepër nëse ai u thotë prapë se si të flasin.

Lexoni tek Alma 14:14–17 dhe mendoni rreth mënyrës se si besimi i Almës dhe i Amulekut i ndihmoi ata teksa vazhdonin të vuanin në duart e udhëheqësve të ligj në Amoniha. Përse mendoni se mosdhënia e asnjë përgjigjeje në atë situatë ishte përgjigjja më e mirë? (Shih edhe Mateu 27:11–14.)

Alma 14:18–28 tregon se si Alma dhe Amuleku vuajtën shumë gjëra përpara se Perëndia t’i çlironte ata dhe të shkatërronte shumë nga udhëheqësit e ligj të Amonihës. Shprehja “duke kërcëllitur dhëmbët” (vargu 21) do të thotë duke i shtrënguar dhëmbët nga zemërimi ose tërbimi.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni se cilat nga gjërat që vuajtën Alma dhe Amuleku tek Alma 14:18–25, do të kishin qenë më të vështirat për ju dhe shpjegoni përse. Më pas shkruani rreth një përvoje vetjake ose një përvoje të dikujt që e njihni, i cili po përpiqej të jetonte drejtësisht, por prapëseprapë hasi sprova.

Sikurse shënohet tek Alma 14:25, çfarë e bëri të mundur që Alma dhe Amuleku të qëndronin në këmbë? Lexoni tek Alma 14:26–29 dhe shenjoni shprehje e fjalë që mendoni se e pohojnë më së miri këtë të vërtetë: Nëse i bëjmë thirrje Zotit me besim, Ai do të na forcojë në vuajtjet tona dhe do të na çlirojë sipas mënyrës së Tij dhe në vetë kohën e Tij.

Zoti mund të zgjatë fuqinë e Tij dhe t’ju çlirojë nga sprovat e vuajtjet në mënyrën dhe në kohën e Tij. Kur mësojmë t’i mirëbesojmë vullnetit të Zotit, ne vërtet do të zbulojmë forcë e fuqi më të madhe për t’i duruar vështirësitë gjatë gjithë jetës sonë.

Alma 15–16

Zizromi shërohet, një ushtri lamanitësh shkatërron Amonihën dhe Alma e Amuleku vazhdojnë t’u predikojnë nefitëve

Pasi u larguan nga Amoniha, Alma dhe Amuleku shkuan në qytetin aty pranë të Sidomit, ku gjetën besimtarë nga Amoniha, përfshirë Zizromin. Lexoni tek Alma 15:3–5 për të zbuluar gjendjen e Zizromit.

Merrni parasysh sa vijon: Çfarë e shkaktoi sëmundjen e Zizromit? Çfarë bëri Zizromi që të merrte lehtësim e paqe?

Lexoni me kujdes tek Alma 15:6–10 dhe nënvizoni dy ose tri shprehje që tregojnë se Alma e ndihmoi Zizromin të përqendrohej te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij. Për të kuptuar një mënyrë se si udhëheqësit e priftërisë mund t’i ndihmojnë njerëzit të marrin mëshirë nëpërmjet Shlyerjes, lexoni përvojën e mëposhtme nga Plaku Xhei E. Xhensen, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve:

“Ndërsa shërbeja si peshkop, kam qenë dëshmitar i bekimeve të Shlyerjes në jetën e anëtarëve të Kishës që kryen shkelje serioze. …

Një i ri beqar në moshë madhore në lagjen tonë po dilte në takime njohjeje me një vajzë të re. Ata i lejuan ndjenjat t’u dilnin jashtë kontrollit. Ai m’u drejtua mua për këshillë dhe ndihmë. Bazuar në atë që u rrëfye dhe në përshtypjet që pata nga Shpirti, midis gjërave të tjera, ai nuk u lejua të merrte sakramentin për njëfarë kohe. Ne u takuam rregullisht për të siguruar që u bë pendimi dhe, pas një kohe të duhur, unë e autorizova që ta merrte sërish sakramentin.

Ndërsa qëndroja në panel në atë mbledhje sakramenti, sytë e mi shkuan drejt tij ndërsa tani e merrte sakramentin denjësisht. Unë isha dëshmitar i krahëve të mëshirës, të dashurisë dhe të sigurisë që e rrethonin atë, ndërkohë që shërimi i Shlyerjes ia ngrohu shpirtin dhe ia hoqi barrën e tij, duke dhënë si rezultat faljen, paqen dhe lumturinë e premtuar” (“Krahët e Sigurisë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 49).

një grua duke prekur rrobën e Krishtit

Peshkopët dhe udhëheqës të tjerë të priftërisë mund të na ndihmojnë të marrim mëshirën dhe forcën që kemi nevojë, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Çfarë prove gjeni tek Alma 15:11–12 që Zizromi u pendua dhe mori mëshirën e Zotit?

Një parim që mund të shkruani në shkrimet tuaja të shenja ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta për Almën 15:6–12, është: Nëpërmjet besimit tonë në Jezu Krishtin, ne mund të shërohemi dhe forcohemi. SipasAlmës 15:16, 18, si është i dukshëm ky parim në jetën e Amulekut?

Alma dhe Amuleku themeluan Kishën mes popullit të Sidomit dhe pastaj u kthyen në Zarahemla.

Tek Alma 16 lexojmë se një ushtri lamanitësh pushtuan tokat nefite dhe shkatërruan qytetin e Amonihës, duke përmbushur profecinë e Almës dhe të Amulekut se, nëse njerëzit nuk do të pendoheshin, ata do të shkatërroheshin (shih Alma 9:12). Teksa lexoni tek Alma 16 kërkoni se tek cili drejtohen nefitët për ndihmë, në mënyrë që të mund të shpartallonin ushtrinë lamanite. Përshtateni këtë përvojë me betejat dhe armiqtë tuaj vetjakë me të cilët ndesheni.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 14–16 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: