Seminari
Njësia 2: Dita 4, 1 Nefi 5–6; 9


Njësia 2: Dita 4

1 Nefi 5–6; 9

Hyrje

Gruaja e profetit Lehi, Saria, pati frikë se bijtë e saj nuk do të ktheheshin nga Jerusalemi. Lehi e ngushëlloi atë duke i shprehur besimin e tij te Zoti. Kur bijtë e saj u kthyen të sigurt me fletët prej tunxhi, Saria fitoi një dëshmi më të fortë për dorën e Perëndisë në drejtimin dhe ruajtjen e familjes së saj. Teksa Lehi i studionte fletët prej tunxhi, ai “u mbush me Shpirtin dhe filloi të profetizonte në lidhje me farën e tij” (1 Nefi 5:17). Ndërsa e studioni këtë mësim, mendoni për studimin tuaj vetjak të shkrimeve të shenjta dhe çfarë mund të bëni për të marrë fuqinë që vjen nga hetimi i fjalës së Perëndisë.

1 Nefi 5:1–9

Bijtë e Lehit kthehen të sigurt në familjen e tyre në vendin e shkretë

Udhëtimi i vajtjes dhe i kthimit nga Jerusalemi ndoshta u mori Nefit dhe vëllezërve të tij disa javë. Mendoni për një rast kur një vëlla, motër, prind ose dikush tjetër që ju njihni, u largua nga shtëpia për një periudhë të gjatë kohore – të tillë si mision, shkollë apo shërbim ushtarak. Çfarë shqetësimesh apo meraku patët (ose çfarë shqetësimesh mendoni se mund të ketë një prind) kur u ndatë nga njerëzit e dashur për një kohë të gjatë? Lexoni 1 Nefin 5:1–3 dhe përcaktoni shqetësimet që Saria i shprehu Lehit në lidhje me udhëtimin e kthimit të bijve të saj në Jerusalem.

Studioni 1 Nefin 5:4–6 dhe kërkoni se si Lehi iu përgjigj shqetësimeve të Sarias.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, rishprehni me vetë fjalët tuaja përgjigjen e Lehit ndaj gruas së tij.

Reflektoni për pyetjet që vijojnë:

  • Çfarë ju bën përshtypje rreth mënyrës se si reagoi Lehi ndaj shqetësimeve të Sarias?

  • Si i shfaqin fjalët e Lehit besimin dhe kurajën e fituar nga zbulesat që Perëndia i kishte dhënë atij?

Sipas 1 Nefit 5:6, çfarë ndikimi pati dëshmia e Lehit te Saria?

Dy të vërteta që mund të mësojmë nga kjo përvojë e Lehit dhe Sarias janë se Zoti mund të na bekojë me siguri, ndërsa e ndjekim frymëzimin e Tij, dhe se ne mund t’i ngushëllojmë dhe forcojmë të tjerët kur e shprehim besimin tonë në Perëndinë.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përshkruani një rast kur ju e ndiet sigurinë ngushëlluese të Perëndisë gjatë një kohe të vështirë, kur dhatë dëshminë tuaj për të ngushëlluar dhe forcuar dikë tjetër, apo kur u ngushëlluat dhe u forcuat nga fjalët e besimit të dikujt tjetër.

Lexoni 1 Nefin 5:7–9, duke kërkuar për ndikimin që pati kjo përvojë në besimin e Sarias.

  • Çfarë mësoi Saria nga kjo përvojë?

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Në ç’mënyrë është e ngjashme dëshmia e Sarias te 1 Nefi 5:8 me dëshminë e Nefit te 1 Nefi 3:7?

1 Nefi 5:10–22

Lehi heton fletët prej tunxhi

Nefi dhe vëllezërit e tij kishin rrezikuar jetën e tyre, kishin sakrifikuar pasurinë e familjes së tyre, kishin udhëtuar larg dhe ishin mbrojtur në mënyrë hyjnore gjatë udhëtimit të tyre për të marrë fletët prej tunxhi. Në qoftë se do të ishit një anëtar i familjes së Lehit, si do ta kishin ndikuar përpjekjet e tyre qëndrimin tuaj për studimin e asaj që ishte në fletët prej tunxhi?

Pasi bijtë e tij u kthyen të sigurt, Lehi filloi të hetonte përmbajtjen e fletëve prej tunxhi. Lexoni 1 Nefin 5:11–14 dhe nënvizoni atë që përmbanin fletët prej tunxhi.

Lexoni 1 Nefin 5:17–20, për të gjetur se si ndikoi te Lehi studimi i fletëve prej tunxhi. Bazuar në atë mësoni në këto vargje, si do ta përfundonit shprehjen e parimit të mëposhtëm? (shih 1 Nefi 5:17): Kur hetojmë shkrimet e shenjta, ne mund të jemi

Plaku Robert D. Hejls i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve pohoi këtë të vërtetë:

“Kur dëshirojmë të flasim me Perëndinë, ne lutemi. Dhe kur dëshirojmë që Ai të na flasë, ne hetojmë shkrimet e shenjta; pasi fjalët e Tij janë thënë përmes profetëve të Tij. Ai atëherë do të na mësojë ne, ndërsa dëgjojmë nxitjet e Shpirtit të Shenjtë.

Nëse nuk e keni dëgjuar zërin e Tij t’ju flasë kohët e fundit, kthehuni me shikim të ri dhe dëgjim të ri në shkrimet e shenjta. Ato janë shpëtimi ynë shpirtëror” (“Shkrimet e Shenjta: Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin Tonë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 26–27).

  1. journal iconShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta për një rast kur ju i hetuat shkrimet e shenjta dhe e ndiet Shpirtin e Zotit.

Lexoni 1 Nefin 5:21–22 dhe kërkoni se përse fletët ishin “me vlerë të madhe” për Lehin dhe familjen e tij.

Shkoni te himni “As I search the Holy Scriptures” [“Kur Hetoj Shkrimet e Shenjta”] (Hymns, nr. 277) dhe vini re bekimet që mund të vijnë nëpërmjet hetimit të shkrimeve të shenjta. Reflektoni për leximin tuaj të përditshëm të shkrimeve të shenjta. Si mund të përmirësoheni në studimin tuaj të shkrimeve të shenjta?

Ka urtësi në studimin e shkrimeve të shenjta ndërsa udhëtojmë në vdekshmëri – vendi ynë i shkretë. Mbani mend se fletët prej tunxhi u morën nëpërmjet besimit e sakrificës dhe se, pa fletët prej tunxhi, Lehi dhe familja e tij nuk do t’i kishin marrë bekimet e nevojshme në udhëtimin e tyre (shih 1 Nefi 5:22). Teksa hetoni shkrimet e shenjta, ju mund të mbusheni me Shpirtin e Zotit dhe të merrni forcë dhe besim për të mbajtur urdhërimet e Tij.

1 Nefi 6:1–6

Nefi shkruan për t’i bindur të gjithë që të vijnë te Jezu Krishti

Zgjidhni një libër në shtëpinë tuaj ose mendoni për një libër që njihni. Si mendoni ju, cili ishte qëllimi i autorit në shkrimin e atij libri? Si ju ndihmon njohja e qëllimit të autorit teksa lexoni?

Lexoni 1 Nefi 6:3–6 dhe nënvizoni qëllimin e Nefit në shkrimin e analit të tij. Fraza “Perëndia e Abrahamit, dhe Perëndia e Isakut, dhe Perëndia e Jakobit” (vargu 4) i referohet Jehovait, që është Jezu Krishti. Qëllimi i Nefit u vazhdua nga të gjithë ata, shkrimet e të cilëve gjenden në Librin e Mormonit: Një qëllim i Librit të Mormonit është që t’i bindë të gjithë njerëzit të vijnë te Jezu Krishti.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përshkruani se si të kuptuarit e qëllimit të Nefit në shkrimin e analit të tij do të ndikojë në mënyrën se si e studioni Librin e Mormonit.

Nefi duke bërë fletët

1 Nefi 9

Nefi bën dy lloje fletësh

Te 1 Nefi 9 (shih edhe kapitullin 6), Nefi shpjegoi se ai u urdhërua të bënte dy lloje analesh – këto njihen si fletët e vogla dhe fletët e mëdha të Nefit. Fletët e vogla duhej të përmbanin historinë e shenjtë të popullit të tij – shërbesën e profetëve dhe zbulesat e Zotit – dhe fletët e mëdha duhej të përmbanin historinë laike (shih 1 Nefi 9:2–4). Nefi përdori frazat “këto fletë” dhe “fletët e tjera” për t’iu referuar dy llojeve të fletëve që Zoti e kishte urdhëruar të bënte. Në anë të shkrimeve tuaja të shenjta pranë 1 Nefit 9, shkruani një shënim si ai që vijon, për t’ju ndihmuar të kujtoni se cilit grup fletësh po i referohej Nefi: “këto fletë” = fletët e vogla (të shenjta); “fletët e tjera” = fletët e mëdha (laike).

Ndërsa studioni Librin e Mormonit ju do të arrini të kuptoni përse Nefi mbajti dy lloje analesh. Nefi u frymëzua të bënte një përmbledhje, një variant të shkurtuar, të rrëfimit të atit të tij (që gjendet te 1 Nefi 1–8) në fletët e vogla. Pothuajse 1.000 vjet më vonë, profeti Mormon u drejtua nga Zoti që t’i përfshinte fletët e vogla të Nefit me fletët e arta (shih Fjalët e Mormonit 1:7). Të dy burrat nuk e dinin përse duhej të bënin atë që bënë (shih 1 Nefi 9:5), por ata e ndoqën urdhrin e Zotit.

  1. journal iconNdërsa lexoni 1 Nefin 9 në studimin tuaj vetjak, reflektoni dhe shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përse është e rëndësishme që t’i bindemi Zotit, edhe kur nuk i kuptojmë plotësisht arsyet e Tij.

  2. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrës së sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Nefin 5–6 dhe 9 dhe e kam përfunduar këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe pikëpamje shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: