Njësia 8: Dita 4
2 Nefi 31
Hyrje
Nefi dha mësim doktrinën e Krishtit: ne duhet të ushtrojmë besim në Jezu Krishtin, të pendohemi për mëkatet tona, të pagëzohemi, të marrim Frymën e Shenjtë dhe të durojmë deri në fund. Ai gjithashtu dëshmoi se, kur i zbatojmë këto mësime, Perëndia do të na bekojë me shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe do të na udhëheqë drejt jetës së përjetshme.
2 Nefi 31:1–21
Nefi jep mësim se Shpëtimtari dha shembullin e përsosur për ne
Jezusi shkoi te Gjon Pagëzori që të pagëzohej. Duke qenë se Jezusi nuk bëri asnjë mëkat, përse mendoni se u pagëzua ai? Përse u pagëzuat ju? Përsiatja e këtyre pyetjeve do t’ju ndihmojë të përgatiteni për këtë mësim.
Lexoni 2 Nefin 31:2, 21 dhe shenjoni frazën “doktrina e Krishtit”. Vini re se si te vargu 2, Nefi tha se ai “duhet të [fliste] në lidhje me doktrinën e Krishtit”. Pastaj te vargu 21 tha se kishte folur për “doktrin[ën] e Krishtit”. Te 2 Nefi 31:3–20 ne mësojmë për ato të vërteta që Nefi i quajti “doktrina e Krishtit”. Dy të vërteta që mësojmë janë: Jezu Krishti përmbushi të gjithë drejtësinë duke iu bindur të gjitha urdhërimeve të Atit edhe ne duhet të ndjekim shembullin e bindjes së Jezu Krishtit duke u pagëzuar dhe duke marrë Frymën e Shenjtë.
-
Shkruajini titujt vijues në kolona paralele në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Arsyet Përse u Pagëzua Jezusi dhe Arsyet Përse Pagëzohemi Ne. Pastaj lexoni 2 Nefin 31:4–12 dhe renditni atë që mësoni nën secilin prej atyre titujve.
Sipas 2 Nefit 31:11, çfarë duhet t’i paraprijë pagëzimit?
Për t’ju ndihmuar të shpjegoni se përse kërkohet pagëzimi me ujë, lexoni thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith: “Pagëzimi është një shenjë për Perëndinë, për engjëjt dhe për qiellin që ne bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe nuk ka udhë tjetër nën qiell që Perëndia ka shuguruar për njeriun që të vijë tek Ai, që të shpëtohet dhe të hyjë në mbretërinë e Perëndisë, përveç besimit tek Jezu Krishti, pendimit dhe pagëzimit për heqjen e mëkateve, dhe çfarëdo udhë tjetër është e kotë; atëherë ju keni premtimin e dhuratës së Frymës së Shenjtë” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 95).
-
Përfytyroni sikur një shok që nuk është anëtar i Kishës, ju pyet se përse pagëzimi është kaq i rëndësishëm. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si do të përgjigjeshit.
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si ndjekja e shembullit të Jezu Krishtit duke u pagëzuar, ka ndikuar dhe bekuar jetën tuaj.
Ka më shumë për ne për të bërë pasi pagëzohemi. Lexoni 2 Nefin 31:13 dhe shenjoni frazat që përshkruajnë qëndrimin që një person duhet të ketë ndërsa ndjek shembullin e Shpëtimtarit.
Sipas 2 Nefit 31:13, kur i përmbushim besëlidhjet tona me qëllim të plotë të zemrës dhe me bindje të vërtetë, çfarë na premton Ati ynë në Qiell në këmbim? (Ju mund të dëshironi ta shenjoni këtë në shkrimet tuaja të shenjta.) Lexoni frazën e fundit te 2 Nefi 31:17 dhe përcaktoni se përse ne kemi nevojë të marrim Frymën e Shenjtë. Në hapësirën e dhënë, shkruani një formulim doktrinor ose një parim të bazuar në shkrim të shenjtë që shpjegon se çfarë do të bëjë Fryma e Shenjtë për ne.
Zjarri përdoret për të pastruar materiale të tilla si metalet. Ai djeg papastërtitë, duke lënë pas një material më të pastër. Kjo është e ngjashme me atë çfarë na ndodh neve shpirtërisht kur marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ai njihet edhe si “pagëzimi i zjarrit” (shih 2 Nefi 31:13). Fryma e Shenjtë dëshmon për Atin dhe Birin dhe sjell heqje të mëkateve. Presidenti Marion G. Romni, i Presidencës së Parë, dha mësim: “Ky pagëzim me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë … e pastron, e shëron dhe e dëlir shpirtin” (Learning for the Eternities, përmb. George J. Romney [1977], f. 133).
Për të gjetur një përbërës tjetër të “doktrin[ës së] Krishtit” lexoni 2 Nefin 31:15–16 dhe theksoni me ngjyra atë që zbuloni. Lidhini frazat që zbuluat te 2 Nefi 31:13, me udhëzimin e dhënë te 2 Nefi 31:15–16 dhe mendoni se si mund të duroni deri në fund me “bindje të vërtetë” dhe “qëllim të plotë të zemrës”.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si mund të gjejnë zbatim shprehjet “me qëllim të plotë të zemrës”, “pa bërë hipokrizi” dhe “me bindje të vërtetë” në veprimtari të tilla si studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta apo pjesëmarrja në Kishë?
-
Cili është ndryshimi mes dikujt që “i bën lutjet vetjake” dhe dikujt që lutet “me qëllim të plotë të zemrës”?
-
Cili është ndryshimi mes dikujt që “e merr sakramentin” dhe dikujt që e merr sakramentin “me bindje të vërtetë”?
-
Lexoni 2 Nefin 31:18 dhe shikoni se ku jemi pasi kalojmë portën e pendimit dhe të pagëzimit. Kur ushtrojmë besim, pendim, pagëzohemi dhe marrim Frymën e Shenjtë, ne hyjmë në “shteg[un e] ngushtë dhe të ngushtuar”. I ngushtë do të thotë i ngushtuar, i saktë, i përpiktë dhe që nuk lejon shkarje. Sipas 2 Nefit 31:18, si mund ta dimë ne nëse jemi në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar?
Përjetimi i dhuratës së Frymës së Shenjtë nuk është thjesht një ndjenjë e mirë që e marrim hera-herës. Shoqërimi i Frymës së Shenjtë është një dëshmi nga Perëndia se ne jemi në shtegun që të çon te jeta e përjetshme.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si ju ka ndihmuar shoqërimi i Frymës së Shenjtë që të qëndroni në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar?
-
Në çfarë mënyrash të tjera e ka bekuar jetën tuaj Fryma e Shenjtë?
-
Lexoni 2 Nefin 31:19–21 dhe bëni një listë duke numërtuar në shkrimet tuaja të shenjta gjëra të tjera që ne duhet të bëjmë në mënyrë që të qëndrojmë në shteg. (Vini re që 2 Nefi 31:19–20 është fragment i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Ju mund të dëshironi ta shenjoni në mënyrë të dallueshme që të mund ta gjeni në të ardhmen.)
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një fjali që përshkruan atë çfarë do të thotë për ju të “shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht” (2 Nefi 31:20).
Në hapësirat e dhëna, përmblidhni 2 Nefin 31:19–20 me një formulim të parimit:
Në qoftë se ne , atëherë ne . (Ju mund të dëshironi ta shkruani atë në shkrimet tuaja të shenjta.)
Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këtë këshillë të dobishme për ata që mendojnë se kanë dalë nga shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar: “Në udhëtimin tuaj përgjatë jetës, ju ndeshni shumë pengesa dhe bëni ca gabime. Udhërrëfyesit nga shkrimi i shenjtë ju ndihmojnë ta dalloni gabimin dhe të bëni ndreqjen e nevojshme. Ju ndaloni së shkuari në drejtimin e gabuar. Ju e studioni me kujdes skemën e udhës së dhënë në shkrimet e shenjta. Pastaj vijoni me pendimin dhe dëmshpërblimin e kërkuar për t’u kthyer në ‘shteg[un e] ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme’ [2 Nefi 31:18]” (“Living by Scriptural Guidance”, Ensign, nëntor 2000, f. 17).
Përsiatni mbi atë se si kjo thënie dhe shkrimet e shenjta që studiuat sot, ju sjellin një “ndriçim … të shpresës” (2 Nefi 31:20).
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – 2 Nefi 31:19–20
-
Kaloni pesë minuta duke punuar që të mësoni përmendsh 2 Nefin 31:20. Kërkojini një anëtari të familjes ose shoku të kontrollojë njohurinë tuaj të këtij shkrimi të shenjtë, ose ju mund të zgjidhni ta mbuloni vargun me dorë dhe të përpiqeni ta citoni pa e parë. Përpiquni ta shkruani vargun nga ajo sa mbani mend në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
-
Duke përdorur 2 Nefin 31:20, zgjidhni një nga gjërat që duhet të bëjmë për të qëndruar në shtegun e duhur, të cilën ju po e përmbushni mirë. Pastaj shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta një përshkrim të mënyrës se si po e përmbushni atë. Më pas zgjidhni një lëmë në të cilin do të dëshironit të përmirësoheshit dhe shkruani se si do ta bëni atë.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Si mund ta shmangim hipokrizinë?
Nefi paralajmëroi kundër hipokrizisë te 2 Nefi 31:13. Hipokrizi do të thotë të shtiresh ose të luash një rol që ta shikojnë të tjerët, i cili nuk pasqyron identitetin tonë të vërtetë. Plaku Jozef B. Uirthlin, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli lidhur me të vepruarit pa hipokrizi:
“A e jetojmë vërtet ungjillin, apo ne thjesht manifestojmë dukjen e drejtësisë në mënyrë që ata përreth nesh të mendojnë se jemi besnikë kur, në realitet, zemrat dhe veprimet tona të padukshme nuk janë të vërteta ndaj mësimeve të Zotit?
A marrim mbi vete vetëm ‘formë[n e] shenjtëri[së]’ ndërsa mohojmë ‘fuqinë e saj’ [shih Joseph Smith—Historia 1:19]?
A jemi të drejtë në fakt, apo shfaqim [gjoja] bindje vetëm kur mendojmë se të tjerët po na shikojnë?
Zoti e ka bërë të qartë se Ai nuk do të gënjehet nga dukjet dhe Ai na ka paralajmëruar të mos jemi të rremë ndaj Tij apo të tjerëve. Ai na ka paralajmëruar të jemi syçelët ndaj atyre që paraqitin një pamje të rreme, që japin një shkëlqim të shtirur që mbulon një realitet të errët. Ne e dimë se Zoti ‘shikon zemrën’ dhe jo ‘pamjen’ [shih 1 Samueli 16:7]” (“True to the Truth”, Ensign, maj 1997, f. 15–16).
Si “duro[jmë] deri në fund” ne?
Shprehja “duron[i] deri në fund” (2 Nefi 31:16) është përdorur shpesh për të sugjeruar nevojën për t’iu nënshtruar me durim vështirësive gjatë jetës sonë. Plaku Jozef B. Uirthlin shpjegoi se, të durojmë deri në fund, do të thotë gjithashtu të vazhdojmë me besnikëri në Krisht deri në fund të jetës sonë:
“Durimi deri në fund është doktrina e vazhdimit në shtegun që të çon në jetë të përjetshme pasi një person futet në shteg nëpërmjet besimit, pendimit, pagëzimit dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Durimi deri në fund kërkon tërë zemrën tonë. …
Durimi deri në fund do të thotë se ne e kemi ngulur fort jetën tonë te doktrinat e ungjillit, duke qëndruar në rrjedhën e Kishës, duke u shërbyer përulësisht bashkënjerëzve tanë, duke jetuar jetë si të Krishtit dhe duke i mbajtur besëlidhjet tona. Ata që durojnë janë të baraspeshuar, të qëndrueshëm, të përulur, vazhdimisht në përmirësim dhe pa mashtrim. Dëshmia e tyre nuk bazohet në arsye të kësaj bote – ajo bazohet në të vërtetën, njohurinë, përvojën dhe Shpirtin” (“Press On”, Ensign, nëntor 2004, f. 101).
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 2 Nefin 31 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: