Njësia 29: Dita 1
Mormoni 8:12–41
Hyrje
Pasi shkroi rreth shkatërrimit të popullit të tij dhe vdekjes së atit të tij, Moroni profetizoi për daljen në dritë të Librit të Mormonit dhe paralajmëroi ata që do ta dënonin atë. Moroni pa se anali nefit do të dilte në dritë në një kohë ligësie të madhe, kur shumë do t’i donin pasuritë e kësaj bote më shumë sesa Perëndinë. Ai dëshmoi se Libri i Mormonit do të ishte “i një vlere të madhe” (Mormoni 8:14) gjatë kushteve shpirtërisht të rrezikshme të ditëve të fundit.
Mormoni 8:12–32
Moroni profetizon për daljen në dritë të Librit të Mormonit
Shkruani ato që besoni se janë disa nga dhuratat më të mëdha që ju janë dhënë ndonjëherë:
Merrni një çast për të menduar rreth asaj se përse këto dhurata kanë qenë bekim për ju.
Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson: “Do të doja të flisja për një prej dhuratave më domethënëse dhënë botës në kohët moderne. Dhurata që po mendoj, është më e rëndësishme sesa ndonjë nga shpikjet që ka ardhur nga revolucionet industriale dhe teknologjike. Kjo është një dhuratë me vlerë më të madhe për njerëzimin sesa edhe përparimet e shumta, të mrekullueshme që kemi parë në mjekësinë moderne. Është me vlerë më të madhe për njerëzimin sesa zhvillimi i udhëtimit ajror ose në hapësirë. Unë flas për dhuratën e .”
Cila mendoni se mund të jetë dhurata që Presidenti Benson iu referua?
Moroni dha mësim rreth kësaj dhurate te Mormoni 8. Lexoni te Mormoni 8:12–14 për të zbuluar se cila është dhurata. Fraza “këtë anal” i referohet Librit të Mormonit. Libri i Mormonit është dhurata për të cilën foli Presidenti Benson (shih “The Book of Mormon—Keystone of our Religion”,Ensign,nëntor 1986, f. 4). Shkruani Libri i Mormonit në pjesën bosh në fund të thënies së Presidentit Benson.
Shihni përsëri te Mormoni 8:12–14 për të gjetur çfarë mësimi dha Moroni rreth vlerës së Librit të Mormonit. Çfarë mësimi dha ai rreth vlerës financiare të fletëve? Moroni shpjegoi se ndërsa Zoti nuk do të lejonte që fletët të përdoreshin për fitim financiar, shkrimet në fletët janë të një vlere të madhe.
Mënyra me të cilën Libri i Mormonit doli në dritë, mund të na ndihmojë të kuptojmë rëndësinë e këtij libri. Lexoni te Mormoni 8:15–16 dhe gjeni atë që dha mësim Moroni rreth asaj se si do të dilte në dritë Libri i Mormonit.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë mendoni se do të thotë që Libri i Mormonit mund të nxirrej në dritë vetëm nga dikush që kishte “një sy të vetëm në lavdinë e [Perëndisë]”? (Mormoni 8:15).
-
Çfarë do të thotë për ju që Libri i Mormonit do të nxirrej në dritë “nëpërmjet fuqisë së Perëndisë”? (Mormoni 8:16). Si ndiheni rreth Librit të Mormonit kur lexoni fjalët e Moronit te Mormoni 8:16?
-
Moroni i paralajmëroi ata që do ta dënonin ose kundërshtonin Librin e Mormonit. Kërkoni paralajmërimet e tij ndërsa lexoni te Mormoni 8:17–22. Përse është e rëndësishme për ju të dini se “qëllimet e përjetshme të Zotit do të vazhdojnë, derisa të gjitha premtimet e tij të plotësohen”? (Mormoni 8:22).
Moroni shpjegoi se Zoti pati bërë besëlidhje me “shenjtorë[t] që kanë vdekur para meje” (Mormoni 8:23) – përfshirë profetë si Nefi, Jakobi, Enosi dhe Alma. Zoti pati bërë besëlidhje që Ai do t’i nxirrte në dritë fjalët e këtyre profetëve në ditët e mëvonshme. Ndërsa studioni Mormonin 8:23–25, gjeni se për kë u lutën këta profetë.
Këta profetë u lutën për “vëllezër[it e] tyre” (Mormoni 8:24), që do të thotë për lamanitët dhe pasardhësit e tyre. Ata u lutën gjithashtu për njeriun që do t’i “nxirrte këto gjëra në dritë” në ditët e mëvonshme (Mormoni 8:25; shih gjithashtu Mormoni 8:16), që do të thotë për Profetin Jozef Smith, i cili u zgjodh për t’i nxjerrë në dritë Librin e Mormonit botës, në këto ditë të mëvonshme (shih DeB 3:5–10). Shumë nga profetët e lashtë e dinin për Jozef Smithin dhe u lutën për suksesin e tij për të përkthyer e botuar Librin e Mormonit, duke plotësuar kështu qëllimet e Perëndisë (shih Mormoni 8:22, 24–25; DeB 10:46).
Presidenti Bojd K. Paker, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për rolin që luajti Jozef Smithi në sjelljen në dritë të Librit të Mormonit:
“Të supozosh se [Jozef Smithi] e përgatiti [Librin e Mormonit] pa ndihmë dhe pa frymëzim është absurde.
E vërteta është, thjesht, se ai ishte një profet i Perëndisë – as më shumë e aspak më pak!
Shkrimet e shenjta nuk erdhën kaq shumë nga Jozef Smithi sa erdhën nëpërmjet tij. Ai ishte përcjellësi nëpërmjet të cilit u dhanë zbulesat. Ai ishte, përsa u përket të tjerave, një njeri i zakonshëm, siç ishin profetët në kohët e lashta dhe siç janë profetët në kohën tonë. …
Profeti Jozef Smith ishte një djalë ferme i pashkolluar. Leximi i disa prej letrave të tij të hershme në origjinal e tregon atë të jetë paksa i papërpunuar në drejtshkrim e gramatikë dhe në të folur.
Që zbulesat erdhën nëpërmjet tij në cilëndo formë të një përsosjeje letrare nuk është asgjë tjetër veçse një mrekulli” (“We Believe All That God Has Revealed”, Ensign, maj 1974, f. 94).
Përfytyroni sikur jeni Moroni, që jetoi afërsisht 1.600 vite më parë dhe nëpërmjet fuqisë së Perëndisë u lejua ta shohë kohën tonë. Lexoni te Mormoni 8:35 dhe shqyrtoni se çfarë mund të mendonit për kushtet shpirtërore të kohës sonë. Pastaj lexoni Mormonin 8:26–32, që përmban përshkrimin profetik të Moronit për kohën kur Libri i Mormonit do të nxirrej në dritë në – kohën tonë.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani dy ose më shumë përshkrime të Moronit mbi kohën tonë. Gjithashtu shkruani përse i gjeni veçanërisht interesante dhe të zbatueshme këto përshkrime në kohën tonë.
Lidhur me Librin e Mormonit, Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim:
“Ne duhet ta bëjmë Librin e Mormonit një epiqendër studimi [sepse] u shkrua për kohën tonë. Nefitët nuk e patën kurrë librin, as lamanitët e kohëve të lashta. Ai ishte caktuar për ne. …
Secili nga shkrimtarët e mëdhenj të Librit të Mormonit dëshmoi se ai shkroi për brezat e ardhshëm. …
Nëse ata e panë kohën tonë dhe zgjodhën ato gjëra që do të ishin me vlerë më të madhe për ne, a nuk është kjo mënyra se si duhet ta studiojmë Librin e Mormonit? Ne duhet ta pyesim veten tonë vazhdimisht: ‘Përse Zoti e frymëzoi Mormonin (ose Moronin apo Almën) që ta përfshijë atë [gjë] në analin e tij? Çfarë mësimi mund të mësoj nga kjo, që të më ndihmojë të jetoj në këtë ditë dhe në këtë kohë?’” (“The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, f. 6).
-
Për të përsiatur mbi vlerën e Librit të Mormonit për ju personalisht, përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Mendoni rreth saktësisë së profecive të Moronit mbi kushtet e kohës sonë (shih Mormoni 8:26–32). Çfarë ju mësojnë këto profeci rreth vlerës së Librit të Mormonit për kohën tonë?
-
Përse mendoni se Libri i Mormonit është, siç dha mësim Presidenti Benson, “një prej dhuratave më domethënëse dhënë botës në kohët moderne”? (“The Book of Mormon—Keystone of Our Religion”, f. 4).
-
Nëse një mik do t’ju pyeste përse Libri i Mormonit është i vlefshëm për ju, si do t’i përgjigjeshit?
-
Mormoni 8:33–41
Moroni shikon ditët e fundit dhe dënon ligësinë shpirtërore të kohës sonë
Mendoni për një kohë kur keni vënë re dikë në nevojë – dikë në nevojë materiale, emocionale, shoqërore ose shpirtërore. Shqyrtoni çfarë bëtë ose mund të kishit bërë për ta ndihmuar atë person. Përsiatni përse zgjodhët ta ndihmoni ose të mos e ndihmoni atë person. Përse mendoni se njerëzit ndonjëherë nuk i ndihmojnë ata në nevojë?
Lexoni te Mormoni 8:36–41 dhe kërkoni arsyet që dha Moroni për atë pse disa njerëz në ditët e fundit nuk do t’i ndihmojnë ata në nevojë. Merrni parasysh t’i shënoni këto arsye në shkrimet tuaja të shenjta. Mund të jetë e dobishme të kuptoni se fjala stoliseni do të thotë “bëj të bukur” ose “zbukuroj”.
Cilët janë disa shembuj se si rinia sot mund të dojë gjëra që mund të blihen me para dhe duke ndjekur synime tokësore më shumë sesa të qenit një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit? Studioni Mormonin 8:38, 41 dhe dalloni pasojat me të cilat njerëzit do të përballen për krenarinë, ligësinë dhe shpërfilljen e tyre ndaj të varfrit dhe nevojtarit.
-
Shkruani një parim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta që përmbledh atë që keni mësuar nga Mormoni 8:36–41.
Një shembull i një parimi që jepet mësim në këto vargje, është: Perëndia do të na mbajë përgjegjës për mënyrën se si i trajtojmë të varfrit dhe ata në nevojë.
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cilat janë disa nga nevojat më të zakonshme – të përkohshme, shoqërore, emocionale dhe shpirtërore – midis të rinjve në shkollën apo komunitetin tuaj? Pastaj mendoni për diçka që mund të bëni javën tjetër, për t’u kujdesur për dikë në nevojë. Shkruajeni këtë qëllim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e studiova Mormonin 8:12–41 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: