Njësia 27: Dita 3
3 Nefi 27
Hyrje
Në fillim të shërbesës së tyre, pas ditës së dytë të shfaqjes së Shpëtimtarit të ringjallur mes tyre, dymbëdhjetë dishepujt nefitë u bashkuan në lutje të thellë dhe agjërim. Jezu Krishti iu shfaq sërish atyre dhe iu përgjigj pyetjes së tyre se cili duhej të ishte emri i Kishës. Shpëtimtari u mësoi atyre se Shlyerja është thelbi i ungjillit të Tij dhe se nëpërmjet Shlyerjes ne mund të qëndrojmë pa njollë përpara Tij kur pendohemi, pagëzohemi dhe durojmë deri në fund. Përveç kësaj, ai i urdhëroi dishepujt e Tij që të ishin si Ai.
3 Nefi 27:1–12
Zoti i mëson dymbëdhjetë dishepujt që Kisha e Tij duhet të mbajë emrin e Tij
Përfytyroni sikur dëshironit të fillonit një klub ose skuadër të re sportive. Vendosni se çfarë lloj klubi ose skuadre do të krijonit dhe pastaj zgjidhni një emër për organizatën tuaj. Shkruani si emrin edhe llojin e organizatës që zgjodhët:
Mendoni për disa organizata, për të cilat keni dijeni, dhe për kuptimin që kanë emrat e tyre lidhur me qëllimin e tyre dhe njerëzit që u përkasin atyre.
Dymbëdhjetë dishepujt nefitë vazhduan t’i mësonin dhe pagëzonin njerëzit. Në një rast ata ishin bashkuar në agjërim dhe lutje kur Shpëtimtari i vizitoi përsëri (shih 3 Nefi 27:1–2). Lexoni 3 Nefin 27:3–7 duke kërkuar pyetjen që bënë dishepujt dhe përgjigjen e Shpëtimtarit. Ju mund të dëshironi t’i shenjoni arsyet që dha Jezu Krishti se përse e quajti Kishën me emrin e Tij.
Shqyrtoni 3 Nefin 27:8–10 dhe shenjoni ato që Shpëtimtari dha mësim se ishin tregues të Kishës së Tij të vërtetë. Përfundojeni frazën vijuese në manualin tuaj për të treguar disa karakteristika kyçe të Kishës së vërtetë:
Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit është .
Mendoni për arsyen përse është e rëndësishme që Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit, jo vetëm që mban emrin e Tij por gjithashtu është e ndërtuar në ungjillin e Tij (shih 3 Nefi 27:8–10). Shpëtimtari u premtoi nefitëve se, nëse Kisha është e ndërtuar mbi ungjillin e Tij, atëherë Ati Qiellor do të tregojë veprat e Tij në të (shih 3 Nefi 27:10). Përsiatni se si ju personalisht e keni parë Atin Qiellor t’i shfaqë veprat e Tij në Kishë.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani: Të qenit anëtar i Kishës së Jezu Krishtit është e rëndësishme për mua, sepse … Pastaj shkruani një paragraf të shkurtër duke përshkruar mendimet tuaja për frazën. Përpiquni të përfshini sa më shumë arsye të mundeni nga ajo që keni mësuar ndërsa studiuat 3 Nefin 27:1–12.
3 Nefi 27:13–22
Jezu Krishti përkufizon ungjillin e Tij dhe na mëson se çfarë duhet të bëjmë për të qëndruar të pafajshëm përpara Tij
Mendoni një rast kur u kapët duke bërë diçka që e dinit se ishte e gabuar. Kujtoni se si u ndiet kur e vërteta për atë që kishit bërë, u bë e ditur. Përsiatni pyetjet vijuese: Si do të ndiheshit po të qëndronit përpara Zotit për t’u gjykuar nëse do të kishit ende disa veprime të gabuara për të cilat nuk ishit penduar? Si do të ndiheshit po të qëndronit përpara Zotit për t’u gjykuar nëse nuk do të kishit asnjë mënyrë që të pendoheshit për çfarëdo mëkati që bëtë gjatë jetës suaj?
Pasi u mësoi nefitëve se Kisha e Tij duhet të ndërtohet mbi ungjillin e Tij, Shpëtimtari vazhdoi t’u mësonte se çfarë është ungjilli i Tij. Fjala ungjill në kuptimin e plotë të fjalës do të thotë “lajme të mira” ose “lajme të gëzuara”. Nëpërmjet ungjillit ka ende lajme të mira për të gjithë ne nëse mëkatojmë.
-
Lexoni 3 Nefin 27:13–16, 19 dhe kërkoni elemente të ungjillit që janë lajme të mira për të gjithë ne. Themeli i ungjillit të Jezu Krishtit është se Ai bëri vullnetin e Atit të Tij në kryerjen e Shlyerjes. Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Shpëtimtari u dëshmoi dishepujve të Tij se Ai erdhi në botë për të bërë vullnetin e Atit të Tij. Sipas 3 Nefit 27:14, cili qe vullneti i Atit Qiellor lidhur me Birin e Tij të Shenjtë?
-
Ngaqë Shpëtimtari e përmbushi vullnetin e Atit të Tij, çfarë është e mundësuar për të gjithë njerëzimin? (shih veçanërisht 3 Nefin 27:19).
-
-
Për t’ju ndihmuar të vlerësoni madhështinë e këtyre lajmeve të mira, lexoni një ose më shumë prej fragmenteve vijuese të shkrimit të shenjtë dhe shkruani një shpjegim të shkurtër në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se përse Shlyerja e Jezu Krishtit përbën lajme kaq të mira: 2 Nefi 9:8–10; Alma 34:14–16; Helamani 14:15–18.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi se përse ungjilli përbën lajmet e mira për të gjithë njerëzit: “‘Lajmi i mirë’ ishte se vdekjes dhe ferrit mund t’i shpëtohej, se gabimet dhe mëkatet mund të kapërceheshin, se kishte shpresë, se kishte ndihmë, se e pazgjidhshmja ishte zgjidhur, se armiku ishte mposhtur. Lajmi i mirë ishte se varri i çdo njeriu një ditë mund të ishte i zbrazët, se fryma e çdo njeriu mund të ishte e pastër përsëri, se çdo fëmijë i Perëndisë mund të kthehej përsëri tek Ati që u dha atyre jetë” (“Missionary Work and the Atonement”, Ensign, mars 2001, f. 8, 10).
A keni dëgjuar ndonjëherë dikë të thotë se ne duhet ta “jetojmë ungjillin”? Kur dikush na fton ta “jetojmë ungjillin”, ata zakonisht janë duke na ftuar të jetojmë parimet dhe të marrim ordinancat që ftojnë fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit në jetën tonë, në mënyrë që të mund të shpëtohemi. Shqyrtoni 3 Nefin 27:20–21 duke kërkuar për atë që duhet të bëjmë që të marrim të gjitha bekimet e Shlyerjes dhe të përgatitemi për gjykim.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani Nëse , atëherë ne vërtet do të jemi në gjendje të qëndrojmë pa njollë përpara Jezu Krishtit . Plotësojeni këtë frazë duke shkruar një parim të ungjillit nga 3 Nefi 27:20–21 të cilin duhet ta zbatojmë në mënyrë që të qëndrojmë pa njollë përpara Zotit. (Ju mund të gjeni disa parime për pjesën “nëse” të thënies së këtij parimi.) Pastaj përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Çfarë mund të bëj në jetën time pikërisht tani që ta “jetoj ungjillin” më plotësisht, në mënyrë që të mund të përjetoj fuqinë e Shlyerjes dhe të qëndroj pa njollë përpara Perëndisë ditën e fundit?
Përsiatni se si do të jetë atë ditë kur do të qëndroni përpara Jezu Krishtit duke e ditur se jeni pastruar nëpërmjet Shlyerjes së Tij përmes bindjes ndaj parimeve, urdhërimeve dhe ordinancave të ungjillit të Tij.
3 Nefi 27:23–33
Jezu Krishti i udhëzon dishepujt e Tij për t’u bërë sikurse është Ai
Siç është shënuar në fund të 3 Nefit 27, Jezu Krishti u dha udhëzime dymbëdhjetë dishepujve të Tij dhe i mësoi rreth roleve të tyre si udhëheqës dhe gjykatës të njerëzve të tyre. Lexoni 3 Nefin 27:27 dhe kërkoni urdhërimin që Ai u dha dishepujve për t’i ndihmuar që t’i përmbushnin rolet e tyre me drejtësi. Ndaluni një çast dhe mendoni rreth pyetjes vijuese:
-
Përse do të ishte e rëndësishme për ata që gjykojnë të tjerët, që të jenë si Shpëtimtari?
-
Duke iu referuar përsëri 3 Nefit 27:21, çfarë i urdhëroi Shpëtimtari dishepujt që të bënin?
-
Cila është marrëdhënia midis bërjes së veprave të Shpëtimtarit dhe të bëhesh si Ai?
Rilexoni 3 Nefin 27:21, 27 dhe shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta fjalë dhe fraza që tregojnë se Zoti pret nga dishepujt e Tij që të imitojnë veprat e Tij dhe të bëhen siç është Ai.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta për t’ju ndihmuar të zbatoni mësimet e Shpëtimtarit që të bëheni më shumë si Ai:
-
Çfarë mundësish pata dje për të qenë si Shpëtimtari?
-
Si mund të jem më shumë si Shpëtimtari sot?
-
Cilat vepra të Shpëtimtarit mund të bëj nesër në shkollë ose në shtëpi?
-
Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim se ata që përpiqen të bëhen si Jezu Krishti, arrijnë madhështi të vërtetë: “Ai njeri është më i madhërishmi dhe më i bekuari e plot gëzim, jeta e të cilit i afrohet më afër se gjithçka modelit të Krishtit. Kjo s’ka të bëjë aspak me pasurinë, pushtetin ose prestigjin tokësor. E vetmja provë e vërtetë e madhështisë, bekueshmërisë, gëzueshmërisë është se sa një jetë mund t’i afrohet të qenit si Mësuesi, Jezu Krishti. Ai është udha e drejtë, e vërteta e plotë dhe jeta e begatshme” (“Jesus Christ—Gifts and Expectations”, Ensign, dhjetor 1988, f. 2).
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 3 Nefin 27 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: