Seminari
Njësia 21: Dita 2, Alma 50–52, 54–55


Njësia 21: Dita 2

Alma 50–52; 54–55

Hyrje

Kapiten Moroni vazhdoi ta ndihmonte popullin e tij që ta mbronte veten duke fortifikuar qytetet e tyre. Nefitët ishin të suksesshëm kundër lamanitëve, derisa rebelimi dhe ligësia filluan t’i dobësonin ata. Pavarësisht nga përpjekjet e Moronit për ta bashkuar e mbrojtur popullin, nefitët humbën shumë qytete për shkak të grindjes midis tyre. Përfundimisht, Moroni, Teankumi dhe Lehi pushtuan qytetin e Mulekut dhe mundën njërën prej ushtrive më të mëdha lamanite. Amoroni, udhëheqësi i lig i lamanitëve, u përpoq të bënte bisedime për një shkëmbim të burgosurish, por Moroni i liroi të burgosurit nefitë pa gjakderdhje. Moroni qëndroi i vendosur dhe nuk bëri lëshime me Amoronin dhe pasuesit e tij.

Alma 50–51

Nefitët forcohen dhe përparojnë kur janë të bindur ndaj Zotit dhe të bashkuar midis tyre

Mendoni për një kohë në jetën tuaj kur u munduat të mposhtnin një sfidë, të tillë si një tundim, një problem shëndetësor, një problem në shkollë ose një problem në marrëdhënien me miqtë apo pjesëtarët e familjes. A dëshironit të kishit forcë më të madhe shpirtërore në atë kohë?

Presidenti Henri B. Ajring

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha: “Ndërkohë që forcat [e mëkatit] përreth nesh rriten në intensitet, çfarëdo force shpirtërore që dikur ishte e mjaftueshme, nuk do të jetë më e tillë. Dhe çfarëdo rritje në forcë shpirtërore që dikur e menduam se ishte e mundur, rritje më e madhe do të bëhet e mundësuar për ne. Si nevoja për forcë shpirtërore, ashtu edhe mundësia për ta siguruar atë, do të rriten me ritme që ne i nënvlerësojmë për rrezikun tonë” (“Always”, Ensign, tetor 1999, f. 9).

Përgatitjet që bënë nefitët për betejat e tyre, mund të na ndihmojnë të mësojmë këtë të vërtetë: Nëse e përgatitim veten shpirtërisht, ne mund t’i mposhtim sfidat e jetës.

Shqyrtoni Almën 50:1–6. Çfarë bënë nefitët për të ndërtuar fortifikata rreth qyteteve të tyre? Lexoni Almën 50:7. Çfarë tjetër bënë nefitët për t’u përgatitur për betejë?

Nefitët ndërtuan fortifikata që u dhanë atyre forcë në një kohë vështirësie të madhe. Ne mund ta ndjekim shembullin e tyre duke ndërtuar forcën tonë shpirtërore tani, kështu që vërtet do ta kemi forcën që na nevojitet në një kohë vështirësie. Forca shpirtërore ndërtohet në mënyrën më të efektshme nga përpjekje të qëndrueshme e të përditshme. Ne bëhemi të fortë shpirtërisht përmes gjërave të tilla si studimi i rregullt i shkrimeve të shenjta, lutja, ndjekja e mbledhjeve të Kishës, përmbushja e thirrjeve tona, shprehja e mirënjohjes ndaj Perëndisë, shërbimi ndaj të tjerëve dhe të dëgjuarit dhe të kushtuarit vëmendje ndaj këshillës së udhëheqësve tanë të Kishës.

  1. ikona e ditaritPlotësojini pohimet vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Unë mund të ndërtoj forcë më të madhe shpirtërore duke (renditni disa gjëra që mund të bëni).

    2. Unë vërtet do ta bëj në mënyrë më të qëndrueshme (zgjidhni një veprim nga lista që sapo bëtë) çdo ditë për të ndërtuar forcën time shpirtërore.

Lexoni tek Alma 50:19–23 dhe kërkoni mënyrën se si i bekoi Zoti nefitët që ishin besnikë ndaj Tij pavarësisht nga rrethanat e vështira të kohës së tyre. Mund të doni ta shkruani këtë parim afër këtyre vargjeve: Besnikëria ndaj Perëndisë sjell bekime, edhe mes trazirës. Shikoni te Alma 50:21 për të parë se çfarë tha Mormoni se bëri që nefitët t’i humbisnin këto bekime.

Gjatë kohës që Kapiten Moroni po i udhëhiqte nefitët në betejat e tyre kundër lamanitëve, Pahorani u bë kryegjykatësi i nefitëve. Ai ishte një burrë i drejtë dhe punoi për të vendosur paqe në vend. Megjithatë, një grup nefitësh dëshironin t’i ndryshonin ligjet nefite kështu që ata do të sundoheshin nga një mbret, jo nga një sistem gjykatësish. Çështja u hodh në votë dhe njerëzit votuan për ta mbajtur sistemin e tyre të gjykatësve. Sidoqoftë, “njerëzit e mbretit” nuk deshën ta përkrahnin zërin e popullit dhe nuk pranuan të luftonin me nefitët e tjerë kur lamanitët erdhën për luftë. Moronit iu desh t’i udhëhiqte ushtritë e tij kundër njerëzve të mbretit që t’i detyronte ata të bashkoheshin me nefitët. Kjo i dobësoi tej mase nefitët në betejat e tyre kundër lamanitëve (shih Alma 51:1–21).

Lexoni tek Alma 51:22–27dhe kërkoni fakte që lamanitët ishin në gjendje të merrnin fuqi mbi nefitët për shkak të grindjes me njerëzit e mbretit. Mendoni rreth këtij parimi: Ndarja dhe grindja e shkatërrojnë paqen.

  1. ikona e ditaritLexoni tek Alma 50:39–40 dhe Alma 51:22 dhe vini re sa me zell Pahorani dhe Kapiten Moroni kërkuan të vendosnin paqe mes popullit të tyre. Mendoni për një kohë në jetën tuaj kur keni parë grindje, qoftë mes shokëve, pjesëtarëve të familjes, të njohurve në shkollë apo të tjerëve. Mendoni edhe për karakteristikat e dikujt që mundohet të vendosë paqe. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth karakteristikave që mund të ketë një paqebërës.

Alma 52

Moroni dhe Teankumi punojnë së bashku për të mundur lamanitët

Kapiten Moroni dhe Titulli i Lirisë

Siç shënohet tek Alma 51:33–34, Amalikia u vra nga Teankumi, një prej udhëheqësve më të shkëlqyer ushtarakë të nefitëve. Pas vdekjes së Amalikias, vëllai i tij Amoroni mori drejtimin e ushtrive lamanite. Moroni i dha Teankumit udhëzime që të vazhdonte ta fortifikonte dhe mbronte pjesën veriore të vendit Begati dhe të rimerrte çdo qytet nefit të pushtuar në atë kohë nga lamanitët, nëse ishte e mundur (shih Alma 52:1–10). Lexoni tek Alma 52:15–17 dhe gjeni pse Teankumi vendosi të mos e sulmonte qytetin e Mulekut.

Teankumi e dinte se kur armiku ishte në fortesën e tij, do të ishte e vështirë ta mposhtte atë. Nga kjo përvojë, ne mund të mësojmë këtë parim: Nëse u shmangemi fortesave të kundërshtarit, ne jemi më shumë në gjendje ta shmangim tundimin dhe t’i bëjmë ballë atij.

  1. ikona e ditaritCilat janë disa vende që mund të konsiderohen fortesa të kundërshtarit? (Këto janë vende ose situata ku ju mund të ndikoheni për të mëkatuar nëse do të shkonit atje – për shembull, një festë ku njerëzit po pinë alkool ose po shohin një film të papërshtatshëm.) Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta disa vende të tilla. Shkruani edhe pse mendoni se duhet ta shmangni vajtjen në këto vende.

Kjo qe një kohë e vështirë për nefitët, sepse lamanitët kishin shtënë në dorë shumë qytete nefite ndërkohë që nefitët po luftonin kundër njerëzve të mbretit. Lamanitët po i përdornin ato qytete si fortesa, ndaj ishte e vështirë që nefitët t’i rimerrnin ato. Moroni zhvilloi një plan për t’i nxjerrë lamanitët jashtë qytetit të Mulekut që nefitët të mund ta merrnin prapë qytetin. Lexoni tek Alma 52:21–26 për të parë se çfarë bënë Moroni dhe Teankumi.

  1. ikona e ditaritShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta atë që bënë Moroni dhe Teankumi për të shtënë në dorë qytetin e Mulekut (shih Alma 52:21–26). Shkruani edhe çfarë mendoni për Moronin si gjeneral. Në çfarë mënyrash ishte ai një gjeneral i mirë për nefitët?

Alma 54–55

Moroni nuk pranon t’i shkëmbejë robërit me Amoronin dhe e rimerr qytetin e Gidit

Gjatë gjithë luftës midis lamanitëve dhe nefitëve, të dy kampet kishin kapur shumë robër lufte. Udhëheqësi lamanit, Amoroni, i dërgoi një letër Moronit, duke i propozuar që të dy kampet t’i shkëmbenin robërit e tyre. Moroni ishte i lumtur që t’i shkëmbente robërit, kështu që nefitët e kapur të mund të ktheheshin e që ushtrive të tij të mos u duhej t’i ushqenin robërit lamanitë e të kujdeseshin për ta. (Shih Alma 54:1–2.)

Megjithatë, kur ai dhe Amoroni shkëmbyen letra, Amoroni shkroi duke kërkuar me ngulm që nefitët të dorëzoheshin dhe t’i linin lamanitët t’i qeverisnin ata. Ai tha se nefitët ishin vrasës dhe se lamanitët kishin të drejtë që t’i luftonin. Ai deklaroi edhe se nuk kishte Perëndi. (Shih Alma 54:16–24.)

Kur Moroni e mori këtë letër, e dinte se Amoroni po gënjente. Amoroni e dinte se lamanitët nuk kishin një arsye të drejtë për t’i luftuar nefitët. Moroni tha se ai nuk do t’i shkëmbente robërit dhe nuk do t’u jepte lamanitëve më tepër forcë. Ai do të gjente një mënyrë për t’i shpëtuar robërit nefitë pa bërë shkëmbim për ta. (Shih Alma 55:1–2.)

Lexoni tek Alma 55:3–24 për të zbuluar çfarë bëri Moroni për t’i shpëtuar robërit nefitë.

Kur Moroni nuk pranoi t’iu dorëzohej kërkesave të Amoronit dhe gjeti një mënyrë për t’i shpëtuar robërit nefitë, ai i parandaloi lamanitët nga marrja e një përparësie të madhe mbi nefitët dhe në vend të kësaj mori përparësi të mëdha për nefitët. Një e vërtetë që mund të mësojmë nga shembulli i Moronit, është kjo: Nëse i mirëbesojmë Zotit dhe i bindemi Atij me përpikmëri, Ai do të na mbështetë në luftërat tona.

Historia që gjendet tek Alma 55:3–24 është një histori shumë entuziazmuese shpëtimi. Mendoni për një pjesëtar të familjes apo mik të cilit do t’i pëlqente ta dëgjonte këtë histori dhe gjeni kohë për t’ia treguar historinë këtij njeriu. Ju gjithashtu mund të doni t’i tregoni këtij njeriu parimin e theksuar në paragrafin më sipër dhe t’i shpjegoni si është Moroni një shembull i këtij parimi.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 50–52; 54–55 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: