Njësia 23: Dita 3
Helamani 13–14
Hyrje
Pak vite para lindjes së Shpëtimtarit, Zoti dërgoi një profet lamanit, të quajtur Samuel, që t’u predikonte pendim nefitëve në Zarahemla. Profeti Samuel ishte një dëshmitar i dytë i Jezu Krishtit, së bashku me profetin Nefi. Ai i paralajmëroi nefitët për shkatërrimin e tyre nëse nuk pendoheshin. Samueli i ballafaqoi ata me prirjen e tyre për të hedhur poshtë profetët dhe prirjen e tyre për të kërkuar lumturi duke bërë paudhësi. Ai njoftoi për shenjat që do të shënonin lindjen dhe vdekjen e Jezu Krishtit. Ai gjithashtu dha mësimin se, nëpërmjet shëlbimit të Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi do të kthehej në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar.
Helamani 13
Samueli i paralajmëron nefitët për shkatërrimin e tyre nëse nuk pendohen
Si reaguat ju kur bëtë diçka të gabuar dhe ishte e nevojshme që të qortoheshit nga një prind apo udhëheqës tjetër?
Rrëfimi për një profet që e thërret një popull në pendim, i shënuar te Helamani 13–16, është i pashoq për shkak se është hera e parë në Librin e Mormonit që një profet lamanit i thërret nefitët në pendim.
Lexoni Helamanin 13:1–8, 11 për të kuptuar se përse Samueli u predikoi nefitëve dhe çfarë e udhëzoi Zoti që të thoshte. Këto vargje ilustrojnë parimin: Profetët marrin dhe shprehin mesazhet që Perëndia u vë në zemër. Çfarë mesazhi vuri Perëndia në zemrën e Samuelit? Sipas Helamanit 13:7, çfarë ndikimi shpresonte Samueli që do të kishte mesazhi i tij mbi nefitët?
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani për një rast kur ndiet që një prind ose udhëheqës i Kishës ishte i frymëzuar të jepte një mesazh të veçantë. Si ju ka ndikuar ai mesazh?
Shkruani përgjigjet e pyetjeve në hapësirat e lëna bosh në tabelat vijuese, ndërsa studioni Helamanin 13:17–23 dhe Helamanin 13:24–30.
Parim: Kur nuk e kujtojmë Zotin, ne jemi më të cenueshëm nga krenaria dhe paudhësia. |
Cilat vargje mendoni se na mësojnë parimin e mësipërm? |
Çfarë mallkimi tha Samueli se do t’u vinte nefitëve? |
Sipas Samuelit, çfarë nuk bënin nefitët kur i vendosnin zemrat e tyre pas pasurisë së tyre? |
Cilat janë mënyrat si të rinjtë sot mund t’i vënë zemrat e tyre pas pasurisë – pronësive, praktikave dhe dëshirave – që mund të çojnë në krenari dhe paudhësi? |
Si mendoni, përse është domosdoshmëri të “kujtoni Zotin, Perëndinë tuaj në gjërat me anë të të cilave ai ju ka bekuar”? (vargu 22). |
Parim: Nëse i hedhim poshtë fjalët e profetëve të Zotit, ne vërtet do të përjetojmë keqardhje dhe trishtim. |
Cilat vargje mendoni se na mësojnë parimin e mësipërm? |
Çfarë justifikimesh tha Samueli se përdornin nefitët për hedhjen poshtë të profetëve të Zotit? |
Si mendoni, përse disa njerëz shpesh i pranojnë profetët e rremë, sikurse i përshkroi Samueli? |
Përgjigjiuni dy pyetjeve të tjera duke studiuar bisedat më të fundit të konferencës së përgjithshme tek Ensign ose Liahona: |
Cilat janë disa prej mësimeve të veçanta të profetëve dhe të apostujve tanë të gjallë? |
Cilat janë disa probleme të veçanta që profetët dhe apostujt na kanë paralajmëruar t’i shmangim? |
Rishikoni Helamanin 13:26–28 duke kërkuar mënyrën se si nefitët po u përgjigjeshin profetëve të rremë. Presidenti Ezra Taft Benson shpalli: “Mënyra se si reagojmë ndaj fjalëve të një profeti të gjallë kur na thotë atë që kemi nevojë ta dimë, por që do të donim të mos ia vinim veshin, është një provim për besnikërinë tonë” (The Teachings of Ezra Taft Benson [1988], f. 140).
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Cili është shembulli i një këshille profetike, që keni zgjedhur t’i bindeni?
-
Si jeni bekuar nga ndjekja e kësaj këshille?
-
Si mund të përmirësoheni në ndjekjen e këshillës së profetëve të gjallë?
-
Samueli profetizoi se nefitët do të shkatërroheshin brenda 400 vjetësh nëse nuk pendoheshin (shih Helamani 13:9–10) dhe ai dha mësim se arsyeja e vetme përse nuk ishin shkatërruar tashmë, ishte për shkak të njerëzve të drejtë të cilët jetonin në mes tyre (shih Helamani 13:12–14).
Lexoni Helamanin 13:38 për të zbuluar se si kaq shumë nefitë ishin bërë aq të ligj në kohën e Samuelit.
Samueli shpalli se ne nuk mund të marrim lumturi duke bërë paudhësi, gjë e cila na ndihmon të kuptojmë se lumturia e vërtetë vjen vetëm kur mbajmë urdhërimet e Perëndisë. Cili fragment i zotërimit të shkrimit e shenjtë na e mëson këtë vërtetë gjithashtu? (Shih shënimin c në fund të faqes për Helamanin 13:38.)
Presidenti Ezra Taft Benson na ndihmoi ta kuptojmë këtë parim kur tha: “Ekziston një thënie e vjetër që thotë: Është më mirë të përgatitesh dhe të parandalosh sesa të ndreqësh dhe të pendohesh. Sa e vërtetë është kjo! … Vija e parë e mbrojtjes në mbajtjen e vetes moralisht të pastër është që të përgatitemi t’i bëjmë ballë tundimit dhe të parandalojmë rënien në mëkat” (“The Law of Chastity”, në Brigham Young University 1987–1988 Devotional and Fireside Speeches [1988], f. 51; speeches.byu.edu).
Samueli dha mësim se vendimi i nefitëve për ta vonuar pendimin do të përfundonte në mjerimin dhe shkatërrimin e tyre. Rrëfime të tjera në Librin e Mormonit na mësojnë se individët mund të vazhdojnë në rebelim dhe ligësi derisa shpirti i pendimit mund të largohet prej tyre. Për shembull, Lamani dhe Lemueli nuk deshën ta dëgjonin Perëndinë dhe arritën të “humb[nin] ndjesinë” (1 Nefi 17:45). Shembuj të tillë tregojnë pse është kaq e rëndësishme për ne që të mos e shtyjmë pendimin tonë [për më vonë]. Nëpërmjet pendimit ju mund t’i ndreqni gjërat dhe ta pengoni mëkatin dhe tundimin që të mposhtin dëshirën tuaj për të ndjekur Perëndinë.
Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, për të kuptuar më mirë që ju mund të riktheheni në udhën e drejtë në jetë nëse merrni një udhë të gabuar:
“Gjatë trajnimit tim për t’u bërë kapiten avioni i linjave të pasagjerëve, m’u desh të mësoja si ta drejtoja avionin në largësi të mëdha. Fluturimet mbi oqeane pa fund, kalimi i shkretëtirave të gjera dhe lidhja e kontinenteve kërkojnë një planifikim të kujdesshëm për të siguruar mbërritje të sigurt në vendmbërritjen e programuar. Disa nga këto fluturime pa ndalesa mund të zgjatin deri në 14 orë dhe të shtrihen gati 13.000 kilometra.
Ka një pikë të rëndësishme vendimmarrjeje gjatë fluturimeve të tilla të gjata që njihet zakonisht si pika e kthimit të sigurt. Deri në këtë pikë aeroplani ka mjaft karburant për t’u kthyer dhe arritur i sigurt në aeroportin e nisjes. Kur e ka kaluar pikën e kthimit të sigurt, kapiteni e ka humbur këtë alternativë dhe i duhet të vazhdojë. Prandaj shpesh kjo pikë përmendet si pika pa kthim.
… Satani do që të mendojmë se, kur kemi mëkatuar, ne kemi kapërcyer një ‘pikë pa kthim’ – pra, është tepër vonë për të ndryshuar rrugë. …
… Për të na bërë të humbasim shpresën, të ndihemi të mjeruar si ai vetë dhe të besojmë se jemi përtej mundësisë për t’u falur, Satani mundet madje të abuzojë me fjalë nga librat e shenjta që theksojnë drejtësinë e Perëndisë, me qëllim që të lejë të kuptohet sikur nuk ka mëshirë. …
Krishti erdhi për të na shpëtuar. Nëse kemi marrë rrugë të gabuar, Shlyerja e Jezu Krishtit mund të na japë sigurinë se mëkati nuk është një pikë pa kthim. Një kthim i sigurt është i mundshëm nëse vërtet do të ndjekim planin e Perëndisë për shpëtimin tonë” (“Point of Safe Return”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 99; [“Pikë Kthimi të Sigurt”, Konferenca e Përgjithshme prill 2007 [nr. artikulli 02368 101], f. 123]).
Si munden vërejtjet e Presidenti Uhtdorf t’u japin shpresë atyre që ndiejnë se kanë mëkatuar aq shumë sa që kanë shkuar përtej “pikës pa kthim”?
Helamani 14
Samueli profetizon për shenjat e lindjes dhe vdekjes së Shpëtimtarit
Mendoni për një ngjarje që ka ndodhur kohët e fundit jashtë vendit tuaj dhe që ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Si i marrin vesh njerëzit ngjarjet që ndodhin në pjesë të tjera të botës, të tilla si fatkeqësitë natyrore dhe luftërat? Përse njerëzit duan të dinë për ngjarjet që ndodhin në pjesë të tjera të botës?
Samueli profetizoi për lindjen dhe vdekjen e Shpëtimtarit, ngjarje që do të ndodhnin larg nga Zarahemla. Studioni Helamanin 14:3–6 dhe shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta shenjat që do të shoqëronin lindjen e Jezu Krishtit. Studioni Helamanin 14:20–27 dhe shenjoni shenjat që do të shoqëronin vdekjen e Tij.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani për atë se si mendoni se do të ishit përgjigjur nëse do të kishit qenë atje dhe do të kishit dëgjuar Samuelin t’i bënte këto profeci. Nga të gjitha shenjat e dhëna, cila mendoni se do t’ju linte më shumë mbresa për nevojën për t’u penduar?
Këto shenja janë edhe udhëzuese edhe simbolike. Kur Jezu Krishti erdhi në botë, drita u rrit. Kur Ai vdiq, errësira u rrit. E njëjta gjë ndodh në jetën tonë, kur ne ose e lejojmë Atë të hyjë në zemrat tona ose e ndalojmë që të hyjë.
Lexoni Helamanin 14:11–13 dhe përcaktoni pikësynimin ose qëllimin e Samuelit në predikimin ndaj nefitëve. Ju mund të dëshironi të numërtoni në shkrimet tuaja të shenjta atë që Samueli dëshironte që nefitët të dinin dhe të bënin. (Fraza “nëpërmjet meritave të tij” te vargu 13 do të thotë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.) Nga këto vargje mësojmë se besimi te Jezu Krishti çon në pendim dhe në heqjen e mëkateve.
Lexoni Helamanin 14:28–29 dhe kërkoni arsyen përse Zoti jep shenja dhe bën çudira. Një e vërtetë që mësojmë është: Zoti jep shenja dhe bën mrekulli për t’i ndihmuar njerëzit të besojnë në Të. Përsiatni shenjat (provat) që mendoni se ju ndihmojnë të besoni te Jezu Krishti.
Ndërsa mësoni në lidhje me shenjat e profetizuara nga Samueli, është e rëndësishme të mbani mend se Zoti jep shenja për t’i ndihmuar njerëzit e drejtë të besojnë dhe të pendohen, kurse të ligjtë i duan apo i kërkojnë shenjat për arsyet e tyre vetjake egoiste (shih DeB 46:9). Ndonëse shenjat e vdekjes së Zotit ose shenjat e Ardhjes së Tij të Dytë janë të rëndësishme të dihen, mësimet e Samuelit në lidhje me domethënien e vdekjes dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit janë thelbësore të dihen.
Lexoni me kujdes Helamanin 14:15–19 dhe pastaj studioni skicën vijuese.
Pasi të lexoni Helamanin 14:15–19 dhe të studioni skicën, merrni parasysh pikat vijuese:
-
Lindja në vdekshmëri mund të quhet një vdekje shpirtërore pasi ne jemi të ndarë nga prania e Atit tonë Qiellor.
-
Nëpërmjet vdekjes dhe Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti e shëlbon të gjithë njerëzimin nga Rënia, në mënyrë që ne të mund të kthehemi në praninë e Perëndisë.
-
Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi sillet përsëri në praninë e Perëndisë për t’u gjykuar.
-
Në Gjykimin Përfundimtar, të gjithë njerëzit që vazhdojnë të refuzojnë të pendohen, do të përjetojnë një tjetër vdekje shpirtërore – përjashtimin nga prania e Perëndisë përgjithmonë.
-
Jezu Krishti na shlyen nga vdekja shpirtërore me kushtet e pendimit.
Te Helamani 14:15–19 shenjoni frazat që iu përgjigjen doktrinave me germa të theksuara që sapo keni lexuar. Përmbylleni duke lexuar Helamanin 14:30–31.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se si do ta përdorni Helamanin 14:30–31 për t’i shpjeguar një shoku arsyen përse zgjedhjet tona në këtë jetë janë kaq të rëndësishme.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Helamanin 13–14 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: