Njësia 17: Dita 3
Alma 21–22
Hyrje
Aaroni, një nga vëllezërit e Amonit, u orvat t’u mësonte amalekitëve dhe amulonitëve rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes, por njerëzit nuk e pranuan atë. Ai dhe disa prej shokëve të tij përfunduan në burg në tokën e Midonit. Ata mbetën besnikë gjatë kohës së tyre të vështirësisë. Pasi Amoni dhe mbreti Lamoni siguruan lirimin e tyre, Aaroni i mësoi të atit të Lamonit si të “lind[ej] nga Perëndia” (Alma 22:15). Mbreti mësoi se, duke u penduar për mëkatet e tij, ai mund të arrinte ta njihte Perëndinë dhe përfundimisht të merrte jetë të përjetshme. Besnikëria e Aaronit dhe e vëllezërve të tij ndihmuan shumë lamanitë që të arrinin ta njihnin Perëndinë dhe rrugën e Tij të shëlbimit.
Alma 21:1–23
Aaroni dhe vëllezërit e tij predikojnë ungjillin, pavarësisht nga sprovat dhe burgimi
Mendoni për një kohë kur po përpiqeshit fort për t’i mbajtur urdhërimet dhe prapëseprapë u përballët me vështirësi. Më pas përsiatni pyetjet e mëposhtme: Çfarë bëtë që të ishit besnikë pavarësisht nga sprovat që hasët? Kur e ktheni vështrimin tek ajo përvojë, si ndieni se Zoti ju bekoi gjatë asaj kohe?
Ndërsa Amoni po i jepte mësim mbretit Lamoni dhe popullit të tij (shih Alma 17–19), Aaroni dhe shokët e tij përjetuan vështirësi të jashtëzakonshme teksa orvateshin të jepnin mësim në një pjesë të ndryshme të tokës. Për një vështrim të përgjithshëm e të shkurtër të sprovave që Aaroni dhe shokët e tij vuajtën ndërsa ishin në burg, lexoni tek Alma 20:28–30. Pastaj lexoni fragmentet nga Alma 21:1–17 të përcaktuara në veprimtarinë më poshtë. Shihni si i përballuan Aaroni dhe vëllezërit e tij sprovat e tyre.
-
Kopjojeni tabelën e mëposhtme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, duke lënë vend për komentet tuaja pas çdo shkrimi të shenjtë:
Sfidë apo Vështirësi
Si Reaguan Aaroni dhe Shokët e Tij
Pas leximit të çdo fragmenti të shkrimit të shenjtë, në kolonën e majtë të tabelës, shkruani sfidat ose vështirësitë që hasën Aaroni dhe shokët e tij. Në kolonën e djathtë, shkruani se si reaguan Aaroni dhe shokët e tij. Pastaj përgjigjiuni pyetjeve të mëposhtme:
-
Përse mendoni se do të kishte qenë e lehtë për ta që të shkurajoheshin, të humbnin shpresën dhe të ktheheshin në shtëpi, te një vend më miqësor mes nefitëve?
-
Si mundemi ne, si anëtarë misionarë, të përfitojmë nga studimi i këtij tregimi?
-
Lexoni tek Alma 21:16–17 dhe kërkoni mënyrën se si i ndihmoi Zoti Aaronin dhe vëllezërit e tij që ta bënin punën e Tij teksa ata ngulmuan me besim. Nëpërmjet Aaronit dhe vëllezërve të tij, ne mësojmë këtë parim: Nëse ngulmojmë me besim gjatë sprovave, Zoti do të na ndihmojë ta bëjmë punën e Tij. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta ose në ditarin e studimit të shkrimeve të shenjta.
Mendoni se çfarë lloj pune ka Perëndia për ju që ta bëni tani e në të ardhmen dhe çfarë sfidash mund të hasni në përpjekje për ta përmbushur këtë punë. Lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Tomas S. Monson, i cili na mësoi se mund të kemi sprova ndërkohë që përpiqemi të bëjmë punën e Zotit:
“T’i ndikojmë, t’i mësojmë, t’i prekim shpirtrat e çmuar, të cilët Ati ynë i ka përgatitur për mesazhin e Tij, është një detyrë madhështore. Suksesi rrallëherë është i thjeshtë. Në përgjithësi ai paraprihet nga lot, sprova, besim dhe dëshmi. …
… Shërbëtorët e Perëndisë gjejnë ngushëllim nga siguria e Mësuesit: ‘Unë jam me ju gjithë ditët’ (Mateu 28:20). Ky premtim i madhërishëm ju mbështet ju. … Ai ju ngushëllon gjatë atyre çasteve të humbjes së kurajës, që vijnë tek të gjithë” (“Tears, Trials, Trust, Testimony”, Ensign, maj 1987, f. 43).
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani rreth një përvoje kur ngulmuat besnikërisht përgjatë sprovave. Ose mund të shkruani rreth mënyrës se si planifikoni të jeni besnikë në një sfidë të tanishme, duke përdorur parimet në këtë mësim. Gjithashtu, shkruani rreth disa situatave të ardhshme kur mendoni se mund t’ju nevojitet të ngulmoni përgjatë sprovave kur jeni duke bërë punën e Zotit.
Lexoni tek Alma 21:18–23 për të parë se çfarë bëri Amoni pasi i ndihmoi Aaronin dhe vëllezërit e tij që të liroheshin nga burgu. Kërkoni mënyrën se si ndryshoi jeta e lamanitëve ngaqë Amoni u mësoi ungjillin.
Mendoni rreth mënyrës se si e ka ndryshuar ungjilli i Jezu Krishtit jetën e dikujt që njihni. Përsiatni rreth mënyrës se si mund ta ndani ungjillin me dikë që njihni, ose mendoni rreth dikujt që mund të ndikohet nga shembulli i Aaronit dhe i vëllezërve të tij. Merrni parasysh t’i tregoni atij personi atë që keni mësuar nga shembulli i Aaronit dhe i vëllezërve të tij, ndërsa ata ngulmuan me besnikëri në punën e Zotit.
Alma 22
I ati i Lamonit, që ishte mbret mbi të gjithë tokën, e beson ungjillin siç i mësohet nga Aaroni
Kujtoni takimin e Amonit me atin e Lamonit, që u shqyrtua në mësimin e mëparshëm. Rilexoni kërkesën e veçantë të mbretit ndaj Amonit, të shënuar tek Alma 20:27. Ndërsa lexoni Almën 22:1–3, kërkoni mënyrën se si reagoi mbreti ndaj vizitës së Aaronit.
Lexoni tek Alma 22:4–6 dhe gjeni se çfarë e shqetësonte mbretin Lamoni. Kërkoni tek Alma 22:7–14 për të vërtetat që Aaroni i mësoi atit të Lamonit.
Reflektoni mbi pyetjet e mëposhtme (mund të jetë e dobishme të kujtoni diskutimin e ngjashëm rreth mbretit Lamoni tek Alma 17–18):
-
Pse mbreti kishte nevojë të besonte te Perëndia në mënyrë që ta kuptonte pendimin?
-
Si e ndihmoi mbretin dijenia lidhur me Rënien që ta kuptonte pendimin?
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse është thelbësore të kuptohet Rënia e Adamit dhe Shlyerja e Jezu Krishtit me qëllim që të kuptohet pendimi?
Kërkoni tek Alma 22:15, duke gjetur atë nga e cila ishte gati të hiqte dorë ati i mbretit Lamoni, me qëllim që të merrte gëzim e jetë të përjetshme, dhe merrni parasysh ta shenjoni atë në shkrimet tuaja të shenjta.
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mendoni ju, përse qëndrimi që pati ati i mbretit Lamoni, është i rëndësishëm që ta ketë kushdo që dëshiron të arrijë ta njohë Perëndinë?
Lexoni tek Alma 22:16 për të parë si iu përgjigj Aaroni pyetjes së mbretit rreth mënyrës si të merret jeta e përjetshme. (Merrni parasysh shenjimin e të vërtetave të rëndësishme që shihni se na mësohen në këtë varg.) Si mund ta çojnë një njeri drejt marrjes së jetës së përjetshme të pranuarit dhe të jetuarit e të vërtetave që Aaroni dha mësim?
Lexoni tek Alma 22:17–18, duke kërkuar mënyrën se si iu përgjigj mbreti udhëzimeve të Aaronit. Përsiatni pyetjet që vijojnë: Çfarë mund të mësojmë rreth të qenit të lindur nga Perëndia prej atit të mbretit Lamoni?
Ju mund të dëshironi ta shenjoni këtë shprehje tek Alma 22:18: “Unë do t’i braktis të gjitha mëkatet e mia për të të njohur”. Përsiatni të vërtetën e mëposhtme dhe shkruajeni në shkrimet tuaja të shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Ne duhet të jemi të gatshëm t’i braktisim gjithë mëkatet tona me qëllim që të ndryshohemi shpirtërisht dhe të lindemi nga Perëndia.
Lexoni thënien në vijim nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Ungjilli i Jezu Krishtit na sfidon që të ndryshojmë. ‘Pendohuni’ është mesazhi i tij më i shpeshtë dhe të pendohemi do të thotë t’i braktisim të gjitha praktikat tona – personale, familjare, etnike dhe kombëtare – që janë në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë. Qëllimi i ungjillit është t’i shndërrojë krijesat e zakonshme në qytetarë çelestialë dhe kjo kërkon ndryshim” (“Repentance and Change”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 37).
Përsiatni rreth asaj që duhet të bëni në jetë tani që të mund të ndryshoheni shpirtërisht.
Lexoni tek Alma 22:19–22 për të parë se çfarë ngjarjesh e pasuan lutjen e mbretit. Lexoni tek Alma 22:23–27, duke kërkuar për të parë atë që bëri ati i Lamonit për shkak se kishte pësuar një ndryshim të zemrës dhe kishte marrë vetë Shpirtin e Zotit.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani atë që keni mësuar rreth të qenit të lindur përsëri nga studimi për të atin e mbretit Lamoni. Shpjegoni se si mendoni që shembulli i tij mund t’i ndihmojë të rinjtë sot të bëjnë ndryshime në jetën e tyre, që t’i ndihmojë për t’u lindur nga Perëndia.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Almën 21–22 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: