Seminari
Njësia 18: Dita 3, Alma 31


Njësia 18: Dita 3

Alma 31

Hyrje

Alma mësoi se një grup të shkëputurish nga nefitët, të quajtur zoramitë, ishin larguar nga e vërteta e ungjillit. I trishtuar nga këto raporte ligësie, Alma mori të tjerë me vete që t’u mësonin zoramitëve fjalën e Perëndisë. Ata dëshmuan shërbimet braktisëse të adhurimit dhe krenarinë e zoramitëve. Alma u lut me zell që ai dhe shokët e tij të gjenin ngushëllim dhe sukses në kthimin e zoramitëve te Zoti.

Alma 31:1–7

Alma dhe shokët e tij predikojnë fjalën e Perëndisë te zoramitët braktisës

Përfytyroni se keni një mik ose një pjesëtar të familjes që po fillon të largohet nga ungjilli ose që nuk po e jeton ungjillin aq plotësisht sa ai ose ajo mundet. Mendoni rreth përgjigjeve për pyetjet e mëposhtme:

  • Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar këtë njeri të kthehet në Kishë dhe të dëshirojë t’i zbatojë urdhërimet?

  • Kujt mund t’i drejtoheni për ndihmë kur merreni me problemet dhe keqkuptimet e këtij njeriu?

Mësimi i sotëm vë në dukje se si Alma dhe disa të tjerë u përpoqën të ndihmonin një grup njerëzish, të cilët ishin larguar nga të vërtetat e ungjillit. Lexoni tek Alma 31:1–2. Si u ndje Alma kur dëgjoi rreth asaj që po bënin zoramitët?

Lexoni tek Alma 31:3–4 dhe zbuloni përse nefitët filluan të kishin frikë për shkak të veprimeve të zoramitëve.

Duke menduar rreth asaj që keni mësuar gjatë studimit tuaj të Librit të Mormonit, çfarë mendoni se do të ndihmonte për t’i nxitur zoramitët të pendoheshin e të ktheheshin tek të vërtetat e ungjillit? Lexoni tek Alma 31:5 dhe përcaktoni atë që Alma e dinte se do të ishte mënyra më e frytshme për t’i kthyer zoramitët në udhën e duhur.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përse mendoni se fjala e Perëndisë është më e fuqishme për t’i ndihmuar njerëzit që të ndryshojnë sesa përdorimi i forcës apo i diçkaje tjetër.

Përsiatni thënien e mëposhtme nga Presidenti Bojd K. Paker, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth fuqisë së fjalës së Perëndisë:

“Doktrina e vërtetë, kur kuptohet, ndryshon qëndrimet dhe sjelljen.

Presidenti Bojd K. Paker

Studimi i doktrinave të ungjillit do ta përmirësojë sjelljen më shpejt sesa një studim i sjelljes do ta përmirësojë sjelljen. Shqetësimi për sjellje të padenjë mund të çojë në sjellje të padenjë. Kjo është arsyeja përse ne ia vëmë theksin kaq shumë studimit të doktrinave të ungjillit” (“Little Children”, Ensign, nëntor 1986, f. 17).

Në bazë të Almës 31:5 dhe thënies së Presidentit Paker, përfundojeni parimin vijues: Kur e studioj fjalën e Perëndisë, ajo do të më udhëheqë për të .

Mes mundësive të tjera, ju mund ta përfundoni parimin e mësipërm në këtë mënyrë: Kur e studioj fjalën e Perëndisë, ajo do të më udhëheqë për të bërë atë që është e drejtë.

  1. ikona e ditaritPërsiatini përvojat tuaja me shkrimet e shenjta dhe me të dëgjuarin e fjalës së Perëndisë. Shkruani për një kohë kur fjala e Perëndisë, ju udhëhoqi ju, familjen ose miqtë tuaj për të bërë atë që ishte e drejtë.

Alma 31:8–23

Zoramitët luten dhe adhurojnë në një mënyrë të rreme

Alma dhe shtatë të tjerë shkuan të predikonin fjalën e Perëndisë te zoramitët. Kur mbërritën, ata i vëzhguan zoramitët tek e adhuronin Perëndinë në një mënyrë të habitshme. Çfarë ju vjen në mendje kur mendoni për fjalën adhurim?

Adhurimi nënkupton mënyrën se si tregojmë dashuri, nderim dhe përkushtim për Perëndinë. Adhurimi shpesh përfshin veprime të tilla si lutja, agjërimi dhe pjesëmarrja në shërbimet e kishës. Sidoqoftë, adhurimi i vërtetë gjithnjë përfshin zemrën. Lexoni tek Alma 31:8–11 dhe përcaktoni e shenjoni fjalë e shprehje që përshkruajnë adhurimin e zoramitëve.

Mund të jetë e dobishme të dihet se “ceremonitë e kishës” (Alma 31:10) kanë të bëjnë me “ordinanca”, të tilla si flijimet e kërkuara në atë kohë si pjesë e ligjit të Moisiut ose me sakramentin e kohës sonë. Ju mund të doni ta shenjoni tek Alma 31:10 një prej arsyeve përse ne duhet të adhurojmë e të lutemi përditë.

familje duke u lutur

Merreni parasysh ta shkruani këtë parim në anë të shkrimeve tuaja të shenjta pranë Almës 31:9–11: Përpjekjet tona të përditshme për t’u lutur dhe për t’i mbajtur urdhërimet na forcojnë ndaj tundimit.

Plaku Rulon G. Krejvën, ndërkohë që shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, e theksoi rëndësinë e adhurimit të përditshëm vetjak si një mbrojtje kundrejt tundimit dhe gabimit: “Gjatë viteve të mëparshme, herë pas here më është kërkuar nga Vëllezërit që të takohem me anëtarë të penduar të Kishës dhe t’i intervistoj ata për rivendosjen e bekimeve të tyre të tempullit. Kjo gjithmonë ka qenë një përvojë nxitëse shpirtërore për të rivendosur bekimet e atyre njerëzve të mrekullueshëm që janë penduar. Disave prej tyre u kam bërë pyetjen: ‘Çfarë ndodhi në jetën tuaj që ju shkaktoi të humbisni përkohësisht anëtarësinë tuaj në Kishë?’ Me sy të mbushur me lot, ata u përgjigjën: ‘Nuk iu binda parimeve bazë të ungjillit: lutjes, ndjekjes rregullisht të kishës, shërbimit në kishë dhe studimit të ungjillit. Më pas iu dorëzova tundimeve dhe e humba udhërrëfimin e Shpirtit të Shenjtë’” (“Temptation”, Ensign, maj 1996, f. 76).

Si e përkrah thënia e Plakut Krejvën të vërtetën që gjendet tek Alma 31:9–11?

Lexoni tek Alma 31:12–23 dhe përfytyroni si do të ishte t’i dëgjonit zoramitët të luteshin nga kulla e tyre. Mendoni rreth përgjigjeve për pyetjet e mëposhtme:

  • Çfarë shqetësimesh do të kishit nëse do ta dëgjonit dikë të lutej në këtë mënyrë?

  • Cilat janë disa doktrina të rreme që zoramitët paraqitën në lutjen e tyre?

  • Cili ishte qëndrimi i tyre ndaj njerëzve të tjerë? (Vini re sa herë shfaqen fjalët ne dhe na në lutjen e zoramitëve.)

Pasi çdo njeri e kishte përsëritur të njëjtën lutje “ata u kthyen në shtëpitë e tyre, pa folur më për Perëndinë e tyre, derisa të mblidheshin përsëri tok së bashku te podiumi i shenjtë” (Alma 31:23).

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat janë disa rreziqe të adhurimit, të të luturit dhe të folurit me Perëndinë vetëm një herë në javë?

    2. Cilat janë disa mënyra se si mund ta adhurojmë Perëndinë gjatë gjithë javës?

Edhe qëndrimi ynë është i rëndësishëm ndërsa adhurojmë. Lexoni thënien në vijim nga Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth mënyrës se si qëndrimi ynë e ndikon adhurimin tonë:

“Adhurimi shpesh përfshin veprime, por adhurimi i vërtetë gjithmonë përfshin një gjendje qëndrimi të veçantë të mendjes.

Plaku Dallin H. Ouks

Qëndrimi i adhurimit zgjon ndjenjat më të thella të besnikërisë, dashurisë dhe mahnitjes. Adhurimi i ndërthur dashurinë dhe nderimin në një gjendje përkushtimi që i afron shpirtrat tanë më pranë Perëndisë” (Pure in Heart [1988], f. 125).

  1. ikona e ditaritShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rreth faktit se sa mirë besoni se po e kryeni adhurimin tuaj, përfshirë qëndrimin tuaj, në kategoritë vijuese: a) lutja e përditshme vetjake, b) studimi i përditshëm vetjak i shkrimeve të shenjta, c) bindja ndaj urdhërimeve dhe d) pjesëmarrja në mbledhjet e kishës dhe marrja e sakramentit çdo javë. Vendosni një synim për ta përmirësuar adhurimin tuaj të përditshëm vetjak. Ju mund të doni gjithashtu t’i tregoni një prindi, udhëheqësi ose një miku për synimin tuaj që ai ose ajo të mund t’ju japë inkurajim gjatë javëve të ardhshme.

Alma 31:24–38

Alma lutet për fuqi dhe sukses për misionarët që t’i kthenin zoramitët te Zoti

Pas dëshmimit të adhurimit braktisës të zoramitëve, Alma iu lut Zotit. Lexoni tek Alma 31:30–35 dhe gjeni mënyrën se si lutja e Almës ndryshonte nga lutja e zoramitëve.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani atë që mësuat rreth mënyrës si të luteni nga krahasimi i lutjes së Almës me lutjen e zoramitëve. Shënoni edhe se si mund të ndikojë te lutjet tuaja vetjake shembulli i Almës i një lutjeje të drejtë.

Lexoni tek Alma 31:36–38 dhe kërkoni bekimet që u erdhën Almës dhe shokëve të tij teksa morën bekime të priftërisë dhe predikuan ungjillin. Vini re se shprehja “[ai] vuri duart e tij mbi të gjithë ata që ishin me të” (Alma 30:36) nënkupton vënien e duarve në kokë [për bekim].

Përvoja e Almës dhe e shokëve të tij na mëson parimin: Nëse lutemi dhe veprojmë me besim, atëherë ne vërtet do të marrim ndihmë hyjnore në sprovat tona.

Alma dhe të tjerë duke u lutur

Pas lutjes së tij, Alma dhe shokët e tij të misionit e treguan besimin e tyre duke shkuar të punonin dhe duke i mirëbesuar Zotit që të siguronte për ta, ndërkohë që i shërbenin Atij dhe fëmijëve të Tij. Kërkoni mënyra se si mund ta ndiqni shembullin e Almës për të luturit me besim.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 31 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: