Njësia 5: Dita 3
2 Nefi 2
Hyrje
Te 2 Nefi 2, Lehi e mësoi të birin, Jakobin, se përse Ati Qiellor i ka vendosur fëmijët e Tij në një botë ku ekzistojnë hidhërimet, brenga, mëkati dhe vdekja. Për ta ndihmuar Jakobin të kuptonte qëllimin e vdekshmërisë, ai i shpjegoi doktrinat bazë të planit të shëlbimit – përfshirë lirinë e zgjedhjes, Rënien e Adamit dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit. Studimi i të vërtetave të dhëna mësim te 2 Nefi 2 mund t’ju ndihmojë të vlerësoni më plotësisht se si Shlyerja e Jezu Krishtit mposht pasojat e Rënies dhe bën të mundur për secilin prej nesh që të bëjë zgjedhje që do të çojnë te jeta e përjetshme.
2 Nefi 2:1–25
Lehi jep mësim rreth Rënies së Adamit dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit
Mendoni rreth disa prej sfidave që keni hasur kohët e fundit. A e keni pyetur ndonjëherë veten se përse jeta ka sfida të këtilla? Ndërsa lexoni 2 Nefin 2:1, ju mund të dëshironi t’i shenjoni fjalët ose frazat që përdori Lehi për të përshkruar vitet e para të Jakobit. Më pas lexoni 2 Nefin 2:2 dhe shenjoni se çfarë i premtoi Lehi Jakobit se do të vinte nga hidhërimet e tij. Një kuptim i fjalës shenjtëroj është të përkushtosh ose të bësh të shenjtë. Lehi duket se po i premton Jakobit se Zoti do t’i përkushtojë sprovat e Jakobit për përfitimin e tij përfundimtar.
Lehi e mësoi Jakobin për domosdoshmërinë e Rënies së Adamit dhe nevojën tonë për Shlyerjen e Jezu Krishtit në planin e Atit Qiellor. Ai dëshironte që Jakobi ta dinte se Rënia dhe Shlyerja bëjnë të mundur për ne që të ushtrojmë lirinë tonë të zgjedhjes në mënyrë që të mund të rritemi dhe të përparojmë drejt jetës së përjetshme. Lexoni 2 Nefin 2:15–18 dhe shkruani përgjigje të shkurtra ndaj pyetjeve në vijim:
-
Çfarë i siguroi Perëndia Adamit dhe Evës në Kopshtin e Edenit që i mundësoi ata ta përdornin lirinë e tyre të zgjedhjes? (Shih 2 Nefi 2:15–16.)
-
Çfarë po kërkonte Satani në Kopshtin e Edenit? (Shih 2 Nefi 2:17–18.) Si e shikoni Satanin të ndjekë po atë synim sot?
-
Vizatoni tabelën e mëposhtme në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta. Shqyrtoni 2 Nefin 2:19–25 dhe përcaktoni se cilat do të kishin qenë pasojat nëse Adami dhe Eva nuk do ta kishin ngrënë frutën e ndaluar dhe nuk do të kishin rënë, si edhe pasojat që ndodhën për shkak të Rënies.
Nëse Adami dhe Eva nuk do të kishin rënë (2 Nefi 2:22–23) |
Për shkak se Adami dhe Eva ranë (2 Nefi 2:19–20, 25) |
---|---|
Pasi të plotësoni tabelën, merrni parasysh përse Rënia e Adamit dhe e Evës është pjesë thelbësore e planit të lumturisë të Atit Qiellor.
-
Zëreni se një shok ju thotë se Adami dhe Eva bënë gabim duke e marrë frutën e ndaluar. Duke përdorur atë që keni mësuar te 2 Nefi 2:19–25, shkruani një paragraf në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta duke shpjeguar se përse Rënia ishte thelbësore në planin e Atit Qiellor për shpëtimin tonë.
Ndërsa Rënia e Adamit dhe Evës na siguroi rrugën për të përparuar, ajo gjithashtu paraqiti pasoja të tjera. Përpara Rënies, Adami dhe Eva ishin në praninë e Perëndisë në Kopshtin e Edenit; pas marrjes nga fruta e ndaluar, atyre iu desh të largoheshin nga prania e Tij.
Lexoni 2 Nefin 2:5 dhe përcaktoni frazën që tregon ndarjen e Adamit dhe Evës nga Perëndia pas Rënies. “Ligji tokësor” iu referohet ligjeve fizike që hynë në fuqi për shkak të Rënies. Kështu që, të “përjasht[ohesh]” sipas “ligjit tokësor” i referohet gjendjes së vdekshme në tokë, që ne e trashëgojmë si pasardhës të Adamit dhe Evës. Për shkak të këtyre ligjeve, ne jemi fizikisht të ndarë nga prania e Perëndisë dhe i nënshtrohemi brengave, dhimbjeve, hidhërimeve dhe vdekjes fizike. Të “përjasht[ohesh]” sipas “ligjit shpirtëror” i referohet të qenit të ndarë nga prania e Perëndisë për shkak të mëkateve tona.
Përsiatni se si i keni përjetuar personalisht këto pasoja të Rënies duke reflektuar rreth pyetjeve në vijim:
-
Çfarë hidhërimesh, dhembjesh dhe brengash keni përjetuar në këtë jetë?
-
Kë [person] njihni i cili ka vdekur? Si ka ndikuar vdekja e këtij personi te ju?
-
Kur jeni ndier shpirtërisht të ndarë nga Perëndia?
Ndërsa lexoni 2 Nefin 2:6–10, ju mund të dëshironi të shenjoni fjalë ose fraza kyçe që tregojnë se përmes Shlyerjes, Jezu Krishti na shëlbon nga pasojat e Rënies dhe siguron shëlbimin nga mëkatet tona. Te 2 Nefi 2:9–10, fjala ndërmjetësim do të thotë të veprosh në dobi të një tjetri.
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – 2 Nefi 2:25
Ndërsa Lehi po e mësonte Jakobin për Rënien e Adamit dhe kundërshtimin që përjetojmë në vdekshmëri, ai theksoi rezultatet pozitive të Rënies për të gjithë njerëzimin.
-
Përgjigjiuni pyetjeve në vijim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Nga ajo që keni mësuar rreth Rënies, si i sjell ajo gëzim njerëzimit?
-
Kur keni përjetuar gëzim për shkak të pasojave pozitive të Rënies?
-
2 Nefi 2:11–18, 26–30
Lehi jep mësim rreth lirisë së zgjedhjes dhe pasojave të zgjedhjeve tona
Mendoni për një zgjedhje të rëndësishme që duhej të bënit kohët e fundit dhe se cilat mund të jenë pasojat afatgjata të asaj zgjedhjeje. Lehi e mësoi popullin e tij mbi rëndësinë thelbësore të lirisë së zgjedhjes në planin e shpëtimit të Atit Qiellor. Për t’ju ndihmuar të kuptoni se ne jemi të lirë të zgjedhim lirinë dhe jetën e përjetshme apo robërinë dhe vdekjen (shih 2 Nefi 2:27), plotësoni veprimtarinë më poshtë.
-
Shkruani secilën nga thëniet në vijim të marra nga Për Forcën e Rinisë ([broshurë, 2011], f. 2–3) në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta. Më pas, ndërsa lexoni secilin varg te 2 Nefi 2:11–18, 26–29, ndaloni dhe shkruajeni numrin e atij vargu pas thënies ose thënieve që mendoni se ai varg mbështet. Secili nga numrat e vargjeve duhet shkruar pas njërës prej thënieve. Një thënie mund të gjejë zbatim për më shumë sesa një varg, dhe një varg mund të lidhet me më shumë sesa një thënie. Si shembull, është plotësuar një varg për thënien e parë – një e vërtetë që Lehi dha mësim te 2 Nefi 2:16 është se neve na është dhënë aftësia për të vepruar nga vetja jonë.
-
“Ati Qiellor ju ka dhënë lirinë e zgjedhjes, aftësinë për të zgjedhur të drejtën nga e gabuara dhe për të vepruar për veten tuaj.” 2 Nefi 2:16
-
“Ndërsa jeni këtu në tokë, ju po provoheni për të parë nëse do ta përdorni lirinë tuaj të zgjedhjes për të treguar dashurinë tuaj për Perëndinë duke mbajtur urdhërimet e Tij.”
-
“Ndërsa jeni të lirë të zgjidhni drejtimin e jetës suaj, ju nuk jeni të lirë të zgjidhni pasojat.”
-
“[Zgjedhjet] mëkatare … vonojnë përparimin tuaj dhe ju drejtojnë në hidhërim dhe mjerim.”
-
“Zgjedhjet e drejta ju çojnë në lumturi të qëndrueshme dhe jetë të përjetshme.”
-
Lexoni 2 Nefin 2:26–27. Çfarë jeni të lirë të zgjidhni? Lexoni 2 Nefin 2:28 dhe shenjoni se çfarë tjetër ju ka dhënë Perëndia për t’ju ndihmuar “të zgjidhni jetën e përjetshme”. Përsiatni zgjedhjet që keni bërë në vetë jetën tuaj, që tregojnë se ju keni zgjedhur jetën e përjetshme.
Zotërim i Shkrimit të Shenjtë – 2 Nefi 2:27
Ushtrohuni që të mësoni përmendsh 2 Nefin 2:27, varg i zotërimit të shkrimit të shenjtë. Lexojeni disa herë atë dhe pastaj mbyllini shkrimet tuaja të shenjta dhe përdorni shkronjën e parë të secilës fjalë në këtë varg, të renditura më poshtë që të përpiqeni ta thoni përmendsh me vete ose t’ia thoni një anëtari të familjes. Përsëriteni këtë ushtrim derisa të ndieni se mund t’ia dilni mbanë.
K q, nj j t l s m; dh t gj gj u j dh a t c j t n p nj. Dh a j t l t z l dh j e p n N t m t t gj nj, o t z r dh v, s r dh f s d; p a k q t gj nj t j t m s ë a v.
-
Duke përdorur vetëm shkronjën e parë të secilës fjalë te 2 Nefi 2:27 më sipër, shkruajeni këtë fragment të zotërimit të shkrimit të shenjtë në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta. Mos shikoni vjedhurazi nga vargu!
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 2 Nefin 2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: