Hyrje në librin e Mormonit
Përse të Studiohet Ky Libër?
Ndërsa studioni librin e Mormonit, ju do të mësoni mësime të vlefshme nga Mormoni, që jetoi besnikërisht si dishepull i Jezu Krishtit edhe pse ishte i rrethuar gjatë gjithë jetës nga “një seri e vazhdueshme ligësish dhe neverish” (Mormoni 2:18). Ju do të përfitoni edhe nga studimi i fjalëve të Moronit, birit të Mormonit, që dëshmoi për lexuesit e ditëve të mëvonshme: “Jezu Krishti ju ka paraqitur tek unë dhe unë i di veprimet tuaja” (Mormoni 8:35). Duke studiuar këto shkrime ju mund të mësoni për rëndësinë e të zgjedhurit për të jetuar sipas urdhërimeve dhe besëlidhjeve të ungjillit të Jezu Krishtit.
Kush e Shkroi Këtë Libër?
Mormoni shkroi shtatë kapitujt e parë të këtij libri si një tregim të shkurtër të ligësisë dhe luftërave midis nefitëve dhe lamanitëve në kohën e tij. Ai bëri edhe “një rrëfim të plotë” të ngjarjeve të kohës së tij mbi fletët e mëdha të Nefit. (Shih Mormoni 2:18; 5:9.) Kur Mormoni ishte “rreth dhjetë vjeç”, ruajtësi i analeve, Amaroni, e informoi se përfundimisht ai do të kishte përgjegjësinë që të shënonte “të gjitha gjërat që [kishte] vënë re në lidhje me këtë popull” (Mormoni 1:2, 4). Rreth moshës 24-vjeçare, ai mori në përgjegjësi fletët e Nefit dhe bëri “një anal sipas fjalëve të Amaronit” (Mormoni 2:17). Më vonë, Mormoni filloi të përmblidhte fletët e mëdha të Nefit, që përfshinin shkrime nga profetët dhe mbajtës analesh, nga Lehi deri tek Amaroni. Afër fundit të jetës së tij, Mormoni “i [fshehu] në kodrën Kumorah të gjitha analet që [i] ishin besuar nga dora e Zotit”, me përjashtim, të pak fletëve që ia dha birit të tij Moronit (Mormoni 6:6). Pastaj, ai i udhëhoqi nefitët në betejën e tyre të fundit të madhe kundër lamanitëve. Përpara se të vdiste, Mormoni e urdhëroi Moronin që ta përfundonte analin e tij. Moroni shtoi shkrimet që përbëjnë kapitujt 8–9 të këtij libri.
Kur dhe Ku u Shkrua Ai?
Mormoni me gjasa e shkroi Mormonin 1–7 midis 345 ps.K. dhe 401 ps.K. (shih Mormoni 2:15–17; 8:5–6). Ai i mbaroi shkrimet e tij pas betejës së madhe përfundimtare midis nefitëve dhe lamanitëve në Kumorah (shih Mormoni 6:10–11). Moroni e shkroi Mormonin 8–9 ndoshta midis viteve 401 ps.K. dhe 421 ps.K. ndërsa endej për sigurinë e jetës së tij (shih Mormoni 8:4–6; Moroni 1:1–3).