Njësia 29: Dita 2
Mormoni 9
Hyrje
Moroni e përfundoi analin e atit të tij duke u bërë thirrje atyre që nuk besojnë në Jezu Krisht, për t’u kthyer te Perëndia nëpërmjet pendimit. Ai dha mësim se Perëndia është një Perëndi i mrekullive, që nuk ndryshon. Ai gjithashtu dha mësim se mrekullitë pushojnë vetëm kur njerëzit pushojnë së pasuri besim. Ai e nxiti gjithë njerëzimin të lutej te Ati në emër të Jezu Krishtit për të marrë ato gjëra që kanë nevojë.
Mormoni 9:1–6
Mormoni u bën thirrje atyre që nuk besojnë në Jezu Krisht, që të pendohen
Përfytyroni çfarë mund të mendoni dhe të ndieni nëse do të hynit në praninë e Perëndisë sot. Si mendoni se do të ndiheshin njerëzit e ligj në praninë e Tij? Lexoni Mormonin 9:1–5 dhe vini re se Moroni e përshkroi atë që do të ndodhë përfundimisht, kur njerëzit që zgjedhin të mos besojnë në Jezu Krisht, më në fund të sillen në prani të Perëndisë.
Presidenti Jozef Filding Smith shpjegoi se shumë njerëz mendojnë gabimisht se ata mund të ndihen rehat në praninë e Perëndisë edhe nëse nuk janë penduar për mëkatet e tyre:
“Nuk mund të ketë shpëtim pa pendim. Një njeri nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë me mëkatet e tij. Do të ishte një gjë shumë e papajtueshme për një njeri që të hynte në praninë e Atit dhe të jetonte në praninë e Perëndisë me mëkatet e tij. …
Mendoj se ka shumë njerëz në tokë, shumë prej tyre ndoshta në Kishë – të paktën disa në Kishë – që kanë një ide se mund të kalojnë përmes kësaj jete duke bërë si të duan, duke shkelur urdhërimet e Zotit dhe prapë në përfundim ata do të hyjnë në praninë e Tij. Ata mendojnë se do të pendohen, ndoshta në botën e shpirtrave.
Ata duhet t’i lexojnë këto fjalë nga Moroni: ‘A besoni se do të mund të banoni me të [Krishtin], të vetëdijshëm për fajin tuaj? A mendoni se do të mund të ishit të lumtur të banonit me atë Qenie të shenjtë, kur shpirtrat tuaj janë të torturuar nga vetëdija e fajit se keni shpërdoruar ligjet e tij?
Vini re, unë ju them, se do të ishit më të mjeruar po të banonit me një Perëndi të shenjtë dhe të drejtë, duke qenë të vetëdijshëm për fëlliqësinë tuaj para tij, sesa po të banonit me shpirtrat e mallkuar në ferr. Pasi vini re, kur ju do të silleni të shihni lakuriqësinë tuaj para Perëndisë dhe gjithashtu lavdinë e Perëndisë dhe shenjtërinë e Jezu Krishtit, brenda jush do të ndizet një flakë zjarri të pashueshëm’ [Mormoni 9:3–5]” (Doctrines of Salvation, përmb. veprash Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954, f.–56], 2:195, f.–96).
-
Përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Përse mendoni se është gabim të presësh të pendohesh në këtë jetë, duke besuar se mund të pendoheni në jetën tjetër? (Ju mund të doni të përdorni çka mësoni nga Mormoni 9:1–5; Alma 12:14; dhe Alma 34:32–34 në përgjigjen tuaj.)
Lexoni Mormoni 9:6 dhe shihni për atë që duhet të bëjnë “mosbesuesit”, për të shmangur ankthin që përshkroi Moroni. Merrni parasysh t’i shenjoni fjalët te Mormoni 9:6 që përshkruajnë gjendjen e njerëzve që kthehen te Perëndia dhe i kërkojnë Atij falje. Nga ky varg ne mësojmë: Nëse do të pendohemi dhe i përgjërohemi Perëndisë, ne do të jemi të panjollë kur të vijmë në praninë e Tij. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani disa fjali rreth asaj se si e përfytyroni se do të ndiheshit në praninë e Perëndisë, nëse do ta dinit se qetë bërë i pastër dhe i panjollë nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit.
Nëpërmjet pendimit dhe jetesës së drejtë, ju mund të përgatiteni për të qenë i qetë në praninë e Zotit. Përsiatni gjënë më të rëndësishme që mendoni se mund ta bëni tani, që të përgatiteni për ta takuar Perëndinë.
Mormoni 9:7–20
Moroni shpall se Perëndia kryen mrekulli dhe u përgjigjet lutjeve të besnikëve
A keni dëshmuar apo përjetuar ndonjëherë një mrekulli? Shkruajeni përkufizimin tuaj të fjalës mrekulli:
Shikojeni fjalën mrekulli në Fjalorin e Biblës ose në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta për ta sqaruar apo për t’i shtuar përkufizimit tuaj. Përse mendoni se disa njerëz sot nuk besojnë në mrekulli?
Siç është shënuar te Mormoni 9:7–8, Moroni iu shkroi njerëzve në ditët e fundit që do të mohonin se Perëndia jeton, se Ai jep zbulesa dhe se Ai derdh dhurata për besnikët. Moroni dha fuqishëm mësim se ka një Perëndi dhe se Ai është i njëjtë “dje, sot dhe përgjithmonë” (Mormoni 9:9). Ai vazhdon të bëjë mrekulli midis njerëzve besnikë në të gjitha kohët. Lexoni Mormonin 9:9–11, 15–19 dhe gjeni çka dha mësim Moroni rreth natyrës së Perëndisë, që të mund t’i ndihmonte njerëzit të besojnë se Perëndia vijon të bëjë mrekulli.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani atë që mësuat nga Mormoni 9:9–11, 15–19 rreth natyrës së Perëndisë. Gjithashtu shkruani përgjigjet tuaja për këtë pyetje: Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth gatishmërisë dhe aftësisë së Perëndisë për të bërë mrekulli në jetën e njerëzve sot?
Lexoni Mormonin 9:20 dhe shihni për arsyet përse disa njerëz nuk mund të përjetojnë mrekulli.
Fjalët e Moronit shënuar te Mormoni 9:9–19 japin mësim këtë parim: Për shkak se Perëndia është i pandryshueshëm, Ai do të ofrojë mrekulli sipas besimit të fëmijëve të Tij. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim pranë Mormonit 9:19–20 në shkrimet tuaja të shenjta.
Ne mund ta përjetojmë fuqinë e mrekullueshme të Perëndisë në shumë mënyra në jetën tonë. Pas rishikimit të disa prej mrekullive të mëdha të përshkruara në shkrimet e shenjta, Motra Sidni S. Rejnolds, që shërbeu në presidencën e përgjithshme të Fillores, dha mësim:
“Po aq të rëndësishme sa këto ‘mrekulli të fuqishme’ janë ‘mrekullitë vetjake’ që i mësojnë secilit prej nesh të ketë besim te Zoti. Këto vijnë kur ne dallojmë dhe u vëmë veshin nxitjeve të Shpirtit në jetën tonë. …
Unë besoj se të gjithë ne mund të dëshmojmë për këto mrekulli të vogla. Ne njohim fëmijë që luten për ndihmë që të gjejnë një send të humbur dhe e gjejnë atë. Ne njohim të rinj që e mbledhin kurajën për të qëndruar si dëshmitarë të Perëndisë dhe e ndiejnë dorën e Tij mbështetëse. Ne njohim miq që paguajnë të dhjetat e tyre me paratë e tyre të fundit dhe pastaj, nëpërmjet një mrekullie, e gjejnë veten e tyre të aftë për të paguar shkollimin apo qiranë e tyre, ose në një farë mënyre të sigurojnë ushqim për familjen e tyre. Ne mund të tregojmë përvoja të lutjeve që kanë marrë përgjigje dhe të bekimeve të priftërisë që dhanë kurajë, sollën ngushëllim apo rikthyen shëndetin. Këto mrekulli të përditshme na njohin me dorën e Zotit në jetën tonë” (“A God of Miracles”, Ensign, maj 2001, f. 12).
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta një përvojë që keni pasur ose diçka që e dini e cila vërteton se Perëndia është ende sot një Perëndi i mrekullive.
Mormoni 9:21–37
Moroni jep mësim rreth lutjes dhe rreth qëllimit të analit nefit
A mund të kujtoni një kohë kur ndiet se Ati Qiellor ju dha ndihmën që ju duhej ngaqë ishit lutur? Lexoni Mormonin 9:21 dhe shihni për atë që Moroni dha mësim rreth të luturit te Ati Qiellor për ndihmë.
Lexoni thënien vijuese dhe shihni për atë që do të thotë të lutesh në emër të Krishtit: “Ne lutemi në emër të Krishtit kur mendja jonë është mendja e Krishtit dhe dëshirat tona dëshirat e Krishtit – kur fjalët e Tij qëndrojnë te ne (Gjoni 15:7). Atëherë ne kërkojmë gjëra që janë të mundura për Perëndinë për të na i dhënë. Shumë lutje mbeten pa përgjigje, sepse ato nuk janë aspak në emrin e Krishtit; ato në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë mendjen e Tij, por burojnë nga zemra egoiste e një njeriu” (Bible Dictionary, “Prayer” [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta “Lutje”).
Shqyrtoni vetë lutjet tuaja bazuar në atë që sapo lexuat. Çfarë mund të bëni për t’u lutur më plotësisht në emër të Jezu Krishtit?
Për të dhënë një shembull njerëzish që besonin te Shpëtimtari dhe që qenë në gjendje të bënin mrekulli, Moroni citoi atë që Jezu Krishti u mësoi dishepujve të Tij nefitë. Siç është shënuar te Mormoni 9:22–25, Shpëtimtari i urdhëroi dishepujt e Tij të shkonin në të gjithë botën dhe të predikonin ungjillin dhe Ai premtoi se “shenja [të mrekullueshme] do të ndjekin ata që besojnë” (Mormoni 9:24). Pastaj Moroni vazhdoi mësimdhënien e tij rreth lutjes.
-
LexoniMormonin 9:27–29 dhe përcaktoni atë që dha mësim Moroni rreth mënyrës se si duhet të lutemi me besim. Shkruajini gjërat që gjeni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Pastaj shkruani disa fjali që përshkruajnë se si mund ta përdorni njërin nga këto mësime për të përmirësuar vetë lutjet tuaja.
Ju mund të doni të shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta pranë Mormonit 9:27: Nëse lutemi me besim tek Ati Qiellor në emër të Jezu Krishtit, Ai do të na falë bekime që do të na ndihmojnë të arrijmë shpëtimin tonë.
Ndërsa Moroni përfundoi fjalët e tij, ai shprehu shqetësim se disa njerëz në ditët e fundit do ta hidhnin poshtë Librin e Mormonit për shkak të mospërsosmërisë së atyre që e shkruan atë (shih Mormoni 9:30–34). Lexoni Mormonin 9:35–37 dhe shihni për atë që shpalli Moroni rreth qëllimeve të Librit të Mormonit.
Merrni parasysh se si dalja e Librit të Mormonit është një provë shtesë se Perëndia është Perëndi i mrekullive dhe se Ai u përgjigjet lutjeve.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e studiova Mormonin 9 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: