Seminari
4 Nefi


Hyrje te libri i Nefit 4

Përse të Studiohet Ky Libër?

Në studimin tuaj të Nefit 4, ju do të dëshmoni bekimet që u vijnë njerëzve që janë të bashkuar në të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit. Libri zbulon se të gjithë njerëzit kudo në tokë qenë kthyer në besim gjatë shërbesës së Shpëtimtarit midis tyre. Duke iu bindur urdhërimeve, ata gëzuan paqe, begati dhe bekime të mrekullueshme shpirtërore. Mormoni deklaroi: “Me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë” (4 Nefi 1:16). Ju do të mësoni gjithashtu mësime të rëndësishme nga rënia graduale e këtij populli në një gjendje ligësie të madhe.

Kush e Shkroi Këtë Libër?

Mormoni përpiloi dhe përmblodhi analet e katër shkruesve të tjerë për të krijuar librin e Nefit 4. I pari i këtyre ishte Nefi, sipas të cilit u quajt libri. Nefi ishte i biri i Nefit, që ishte një nga të 12 dishepujt e zgjedhur prej Zotit gjatë shërbesës së Tij midis pasardhësve të Lehit (shih 3 Nefi 11:18–22; 12:1). Tre shkruesit e tjerë ishin Amosi, i biri i Nefit, Amosi, i biri i Amosit dhe Amaroni, vëllai i Amosit (shih 4 Nefi 1:19, 21, 47).

Kur dhe Ku u Shkrua Ai?

Analet origjinale të përdorura si burime për Nefin 4 ka gjasa të qenë shkruar midis 34 ps.K. dhe 321 ps.K. Mormoni i përmblodhi ato anale diku midis 345 ps.K. dhe 385 ps.K. Mormoni nuk e shënoi se ku ishte kur e përmblodhi këtë libër.