Seminari
Njësia 30: Dita 3, Ethëri 7–11


Njësia 30, Dita 3

Ethëri 7–11

Hyrje

Edhe pse vëllai i Jaredit profetizoi se krijimi i një mbretërie jaredite do të çonte në robëri, fjalët e tij nuk u përmbushën menjëherë. Mbreti i parë jaredit, Oriha, sundoi në drejtësi. Gjithsesi, një burrë i quajtur Jared u bë mbret dy breza më vonë duke formuar një lidhje të fshehtë. Gjatë sundimit të mbretërve të tyre, jareditët kaluan nëpër disa cikle dëgjimi me vëmendje të profetëve dhe jetese në drejtësi si dhe kundërshtimi të profetëve dhe jetese në ligësi.

Ethëri 7

Korihori ia merr mbretërinë babait të tij, vëllai i tij Shule e rifiton atë dhe profetët dënojnë ligësinë e njerëzve

Si mendoni se mund të ndihet dikush që jeton në robëri? A keni pasur ndonjëherë ndjenja të ngjashme të të qenit i kufizuar për shkak të zgjedhjeve të gabuara që keni bërë? Shihni për ide se si mund të shmangni robërinë fizike dhe shpirtërore ndërsa studioni Ethërin 7–11.

një njeri pas hekurave

Kur Jaredi dhe vëllai i tij u plakën, jareditët kërkuan një mbret. Vëllai i Jaredit e paralajmëroi popullin se pasja e një mbreti mund t’i shpinte në robëri (shih Ethëri 6:19–23). Profetët gjithmonë kanë profetizuar kundër veprimeve që do të na çonin në robëri fizike apo shpirtërore.

  1. journal iconShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta një ose dy shembuj veprimesh kundër të cilëve paralajmërojnë profetët e ditëve tona dhe si mund të çojnë ato veprime në robëri fizike dhe shpirtërore.

Megjithë paralajmërimin e vëllait të Jaredit, njerëzit zgjodhën të kenë një mbret. Lexoni Ethërin 7:1–2 për të mësuar nëse profecia e vëllait të Jaredit u përmbush në kohën e Orihut, që ishte i biri i Jaredit. Mendoni rreth asaj që do t’i thoshit dikujt që jetonte në kohën e mbretit Oriha dhe nuk besonte që profecia e vëllait të Jaredit do të përmbushej.

Brenda dy brezave paralajmërimi profetik i vëllait të Jaredit u përmbush. Lexoni Ethërin 7:3–7 dhe zbuloni se si Kibi dhe populli i tij jetuan në robëri nën Korihorin, dëshira egoiste e të cilit për të qënë mbret e çoi në rebelim kundër babait të tij. Kjo robëri ishte rezultati i egoizmit dhe rebelimit.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani çfarë do t’u thoshit sot njerëzve që nuk i binden këshillës së profetëve por nuk e ndiejnë që janë në robëri shpirtërore. (Në përgjigjen tuaj ju mund të doni të përfshini idenë se ata që ngatërrohen në robëri shpirtërore, shpesh janë të fundit që e kuptojnë atë. Jepni një situatë bashkëkohore të diçkaje që mund ta vendosë dikë në robëri shpirtërore.)

Kjo pjesë e historisë së jareditëve ilustron parimin se kundërshtimi i fjalëve të profetëve çon në robëri. Përsiatni për mënyrat se si mund të keni përjetuar robëri shpirtërore nga mosbindja ndaj urdhërimeve apo këshillës profetike.

Rebelimi i Korihorit kundër babait të vet, Kibit, çoi në konflikt dhe luftë të vazhdueshme. Ndërsa ishte në moshë të vjetër, Kibi pati një bir tjetër – Shulen. Kur Shulja u rrit, ai luftoi kundër vëllait të tij rebel, Korihorit.

  1. journal iconPërfytyroni sikur të jeni reporter, i caktuar që të pasqyroni historinë e Shules. Lexoni Ethërin 7:8–13 dhe shkruani një paragraf të shkurtër në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta duke raportuar atë që do të theksonit në pasqyrimin tuaj për jetën e Shules.

Gjatë mbretërimit të Shules, shumë profetë erdhën midis njerëzve dhe i paralajmëruan për ligësinë e tyre. Lexoni Ethërin 7:23–25 dhe përcaktoni çfarë profetizuan profetët dhe si reaguan njerëzit. Si reagoi Shulja? Si e bekoi popullin e tij mbrojtja që Shulja u bëri profetëve?

Lexoni Ethërin 7:26–27 dhe shihni për atë që ndodhi kur njerëzit iu bindën fjalëve të profetëve. Shulja “kujtoi gjërat e mëdha që Zoti kishte bërë për etërit e tij” (Ethëri 7:27). Kur ju kujtoni gjërat e mëdha që Zoti ka bërë për ju, atëherë keni më shumë gjasa të keni mirënjohje për Të dhe të jetoni në drejtësi.

Këto ngjarje dëshmojnë për një parim të rëndësishëm: Ndërsa pendohemi për paudhësitë tona, ne fillojmë të përparojmë. Fjala përparoj do të thotë “shpresoj” dhe gjithashtu “kam sukses” dhe “shpesh përdoret në kuptimin e suksesit material, [por] ajo jo domosdoshmërisht do të thotë shumicë zotërimesh materiale – apo madje një jetë relativisht të rehatshme, pa probleme. …

“Të drejtët e vërtetë janë të suksesshëm, në kuptimin që ndiejnë siguri që nxit besim te aktiviteti, dhe krijon rrethana dobiprurëse nga ato më pak dobiprurëset. Ata nuk presin që Zoti t’u japë apo t’u mbajë shpërblime, por në vend të kësaj e thërresin Atë për udhëzim rreth asaj që do të jetë më dobiprurësja për ta, si materiale dhe shpirtërore. Një udhëheqje e tillë mund të çojë në ndryshim profesioni, lëvizje në një distrikt tjetër, marrje trajnimi apo aftësish të reja, ose pranim gjërash siç janë, por duke punuar brenda vetë kufizimeve tona dhe në ndjekjen e drejtimit nga Shpirti në mënyra të tjera” (Alan Webster, “I Have a Question”, Ensign, prill 1990, f. 52–53).

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si jeni bekuar ngaqë u keni vënë veshin fjalëve të profetëve?

    2. Cila është një gjë që mund të bëni, për t’u vënë veshin më mirë fjalëve të profetëve dhe cilësuar për bekimet e Zotit?

Ethëri 8:1–9:12

Jaredi dhe më pas Akishi bëhen mbretër jareditë nëpërmjet lidhjeve të fshehta

Lexojeni listën vijuese: muzikë që dëgjoni, mendime që ushqeni, si veproni në shkollë, filma që shihni, sjellja në takime me shoqe/shokë, veprimtari që bëni me miqtë tuaj, ajo që bëni kur askush tjetër nuk është përreth. Përse dikush, që është i angazhuar në sjellje të ligë, do që ta fshehë se si merr pjesë në një ose më shumë nga këto veprimtari nga miqtë, prindërit ose udhëheqësit e vet? Cili është rreziku i angazhimit në veprimtari të padrejta të fshehta?

Sipas Ethërit 8, Omeri u bë mbret pasi vdiq Shulja, por biri i Omerit, Jaredi, “ngriti krye kundër atit të tij” (Ethëri 8:2) dhe e “[vendosi] zemrën e tij në mbretërinë dhe në lavdinë e botës” (Ethëri 8:7). Bija e Jaredit bëri një plan me babanë e saj, që do t’i jepte atij mbretërinë. Ajo ishte një grua e bukur dhe kur kërceu përpara një burri të quajtur Akish, ai donte të martohej me të. Jaredi i tha Akishit se ai mund të martohej me bijën e tij vetëm “në qoftë se ti do të më sjellësh, kokën e mbretit, atit tim” (Ethëri 8:12). Akishi u fut në një lidhje të fshehtë me miqtë e tij për të vrarë mbretin Omer. Një lidhje e fshehtë është kur dy ose më shumë njerëz betohen t’i mbajnë të fshehta veprimet e tyre të padrejta për të shmangur pasojat e veprimeve të tyre.

Lexoni Ethërin 8:15–18 dhe përcaktoni fjalët dhe frazat që përshkruajnë disa nga shtysat dhe metodat e atyre që përqafojnë lidhjet e fshehta.

  1. journal iconPërgjigjiuni dy ose më shumë pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Përse disa njerëz marrin pjesë në lidhje të fshehta?

    2. Përse mendoni se është shpirtërisht shkatërrimtare të besosh se mund të bësh “të gjitha llojet e ligësive” (Ethëri 8:16) ose “çdo gjë” që doni (Ethëri 8:17) pa u përballur me ndonjë pasojë?

    3. Cila frazë tek Ethëri 8:18 tregon se si ndihet Zoti rreth lidhjeve të fshehta? Përse mendoni se lidhje të tilla konsiderohen “më [të] keq[ia] mbi të gjitha”?

Lexoni Ethërin 8:20–22, 25 dhe Ethërin 9:5–6, 11–12, duke kërkuar pasojat e mbështetjes së lidhjeve të fshehta. Përmblidhni atë që mësuat:

Një nga të vërtetat që mund të keni dalluar në këto vargje, është: Mbështetja e lidhjeve të fshehta çon në shkatërrimin e individëve dhe të shoqërive.

Moroni ndaloi së shkruari rreth luftërave jaredite për të na folur neve. Lexoni Ethërin 8:23–24, 26 dhe përcaktoni se si i nxiti Moroni njerëzit e kohës sonë që të zbatojnë paralajmërimet e tij rreth lidhjeve të fshehta.

Mendoni rreth përgjigjeve për pyetjet vijuese: Përse mendoni se një komb, një shoqëri apo një grup tjetër është në një “gjendje … të tmerrshme” (Ethëri 8:24) kur ka lidhje të fshehta mes vetes? Si u jep fuqi fshehtësia këtyre lidhjeve? Si mundet njohja e së vërtetës rreth lidhjeve të fshehta t’i ndihmojë njerëzit ta largojnë këtë të keqe?

  1. journal iconDrejtojuni sërish listës së veprimeve dhënë në fillim të kësaj pjese të mësimit. Edhe pse bërja e zgjedhjeve të padrejta në këto fusha të jetës suaj jo medoemos do të kategorizohej si një lidhje e fshehtë, shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta rrezikun që vjen nga zgjedhja për t’u angazhuar në aktivitete, të cilat një person do të ndiente nevojën t’i fshihte nga të tjerët.

Ethëri 9:13–11:23

Një mbret pason një tjetër – disa janë të drejtë, disa janë të ligj

Siç është shënuar tek Ethëri 9–11, shumë mbretër sunduan mbi jareditët, disa në drejtësi dhe disa në ligësi. Lexoni Ethërin 9:26–35 (gjatë mbretëriminit të Hethit) dhe Ethërin 11:1–8 (gjatë mbretërimit të Komit dhe Shiblomit), duke parë për fakte të vërtetësisë së parimit se kundërshtimi i fjalëve të profetëve çon në robëri që u diskutua më herët në këtë mësim.

kurorë me gurë të çmuar

Kujtoni mënyrën që menduat për t’u vënë veshin më mirë fjalëve të profetëve. Në ditët e ardhshme, vijoni me këtë synim dhe kërkoni mundësi për të ndarë dëshminë tuaj rreth rëndësisë së të bindurit ndaj fjalëve të profetëve.

  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Ethërin 7–11 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: