Seminari
Njësia 12: Dita 4, Mosia 15–17


Njësia 12: Dita 4

Mosia 15–17

Hyrje

Anali i predikimit të profetit Abinadi drejtuar mbretit Noe dhe priftërinjve të tij vazhdon te Mosia 15–17. Ai dëshmoi për rolin e Jezu Krishtit si Shëlbuesi. Një nga priftërinjtë e mbretit Noe, Alma, e besoi Abinadin. Mbreti Noe e dëboi Almën nga oborri i tij dhe bëri që Abinadi të vdiste me anë të djegies. Abinadi ishte i vërtetë ndaj Perëndisë në të gjitha rrethanat.

Mosia 15–16

Abinadi u mëson për rolin e Jezu Krishtit si Shëlbues

Përdorni pak minuta që të gjeni dhe qarkoni fjalët shëlbejë, shëlbente, shëlbuar dhe shëlbimin te Mosia 15–16. Përsëritja e një fjale në një bllok të shkrimit të shenjtë shpesh vë në dukje një çështje të rëndësishme në mesazhin e shkruesit. Ndërsa studioni sot, vëzhgoni për atë që Abinadi na mësoi rreth të qenit të shëlbuar.

Për t’ju ndihmuar të kuptoni rolin e Jezu Krishtit si Shëlbues, merrni parasysh skicën vijuese:

Stick Figure

Përfytyroni se keni shkelur një ligj dhe jeni ndëshkuar me dënimin më të rëndë që lejon ligji. Ndoshta ndëshkimi përfshin gjoba të mëdha, kohë në burg ose madje vdekje. Si mund të ndiheshit nëse përballeni me dënime të tilla? A mund të mendoni për ndonjë mënyrë të ligjshme dhe të ndershme për t’u shpëtuar këtyre ndëshkimeve?

Shkruani Unë nën fjalën Shkelësi dhe Drejtësi nën fjalën Ndëshkimi në skicë. Ne të gjithë i kemi shkelur ligjet e Perëndisë ndonjëherë dhe duhet të plotësojmë kërkesat e drejtësisë. Kërkesat e drejtësisë kërkojnë që çdo mëkatar të marrë ndëshkimin që lidhet me mëkatin.

Plaku Riçard G. Skot

Lexoni thënien në vijim nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe theksoni dy pasojat e shkeljes së ligjeve të Perëndisë: “Drejtësia … kërkon që për çdo ligj të thyer të bëhet kompensim. Kur ju u bindeni ligjeve të Perëndisë bekoheni, por nuk ka avantazhe të fituara që mund të përdoren për të kompensuar ligjet që shkelni. Nëse nuk zgjidhet, ligjet e thyera mund të bëjnë që jeta juaj të bëhet e mjeruar dhe t’ju pengojnë që të ktheheni te Perëndia” (“The Atonement Can Secure Your Peace and Happiness”, Ensign ose Liahona, nëntor 2006, f. 42).

Pasojat e shkeljes së ligjeve të Perëndisë përfshijnë mjerimin dhe qenien të paaftë për të jetuar me Perëndinë. Lexoni Mosian 15:1, 7–9 dhe shenjoni frazat që tregojnë se si Shlyerja e Shpëtimtarit i plotëson kërkesat e drejtësisë.

Përdorni një fjalor për të gjetur përkufizime për fjalët që vijojnë:

Shëlboj (Mosia 15:1)

Ndërmjetësim (Mosia 15:8)

Mes (Mosia 15:9)

Ju mund të doni t’i shkruani pjesë të këtyre përkufizimeve në anë të vargjeve.

Nganjëherë njerëzit ngatërrohen nga përshkrimi i Abinadit për Jezu Krishtin te Mosia 15:2–5 si 1) Biri i Perëndisë, Atit, dhe 2) si Ati. Thënia vijuese nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegon natyrën hyjnore të Jezu Krishtit në këtë mënyrë: “Siç dha mësim Abinadi, Krishti ‘u zu nëpërmjet fuqisë së Perëndisë’ (Mosia 15:3) dhe si rrjedhim ka fuqitë e Atit në Vetvete. Përveç kësaj marrëdhënieje trashëgimore hyjnore, Krishti gjithashtu vepron si Ati në atë që Ai është Krijuesi i qiellit dhe i tokës [shih Mosia 15:4], Ai është Ati i rilindjes sonë shpirtërore dhe i shpëtimit tonë, dhe është besnik në nderimin – dhe si rrjedhim në pretendimin e fuqisë së – vullnetit të Atit të Tij përmbi fuqinë e vetë vullnetit të Tij” (Christ and the New Covenant [1997], f. 183–184).

Studioni Mosian 15:5–7, duke menduar rreth çmimit të paguar nga Jezu Krishti për t’ju shëlbuar ju ose për të qëndruar midis jush dhe kërkesave të drejtësisë. Në skicën më lart, shkruani Jezu Krishti midis Shkelësit dhe Ndëshkimit.

Është e rëndësishme të kuptohet që Shpëtimtari nuk i fshin kërkesat e drejtësisë, por qëndron midis drejtësisë dhe neve. Nëse pendohemi, Ai i plotëson kërkesat e drejtësisë duke marrë ndëshkimin në emrin tonë.

  1. journal iconPlotësoni veprimtaritë vijuese në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta:

    1. Shkruani Ata që Zgjedhin të Shëlbohen (Mosia 15:11–12; 16:13). Më pas kërkoni Mosian 15:11–12; 16:13, duke parë për ata që do të shëlbohen. Përshkruani atë që gjetët.

    2. Shkruani Ata që Refuzojnë të Shëlbohen (Mosia 15:26–27; 16:2–5, 12). Pastaj kërkoni Mosian 15:26–27; 16:2–5, 12, duke parë se përse disa njerëz nuk do të shëlbohen. Përshkruani atë që gjetët.

  2. journal iconDuke përdorur atë që mësuat në detyrën e mëparshme, u jepni përgjigje pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë do të përcaktojë se kush do të shëlbohet nga mëkatet e tyre?

    2. Çfarë mësoni nga krahasimi i “vullneti[t]” të Jezu Krishtit te Mosia 15:7 dhe “vullnetit” të atyre që bëjnë ligësi te Mosia 16:12?

Jezu Krishti i plotëson kërkesat e drejtësisë për të gjithë ata që do të pendohen. Çmimi që pagoi Shpëtimtari për ne, është një dhuratë tepër vetjake për këdo që zgjedh të pendohet dhe të bëjë vullnetin e Atit. Lexoni Mosian 15:10 dhe nënvizoni frazën “do të shohë farën e tij”.

Plaku Merrill J. Beitmen

Lexoni Mosian 15:10–12 dhe thënien vijuese nga Plaku Merrill J. Beitmen, një anëtar nderi i Të Shtatëdhjetëve:

“Profeti Abinadi … thotë se, ‘kur shpirti i tij të jetë bërë një fli për mëkatin, ai do të shohë farën e tij’ (Mosia 15:10). Abinadi më pas e përcakton farën e Shpëtimtarit si profetët dhe njerëzit që i ndjekin ata. Për shumë vite mendova për përvojën e Shpëtimtarit në kopsht dhe në kryq si vende ku një pjesë e madhe e mëkatit u grumbullua mbi Të. Nëpërmjet fjalëve të Almës, Abinadit, Isaias dhe profetëve të tjerë, megjithatë, këndvështrimi im ka ndryshuar. Në vend të një mase të papërcaktuar të mëkatit, pati një radhë të gjatë njerëzish, ndërkohë që Jezusi ndjeu ‘dobësitë tona’ (Hebrenjve 4:15), ‘mba[jti] sëmundjet tona, … [mori] përsipër dhembjet tona … [dhe] u shtyp për paudhësitë tona’ (Isaia 53:4–5).

Shlyerja ishte një përvojë e thellë, vetjake në të cilën Jezusi arriti të njihte se si ta ndihmonte secilin prej nesh” (“A Pattern for All”, Ensign ose Liahona, nëntor 2005, f. 75–76).

Krishti në Gjetseman
  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni, çfarë do të thotë të bëhemi fara e Jezu Krishtit? (shih Mosia 15:12).

    2. Çfarë po bëni që të siguroheni se gjendeni mes farës së Jezu Krishtit?

Ju mund të dëshironi ta bëni vetjak vargun te Mosia 15:10 duke shkruar emrin tuaj në vend të shprehjes “farën e tij” në pjesën e vargut që keni nënvizuar. Përsiatni për një çast se çfarë do të thotë të kemi një Shëlbues që ju ka parë dhe ju njeh personalisht.

Cilat janë pasojat për dikë që nuk pranon të shëlbohet? Shihni përsëri te Mosia 16:5. Çfarë ndodh në skicën e paraqitur më parë në këtë mësim nëse shkelësi vazhdon në mëkat dhe nuk pranon të pendohet? Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 19:16–17 për të zbuluar atë që do t’u ndodhë atyre që refuzojnë ta pranojnë veprimin shëlbues të Shpëtimtarit nëpërmjet pendimit.

Abinadi na mësoi se shëlbimi i Jezu Krishtit përfshin jo vetëm një shpëtim nga mëkati, por edhe nga vdekja. Gjithkush do të ringjallet; megjithatë, disa do të ringjallen përpara të tjerëve. Abinadi përdori shprehjen “ringjallje e parë” për të shpjeguar se të drejtët dhe të pafajshmit do të ringjallen përpara rebelëve (shih Mosia 15:21–22). Të drejtët do të shëlbohen nga vdekja në ringjalljen e parë dhe të ligjtë duhet të presin për t’u ringjallur deri pas Mijëvjeçarit (shih DeB 76:85, 106).

  1. journal iconReflektoni mbi vargjet që keni studiuar te Mosia 15. Përfytyroni sikur të kishit mundësinë që një lajmëtar t’i dorëzonte Shpëtimtarit një mesazh nga ju. Shënoni se çfarë do të shkruanit në atë mesazh, bazuar në atë që Ai ka bërë për ju.

Shpëtimtari dëshiron të na kthejë përsëri në praninë e Atit tonë Qiellor. Ai ndërhyn, ndërmjetëson dhe lutet në emrin tonë. Shpëtimtari i ka paguar kërkesat e drejtësisë për ne, në qoftë se ne do të pendohemi vërtet.

Mosia 17

Alma e beson Abinadin dhe dëbohet; Abinadi vritet

A keni parë ndonjëherë dikë të mbrojë atë që është e drejtë kur ishte e vështirë për të që ta bënte këtë? Cili ishte përfundimi?

Kur Abinadi e përfundoi mesazhin e tij, një nga priftërinjtë, i quajtur Alma, u përpoq ta bindte mbretin se Abinadi kishte folur të vërtetën dhe duhej të lirohej. Mbreti e dëboi Almën dhe dërgoi shërbëtorë që ta vrisnin atë. Alma u fsheh dhe shkroi fjalët e Abinadit.

Kthimi i Almës në besim ishte domethënës. Ngaqë ai i shënoi fjalët e Abinadit, shumë breza dhe njerëz janë bekuar. Frytet e kthimit në besim të Almës do të jenë më të dukshme kur të studioni kapitujt e ardhshëm. Mbreti dhe priftërinjtë e tij u këshilluan së bashku për tri ditë përpara dënimit të Abinadit me vdekje (shih Mosia 17:1–6, 13).

  1. journal iconMosia 17:7–10 dhe Mosia 17:11–12 krahasojnë zgjedhjet e bëra nga Abinadi dhe mbreti Noe. Pas studimit të këtyre vargjeve, jepni përgjigje të shkurtra për pyetjet vijuese në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta:

    1. Cilat nga fjalët e fundit të Abinadit ju bënë më shumë përshtypje?

    2. Si mendoni, përse fjalët e Abinadit e ndikuan mbretin Noe në atë mënyrë?

    3. Çfarë lloj ndikimi patën priftërinjtë te mbreti Noe?

    4. Si ju ndihmon shembulli i Abinadit për t’ju frymëzuar që të jeni të vërtetë ndaj Perëndisë në të gjitha rrethanat?

Presidenti Gordon B. Hinkli shpalli: “Jini të fortë – në mbrojtjen tuaj për të drejtën. Ne jetojmë në një epokë kompromisi dhe bindjeje në heshtje. Në situata, me të cilat ndeshemi çdo ditë, ne e dimë se ç’është e drejtë, por nën trysninë prej bashkëmoshatarëve tanë dhe zërave mashtrues të atyre që do të na bindnin, ne dorëzohemi. Ne bëjmë kompromis. Ne bindemi. Ne e lëshojmë veten dhe na vjen turp për veten. … Ne duhet të kultivojmë forcën për t’i ndjekur bindjet tona” (“Building Your Tabernacle”, Ensign, nëntor 1992, f. 52).

Shkruani Unë mund të jem i vërtetë ndaj Perëndisë në të gjitha rrethanat në shkrimet tuaja të shenjta në anë të Mosias 17:9–12.

  1. journal iconPër t’i bërë vetjake kurajën morale dhe bindjen vetjake të Abinadit, lexoni Mosian 17:20 dhe plotësoni fjalinë vijuese në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta: Unë kam nevojë të jem i vërtetë ndaj Perëndisë kur …

Ndërsa përfundoni mësimin e sotëm, mendoni rreth një anëtari të familjes ose një shoku apo shoqeje që mund të përfitojë nga të dëgjuarit e asaj që mësuat dhe ndiet sot. Nëse është e mundur, ndani me të atë që mësuat dhe dëshirën tuaj për të qenë të vërtetë ndaj Zotit gjatë kohëve të vështira.

  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mosian 15–17 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: