Njësia 7: Dita 3
2 Nefi 21–24
Hyrje
Shumë nga profecitë e Isaias në Librin e Mormonit janë rreth ditëve të fundit. Ai profetizoi rreth Rivendosjes së ungjillit, Profetit Jozef Smith, Ardhjes së Dytë dhe shkatërrimit të të ligjve. Ai parashikoi se Zoti do të “ngrejë një emblemë për kombet” për të mbledhur popullin e Tij në ditët e fundit (shih 2 Nefi 21:11–12). Isaia gjithashtu dëshmoi se Zoti do të triumfonte mbi Satanin dhe do të sillte Mijëvjeçarin, një epokë e paqes dhe e gëzimit.
2 Nefi 21:1–4, 10–12
Isaia parasheh Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme
Ndaloni për një çast dhe përfytyroni një dritë që fillon të shfaqet para jush. Drita bëhet gjithmonë e më e shndritshme. Papritmas, një lajmëtar i dërguar nga prania e Perëndisë, qëndron përpara jush. Ai ju tregon se profecitë e lashta janë gati të përmbushen dhe se ju do të ndihmoni në përmbushjen e tyre. Cilat do të ishin reagimet, mendimet dhe pyetjet tuaja të para?
Natën që Moroni iu shfaq së pari Jozef Smithit – 21 shtator 1823, – ai citoi Isaian 11, që gjithashtu gjendet te 2 Nefi 21. Moroni i tha Jozef Smithit se profecitë në atë kapitull ishin gati “të përmbushe[shin]” (Joseph Smith—Historia 1:40). Ndërsa i studioni këto profeci nga Isaia, mendoni mbi atë se përse Nefi do t’i shkruante ato në fletët e vogla dhe gjithashtu përse Moroni do t’ia citonte ato Jozef Smithit.
Profeti Jozef Smith mori një zbulesë që e qartësoi kuptimin e profecive të shënuara te 2 Nefi 21. Prej shumë kohësh, studiuesit janë magjepsur në përpjekje për të kuptuar domethënien e simboleve të përdorura në këtë kapitull. Libri i Mormonit dhe profetët modernë na kanë ndihmuar ta kuptojmë më mirë domethënien. Për shembull, Isaia përdori shëmbëlltyrën e një peme ose bime. Lexoni 2 Nefin 21:1, 10 dhe përcaktoni pjesët e veçanta të pemës ose të bimës që përmendi Isaia. Pastaj lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 113:1–6 për t’ju ndihmuar të kuptoni se çfarë kuptimi kanë këto simbole. Mund të jetë e dobishme t’i shkruani interpretimet e simboleve në shkrimet tuaja të shenjta.
Trungu i Isait – Jezu Krishti
Degëz nga trungu i Isait – Një shërbëtor i Jezu Krishtit
Rrënjë të Isait – Një individ që mban çelësat e priftërisë
Merrni parasysh thënien në vijim nga Plaku Brus R. Mek-Konki, i cili shpjegoi se “rrënjë të Isait” dhe “degëz nga trungu i Isait” të dyja i referohen Profetit Jozef Smith: “A e kemi gabim të themi se profeti që përmendet këtu [te DeB 113:5–6] është Jozef Smithi, të cilit i erdhi priftëria, i cili mori çelësat e mbretërisë dhe ngriti emblemën për mbledhjen e popullit të Zotit në periudhën tonë ungjillore? Dhe a nuk është ai ‘shërbëtor[i] në duart e Krishtit, i cili është pjesërisht pasardhës i Isait, sikurse edhe i Efraimit ose i shtëpisë së Jozefit, mbi të cilin është vendosur shumë fuqi’? [DeB 113:3–4]” (Millennial Messiah [1982], f. 339–340).
Lexoni 2 Nefin 21:10, 12 dhe shikoni se çfarë profetizoi Isaia që do të bënte Zoti përmes “rrënjë[s] [s]ë Isait” (Jozef Smithit). Fjala emblemë i referohet një “flamuri” rreth të cilit mblidhen njerëzit.
Këto vargje japin mësim të vërtetën në vijim: Zoti ka rivendosur ungjillin e Tij dhe Kishën e Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith dhe tani po mbledh popullin e Tij në ditët e fundit.
-
Përgjigjiuni pyetjes në vijim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme një emblemë për botën?
2 Nefi 21:6–9; 22:1–6
Isaia përshkruan Mijëvjeçarin
Njëra prej temave më të diskutuara mes të krishterëve është mbretërimi mijëvjeçar i Shpëtimtarit. A jeni menduar ndonjëherë thellë për të? Përfytyroni sikur një mik ju pyet se çfarë besoni rreth Mijëvjeçarit. Çfarë do të thoshit?
Isaia profetizoi se, pas Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, në tokë do të ndodhnin ndryshime që do të zgjatnin për një mijë vjet. Këtë periudhë paqeje ne e quajmë Mijëvjeçari. Lexoni 2 Nefin 21:6–9, duke shikuar se si do të jenë rrethanat në tokë gjatë Mijëvjeçarit.
Në përputhje me 2 Nefin 21:9, një profeci rreth Mijëvjeçarit është që “toka do të jetë plot me diturinë e Zotit”. Përsiatni se si do të ndikojë te njerëzit anembanë botës përmbushja e kësaj profecie. Lexoni 2 Nefin 22:1–6 dhe vini re shpirtin e adhurimit që njerëzit do të kenë gjatë Mijëvjeçarit. Si mundemi ne të zhvillojmë po atë qëndrim sot?
Vargjet që keni studiuar, japin mësim këtë të vërtetë: Gjatë Mijëvjeçarit, toka do të jetë një vend paqeje sepse do të jetë plot me diturinë e Zotit. Cilat aspekte të Mijëvjeçarit do t’ju pëlqente t’i kishit në jetën tuaj pikërisht tani? Përsiatni për një çast se çfarë mund të bëni për të marrë disa prej këtyre bekimeve.
Ju mund të dëshironi të këndoni, dëgjoni ose lexoni himnin “The Lord Is My Light” [“Zoti Është Drita Ime”] (Hymns, nr. 89) për të plotësuar studimin tuaj mbi 2 Nefin 22.
2 Nefi 23–24
Isaia përshkruan rënien e Babilonisë, rënien e të ligjve dhe rënien e Luciferit
Siç shënohet te 2 Nefi 23–24, Isaia i mallkoi të ligjtë e shtëpisë së Izraelit dhe e krahasoi shkatërrimin e të ligjve në ditët e fundit me shkatërrimin e Babilonisë së lashtë. Babilonia qe një komb mjaft i lig në kohën e Isaias dhe që atëherë ka simbolizuar ligësinë e botës (shih DeB 133:14).
Studioni atë që profetizoi Isaia që do t’u ndodhte të ligjve në ditët e fundit duke lexuar 2 Nefin 23:1, 4–9, 11, 15, 19 dhe 22.
Isaia gjithashtu e krahasoi shkatërrimin e Babilonisë me rënien e Luciferit (Satanit) nga qielli. Ai foli për Luciferin duke e simbolizuar me mbretin e Babilonisë, domethënë të gjithë botën e ligë. Isaia e përdori rënien e Luciferit në botën para lindjes si ilustrim të asaj se si të ligjtë do të dështonin dhe binin. Studioni 2 Nefin 24:12–14 dhe shenjoni frazat që vënë në dukje kryelartësinë dhe krenarinë e Satanit.
A e vini re përdorimin e fjalës unë në këto vargje? Ju mund të dëshironi t’i rrethoni fjalët unë në shkrimet tuaja të shenjta. Presidenti N. Eldon Taner, i Presidencës së Parë, një herë tha se Satani “ishte më shumë i shqetësuar për nderimin sesa për rezultatet; lavdia dhe lavdërimi ishin qëllimi në vetvete” (“For They Loved the Praise of Men More Than the Praise of God”, Ensign, nëntor 1975, f. 76).
Shqyrtoni 2 Nefin 24:15–16 lidhur me atë çfarë do t’i ndodhë përfundimisht Satanit dhe se si do të ndihen njerëzit rreth tij kur ta shohin për atë që ai është.
Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson: “Në këshillin paratokësor, ishte krenaria që rrëzoi Luciferin, ‘bir i mëngjesit’. (2 Nefi 24:12–15; shih edhe DeB 76:25–27; Moisiu 4:3.). … Luciferi e dha propozimin e tij në konkurrim me planin e Atit që mbështetej nga Jezu Krishti. (Shih Moisiu 4:1–3.) Ai dëshironte që të nderohej mbi gjithë të tjerët. (Shih 2 Nefi 24:13.) Me pak fjalë, dëshira e tij krenare ishte të hiqte nga froni Perëndinë. (Shih DeB 29:36; 76:28.)” (“Beware of Pride”, Ensign, maj 1989, f. 4–5).
Te 2 Nefi 23:22, ne mësojmë se mund të ngushëlloheni nëse jeni i drejtë. Perëndia do të jetë i mëshirshëm me ju, por të ligjtë do të mbarojnë.
-
Përgjigjiuni pyetjeve në vijim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë mund të ndryshoj në jetën time sot që të jem më i bindur?
-
Si mund të vendos të qëndroj i bindur?
-
Lutuni që të keni mundësi të jepni dëshminë tuaj rreth të vërtetave që mësuat te 2 Nefi 23.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 2 Nefin 21–24 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: