Seminari
2 Nefi


Hyrje te 2 Nefi

Përse të Studiohet Ky Libër?

Libri i 2 Nefit do t’ju ndihmojë të kuptoni doktrinat bazë të ungjillit, të tilla si Rënia e Adamit dhe Evës, Shlyerja e Jezu Krishtit dhe liria e zgjedhjes. Përveç këtyre, ky libër është i mbushur me profeci nga Nefi, Jakobi dhe Isaia, të cilët ishin dëshmitarë të veçantë të Shpëtimtarit. Ata profetizuan për Rivendosjen e ungjillit në ditët e mëvonshme, mbledhjen e popullit të besëlidhjes së Perëndisë, Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe Mijëvjeçarin. Libri i 2 Nefit përmban gjithashtu shpjegimin e Nefit mbi doktrinën e Krishtit dhe përfundon me dëshminë e Nefit për Shpëtimtarin.

Kush e Shkroi Këtë Libër?

Nefi, biri i Lehit, e shkroi 2 Nefin. Nefi ishte profet dhe udhëheqësi i parë i madh i popullit nefit. Shkrimet e tij zbulojnë se ai përjetoi fuqinë shëlbuese të Zotit (shih 2 Nefi 4:15–35; 33:6) dhe donte me gjithë shpirt t’i sillte shpëtimin popullit të tij (shih 2 Nefi 33:3–4). Për ta përmbushur këtë qëllim, ai ndërtoi një tempull dhe e mësoi popullin e tij të besonte në Jezu Krisht.

Kur dhe Ku u Shkrua Ai?

Nefi filloi ta shkruante rrëfimin që u quajt 2 Nefi përafërsisht në vitin 570 pr.K. – 30 vjet pasi ai dhe familja e tij u larguan nga Jerusalemi (shih 2 Nefin 5:28–31). Ai e shkroi kur ishte në tokën e Nefit (shih 2 Nefi 5:8, 28–34).