Seminari
Njësia 7: Dita 1, 2 Nefi 11–16


Njësia 7: Dita 1

2 Nefi 11–16

Hyrje

Profeti Isaia jetoi afërsisht 100 vjet përpara kohës së Nefit. (Isaia filloi të profetizonte diku përpara vitit 740 pr.K. dhe vijoi të profetizonte për mbi 40 vjet, deri në vitin 701 pr.K.; shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Isaia”, f. 67.) Në shumë mënyra, Nefi mund të ketë pasur të njëjtat ndjenja admirimi dhe dashurie për Isaian që ne kemi sot për Profetin Jozef Smith. Ne e dimë nga shkrimet e Nefit që ai “kënaqe[j]” me fjalët e Isaias (shih 2 Nefi 11:2). Siç shënohet te 2 Nefi 12–16, Nefi citoi nga shkrimet e Isaias, të cilat gjendeshin në fletët e tunxhit. Këto shkrime përshkruan krenarinë dhe ligësinë e Izraelit të lashtë dhe gjykimet që i prisnin ata. Isaia rrëfeu edhe vegimin e tij për Zotin, në të cilin ai u pastrua nga mëkatet e tij.

2 Nefi 11:1–8

Nefi gëzohet në dëshminë e Isaias për Jezu Krishtin

Mendoni për një rast kur ju la mbresë dëshmia e dikujt për Shpëtimtarin. Lexoni 2 Nefin 11:2–3 dhe përcaktoni se çfarë përvoje pati veçmas Nefi, Jakobi dhe Isaia me Jezu Krishtin.

Zoti thërret profetë që të japin dëshmi për Të. Duke studiuar dëshmitë e dëshmitarëve të Jezu Krishtit, ne mund të forcojmë besimin tonë në Jezu Krisht dhe të gëzohemi në Të.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani mendimet tuaja rreth arsyes përse mendoni se është e rëndësishme të kemi një dëshmi për Jezu Krishtin nga shumë profetë.

Te 2 Nefi 11:4–6 gjeni të katër herët kur Nefi tha “shpirti im kënaqet”. Ju mund të dëshironi t’i shenjoni këto në shkrimet tuaja të shenjta.

Të “kënaqe[sh]” për diçka sugjeron që personi po merr kënaqësi të madhe nga ajo gjë dhe se ajo sjell gëzim të madh.

  1. ikona e ditaritShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta tri ose më shumë thënie të tipit “shpirti im kënaqet” të cilat përfaqësojnë elemente të ungjillit në të cilat kënaqeni. Shpjegoni se përse secila nga ato ju sjell gëzim.

Lexoni 2 Nefin 11:8 dhe shkruani se çfarë shpresoi Nefi se do të rridhte nga studimi i shkrimeve të Isaias nga ana juaj.

2 Nefi 12:1–5

Isaia profetizon se një tempull do të vendoset në ditët e fundit

Përfytyroni një mal të madh. A mund të mendoni ndonjë ngjashmëri që mund të shihet mes një mali dhe një tempulli?

Lexoni 2 Nefin 12:2–3, 5 duke kërkuar se çfarë premtoi Perëndia të vendoste në ditët e fundit. Shprehja “mali i shtëpisë së Zotit” do të thotë tempulli i Zotit. Sipas këtyre vargjeve, çfarë bekimesh do të rrjedhin nga shtëpia e Zotit në ditët e fundit?

Majat Shigjetë të Tempullit të Solt-Lejkut

Ju mund të dëshironi të shkruani në shkrimet tuaja të shenjta diçka të këtillë: Perëndia ka ngritur tempuj për të na mësuar për udhët e Tij dhe për të na ndihmuar të ecim në shtigjet e Tij (shih 2 Nefi 12:3).

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve në vijim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si na ndihmojnë tempujt të ecim në shtigjet e Zotit?

    2. Si mund ta përgatitni veten që të hyni në tempull?

2 Nefi 12–15

Ky mësim nuk do të japë mjete ndihmëse të hollësishme për të kuptuar 2 Nefin 12–15. Megjithatë, ndërsa i lexoni dhe i përsiatni këta kapituj në leximin tuaj vetjak të Librit të Mormonit, shikoni për pasojat e krenarisë dhe të mëkatit. Komentet ose shpjegimi në vijim do t’ju ndihmojnë gjithashtu gjatë leximit tuaj:

2 Nefi 12:6–18. Vini re veçanërisht të gjitha referencat lidhur me adhurimin e idhujve, si edhe fjalët e shëmbëlltyrat që tregojnë krenari – për shembull, të lartin, krenarinë, krenarin, ngritur lart, dhe të larta. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni përse këta njerëz i prisnin gjykime kaq të rënda.

2 Nefi 12:9–11. “Njeriu i ulët” (vargu 9) i referohet njeriut të zakonshëm ose të rëndomtë. Si “njeriu i ulët” edhe “njeriu i madh”, nëse janë krenarë, do të përulen në Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit (shih vargun 11).

2 Nefi 12:12–13. “Dita e Zotit” është frazë që i referohet kohës së gjykimit. Ardhja e Dytë e Krishtit do të jetë “dita e Zotit”, kur të ligjtë do të shkatërrohen.

2 Nefi 13–14. Te 2 Nefi 13 gjendet vazhdimi i diskutimit të Isaias mbi atë se çfarë do të ndodhë nëse izraelitët ngulmojnë në ligësinë e tyre. Isaia i thirri gratë izraelite “bija [të] Sionit” (vargu 16), duke sugjeruar që ato janë fëmijë të besëlidhjes. Isaia i krahasoi ato me një grua krenare që është e mallkuar nga Zoti dhe të gjitha xhevahiret dhe stolitë e tjera fizike i hiqen (shih 2 Nefi 13:16–26). Në dallim, 2 Nefi 14 përfshin përshkrimin nga Isaia të asaj çfarë do të ndodhë nëse bijat e Sionit e përulin veten, pendohen dhe kthehen te Zoti. Nëse keni në dispozicion botimin shdm të Biblës, përdorni shënimet në fund të faqes për Isaian 3, që t’ju ndihmojnë të kuptoni 2 Nefin 13:16–26.

Isaia

2 Nefi 15:8–22. Fjala mjerë i referohet një gjendjeje trishtimi të thellë. Isaia e përdori atë gjashtë herë në këto vargje ndërsa përcaktoi mëkatet e izraelitëve. Isaia e dinte se nëse izraelitët nuk pendoheshin, pasojat e mëkateve të tyre do të sillnin trishtim të thellë – veçanërisht në kohën e gjykimit. Nëse Isaia do të ishte profet në tokë sot, a do të gjente ai po të njëjtat lloje mëkatesh që pa mes izraelitëve?

  1. ikona e ditaritLexoni 2 Nefin 15:20. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta disa mënyra sipas të cilave njerëzit sot i quajnë të këqija gjërat e mira ose të mira gjërat e këqija.

2 Nefi 16:1–8

Isaia thirret të shërbejë si profet

Shkrimet e Isaias janë të pasura në simbolikë. Simbolet janë një mënyrë se si Zoti na mëson rreth parimeve të ungjillit. Siç shënohet te 2 Nefi 16, Isaia përshkroi përvojën e tij se si e pa Zotin. Ndërsa lexoni 2 Nefin 16, sillni ndër mend simbolet në vijim dhe kuptimet e tyre të mundshme:

Serafinë: Engjëj që rrinë në prani të Perëndisë. Profeti Jozef Smith dha mësim se “një engjëll i Perëndisë nuk ka kurrë krahë” (History of the Church, 3:392). Krahët e engjëjve simbolizonin fuqinë e tyre për të lëvizur dhe për të vepruar.

Tymi: Mund të tregojë praninë e Zotit (shih Zbulesa 15:8).

Buzët jo të pastra: Padenjësi.

Thëngjilli i ndezur (zjarr): Mjet pastrues, i ngjashëm me fuqinë pastruese të Frymës së Shenjtë.

Altari: Fjalë për fjalë, altari ishte vendi ku bëheshin sakrificat. Këtu mund t’i referohet sakrificës së bërë nga Jezu Krishti në emrin tonë – Shlyerjes.

  1. ikona e ditaritLexoni 2 Nefin 16:1–7 dhe shënoni në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta përgjigjet tuaja për pyetjet në vijim:

    1. Çfarë tha një prej serafinëve rreth Zotit të Ushtrive?

    2. Çfarë mendoni se donte të thoshte Isaia kur tha: “I mjeri unë! Pasi unë mbarova; pasi unë jam një njeri me buzë jo të pastra”? Çfarë e bëri atë që befas të ndihej në këtë mënyrë? (3 Nefi 27:19 mund të japë një ide.)

    3. Çfarë ndodhi që ndryshoi ndjenjat e padenjësisë të Isaias?

    4. Si do ta përgatiste kjo përvojë Isaian që të dilte mes njerëzve dhe të jepte mësim pendimin?

Një nga të vërtetat e mëdha që mësohet nga thirrja e Isaias, është se ne mund të pastrohemi nga padenjësia jonë përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit. Përsiatni rreth një rasti kur ndiet fuqinë pastruese të Shlyerjes në jetën tuaj.

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 2 Nefin 11–16 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: