Njësia 14: Dita 1
Mosia 26
Hyrje
Siç shënohet te Mosia 26, disa nefitë mosbesimtarë nga brezi i ri ndikuan tek anëtarë të Kishës me fjalë lajkatare dhe i shtynë të mëkatonin. Alma u lut që të mësonte se si t’i gjykonte këta anëtarë në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Zoti i zbuloi Almës se si t’i mbante anëtarët e Kishës përgjegjës për mëkatet e tyre. Zoti gjithashtu dha kushtet për pendim. Alma mësoi për gatishmërinë e Perëndisë për t’i falur ata që pendohen.
Mosia 26:1–6
Shumë nga brezi i ri nuk besojnë dhe bëjnë mëkat
Ndaluni një çast për të menduar rreth pyetjes vijuese: Përse mendoni se disa të rinj nuk kanë dëshmi ose nuk kanë dëshmi të forta, edhe kur i kanë dëgjuar profetët dhe janë mësuar nga prindërit e tyre?
Mosia 26 jep pikëpamje mbi këtë pyetje. Studiojini vargjet dhe përgjigjiuni pyetjes në tabelën vijuese (shkruajini përgjigjet tuaja në manual):
Cilat ishin tri gjërat që shumë prej brezit të ri nuk i besonin? | |
Si mund të ndikojë te ne të lexuarit e shkrimeve të shenjta apo të dëgjuarit e profetëve me një qëndrim mosbesimi? | |
Cila ishte një prej arsyeve kryesore që këta njerëz nuk kishin besim te Shpëtimtari dhe nuk u bashkuan me Kishën? | |
Shkruani një parim që mësuat nga studimi i këtyre vargjeve: |
Fraza “tradit[a] e etërve të tyre” te Mosia 26:1 u referohet të vërtetave të ungjillit të përcjella nga brezat e mëparshëm; fraza ndonjëherë mund t’u referohet edhe ideve të rreme (për shembull, shih Alma 9:16). Një nga parimet që na mësohet te Mosia 26:1–4, është: Dëshira për të mësuar dhe përpjekja personale janë të nevojshme për të zhvilluar një dëshmi.
Lexoni thënien në vijim nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dhe nënvizoni se cilat veprime janë të nevojshme për të fituar dhe për të mbajtur një dëshmi:
“Dëshmia kërkon ushqimin nëpërmjet lutjes me besim, urinë për fjalën e Perëndisë në shkrimet e shenjta dhe bindjen ndaj së vërtetës që kemi marrë. Ka rrezik në lënien pas dore të lutjes. Ka rrezik për dëshminë tonë te studimi dhe leximi vetëm rastësor i librave të shenjta. Ato janë ushqyes të domosdoshëm për dëshminë tonë. …
Të ushqyerit me bollëk me Fjalën e Perëndisë, lutja e ndier me zemër dhe bindja ndaj urdhërimeve të Zotit, duhet të zbatohen rregullisht dhe vazhdimisht që dëshmia juaj të rritet dhe të sjellë sukses” (“Një Dëshmi e Gjallë”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 127).
Vini re që në kohën e Almës, ata nga brezi i ri nuk po bënin gjërat e përmendura nga Presidenti Ajring.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Nga përvoja juaj, përse është e rëndësishme të kesh një qëndrim mirëbesues ndërsa luteni, lexoni shkrimet e shenjta dhe përpiqeni t’u bindeni urdhërimeve?
-
Përshkruani një përvojë kur lutja besimplote, leximi i shkrimeve të shenjta ose bindja ndaj urdhërimeve ka forcuar dëshminë tuaj.
-
Merrni parasysh për një çast nëse keni parë ndonjëherë njerëz pa dëshmi për ungjillin të ndikonin tek anëtarët e Kishës. Lexoni Mosian 26:5–6 dhe shikoni se si mosbesimtarët ndikuan te njerëzit brenda Kishës.
Ndërsa vazhdoni të studioni, mund të jetë e dobishme të dini kuptimin e kësaj thënieje nga Mosia 26:6: “Ata që bënë mëkat, që ishin në kishë, duhej të qortoheshin [të paralajmëroheshin dhe korrigjoheshin] nga kisha”. Kjo do të thotë se qe e nevojshme që anëtarët e pabindur të Kishës të gjykoheshin sipas mëkateve të tyre dhe t’u jepej mundësia të pendoheshin.
Mosia 26:7–39
Alma pyet se si t’i gjykojë ata që kryejnë mëkat
Për t’u përgatitur për studimin e pjesës tjetër të Mosias 26, përfytyroni se ju jeni peshkopi i një lagjeje që përfshin disa anëtarë që kanë kryer mëkate të rënda. Si peshkop, ju jeni ngarkuar nga Zoti t’i mbani këta anëtarë përgjegjës dhe t’i ndihmoni të pendohen. Merrni parasysh se si do t’i trajtonit këta anëtarë dhe se si mund t’i ndihmonit në mënyrën më të mirë.
Një situatë si kjo qe e vështirë për Almën. Ashtu si udhëheqësit e autorizuar të priftërisë sot, ai kishte përgjegjësinë t’i ndihmonte anëtarët e Kishës, të cilët kishin kryer mëkate të rënda, që të pendoheshin, të fitonin faljen dhe të ktheheshin në një pozitë aktive dhe të nderueshme në Kishë. Lexoni Mosian 26:7–14 dhe shikoni se si reagoi Alma ndaj kësaj situate dhe çfarë bëri ai për të marrë përgjigje nga Zoti.
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se përse është e rëndësishme ta dimë se udhëheqësit e priftërisë kërkojnë dhe marrin drejtimin e Zotit kur ndihmojnë ata që kanë mëkatuar.
Kujtoni që Alma kishte qenë prift për mbretin e lig Noe përpara kthimit të tij në besim. Lexoni Mosian 26:15–18 dhe përcaktoni se çfarë kishte bërë Alma dhe populli i tij për t’u kthyer te Zoti dhe çfarë bekimesh iu dha Zoti atyre.
-
Lexoni Mosian 26:29–30. Pastaj përgjigjiuni njërës apo të dyjave nga sa vijon:
-
Shpjegoni se përse mendoni që parimi vijues është thelbësor që gjithkush ta kuptojë, përfshirë këdo që mund të ketë kryer mëkat të rëndë: Zoti do t’i falë ata që pendohen me çiltërsinë e zemrës së tyre.
-
Shkruani dëshminë tuaj për parimin vijues: Zoti do t’i falë ata që pendohen me çiltërsinë e zemrës së tyre.
-
Pasi Alma u lut për udhërrëfim rreth mënyrës se si t’i ndihmonte anëtarët e Kishës që kishin kryer mëkate të rënda, Zoti i dha udhëzime. Ai duhej t’u jepte anëtarëve mundësinë të pendoheshin por, nëse nuk pendoheshin, ata nuk do të numëroheshin mes popullit të Zotit. Këto udhëzime japin pikëpamje të rëndësishme mbi parimin e pendimit. Lexoni Mosian 26:21–31, duke kërkuar për pikëpamje mbi pendimin.
-
Për t’ju ndihmuar të analizoni atë çfarë lexoni në këto vargje, përgjigjiuni dy ose më shumë prej detyrave vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si do t’i përmblidhnit fjalët e Shpëtimtarit te Mosia 26:23? Përse mendoni se është e rëndësishme që ne të kuptojmë se Shpëtimtari Vetë pagoi për mëkatet tona?
-
Çfarë frazash te Mosia 26:21–31 tregojnë mirëbesimin dhe besimin e Shpëtimtarit tek Alma si udhëheqës i priftërisë? Si mund t’i ndihmojë ata që luftojnë me mëkate apo tundime të vështira, pasja e ndihmës së një udhëheqësi të priftërisë?
-
Çfarë mendoni se do të thotë që të pendohesh “me çiltërsinë e zemrës”? (Mosia 26:29).
-
Përse mendoni se duhet t’i falim të tjerët që të marrim faljen e Zotit? (shih Mosia 26:31).
-
Me vetë fjalët tuaja, shkruani një parim që zbuluat te Mosia 26:21–31:
Megjithëse mund të keni përcaktuar një parim të ndryshëm, ose mund të keni përdorur fjalë të ndryshme, në vijim janë disa shembuj të parimeve që na mësohen te Mosia 26:21–31:
-
Peshkopët dhe presidentët e degëve përfaqësojnë Zotin për të na ndihmuar të pendohemi dhe marrim falje.
-
Rrëfimi i mëkateve tona çon në falje. (Të gjitha mëkatet duhet t’i rrëfehen Perëndisë dhe mëkatet e rënda duhet t’i rrëfehen një udhëheqësi të priftërisë i cili mund të ndihmojë për procesin e pendimit.)
-
Ne duhet t’i falim të tjerët që të marrim faljen e Zotit.
-
Për t’ju ndihmuar t’i analizoni këto parime, lexoni rastet studimore vijuese. Përzgjidhni një rast studimor dhe shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si vargjet dhe parimet që keni studiuar sot, mund t’i ndihmojnë njerëzit në situatën e përshkruar:
-
Një e re ka kryer një mëkat të rëndë, por ka frikë të flasë me peshkopin e saj.
-
Një i ri ka dëshirë të pendohet, por ai nuk e di si të pendohet.
-
Një e re përsërit një mëkat që e ka kryer më parë, dhe ajo shqetësohet se Zoti nuk do ta falë më.
-
Një i ri vendos të pendohet, por ai nuk pranon ta falë dikë prej të cilit është fyer.
-
-
Zgjidhni një prej parimeve të përcaktuara në këtë mësim dhe përsiatni se si mund ta zbatoni në vetë përpjekjet tuaja për t’u penduar. Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si do ta zbatoni këtë parim.
Lexoni Mosian 26:37–39 për të zbuluar se çfarë ndodhi ndërsa Alma zbatoi këshillën e Zotit. Përvoja e Almës dhe e popullit të tij na mëson se, ndërsa pendohemi dhe jetojmë me drejtësi, ne gjithashtu mund të kemi paqe dhe mund të përparojmë.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar Mosian 26 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: