Seminari
Njësia 12: Dita 2, Mosia 9–10


Njësia 12: Dita 2

Mosia 9–10

Hyrje

Gjatë sundimit të mbretit Beniamin, Zenifi udhëhoqi një grup nefitësh nga Zarahemla për t’u vendosur mes lamanitëve në tokën e Nefit. Ngaqë mbreti i lamanitëve bëri plan ta sillte popullin e Zenifit nën robëri, ai i lejoi ata të qëndronin. Traditat e rreme dhe urrejtja e lamanitëve ndaj nefitëve përfundimisht çuan drejt luftës. Kur lamanitët kërkuan t’i sillnin ata nën robëri, populli i Zenifit iu kthye Zotit, i cili i forcoi dhe i ndihmoi ata të dëbonin lamanitët nga toka e tyre.

Mosia 9:1–13

Zenifi udhëheq një grup nefitësh për t’u kthyer në tokën e Nefit

A keni dashur ndonjëherë diçka me shumë dëshirë? Sot do të mësoni rreth një burri që e donte diçka me shumë dëshirë, dhe për pasojat e veprimit të tij sipas dëshirave të tij.

Shihni hartën e udhëtimeve nga mësimi i kaluar. A ju kujtohet udhëtimi i Amonit kur gjeti Limhin dhe popullin e tij? Hapni shkrimet tuaja të shenjta te Mosia 7–8 dhe shihni datën kur ndodhën ngjarjet në këta kapituj (që gjendet në fund të faqes ose në kreun e kapitullit). Krahasojeni atë me datën që lidhet me Mosian 9:1. Sa vite kthehemi mbrapa në kohë midis Mosias 8 dhe Mosias 9?

Lexoni parathënien e Mormonit për analin e Zenifit pikërisht përpara Mosias 9.

Zenifi, gjyshi i Limhit, udhëhoqi një grup nefitësh për t’u kthyer në tokën e Nefit. Ai e donte diçka me kaq dëshirë sa mund të kishte dështuar që të merrte parasysh se ku do të çonin dëshirat e tij. Lexoni te Mosia 9:1–4 rreth asaj që bëri Zenifi për të fituar atë që dëshironte. (Të jesh “shumë i zellshëm” do të thotë të kesh shumë dëshirë ose të jesh shumë i interesuar për diçka.)

Zellshmëria e tepërt e Zenifit e bëri atë të mashtrohej nga mbreti lamanit. Lexoni Mosian 9:5–7, 10 për të parë përfundimin e zellshmërisë së tepërt të Zenifit.

  1. journal iconShkruani përgjigjet për pyetjet vijuese në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta:

    1. Çfarë nuk arriti të dallonte Zenifi për shkak të dëshirave të tij tepër të zellshme për të zotëruar tokën e Nefit?

    2. Cilët janë disa shembuj të kohës sonë lidhur me atë që disa të rinj mund të jenë tepër të zellshëm për të fituar?

    3. Cilat mendoni se janë rreziqet e të qenit të ngadaltë për ta kujtuar Zotin, ndërkohë që bëni zgjedhje në jetën tuaj?

Pas 12 vjetësh, populli i Zenifit ishte bërë shumë i begatë. Mbreti lamanit filloi të shqetësohej që ai nuk do të ishte në gjendje t’i sillte ata nën robëri sipas planit të tij fillestar, kështu që mbreti e përgatiti popullin e tij të shkonte në luftë kundër tyre (shih Mosia 9:11–13).

Mosia 9:14–10:22

Lamanitët përpiqen ta sjellin popullin e Zenifit nën robëri

Qarkoni ndonjë prej fushave të mëposhtme në jetën tuaj, në të cilat do të donit të kishit më shumë mbështetje ose forcë: detyrat e shkollës, bërja ballë tundimit, marrëdhëniet me miqtë, aftësinë për të udhëhequr, punën, marrëdhëniet me anëtarët e familjes, zhvillimin e dhuntive, talenteve dhe aftësive.

Teksa studioni Mosian 9–10, shihni për një parim që do t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë të bëni për të marrë më shumë forcë në këto fusha të jetës suaj. Mosia 9–10 përmban një anal të dy herëve të ndryshme kur lamanitët erdhën të luftonin kundër Zenifit dhe popullit të tij.

  1. journal iconKopjoni tabelën vijuese në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta, duke lënë hapësirë të mjaftueshme nën secilën referencë të shkrimit të shenjtë për të shkruar një përgjigje. Studioni vargjet e treguara dhe kërkoni atë që populli i Zenifit dhe lamanitët bënë për të gjetur forcë. Plotësojeni tabelën me informacionin që gjeni.

Çfarë bënë njerëzit për t’u përgatitur?

Çfarë bënë ata që ta vendosnin besimin e tyre te Zoti?

Cili ishte rezultati?

Zenifi dhe populli i tij

Mosia 9:14–16

Mosia 9:17

Mosia 9:18

Lamanitët

Mosia 10:6–8

Mosia 10:11

Mosia 10:19–20

  • Çfarë ngjashmërish mund të shihni midis mënyrës se si populli i Zenifit dhe lamanitët iu drejtuan betejës?

  • Çfarë ndryshimesh mund të shihni midis mënyrës se si populli i Zenifit dhe lamanitët iu drejtuan betejës?

Një mësim që mësojmë nga Mosia 9:17–18, është se Zoti do të na forcojë kur bëjmë gjithçka mundemi dhe e vendosim besimin tonë tek Ai.

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta: Në cilat fusha të jetës sime mund t’i besoj Zotit në mënyrë më të plotë dhe t’i kërkoj Atij të më forcojë?

  2. journal iconU vini shenjë tre rreshtave të parë të Mosias 9:18. Më pas i kërkoni një të rrituri të besueshëm (një prindi, një udhëheqësi të Kishës ose një mësuesi) për t’iu treguar një përvojë rreth një rasti kur ai ose ajo i kërkoi Zotit ndihmë dhe e ndjeu se u forcua prej Tij. Dëgjoni për atë që personi bëri që të merrte fuqinë e Zotit. Shkruani për atë që mësoni në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta.

A jeni zemëruar ndonjëherë me dikë dhe keni mbajtur mëri – u ndiet se nuk mund ta falnit apo harronit atë që bëri personi? A keni njohur ndonjëherë dikë që dukej se ju urrente? Përpara se Zenifi dhe populli i tij të shkonin në betejë për herë të dytë, Zenifi i mësoi popullit të tij arsyen përse lamanitët u mbushën me urrejtje kundrejt nefitëve. Teksa studioni fjalët e Zenifit te Mosia 10:11–18, mund të jetë e dobishme të dini se të “trajt[ohesh] padrejtësisht” është të ndihesh i fyer ose të trajtohesh në mënyrë të gabuar apo në një mënyrë të padrejtë dhe të jesh i “zemëruar” është të jesh tepër i inatosur. Studioni Mosian 10:11–18 dhe kërkoni përse pasardhësit e Lamanit dhe të Lemuelit vazhdonin t’i urrenin pasardhësit e Nefit. Shenjoni fjalët trajtuan padrejtësisht dhe të zemëruar ndërsa lexoni.

Përsiatini pyetjet që vijojnë:

  • Përse lamanitët i urrenin kaq fort nefitët?

  • Kush lëndohet kur jeni të zemëruar ose nuk pranoni të falni?

  • Si mund të ndikojnë zemërimi dhe mbajtja e mërive në familjen tuaj ose fëmijët tuaj të ardhshëm?

Lexoni përvojat e mëposhtme nga Plaku Donald L. Hallstrom, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dhe kërkoni atë që ai na rekomandoi të bëjmë kur ndihemi të fyer nga dikush apo të zemëruar me dikë:

Plaku Donald L. Hallstrom

“Shumë vite përpara, unë vërejta një thyerje zemre – që u kthye në tragjedi. Një çift i ri po i afrohej lindjes së fëmijës së tyre të parë. Jeta e tyre ishte e mbushur me pritshmëri dhe emocione për këtë përjetim monumental. Gjatë lindjes, u krijuan ndërlikime dhe foshnja vdiq. Zemërthyerja u kthye në pikëllim, pikëllimi në zemërim, zemërimi u kthye në fajësim dhe fajësimi u kthye në hakmarrje kundër mjekut, të cilin ata e bënë plotësisht përgjegjës. Prindërit dhe anëtarë të tjerë të familjes u përfshinë seriozisht, në përpjekje së bashku për të shkatërruar emrin e mirë dhe karrierën e mjekut. Ndërsa javët dhe pastaj muajt e ashpërsisë [gjuha e mprehtë dhe e hidhur] shkatërronin familjen, hidhërimi i tyre u shtri tek Zoti. ‘Si mundi Ai të lejonte të ndodhë kjo gjë e tmerrshme?’ Ata kundërshtonin përpjekjet e përsëritura të udhëheqësve dhe të anëtarëve të Kishës që t’i qetësonin shpirtërisht dhe emocionalisht dhe, me kohë, u shkëputën nga Kisha. Katër breza të familjes janë prekur deri tani. Atje ku dikur ishte besimi dhe përkushtimi ndaj Zotit dhe Kishës së Tij, nuk ka pasur aktivitet shpirtëror nga anëtarët e familjes për dekada. …

Gjyshërit e mi nga babai kishin dy fëmijë, një djalë (babai im) dhe një vajzë. … [Vajza e tyre] u martua në 1946 dhe katër vjet më vonë po priste një fëmijë. … Askush nuk e dinte se ajo kishte binjakë. Mjerisht, ajo dhe binjakët të gjithë vdiqën gjatë lindjes.

Gjyshërve të mi iu dërrmua zemra. Pikëllimi i tyre, sidoqoftë, menjëherë i ktheu ata drejt Zotit dhe Shlyerjes së Tij. Pa qëndruar në atë se si mundi të ndodhte kjo dhe kush mund të fajësohej, ata u përqendruan në të jetuarin e një jete të drejtë. …

Besnikëria e [gjyshit dhe gjyshes], veçanërisht kur përballeshin me vështirësi, ka ndikuar tani katër breza që kanë pasuar. Drejtpërdrejt dhe thellësisht, ajo ndikoi birin e tyre (babanë tim) dhe nënën time kur vajza e vetë prindërve të mi, fëmija e tyre më e vogël, vdiq për shkak të ndërlikimeve që ndodhën gjatë lindjes. … Me shembullin që kishin parë në brezin e mëparshëm, prindërit e mi – pa ngurim – u drejtuan nga Zoti për lehtësim. …

Nëse ndieni se ndaj jush është bërë padrejtësi – nga cilidoqoftë (një anëtar i familjes, një mik, një anëtar tjetër i Kishës, një udhëheqës i Kishës, një partner biznesi) apo nga çfarëdo qoftë (vdekja e një të dashuri, probleme shëndetësore, ndryshim gjendjeje financiare, abuzim, vartësi nga droga) – trajtojeni çështjen direkt dhe me të gjithë forcën që keni. … Dhe, pa vonesë, kthehu nga Zoti. Ushtroje gjithë besimin që ke tek Ai. Lëre Atë të marrë nga barra jote. Lëre hirin e Tij të lehtësojë ngarkesën tënde. … Asnjëherë mos lejoni që ndonjë rrethanë tokësore t’ju çarmatosë shpirtërisht” (“Kthehu te Zoti”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 78–80).

Vini në dukje se, si në shembullin e lamanitëve ashtu edhe në atë të familjes së çiftit të ri që humbi fëmijën e tyre të parë, zemërimi dhe fyerja ndikuan breza njerëzish.

  1. journal iconMendoni për një rast kur ju patët ndjenja të trajtimit padrejtësisht ose të zemërimit kundrejt dikujt? A i keni disa nga këto ndjenja kohët e fundit? Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mund të merrja ndihmë në përpjekjet e mia për të falur?

    2. Si mund ta ndjek shembullin e gjyshit dhe të gjyshes së Plakut Hallstrom dhe ta zbatoj në jetën time sot këshillën e tij në paragrafin e fundit të citimit?

  2. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mosian 9–10 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: