Njësia 28: Dita 4
Mormoni 7:1–8:11
Hyrje
Pas betejës përfundimtare mes nefitëve dhe lamanitëve, Mormoni u shkroi pasardhësve të ardhshëm të njerëzve të Librit të Mormonit rreth rëndësisë së njohjes se cilët janë dhe çfarë duhet të bëjnë për t’u shpëtuar. Me dashuri të madhe për pasardhësit e ardhshëm të armiqve të tij, Mormoni dha mësim për rëndësinë e ndjekjes së ungjillit të Jezu Krishtit, që të mund “të jetë mirë për ju, ditën e gjykimit” (Mormoni 7:10). Pasi Mormoni vdiq, Moroni mbeti vetëm për të shkruar rreth shkatërrimit të popullit të tij.
Mormoni 7
Në dëshminë e fundit të Mormonit, ai i këshillon pasardhësit e lamanitëve që të besojnë te Jezu Krishti dhe të ndjekin ungjillin e Tij
Te Mormoni 6 ju mësuat se kishte 230.000 nefitë të vrarë në betejën përfundimtare me lamanitët. Përfytyroni sikur mbijetuat në një betejë të madhe si kjo, por miqtë dhe familja juaj jo. Si do të ndiheshit rreth pasardhësve të popullit që vrau të dashurit tuaj dhe mposhti kombin tuaj? Lexoni te Mormoni 7:1–4 dhe kërkoni atë çka Mormoni u shkroi pasardhësve të lamanitëve.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë donte Mormoni që të dinin lamanitët dhe pasardhësit e tyre?
-
Si krahasohet kjo me atë se si mendonit se çfarë mund të ndienit për pasardhësit e popullit që pati vrarë miqtë dhe familjen tuaj në situatën e përfytyruar?
-
Çfarë cilësie të Shpëtimtarit shihni te përgjigjja e Mormonit drejtuar armiqve të tij?
-
Mormoni vazhdoi t’u shkruante pasardhësve të lamanitëve. Lexoni te Mormoni 7:5–7 dhe shënoni të paktën tri të vërteta të cilat Mormoni i këshilloi pasardhësit e lamanitëve të besonin rreth Shpëtimtarit, Jezu Krishtit.
-
Zgjidhni një nga të vërtetat që gjetët rreth Jezu Krishtit, dhe shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si e ka ndikuar jetën tuaj të besuarit e asaj doktrine.
Mormoni mund të jetë ndier i justifikuar në shkrimin e fjalëve të dënimit ndaj lamanitëve që patën vrarë aq shumë nga populli i tij, por ngaqë e njihte të vërtetën, ai shkroi për t’u mësuar atyre atë që ata (dhe ne) duhet të bëjnë që të bëhen të pafajshëm përpara Perëndisë te shufra e gjykimit. Lexoni Mormonin 7:8–10 dhe gjeni atë që Mormoni dëshmoi se duhet të bëjë një person. Ju mund të doni ta shenjoni atë që gjeni në shkrimet tuaja të shenjta.
Këto vargje na mësojnë se Zoti u ofron shpëtim të gjithëve dhe do të shëlbejë ata që i pranojnë parimet dhe ordinancat e ungjillit të Tij. Ju mund të doni ta shkruani këtë parim në shkrimet tuaja të shenjta. Vini re që Mormoni dha mësim se mënyra se si arrijmë të dimë si ta jetojmë këtë parim, është nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta (shih Mormoni 7:8). Mund të jetë e dobishme të kuptojmë se fraza “këtë anal” i referohet Librit të Mormonit dhe “analin që do t’u vijë Johebrenjve nga Judenjtë” i referohet Biblës. Po ashtu, “ky” te Mormoni 7:9 i referohet Librit të Mormonit dhe “të” i referohet Biblës. Ju mund të doni t’i shkruani këto dallime në shkrimet tuaja të shenjta.
Ndërsa përfundoni Mormonin 7, merrni një çast për të përsiatur mbi shembullin e Mormonit të dashurisë hyjnore dhe dhembshurisë si të Krishtit, në shkrimin e një mesazhi të tillë shprese dhe nxitjeje për pasardhësit e atyre që ishin armiqtë e tij më të egër.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shënoni mendimet tuaja rreth pyetjes vijuese: Si mund ta ndjek unë shembullin e Mormonit dhe t’i trajtoj të tjerët, përfshirë ata që mund të më kenë keqtrajtuar, në një mënyrë që pasqyron vlerën e tyre të përjetshme?
Mormoni 8:1–11
Moroni shkruan për vdekjen e babait të tij, shkatërrimin e popullit të tij dhe mbetjes së tij vetëm
Mendoni për një kohë kur ishit vetëm. Si u ndiet rreth të qenit vetëm? Përfytyroni të qenit vetëm për shumë vite.
Vini re datat në përmbledhjet e kapitujve ose në fund të faqeve te Mormoni 7dhe 8. Sa vjet kaluan midis kohës kur Mormoni shkroi fjalët e tij të fundit në kapitullin 7 dhe kur Moroni filloi të shkruajë mbi fletët në kapitullin 8?
Lexoni te Mormoni 8:1–2 dhe shihni për çka ndodhi pas betejës së madhe në Kumorah. Pastaj lexoniMormonin 8:3–9 dhe shënoni frazat që përshkruajnë rrethanat e Moronit pas shkatërrimit të popullit të tij. Përsiatni se si do të ndiheshit nëse do të ishit në rrethana të ngjashme.
Mendoni për një kohë kur jeni ndier vetëm në bindjet dhe standardet tuaja. Vendosmëria juaj për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe për t’i mbajtur urdhërimet e Tij gjatë asaj kohe u rrit, qëndroi njësoj apo u zvogëlua? Përse?
Shikoni përsëri te Mormoni 8:1, 3 për të gjetur se çfarë ishte i vendosur të bënte Moroni pavarësisht nga rrethanat e tij. Shembulli i Moronit tregon se, edhe kur jeni vetëm, ju mund të zgjidhni të qëndroni besnik. Ju mund të doni ta shkruani këtë të vërtetë në shkrimet tuaja të shenjta.
Ka të tjerë në Librin e Mormonit të cilët, si Moroni, qëndruan besnikë edhe kur ishin vetëm. Abinadi qëndroi dhe dëshmoi i vetëm përpara Mbretit Noe dhe priftërinjve të tij (shih Mosia 12–17). Alma ishte i vetmi prift që besoi fjalët e Abinadit dhe u përpoq ta mbronte atë (shih Mosia 17:1–4).
Plaku Riçard G. Skot tregoi historinë e mëposhtme rreth një të riu që zgjodhi të ishte besnik edhe kur ishte i vetëm:
“Shqyrtoni shembullin e [këtij] të riu. Ndër vite kam vërejtur se si prindërit e tij e kanë mësuar që nga fëmijëria që të jetonte pa lëkundje urdhërimet e Perëndisë. Nëpërmjet shembullit dhe parimit, ata e rritën atë, së bashku me fëmijët e tyre të tjerë, në vërtetësi. Ata nxitën zhvillimin e disiplinës dhe të sakrificës për të arritur synime të denja. Ky i ri zgjodhi notin për të ngulitur në karakterin e vet ato cilësi. Seanca praktike herët në mëngjes kërkonin disiplinë dhe sakrificë. Me kalimin e kohës ai u shqua në atë sport.
Pastaj erdhën sfidat – për shembull, një kampionat noti do të bëhej të dielën. A do të merrte pjesë? A do ta justifikonte një përjashtim nga rregulli i tij, i mos notimit të dielën, për të ndihmuar skuadrën të fitonte kampionatin? Jo, ai nuk do të dorëzohej, edhe nën presionin e fortë të shokëve. Ai u sha, madje edhe u dhunua fizikisht. Por ai nuk do të dorëzohej. Mospranimi i miqve, vetmia dhe trysnia solli kohë dëshpërimi dhe lotësh. Por ai nuk do të dorëzohej. Ai po mësonte nga përvoja e vet se secili nga ne duhet të arrijë të njohë vërtetësinë e këshillës së Palit për Timoteun: ‘Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen’ (2 Timoteut 3:12). Ndër vite, ky model i qëndrueshëm i të jetuarit drejtësisht – i zhvilluar nga qindra vendime të drejta, disa përballë një sfide të madhe – ka zhvilluar një karakter force dhe aftësie. Tani, si misionar, ai vlerësohet nga shokët për aftësinë e tij për të punuar, njohurinë e tij për të vërtetën, përkushtimin e tij të palëkundur dhe vendosmërinë për të ndarë ungjillin. Një person, i cili nuk u pranua më parë nga shokët e tij, tani është bërë udhëheqës i respektuar i shokëve të tij” (“First Things First”, Ensign, maj 2001, f. 8).
Lexoni te Mormoni 8:10–11 dhe gjeni një mënyrë me të cilën Zoti i mbështeti Moronin dhe Mormonin (përpara vdekjes së tij) gjatë rrethanave të vështira që hasën. Nxitja vijuese nga Presidenti Tomas S. Monson mund t’ju ndihmojë në vendosmërinë tuaj për të qëndruar besnik edhe kur jeni vetëm:
“Ndërsa ne jetojmë ditë pas dite, është pothuajse e pashmangshme që besimi ynë do të vihet në provë. Ndonjëherë, ne mund ta gjejmë veten rrethuar nga të tjerë dhe prapë se prapë duke qenë pjesë e pakicës ose duke qëndruar të vetëm lidhur me atë që është e pranueshme dhe atë që nuk është. A e kemi ne guximin moral për të qëndruar të vendosur për ato çka besojmë, megjithëse duke bërë kështu do të na duhet të qëndrojmë të vetëm? …
… Qofshim gjithmonë të guximshëm dhe të përgatitur që të qëndrojmë për atë që besojmë, dhe nëse do të na duhet të qëndrojmë vetëm në këtë proces, e bëfshim këtë me guxim, të forcuar nga njohuria se në të vërtetë ne nuk jemi kurrë vetëm kur ne qëndrojmë me Atin tonë në Qiell” (“Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”, Ensign dhe Liahona,nëntor 2011, f. 60, 67).
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjeve vijuese:
-
Kë tjetër njihni që është shembull i të qëndruarit besnik edhe kur qëndron i vetëm?
-
Si ju ndihmon thënia e Presidentit Monson për të vendosur të qëndroni besnik edhe kur jeni i vetëm?
-
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e studiova Mormonin 7:1–8:11 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: