Njësia 8: Dita 3
2 Nefi 29–30
Hyrje
Mesazhi i Nefit për punën e mrekullueshme të Rivendosjes së ungjillit vijon te 2 Nefi 29–30. Ai dëshmoi se në ditët e fundit të gjitha shkrimet e shenjta do të veprojnë së bashku për t’u treguar të gjitha kombeve, fiseve, gjuhëve dhe popujve se Zoti i mban mend fëmijët e Tij. Këto anale janë dëshmi dhe dëshmim që Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Nefi profetizoi se shumë do ta hidhnin poshtë Librin e Mormonit, por se ata që besojnë, do të mblidhen në Kishë. Përveç kësaj, Nefi dha mësim se populli i besëlidhjes së Perëndisë janë ata që pendohen dhe besojnë te Biri i Perëndisë.
2 Nefi 29:1–14
Zoti i tha Nefit se, në ditët e fundit, shumë njerëz do ta hidhnin poshtë Librin e Mormonit
Nefi pa që shumë njerëz në ditët e fundit do të besonin se Bibla është i vetmi libër i shkrimeve të shenjta i zbuluar nga Perëndia dhe do ta hidhnin poshtë Librin e Mormonit. Si do të përgjigjeshit nëse një shok do t’ju pyeste: “Përse mormonët kanë një Bibël tjetër?”
Nefi dha disa përgjigje për këtë pyetje duke shënuar fjalët e Zotit rreth rolit të Librit të Mormonit në Rivendosjen e ditëve të mëvonshme të ungjillit, që Zoti e quajti “një punë [e] mrekullueshme” (2 Nefi 29:1). Lexoni 2 Nefin 29:1–2 dhe përcaktoni se çfarë do të bënin fjalët e Zotit në ditët e fundit. (Ato do të “dalin” për te fara ose pasardhësit e Nefit dhe gjithashtu do të “ushtojnë në fundet e tokës”.) “Ushtoj” do të thotë “fërshëllej”, që sugjeron një sinjal [thirrës] për t’u mbledhur (shih [te botimi në anglisht i Biblës] Isaian 5:26, shënimi b në fund të faqes).
Fjala flamur te 2 Nefi 29:2 i referohet një objekti që përdoret për të mbledhur dhe bashkuar njerëz. Flamujt shpesh janë quajtur simbole [ose standarde]. Sipas 2 Nefit 29:2, cili është flamuri që do të shkojë “në fundet e tokës” për të mbledhur popullin e Zotit? (Ju mund të dëshironi të shkruani diçka të ngjashme me këtë: Libri i Mormonit – fjalët e farës ose pasardhësve të Nefit, anash vargut te 2 Nefit 29:2.)
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se cili, sipas 2 Nefit 29:1–2, është qëllimi i Zotit në dhënien e shkrimeve të tjera të shenjta të tilla si Libri i Mormonit.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ndau pikëpamjen vijuese lidhur me Librin e Mormonit: “Libri i Mormonit është deklarata themelore e besëlidhjes së Perëndisë me fëmijët e Tij dhe e dashurisë së Tij për ta këtu në tokë” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 4).
Te 2 Nefi 29, fjala johebrenj iu referohet njerëzve që nuk janë të shtëpisë së Izraelit. Fjala judenj iu referohet njerëzve që janë të shtëpisë së Izraelit, përfshirë familjen dhe pasardhësit e Lehit. Lexoni 2 Nefin 29:3–6, duke kërkuar reagimin që disa johebrenj do të kishin ndaj shkrimeve të tjera të shenjta. Shkruani në hapësirën e dhënë përgjigjet tuaja ndaj pyetjeve vijuese.
Si do të reagonin disa njerëz ndaj shkrimeve të tjera të shenjta?
Çfarë tha Zoti për njerëzit që reagojnë në këtë mënyrë?
Nefi ishte profetik në përshkrimin e tij mbi reagimin e njerëzve ndaj Librit të Mormonit. Sot njerëzit shpesh shprehin dyshime rreth Librit të Mormonit ngaqë kanë Biblën tashmë. Te 2 Nefi 29:7–11, theksoni me ngjyra fjalët ose frazat që përshkruajnë qëllimet e Zotit në dhënien e shkrimit të tjera të shenjta. Mendoni në lidhje me atë se si mund t’ia shpjegoni këto qëllime dikujt që nuk e kupton nevojën ose vlerën e marrjes së zbulesës shtesë nga Perëndia.
-
Duke përdorur atë që shenjuat te 2 Nefi 29:7–11, shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta një përgjigje ndaj pyetjes së dhënë në fillim të këtij mësimi: “Përse mormonët kanë një Bibël tjetër?”
Zoti siguron shkrime të shenjta si një dëshmi të dytë dhe për ta mbledhur popullin te besëlidhja e Tij. Lexoni 2 Nefin 29:13–14 dhe kërkoni bekimin që vjen kur shkrimet e shenjta – “fjalët e Nefitëve” (Libri i Mormonit), “fjalët e Judenjve” (Bibla) dhe “fjalët e fiseve të humbura të Izraelit” – janë mes njerëzve.
2 Nefi 30:1–8
Nefi profetizon për rolin e Librit të Mormonit në ditët e fundit
Pasi dha mësim që Perëndia do ta kujtonte shtëpinë e Izraelit, Nefi e paralajmëroi popullin e tij që të mos mendonte se ishte më i drejtë sesa do të ishin johebrenjtë. Ai gjithashtu u kujtoi atyre se të gjithë njerëzit mund të bëhen populli i besëlidhjes së Perëndisë. Lexoni 2 Nefin 30:2 dhe në hapësirën e dhënë shkruani dy gjëra që duhet të bëjnë njerëzit përpara se Perëndia të hyjë në besëlidhje me ta.
Ndaluni një çast dhe përsiatni për ndikimin që ka pasur Libri i Mormonit te ju ose te dikush me të cilin jeni i afërt. Pastaj lexoni 2 Nefin 30:3–8 dhe plotësojeni veprimtarinë vijuese me frazat që përshkruajnë ndikimin e Librit të Mormonit mbi ata që e pranojnë atë.
Grupe Njerëzish |
Ndikimi i Librit të Mormonit |
---|---|
Pasardhësit e Lehit (2 Nefi 30:3–6) | |
Judenjtë (2 Nefi 30:7) | |
Johebrenjtë ose të gjitha kombet (2 Nefi 30:8) |
Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dhe theksoni me ngjyra arsyet se përse Libri i Mormonit është një mjet i fuqishëm misionar:
“Libri i Mormonit ka qenë në qendër të punës misionare që kur ungjilli u rivendos nëpërmjet Profetit Jozef. Ne e përdorim atë çdo ditë në punën misionare. Një fakt që Libri i Mormonit është çelësi i fuqisë në çdo anë të punës misionare, është ky: Libri i Mormonit është një dëshmi e Jezu Krishtit. Faqja e titullit na e thotë atë. Ajo thotë se qëllimi i librit është që të tregojë çfarë gjërash të mëdha ka bërë Zoti për popullin e Tij, për t’i ndihmuar ata të dinë që besëlidhjet që Zoti ka bërë me popullin e Tij, janë ende në fuqi dhe për t’i bindur të gjithë njerëzit se Jezusi është Krishti” (“Why the Book of Mormon?”, New Era, maj 2008, f. 6, 8).
Të studiuarit e 2 Nefit 30:1–8 na tregon se Libri i Mormonit mund t’i ndihmojë të gjithë njerëzit të arrijnë ta njohin Jezu Krishtin dhe ta jetojnë ungjillin e Tij.
-
Përzgjidhni t’i përgjigjeni njërës prej pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Si ju ka ndihmuar Libri i Mormonit që të arrini ta njihni Shpëtimtarin?
-
Si do ta përdorni Librin e Mormonit për t’i ndihmuar të tjerët që të arrijnë ta njohin Shpëtimtarin?
-
2 Nefi 30:9–18
Nefi profetizon për kushtet në tokë gjatë Mijëvjeçarit
Lexoni 2 Nefin 30:9–10 dhe kërkoni për atë se çfarë do të ndodhë mes njerëzve përpara Mijëvjeçarit – 1.000 vitet e drejtësisë dhe paqes në vijim të Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, kur Jezu Krishti “do të mbretërojë personalisht mbi tokë” (Nenet e Besimit 1:10). Si keni parë një “ndarje të madhe” (2 Nefi 30:10) që i veçon të drejtët nga të ligjtë? Çfarë do t’u ndodhë përfundimisht të ligjve?
Lexoni 2 Nefin 30:12–18, duke shikuar se si do të jetë jeta gjatë Mijëvjeçarit.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një kryetitull gazete (një pjesë interesante ose përmbledhje në pak fjalë) që përshkruan kushtet e mijëvjeçarit për të cilat mezi prisni më së tepërmi. Pasi të keni shkruar një kryetitull, shpjegoni se si ai është tregues i paqes që do të triumfojë në tokë gjatë Mijëvjeçarit.
Merrni parasysh se si do jetë kur Satani nuk do të ketë fuqi mbi zemrat e njerëzve gjatë Mijëvjeçarit dhe drejtësia e paqja do të triumfojnë. Mendoni se si shkolla apo komuniteti juaj do të ishte i ndryshëm nëse ato kushte do të triumfonin sot.
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta për atë se çfarë mund të bëni për të ndihmuar veten, familjen tuaj dhe të tjerët që të përgatiten për këtë periudhë paqeje dhe drejtësie.
Komente dhe Informacion për Rrethanat
Si Do Të Dalin në Dritë Analet Shtesë të Shkrimit të Shenjtë?
Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, sugjeroi se analet për të cilat flitet te 2 Nefi 29:12–14 do të “dilnin në dritë në një mënyrë të mrekullueshme, nën drejtimin e presidentit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i cili është një zbulues dhe përkthyes dhe i cili mban çelësat e mbretërisë së Perëndisë” (The Millennial Messiah [1982], f. 217). Ne e dimë se Shpëtimtari i vizitoi disa nga fiset e humbura të Izraelit pas Ringjalljes dhe vizitës së Tij te nefitët dhe se ata gjithashtu shkruan anale për shërbesën e Tij mes tyre pas ringjalljes së Tij (shih 3 Nefi 16:1–3; 17:4).
Kur “Judenjtë … Do Të Fillojnë … të Besojnë në Krisht”?
Plaku Brus R. Mek-Konki diskutoi edhe mbi kthimin e profetizuar në besim të judenjve:
“‘Dhe do të ndodhë që judenjtë që janë shpërndarë do të fillojnë gjithashtu të besojnë në Krisht; dhe ata do të fillojnë të mblidhen në faqen e tokës.’ (2 Nefi 30:7.) Shumë nga hidhësia e vjetër judease kundër Krishtit ka pushuar; shumë e pranojnë Atë tashmë si Rabbi-në [Mësuesin] e madh, megjithëse jo si Birin e Perëndisë. Disa e kanë pranuar atë në kuptimin e plotë, duke ardhur në Kishën e vërtetë bashkë me mbetjen e mbledhur të Efraimit dhe të shokëve të tij.
Por kthimi i madh në besim i judenjve, kthimi i tyre si komb tek e vërteta është paracaktuar të ndodhë pas Ardhjes së Dytë të Mesias së tyre. Ata që do të jenë në gjendje t’ia arrijnë asaj dite, në skajin e vështirësisë dhe në vajtimin e tyre, do të pyetin: ‘Ç’janë këto plagë në duart e tua dhe në shputat e këmbëve të tua? Atëherë ata do ta dinë se unë jam Zoti; sepse unë do t’u them atyre: Këto plagë janë plagët me të cilat u plagosa në shtëpinë e miqve të mi. Unë jam ai që u ngrit lart. Unë jam Jezusi që u kryqëzua. Unë jam Biri i Perëndisë.’ (D. e B. 45:51–52; Zakaria 12:8–14; 13:6.)” (Mormon Doctrine, bot. 2-të [1966], f. 722–723).
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 2 Nefin 29–30 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: