Seminari
Njësia 19: Dita 1, Alma 33–35


Njësia 19: Dita 1

Alma 33–35

Hyrje

Duke përdorur mësime që gjenden në shkrimet e shenjta, Alma ndihmoi shumë zoramitë të kuptonin se mund ta adhuronin Perëndinë pavarësisht nga rrethanat e tyre. Ai i nxiti ata të shihnin te Jezu Krishti dhe të besonin në fuqinë e Shlyerjes së Tij. Amuleku i pohoi mësimet e Almës dhe shpalli dëshminë e tij vetjake për Jezu Krishtin. Amuleku theksoi se njerëzimi mund të shpëtohet vetëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ai premtoi se individët mund t’i marrin të gjitha bekimet e Shlyerjes së Jezu Krishtit, ndërsa ushtrojnë besim deri në pendim. Shumë zoramitë ia vunë veshin paralajmërimit të Amulekut, u penduan dhe u bashkuan përsëri me nefitët.

Alma 33:1–10

Alma i mëson një grupi zoramitësh se ata mund ta adhurojnë Perëndinë jashtë sinagogave të tyre

Kujtoni se, siç shënohet tek Alma 32, Alma u mësoi zoramitëve rreth nevojës për ta mbjellë fjalën e Perëndisë në zemrat e tyre dhe për të ushtruar besim në fjalën e Perëndisë. Lexoni tek Alma 33:1 dhe përcaktoni pyetjet që zoramitët kishin rreth asaj që u kishte mësuar Alma.

  1. ikona e ditaritNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani si do t’i përgjigjeshit pyetjes së zoramitëve rreth mënyrës si duhej të fillonin ata ta ushtronin besimin e tyre. Pastaj, teksa studioni Almën 33–34, krahasojeni përgjigjen tuaj me atë që Alma dhe Amuleku u mësuan zoramitëve.

Kur Alma filloi t’u përgjigjej pyetjeve të zoramitëve, ai korrigjoi një ide të rreme rreth adhurimit që po i pengonte ata për ta ushtruar plotësisht besimin e tyre. Lexoni tek Alma 33:2 dhe përcaktojeni këtë ide të rreme. Kujtoni se zoramitët nuk i lejonin njerëzit më të varfër që të hynin në sinagogat e tyre për të adhuruar (shih Alma 32:1–3). Sipas Almës 33:2, çfarë u tha Alma njerëzve se duhej të bënin për të gjetur përgjigje që ta korrigjonin këtë ide të rreme?

Për t’i korrigjuar idetë e rreme të zoramitëve rreth adhurimit të Perëndisë, Alma citoi shkrime të shenjta, të shkruara nga një profet i quajtur Zenos. Zenosi i kishte dhënë mësim popullit të Izraelit në kohët e Dhiatës së Vjetër, por profecitë e tij shënohen vetëm në Librin e Mormonit. Lexoni tek Alma 33:3 dhe gjeni fjalën që përdori Alma për ta përshkruar adhurimin.

Merreni parasysh ta shkruani parimin vijues në shkrimet tuaja të shenjta pranë Almës 33:3 ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Ne mund ta adhurojmë Perëndinë vazhdimisht nëpërmjet lutjes.

Lexoni tek Alma 33:4–11 dhe shenjoni secilën prej rrethanave në të cilat u lut Zenosi. Çfarë bëri Zoti çdo herë që u lut Zenosi? Për t’ju ndihmuar që t’i përqasni këto vargje me jetën tuaj, vizatoni një vijë që përkon me rrethanat në të cilat u lut Zenosi me rrethanat e mundshme, të ngjashme në vetë jetën tuaj. (Zgjidhni situatat që kanë të bëjnë më tepër me jetën tuaj. Nuk ka përgjigje të drejta apo të gabuara në këtë ushtrim.)

Rrethanat e Zenosit

Rrethanat Tuaja

Në vendin e shkretë

Në punë

Në lidhje me armiqtë e tij

Në kishë

Në arën e tij

Lutja familjare

Në shtëpinë e tij

Kur nuk dini se çfarë të bëni ose jeni të frikësuar

Në dhomëzën e tij

Kur ndiheni vetëm

Në kuvendet e Zotit

Lutja vetjake

Kur ai u dëbua dhe u përbuz

Në të gjitha rrethanat tuaja të vështira

Në të gjitha pikëllimet e tij

Kur keni probleme me miqtë

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si mund ta bekojë lutja jetën tuaj në të gjitha këto rrethana? Shkruani një synim vetjak për mënyrën se si mund të luteni më shpesh.

Merrni parasysh shprehjet tek Alma 33:4–5, 8–9 që përmendin mëshirën e Perëndisë dhe përsiatni se si të luturit më shpesh mund t’ju ndihmojë të ndieni mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë. Jini në kërkim të arsyes përse kjo mëshirë është e mundur, teksa vazhdoni të studioni Almën 33.

Alma 33:11–23

Alma u mëson zoramitëve të fillojnë të besojnë në Jezu Krishtin

Kryqëzimi

Një arsye përse disa zoramitë po mundoheshin të dinin se si të adhuronin Perëndinë, ishte ngaqë nuk e dinin se besimi i tyre duhej të ishte në Jezu Krishtin. Ata nuk e kuptonin apo nuk besonin te roli i Tij në planin e shpëtimit (shih Alma 33:14). Lexoni tek Alma 33:12–16, në të cilën Alma diskutoi për mësimet e Zenosit dhe më pas paraqiti fjalët e Zenokut, një profet tjetër i Dhiatës së Vjetër. Kërkoni bekimet që Alma përcaktoi se na vijnë për shkak të Jezu Krishtit. Ju mund të doni ta shenjoni shprehjen “për shkak të Birit tënd” çdo herë që ajo shfaqet. Nga këto vargje ne mësojmë këtë të vërtetë: Ne marrim mëshirën e Atit Qiellor, duke përfshirë falje për mëkatet tona, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Përsiatini mëshirat që Ati Qiellor ka dhënë mbi ju, duke përfshirë aftësinë për t’u penduar e për t’u falur për mëkatet tuaja, për shkak të Shlyerjes së Shpëtimtarit.

Përveç se u kujtoi zoramitëve mësimet e Zenosit dhe të Zenokut, Alma gjithashtu u kujtoi atyre për një kohë kur Moisiu dha mësim për Shlyerjen e Shpëtimtarit. Kur Moisiu dhe fëmijët e Izraelit ishin në shkretëtirë, njerëzit u kafshuan nga gjarpërinj helmues. Zoti i tha Moisiut të bënte një gjarpër prej bronzi, ta ngjiste te një shtyllë dhe t’i urdhëronte izraelitët që ishin kafshuar, që të shikonin tek ai. Gjarpri prej bronzi mbi shtyllë ishte një “simbol” ose një model i Jezu Krishtit në kryq (shih Alma 33:19).

Moisiu dhe Gjarpri prej Bronzi

Lexoni tek Alma 33:19–20 dhe përcaktoni se çfarë u ndodhi izraelitëve që zgjodhën të shikonin te gjarpri prej bronzi kur u kafshuan, dhe çfarë u ndodhi atyre që zgjodhën të mos shikonin.

Përsiatni përgjigje për pyetjet që vijojnë: Çfarë na mëson tregimi i izraelitëve dhe i gjarprit prej bronzi rreth asaj që duhet të bëjmë për t’u shëruar shpirtërisht? Çfarë mund të bëni për të shikuar te Shpëtimtari, me qëllim që Ai të mund t’ju ndihmojë shpirtërisht?

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Cilat janë disa mënyra të caktuara se si mund të shikoni te Jezu Krishti në jetën tuaj të përditshme?

Lexoni tek Alma 33:22–23 dhe shenjoni atë që kemi nevojë të besojmë rreth Jezu Krishtit, në mënyrë që të ushtrojmë besim tek Ai.

Alma 34:1–14

Amuleku i mëson zoramitët rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit

Dëshmia e Amulekut te zoramitët, siç shënohet tek Alma 34, i dha një dëshmim të dytë dëshmisë së Almës për Jezu Krishtin. Lexoni një pjesë të dëshmisë së Amulekut, që gjendet tek Alma 34:8–9, dhe merrni parasysh shenjimin e asaj që Amuleku dha mësim rreth nevojës për Shlyerjen e Jezu Krishtit. Përsiatni këtë pyetje: Si do të ishte jeta ime nëse Jezu Krishti nuk do të kishte ardhur dhe nuk do ta kishte përmbushur rolin e Tij të veçantë?

Lexoni tek Alma 34:10–14 dhe përcaktoni shprehjet që përfshijnë fjalët i pafundëm dhe i përjetshëm. Shkruajeni të vërtetën e mëposhtme në shkrimet tuaja shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Shlyerja e pafundme dhe e përjetshme e Jezu Krishtit siguron shpëtim për gjithë njerëzimin.

Për të na ndihmuar të kuptojmë se si është Shlyerja e pafundme dhe e përjetshme, Peshkopi Riçard C. Exhli, i Peshkopatës Kryesuese, na mësoi: “Kur flitet për Shlyerjen e Krishtit, më pëlqen përkufizimi i fjalorit për fjalëte pafundme dhe e përjetshme, sepse unë besoj se ato e shpjegojnë saktësisht atë që Perëndia synonte. E pafundme: ‘Të mospasurit as kufij as caqe’. Dhe përkufizimi i fjalës e përjetshme: ‘Të qenit pa fillim apo fund’ (The American Heritage Dictionary of the English Language, bot. i 4-t [2000], “infinite”, “eternal”, f. 898, 611)” (“For Thy Good”, Ensign, maj 2002, f. 66).

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Në çfarë mënyrash mund të jetë Shlyerja e Jezu Krishtit e pafundme dhe e përjetshme?

    2. Si e shton vlerësimin tuaj për Shpëtimtarit dijenia se Shlyerja është e pafundme dhe e përjetshme? Si e rrit kjo besimin tuaj tek Ai?

Alma 34:15–41

Amuleku jep mësim se si të merren bekimet e Shlyerjes

Lexoni tek Alma 34:15–17 për të parë atë që u mësoi Amuleku zoramitëve se duhej të bënin, për të marrë bekimet që Shpëtimtari dëshiron të na japë nëpërmjet Shlyerjes së Tij. Shkruajeni të vërtetën e mëposhtme në shkrimet tuaja shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Me qëllim që t’i marrim bekimet e plota të Shlyerjes, ne duhet të ushtrojmë besim deri në pendim.

Lexoni thënien e mëposhtme nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë:

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Ne kemi nevojë për një besim të fortë në Krishtin që të jemi në gjendje të pendohemi. … Nëse besojmë se Perëndia i di të gjitha gjërat, është i dashur dhe është i mëshirshëm, ne do të jemi vërtet në gjendje ta vendosim të patundur besimin tonë tek Ai për shpëtimin tonë. Besimi në Krishtin do t’i ndryshojë mendimet, bindjet dhe sjelljet tona, që nuk janë në harmoni me vullnetin e Perëndisë.

Pendimi i vërtetë na rikthen të bëjmë atë që është e drejtë. … Pendimi do të thotë një ndryshim i mendjes dhe i zemrës – ne ndalemi së bëri gjëra që janë të gabuara dhe fillojmë të bëjmë gjëra që janë të drejta. Kjo sjell një qëndrim të ri ndaj Perëndisë, vetes dhe ndaj jetës në përgjithësi” (“Pikë Kthimi të Sigurt”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 100).

  1. ikona e ditaritPërgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si e ushtrojmë besimin te Jezu Krishti ndërsa pendohemi?

Lexoni tek Alma 34:17–27 dhe kërkoni atë që Amuleku na mësoi për kohën kur duhet të lutemi dhe se për çfarë duhet të lutemi. Si mendoni se i ndihmoi kjo këshillë zoramitët, të cilët mendonin se mund të adhuronin vetëm një herë në javë? Zgjidhni një varg që mendoni se mund t’ju ndihmojë në mënyrë të veçantë. Mendoni rreth mënyrës si mund ta ndiqni këshillën rreth lutjes në këtë varg gjatë javës së ardhshme.

Amuleku na mësoi se duhet të jemi të gatshëm për t’i pranuar bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit me anë të pendimit për mëkatet tona tani, në vend që të presim për t’u penduar më vonë. Lexoni tek Alma 34:30–35 dhe nënvizoni fjalët ose shprehjet që përcaktojnë përse nuk duhet ta shtyjmë pendimin tonë. Te vargu 31, kërkoni bekimin që Amuleku tha se do t’u vijë atyre që zgjedhin të pendohen tani. Shqyrtojeni me kujdes vargun 32 dhe pastaj merrni parasysh: Si mund ta ndikojë ky varg mënyrën si e jetoj çdo ditë?

Shqyrtoni Almën 34:33 dhe merrni parasysh atë që tha Presidenti Jozef Filding Smith: “Shtyrja, siç mund të zbatohet për parimet e ungjillit, është vjedhësi i jetës së përjetshme, e cila është jeta në praninë e Atit dhe të Birit. Ka shumë midis nesh, madje anëtarë të Kishës, që ndiejnë se nuk ka nevojë të nxitohen për t’i zbatuar parimet e ungjillit dhe për t’i mbajtur urdhërimet” (në Conference Report, prill 1969, f. 121).

Alma 35

Zoramitët e penduar banojnë mes të drejtëve

Shumë zoramitë ia vunë veshin paralajmërimit të Amulekut për të mos e shtyrë pendimin e tyre e u penduan dhe e ndryshuan jetën e tyre. Sundimtarët e zoramitëve i dëbuan ata nga vendi i tyre dhe këta njerëz erdhën në tokën e Jershonit, ku u mirëpritën nga populli i Amonit – të quajtur edhe anti-nefi-lehitët (shih Alma 35:6–7). Zoramitët dhe lamanitët e ligj u zemëruan që populli i Amonit i kishte pranuar zoramitët e penduar dhe filluan të bënin përgatitje për luftë kundër nefitëve (shih Alma 35:8–11).

  1. ikona e ditaritShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Almën 33–35 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: