Seminari
Njësia 23: Dita 4, Helamani 15–16


Njësia 23: Dita 4

Helamani 15–16

Hyrje

Teksa Samuel Lamani iu foli nefitëve nga kreu i murit në Zarahemla, ai profetizoi se, po të mos pendoheshin, Perëndia do t’i “shkatërro[nte] krejtësisht” (Helamani 15:17). Ai shpalli se lamanitët ishin bërë më të drejtë sesa nefitët dhe që Zoti do t’i zgjaste ditët e lamanitëve. Disa nefitë i besuan mësimet e Samuelit dhe u pagëzuan nga Nefi. Të tjerë, që nuk e besuan Samuelin, u përpoqën që ta vrisnin. Ai u mbrojt nga fuqia e Perëndisë dhe u kthye në vendin e vet.

Helamani 15

Samueli i paralajmëron nefitët dhe shpjegon se përse lamanitët janë bërë një popull i premtimit

Në vijim janë situata imagjinare të dy të rinjve:

Një i ri qe rritur nga prindër që nuk ishin anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe nuk e vunë theksin te mësimet e Jezu Krishtit. Ata e lejuan djalin e tyre adoleshent të pinte alkool, gjë të cilën ai e vazhdoi në kolegj. Më pas ai takoi disa misionarë shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Pasi u takua disa herë me misionarët, ai u zotua ta linte alkoolin. Disa ditë më vonë ishte me një grup miqsh. Ata i ofruan një pije alkoolike.

Një i ri tjetër qe rritur në një familje shenjtore të ditëve të mëvonshme. Prindërit e tij bënin rregullisht mbrëmje familjare dhe studim familjar të shkrimit të shenjtë. Ai krijoi zakonin e studimit të shkrimit të shenjtë dhe të lutjes vetjake çdo ditë. Ai mori pjesë në Fillore, shërbeu në kuorumet e Priftërisë Aarone dhe u diplomua nga seminari. Ai e njihte dhe e kuptonte ungjillin e Jezu Krishtit dhe urdhërimet e Perëndisë. Ndërsa ndiqte kolegjin, ai zhvilloi miqësi të reja. Një mbrëmje, disa miq i ofruan një pije alkoolike.

Merrni parasysh nivelin e forcës shpirtërore që mund të pritet nga secili prej këtyre dy të rinjve në situatat e tyre dhe se si kjo përqaset me lamanitët dhe nefitët për të cilët studioni te Helamani 15.

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Sipas Helamanit 15:3, 17, cila qe gjendja shpirtërore e nefitëve?

    2. Sipas Helamanit 15:4–8, cila qe gjendja shpirtërore e lamanitëve? (Fjala me kujdes te Helamani 15:5 do të thotë “me maturi” ose “syhapur”.)

Edhe pse lamanitët kishin një histori të gjatë të ligësisë “për shkak të paudhësisë së traditës së etërve të tyre”, kur arritën në një njohuri të së vërtetës, ata u penduan dhe u bënë “të vendosur dhe të paepur në besim” (Helamani 15:4, 8). Nefitët, në të kundërt, u bënë plot me krenari dhe i hodhën poshtë të vërtetat e ungjillit.

Lexoni me kujdes Helamanin 15:7–8 dhe plotësoni vendet bosh në thënien vijuese: Njohja e së vërtetës dhe një besim në shkrimet e shenjta të shpien në dhe , që sjellin ; prandaj, të gjithë ata që vijnë në këtë pikë janë .

Kur lamanitët mësuan të vërtetën duke i studiuar dhe besuar shkrimet e shenjta, ata zhvilluan besim te Jezu Krishti dhe u çuan në pendim. Ata përjetuan një ndryshim të zemrës dhe u bënë të vendosur dhe të paepur në besim.

i ri duke shkruar në ditar
  1. journal iconPërgjigjiuni njërës ose të dyjave pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Kur ju ka ndihmuar studimi vetjak i shkrimeve të shenjta të bëni ndryshimet e nevojshme në jetën tuaj?

    2. Si mendoni, në ç’mënyrë një zakon i studimit besnik të shkrimeve të shenjta mund ta ndihmojë një person të marrë një ndryshim të zemrës?

Mësimet e Samuelit na ndihmojnë të kuptojmë rëndësinë e qëndrimit të vërtetë ndaj njohurisë dhe besimit që kemi marrë. Lexoni Helamanin 15:14–17 dhe kërkoni fraza që tregojnë parimin vijues të ungjillit: Në rast se njerëzit bëhen mosbesues pasi kanë marrë plotësinë e ungjillit, ata do të marrin një dënim më të madh. Ju mund të dëshironi ta shkruani këtë të vërtetë pranë vargjeve në shkrimet tuaja të shenjta. Ju gjithashtu mund të dëshironi të shkruani DeB 82:3 si një referencë-kryq në anë të faqes të shkrimeve tuaja të shenjta.

Çfarë zbatimi gjen ky parim në jetën tuaj? A ka pasur raste kur ju me vetëdije keni vepruar kundër asaj që e dinit se është e vërtetë? Çfarë duhet të bëni që të forconi besimin tuaj te Shpëtimtari, të pendoheni dhe të jeni të vendosur dhe të paepur në të vërtetat e ungjillit?

Helamani 16

Ata që e besojnë Samuelin, pagëzohen; të tjerë ngurtësojnë zemrat

Reflektoni për atë se si u përgjigjeni zakonisht fjalëve të profetëve dhe apostujve të gjallë. Nefitëve u jepet mundësia për të marrë fjalët e profetit lamanit, Samuelit. Përdorni atë që mësuat nga Helamani 16:1–7, për të plotësuar tabelën vijuese që të përcaktoni se cilët njerëz besuan dhe se si u përgjigjën nefitët.

Helamani 16

A besoi ky grup i nefitëve?

Si iu përgjigjën këta njerëz fjalëve të profetit Samuel?

Po

Jo

Vargu 1

Vargu 2

Vargjet 3–5

Vargjet 6–7

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni, përse disa të rinj mund të zemërohen dhe ta hedhin poshtë këshillën e profetëve sot?

    2. Kur e keni parë dikë të zgjedhë që të ndjekë këshillën e një profeti edhe pse të tjerët e hodhën poshtë atë?

    3. Kur keni zgjedhur të ndiqni këshillën e një profeti edhe pse të tjerët rreth jush e hodhën poshtë atë?

    4. Çfarë mësoni ju në lidhje me fjalët e profetëve te Helamani 16:13–14?

Presidenti Ezra Taft Benson

Përsiatni thënien vijuese nga Presidenti Ezra Taft Benson në lidhje me mënyrën se si njerëzit e botës u përgjigjen profetëve të kohëve moderne: “Profeti jo domosdoshmërisht do të jetë popullor për botën apo njerëzit e botës. Kur një profet zbulon të vërtetën, ajo i ndan njerëzit. Të ndershmit në zemër ua vënë veshin fjalëve të tij, por të padrejtët ose e shpërfillin profetin ose e luftojnë atë. Kur profeti vë në dukje mëkatet e botës, ata që janë të kësaj bote, në vend që të pendohen për mëkatet e tyre, ose dëshirojnë që t’ia mbyllin gojën profetit, ose, ndryshe, veprojnë sikur profeti të mos ekzistonte. Popullariteti nuk është asnjëherë provë e së vërtetës. Shumë profetë u vranë ose u flakën. Teksa i afrohemi ardhjes së dytë të Zotit, mund të prisni që, ndërsa njerëzit e botës bëhen më të ligj, profeti do të gëzojë më pak popullaritet tek ata” (The Teachings of Ezra Taft Benson [1988], f. 133).

Lexoni Helamanin 16:16–21 për të zbuluar se si jobesimtarët e justifikuan mospranimin nga ana e tyre të përmbushjes së profecive dhe shenjave nga qielli. Ndoshta ju mund të shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta se cili prej këtyre justifikimeve apo argumenteve kundër profetëve besoni se është më i zakonshëm në kohën tonë.

Lexoni Helamanin 16:23 dhe shkruani në shkrimet tuaja të shenjta ose në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta pasojën që u vjen atyre që nuk i pranojnë dëshmitarët e Zotit. Formulimi juaj mund të jetë i ngjashëm me parimin vijues: Kur nuk i pranojmë dëshmitarët e Zotit, ne e lejojmë Satanin të ketë ndikim në zemrën tonë.

Presidenti Henri B. Ajring

Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, dhe shenjoni ndonjë nga fjalët e tij që pohojnë atë që keni mësuar nga Helamani 16: “Kur hedhim poshtë këshillën që vjen nga Perëndia, ne nuk zgjedhim të jemi të pavarur nga ndikimi i jashtëm. Ne zgjedhim një tjetër ndikim. Ne hedhim poshtë mbrojtjen e një Ati të përsosur, të dashur, të gjithëfuqishëm, të gjithëditur në Qiell, gjithë qëllimi i të cilit, ashtu si ai i Birit të Tij të Dashur, është të na japë jetën e përjetshme, të na japë të gjithëve gjithçka që ka dhe të na sjellë përsëri në shtëpi me familje, në krahët e dashurisë së Tij. Kur hedhim poshtë këshillën e Tij, ne zgjedhim ndikimin e një fuqie tjetër, qëllimi i së cilës është të na mjerojë dhe shtysa e së cilës është urrejtja. Ne kemi lirinë morale të zgjedhjes si një dhuratë nga Perëndia. Më tepër sesa e drejta për të zgjedhur të jemi të lirë nga ndikimi, ajo është e drejta e patjetërsueshme për t’iu nënshtruar cilësdo prej atyre fuqive që zgjedhim” (“Finding Safety in Counsel”,Ensign, maj 1997, f. 25).

Çfarë tha Presidenti Ajring se ndodh kur ne hedhim poshtë ndikimin e Perëndisë në jetën tonë? Përse është e rëndësishme të kuptojmë se, kur e hedhim poshtë ndikimin e Perëndisë, ne futemi nën ndikimin e Satanit?

Merrni parasysh nëse ka ndonjë mënyrë në të cilën e keni ngurtësuar zemrën tuaj kundër këshillës që kanë dhënë profetët dhe apostujt. Mund të jetë e dobishme të rishikoni broshurën Për Forcën e Rinisë ndërsa mendoni për atë që na mësojnë ata, dhe se si e pranoni këshillën e tyre. Vendosni se çfarë do të bëni sot për të qenë të vendosur dhe të paepur për ta jetuar ungjillin e për t’i kushtuar vëmendje këshillës së profetëve të Zotit.

  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Helamanin 15–16 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: