Seminari
Njësia 9: Dita 3, Jakobi 1–2


Njësia 9: Dita 3

Jakobi 1–2

Hyrje

Pas vdekjes së Nefit, nefitët filluan të “jepe[n] pak a shumë në praktika të liga” nën sundimin e një mbreti të ri (Jakobi 1:15). Dy vëllezërit më të vegjël të Nefit, Jakobi dhe Jozefi, qenë shuguruar nga Nefi si priftërinj dhe mësues të popullit dhe ata punuan me zell për t’i bindur njerëzit që të pendoheshin dhe të vinin te Krishti. Jakobi iu bind urdhërimit të Nefit për t’i shënuar mësimet e shenjta, zbulesat dhe profecitë në fletët e vogla. I vërtetë ndaj përgjegjësisë së tij të dhënë hyjnisht, Jakobi i bëri thirrje popullit të tij për pendesë, duke i paralajmëruar për mëkatet e kryelartësisë, të dëshirës për pasuri dhe të imoralitetit seksual. Ai dha mësim rreth rreziqeve dhe pasojave të këtyre tri mëkateve mbizotëruese.

Jakobi 1:1–2:11

Jakobi i paralajmëron njerëzit rreth ligësisë së tyre

Merrni parasysh atë që do të thoshit në situatën vijuese: Një nga shokët apo shoqet tuaja në Kishë shfaq një qëndrim negativ ndaj udhëheqësve të vet të priftërisë dhe thotë: “Ata nuk duket të kenë lidhje me botën reale. Ata vazhdojnë të paralajmërojnë për zgjedhje që nuk janë aq të rëndësishme. Do të doja të mos harxhonin kaq shumë kohë duke na thënë të gjitha gjërat e këqija që duhet të shmangim. Ata duhet të flasin vetëm për gjërat pozitive.”

Jakobi duke dhënë mësim

Mendoni se përse udhëheqësit e priftërisë ndonjëherë paralajmërojnë kundër mëkatit. Jakobi shënoi se, pas vdekjes së Nefit (shih Jakobi 1:9), njerëzit filluan të përfshihen në disa praktika të liga. Lexoni Jakobin 1:15–16 dhe përcaktoni se çfarë po bënin njerëzit që e shqetësoi Jakobin.

Ju mund të dëshironi ta rrethoni fjalën filloi te Jakobi 1:15–16. Përse është bekim të kesh udhëheqës priftërie që na paralajmërojnë rreth problemeve kur ato fillojnë ose madje që përpara?

Lexoni Jakobin 1:6–8 dhe përcaktoni se përse Jakobi dhe bashkudhëheqësit e tij po e këshillonin popullin e Nefit në lidhje me mëkatin. Përse mendoni që udhëheqësit e priftërisë në familjen tuaj, si edhe udhëheqësit vendorë dhe të përgjithshëm të priftërisë, ju paralajmërojnë rreth mëkatit dhe jua mësojnë ungjillin me kaq zell? Ju mund të dëshironi t’i shenjoni frazat te Jakobi 1:7 që na mësojnë për të vërtetën vijuese: Udhëheqësit e priftërisë punojnë me zell për të na ndihmuar të vijmë te Krishti.

Lexoni Jakobin 1:17–19 dhe kërkoni për ndonjë arsye shtesë se përse Jakobi dhe vëllai i tij, Jozefi, po punonin me kaq zell për ta mësuar popullin.

Çfarë mendoni se do të thotë të marrësh një “detyrë nga Zoti” (Jakobi 1:17)?

Ju mund të dëshironi të shenjoni ndonjë frazë tjetër që ndihmon në mësimdhënien e parimit vijues: Udhëheqësit e priftërisë kanë një përgjegjësi të dhënë hyjnisht për të dhënë mësim fjalën e Perëndisë dhe për të paralajmëruar kundër mëkatit.

Përsiatni për një çast rreth arsyes se përse është e rëndësishme të kuptohet që udhëheqësit e Kishës mbahen përgjegjës për përpjekjet e tyre për të na mësuar atë çfarë Zoti dëshiron që ne ta dimë.

Ndërsa lexoni Jakobin 2:1–3, 6–7, 10–11, kërkoni fraza që tregojnë se si u ndje Jakobi rreth detyrës së tij të vështirë për t’i bërë thirrje popullit të tij për pendim.

  1. journal iconMendoni se çfarë ju mësojnë frazat vijuese rreth shtysës së Jakobit për ta plotësuar detyrën e tij të vështirë: “Unë, këtë ditë, jam i ngarkuar me shumë më tepër dëshirë dhe shqetësim për mirëqenien e shpirtrave tuaj” (Jakobi 2:3) dhe “[U]në duhet të bëj sipas urdhërimeve të rrepta të Perëndisë” (Jakobi 2:10). Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përgjigje për pyetjet vijuese:

    1. Kur e keni ndier dashurinë dhe shqetësimin e një udhëheqësi të priftërisë për ju?

    2. Kur keni ndier që fjalët apo veprimet e një udhëheqësi të priftërisë u frymëzuan nga Perëndia për t’ju ndihmuar?

Reflektoni sërish rreth situatës së paraqitur në fillim të mësimit. Mendoni rreth asaj se si do t’i përgjigjeshit shokut tuaj, bazuar në atë që keni studiuar sot.

Jakobi 2:12–21

Jakobi i qorton ashpër njerëzit e tij për kryelartësinë e tyre

Për t’ju ndihmuar të përgatiteni për studimin e asaj çfarë Zoti e urdhëroi Jakobin të jepte mësim, mendoni për bekimet që Zoti ju ka dhënë në fushat vijuese: familje, miqtë, udhëheqësit dhe mësuesit e Kishës, aftësitë artistike dhe muzikore, aftësitë sportive, talentet, arsimimi, mundësitë për t’u rritur, njohuria e ungjillit dhe të mirat materiale. Mendoni për mënyrat e tjera si Zoti ju ka bekuar.

Lexoni Jakobin 2:12–13 dhe përcaktoni se çfarë po kërkonin nefitët. Vini re që Jakobi dha mësim se “dora e providencës” i kishte bekuar nefitët me pasuri. Kjo frazë i referohet Atit tonë në Qiell.

  1. journal iconShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se përse është e rëndësishme për ju të kujtoni se Zoti ju ka dhënë bekimet dhe aftësitë që keni.

Nëse nuk jemi të kujdesshëm, ne mund ta lejojmë veten të ngrihemi në kryelartësi pasi marrim bekimet që kërkojmë, siç bënë nefitët. Në hapësirën e dhënë, shkruani atë çfarë mendoni se do të thotë të jeni “ngritur në kryelartësinë e zemrave tuaja”.

Siç shënohet te Jakobi 2:13, cilat tha Jakobi që ishin disa shkaqe të kryelartësisë së nefitëve?

Mendoni për një person apo grup njerëzish të ditëve të sotme që i keqtrajtojnë, i shpërfillin ose i përndjekin të tjerët për shkak se “kanë marrë më me shumicë” se njerëzit që ata keqtrajtojnë (Jakobi 2:13). Për shembull, ngaqë disa njerëz kanë më shumë para, më shumë miq, më shumë aftësi sportive ose madje njohuri më të madhe për ungjillin se dikush tjetër, ata gabimisht mund të mendojnë se janë më të mirë se të tjerët ose madje t’i përndjekin ata. Përsiatni nëse ka pasur rast në jetën tuaj kur keni vepruar në mënyrë krenare.

Lexoni Jakobin 2:17–21 dhe shenjoni fraza që mund t’ju ndihmojnë ta mposhtni kryelartësinë.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani dy ose më shumë fraza që gjetët te Jakobi 2:17–21 dhe shpjegoni se si ato fraza mund t’ju ndihmojnë ta mposhtni kryelartësinë. Disa prej pyetjeve vijuese mund të jenë të dobishme të merren parasysh ndërsa e plotësoni këtë detyrë: Çfarë mendoni se do të thotë të kërkosh mbretërinë e Perëndisë? Po të marrësh një shpresë në Krisht? Si do të ndikonin kërkimi i mbretërisë së Perëndisë dhe marrja e shpresës në Krisht në mënyrën se si i shikoni dhe i trajtoni të tjerët?

Përfytyroni sikur nëna, babai ose udhëheqësi juaj ju pyetin se çfarë studiuat sot. Shënoni një parim nga Jakobi 2:17–21 që mund ta përdorni për t’iu përgjigjur atyre.

Një parim te Jakobi 2:17–21 është: Ne duhet të kërkojmë mbretërinë e Perëndisë përpara të gjitha interesave të tjera.

  1. journal iconShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, një mënyrë se si mund t’i përdorni bekimet dhe mundësitë që ju ka dhënë Zoti për të ndihmuar në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë dhe bekimin e jetës së të tjerëve.

Jakobi 2:22–30

Jakobi e qorton ashpër popullin e tij për imoralitet seksual

Thënia vijuese u përpilua nga Presidenti Ezra Taft Benson. Gjeni dy fjalët që shkojnë në vendet bosh:

“Mëkati pllakosës i këtij brezi është ” (“Cleansing the Inner Vessel”, Ensign, maj 1986, f. 4; shikoni në fund të mësimit për përgjigjen e saktë).

Lexoni Jakobin 2:22–23, 28  dhe shenjoni frazat që përdori Jakobi për të përshkruar sa i rëndë është imoraliteti seksual. Mund të jetë e dobishme të kuptoni se fjala lavirësi u referohet mëkateve seksuale.

Plaku Riçard G. Skot

Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi disa veprime që shkelin ligjin e dëlirësisë të Zotit: “Çfarëdolloj intimiteti seksual jashtë lidhjeve të martesës – dua të them çdo kontakt i qëllimshëm me pjesët e shenjta e personale të trupit të personit tjetër, me ose pa rroba – është një mëkat dhe është i ndaluar nga Perëndia. Është gjithashtu shkelje të nxitësh qëllimisht këto emocione brenda vetë trupit tuaj” (“Making the Right Choices”, Ensign, nëntor 1994, f. 38).

Veprimet homoseksuale dhe të shikuarit e pornografisë gjithashtu shkelin ligjin e dëlirësisë së Zotit.

Vini re se si nefitët u përpoqën t’i shfajësonin mëkatet e tyre, siç shënohet te Jakobi 2:23–24. Ndaluni një çast për të menduar rreth asaj se si njerëzit përpiqen ta shfajësojnë imoralitetin seksual sot.

Një nga mëkatet e nefitëve ishte praktikimi i paautorizuar i martesës me më shumë se një grua. Jakobi dha mësim urdhërimin e Zotit që një burrë duhet të martohet vetëm me një grua (shih Jakobi 2:27). Pasja e më shumë se një gruaje, pa autorizimin e Zotit nëpërmjet udhëheqësve të Tij të caktuar të priftërisë, është shembull i një mëkati seksual. Në sytë e Perëndisë, mëkatet seksuale janë shumë të rënda (shih Alma 39:5).

Njerëzit e Zotit janë autorizuar të praktikojnë martesë me më shumë se një grua vetëm kur Zoti e urdhëron atë (Jakobi 2:30). Në kohë të caktuara në historinë e botës, Zoti i ka urdhëruar njerëzit e Tij të praktikojnë martesë me më shumë se një grua. Për shembull, martesa me më shumë se një grua qe praktikuar në kohët e Dhiatës së Vjetër nga Abrahami dhe Sara (shih Zanafilla 16:1–3; DeB 132:34–35, 37) dhe nga nipi i tyre Jakobi (shih DeB 132:37) dhe ajo gjithashtu u praktikua për një kohë gjatë ditëve të hershme të Kishës së rivendosur, duke filluar me Profetin Jozef Smith (shih DeB 132:32–33, 53). Gjithsesi, Perëndia e urdhëroi profetin e Tij Uillford Udraf që t’i jepte fund praktikës së martesës me më shumë se një grua (shih Deklarata Zyrtare 1 te Doktrina e Besëlidhje).

Lexoni Jakobin 2:31–35 dhe shenjoni frazat që tregojnë disa prej pasojave negative të mëkatit seksual.

  1. journal iconPërgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Sipas Jakobit, si ndikon imoraliteti seksual te familjet?

    2. Disa të rinj, mund të arsyetojnë se ata mund të jenë të pamoralshëm seksualisht ngaqë nuk janë të martuar dhe, si rrjedhim, nuk janë të pandershëm ndaj bashkëshortit/es dhe nuk kanë fëmijë. Si mund të ndikojë imoraliteti te një adoleshent/e dhe familja e tij apo e saj?

    3. Përse mendoni se Zoti imoralitetin e quan që është mëkat kaq i rëndë?

Përsëritni fillimin e Jakobit 2:28 dhe shenjoni se në çfarë kënaqet Zoti. (Vini re se, megjithëse Jakobi në këtë varg përmendi në mënyrë të veçantë gratë, është po aq e vërtetë që Zoti kënaqet në dëlirësinë e burrave.) Ky varg na mëson parimin: Zoti kënaqet në dëlirësi.

Bazuar tek ajo çfarë keni mësuar sot, gjykoni se përse Zoti kënaqet në dëlirësinë e fëmijëve të Tij. Mendoni për familjen tuaj, si edhe për familjen që shpresoni të keni në të ardhmen. Si do t’ju bekojë ju dhe ata, të jetuarit në përputhje me ligjin e dëlirësisë së Zotit? Përsiatni se si zgjedhjet që po bëni për të qenë të dëlirë dhe të pastër, e kënaqin Zotin.

Ju mund të mbeteni të pastër. Nëse ju tashmë keni mëkatuar kundër ligjit të dëlirësisë, ju mund të pendoheni dhe të bëheni të pastër përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit. Kërkoni udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë ndërsa mendoni për një ose më shumë mënyra se si mund ta ruani më mirë veten nga thyerja e ligjit të dëlirësisë. Nëse keni kryer ndonjë shkelje seksuale, bëni çfarëdo që është e nevojshme, përfshirë takimin me peshkopin apo presidentin tuaj të degës, për të rrëfyer atë çfarë keni bërë në kundërshtim me ligjin e dëlirësisë të Zotit.

Ati Im
  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Jakobin 1–2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim:

Përgjigjja për fjalët që mungonin te citati në fillim të këtij mësimi: Presidenti Benson tha: “Mëkati pllakosës i këtij brezi është imoraliteti seksual”.