Seminari
Njësia 29: Dita 3, Ethëri 1–2


Njësia 29: Dita 3

Ethëri 1–2

Hyrje

Libri i Ethërit është përmbledhja e Moronit për historinë e jareditëve. Jareditët ishin populli që erdhi në hemisferën perëndimore shekuj më përpara se të vinte populli i Lehit. Pas Përmbytjes në kohën e Noeut, shumë pasardhës të atyre që qenë shpëtuar, u bënë të ligj. Një grup njerëzish u përpoqën të ndërtonin një kullë “maja e së cilës të arri[nte] deri në qiell” (Zanafilla 11:4). Rrëfimi për kombin jaredit filloi me ndërtimin e Kullës së Babelit. Zoti e trajtoi ligësinë e përhapur gjithandej duke ngatërruar gjuhën e përbashkët dhe duke i shpërndarë njerëzit kudo në faqen e dheut (shih Zanafilla 11:5–8; Ethëri 1:33). Ky rrëfim te libri i Ethërit fillon me Jaredin dhe vëllanë e tij duke kërkuar ndihmën e Zotit kur Ai i ngatërroi gjuhët e njerëzve te Kulla e Babelit. Zoti e ruajti gjuhën e Jaredit, të vëllait të tij dhe të familjeve e miqve të tyre dhe i udhëhoqi ata nëpër shkretëtirë drejt tokës së premtuar. Zoti e udhëzoi mandej vëllanë e Jaredit për të ndërtuar tetë maune për t’i mbartur njerëzit e tij përtej detit.

njerëz duke biseduar te baza e kullës së Babelit

Ethëri 1:1–33

Moroni shënon gjenealogjinë e Ethërit deri te Jaredi në Kullën e Babelit

Për t’ju ndihmuar të kuptoni se nga erdhi libri i Ethërit, rishikoni “Përmbledhje e Mosias 7–24” nga Njësia 12: Dita 1 mësimi (faqe 115). Referojuni udhëtimit 4 dhe vini re se çfarë gjeti populli i Limhit në këtë udhëtim.

Shikoni në fillim të librit të Ethërit dhe gjeni përshkrimin e shkurtër të librit nën titull. Ky përshkrim shpjegon se anali i jareditëve ishte marrë nga 24 fletët e arta që u gjetën nga populli i Limhit.

Pasi Moroni përfundoi analin e atit të tij, ai mori analin e jareditëve dhe krijoi një variant më të shkurtër të tij për ta përfshirë te Libri i Mormonit. Lexoni Ethërin 1:1–4 dhe shihni për atë që Moroni tha se nuk e përfshiu në variantin e tij të analit jaredit. Pastaj lexoni Ethërin 1:5 dhe shikoni për pjesën e rrëfimit që Moroni nuk e përfshiu në analin e tij. Kulla që përmendet te Ethëri 1:5 është Kulla e Babelit. Siç shpjegohet tek Ethëri 1:33, Zoti “ngatërroi” (përshtjelloi ose përzieu) gjuhën e njerëzve që u përpoqën të ndërtonin kullën në mënyrë që ata të mos mund ta kuptonin njëri-tjetrin, dhe Ai i shpërndau njerëzit kudo në tokë.

Siç shënohet te Ethëri 1:6–33, një burrë i quajtur Ethër pati shkruar analin jaredit. Moroni shkroi prejardhjen e Ethërit deri te një burrë i quajtur Jared, i cili jetoi gjatë kohës së Kullës së Babelit.

Ethëri 1:33–43

Vëllai i Jaredit lutet për ndihmë dhe anëtarët e familjes e miqtë e tij marrin mëshirë dhe drejtim

A keni qenë ndonjëherë në një vend apo zonë ku njerëzit flisnin një gjuhë që nuk e kuptonit? Si mendoni se do të ndiheshit nëse nuk do të mund ta kuptonit gjuhën që po flisnin të tjerët rreth jush? Nëse do të mund të zgjidhnit disa njerëz për të komunikuar me ta në atë situatë, cilët do të zgjidhnit? Kjo situatë ndodhi për një burrë të quajtur Jared dhe vëllanë e tij, si dhe familjet e tyre, të cilët jetuan gjatë kohës së Kullës së Babelit. Lexoni Ethërin 1:33–37 dhe shihni për njerëzit me të cilët Jaredi donte që të ishte në gjendje të komunikonte. Pasi vëllai i Jaredit mori premtimin nga Zoti se gjuha e tyre nuk do të ngatërrohej (shih Ethëri 1:34–35), ai u lut për miqtë e tij (shih Ethëri 1:36–37). Siç tregohet nga vëllai i Jaredit, një nga karakteristikat e njerëzve besnikë është të luten për miqtë e tyre që të marrin bekimet e Zotit.

Zoti i bekoi familjet e Jaredit dhe të vëllait e miqve të tyre kështu që gjuha e tyre nuk u ngatërrua. Pastaj Jaredi i kërkoi vëllait të tij t’i lutej Perëndisë, duke e pyetur Atë se ku duhej të shkonin familjet e tyre. (Shih Ethëri 1:38–40.)

Lexoni Ethërin 1:40–43 dhe përcaktoni udhëzimet që Zoti u dha jareditëve për t’i drejtuar në udhëtimin e tyre. Përse mendoni se ishte e rëndësishme për Jaredin dhe vëllanë e tij që t’i ndiqnin këto udhëzime nga Zoti?

Ethëri 2:1–12

Jareditët fillojnë udhëtimin e tyre drejt tokës së premtuar

Lexoni Ethërin 2:1–3 për të zbuluar se sa mirë iu përgjigjën jareditët udhëzimeve që Zoti u dha rreth përgatitjes për të udhëtuar në një tokë të premtuar (shih Ethëri 1:41–42). Pastaj lexoni Ethërin 2:4–6 dhe shihni për atë që ndodhi më pas. Vini re se, ngaqë jareditët u ishin bindur porsive të Zotit, Ai u dha atyre udhëzime të tjera. Përsiatni bekimet dhe drejtimin që morën jareditët ngaqë kishin ndjekur udhëzimet e Zotit.

Nga përvoja e jareditëve ne mësuam këtë parim: Ndërsa veprojmë me besim në drejtimin që Zoti na ka dhënë, ne mund të marrim udhëheqje të mëtejshme prej Tij. Ju mund të doni të sugjeroni që studentët ta shkruajnë këtë parim në shkrimet e tyre të shenjta pranë Ethërit 2:6.

A mund të mendoni një mbresë apo nxitje që keni marrë nga Zoti ndërsa luteshit, studionit shkrimet e shenjta, ose merrnit pjesë në një mbledhje të Kishës? Mbajeni atë mbresë apo nxitje në mendje ndërsa lexoni thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, rreth mënyrës se si ne shpesh marrim përgjigje për lutjet: “Rrallë do të merrni një përgjigje të plotë [për një lutje] të gjithë njëherësh. Do të vijë me radhë çdo pjesë, në paketa, kështu që ju do të rriteni në aftësi. Kur çdo pjesë ndiqet me besim, ju do të udhëhiqeni drejt pjesëve të tjera gjersa ta keni të gjithë përgjigjen. Ky model kërkon që ju të ushtroni besim tek aftësia e Atit tonë për t’u përgjigjur. Kur ndonjëherë është shumë e vështirë, ajo rezulton në rritje të rëndësishme vetjake” (“Using the Supernal Gift of Prayer”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 9; (“Përdorimi i Dhuratës Hyjnore të Lutjes”, Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 6).

  1. journal iconShkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si i jeni përgjigjur (ose mund t’i përgjigjeni) nxitjes shpirtërore që menduat më parë. Ju mund të përfshini gjithashtu bekimet që keni marrë (ose mund të merrni) nga të vepruarit sipas asaj nxitjeje.

Siç është shënuar tek Ethëri 2:7–12, Zoti i tregoi vëllait të Jaredit se, kur ai dhe populli i tij të arrinin në tokën e premtimit, ata do të duhej “t’i shërben[in] atij, Perëndisë së vetëm dhe të vërtetë ose do të përlahe[shin]” (Ethëri 2:8).

Ethëri 2:13–15

Zoti e ndëshkon vëllanë e Jaredit për mos thirrjen e Atij në lutje

Lexoni Ethërin 2:13–15 dhe kërkoni për atë që ndodhi kur jareditët erdhën te deti i madh që ndante toka. Ata qenë udhëhequr nëpër shkretëtirë nga Zoti sepse e dëgjonin Zotin dhe mbanin urdhërimet e Tij. Gjithsesi, pasi kishin fushuar pranë detit të madh për katër vjet, Zoti erdhi te vëllai i Jaredit dhe e qortoi rreptë që nuk ishte kujtuar që të lutej.

Ethëri 2:14–15 na ndihmon të mësojmë këto parime: Zoti nuk është i kënaqur kur ne nuk e thërrasim Atë në lutje. Zoti dëshiron që ne t’i thërrasim Atij rregullisht në lutje.

Ndërsa lexoni thënien vijuese nga Plaku Donald L. Staheli, që shërbeu si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, mendoni sa shpesh luteni ju: “Lutje të përditshme të zjarrta që kërkojnë falje dhe ndihmë e drejtim të posaçëm, janë thelbësore në jetën tonë dhe ushqimi i dëshmive tona. Kur bëhemi të ngutur, përsëritës, rastësorë apo harrues në lutjet tona, ne tentojmë të humbasim afërsinë e Shpirtit, që është aq thelbësor në drejtimin e vazhdueshëm që kemi nevojë për të mposhtur me sukses në përditshmërinë tonë sfidat e jetës” (“Securing Our Testimonies”, Ensign ose Liahona, nëntor 2004, f. 39).

Në ditarin tuaj vetjak ose në një copë letre të veçantë, përgjigjiuni pyetjeve të mëposhtme:

  • Si ndiheni rreth shpeshtësisë së lutjeve tuaja vetjake?

  • Si ndiheni rreth sinqeritetit të lutjeve tuaja vetjake?

  • Në lutjet tuaja vetjake, a ndieni se vërtet komunikoni me Atin Qiellor? Përse po ose përse jo?

  • Nëse do të mund të bënit një ndryshim për t’i përmirësuar lutjet tuaja vetjake, cili mund të ishte?

Siç është shënuar tek Ethëri 2:16, vëllai i Jaredit u pendua për mëkatet e tij dhe iu lut Zotit për anëtarët e familjes dhe miqtë e tij. Zoti i tha atij se qe i falur, por se duhej të vazhdonte në drejtësi me qëllim që të udhëhiqej drejt tokës së premtuar.

Ethëri 2:16–25

Jareditët ndërtojnë maune për të kaluar oqeanin për në tokën e premtuar

Maune jaredite

Mendoni për një vendim vetjak të rëndësishëm me të cilin po përballeni ose mund të përballeni në të ardhmen, të tillë se si të veproni me një familje apo gjendje të vështirë shoqërore, si të shkoni mirë në shkollë, me kë të martoheni, ose çfarë profesioni të ndiqni. A keni menduar rreth asaj se si Zoti mund t’ju japë drejtim apo ndihmojë në atë situatë? Ndërsa studioni pjesën tjetër të Ethërit 2, përsiatni vendimin që keni përcaktuar, dhe kërkoni parimet që do t’ju ndihmojnë të merrni ndihmën e Zotit.

Lexoni Ethërin 2:16–17 dhe shihni për atë që Zoti u kërkoi jareditëve të bënin që të përparonin drejt tokës së premtuar. Vëllai i Jaredit u përball me tri probleme që dilnin nga projektimi i mauneve. Lexoni Ethërin 2:18–19 dhe shënoni tri probleme që vëllai i Jaredit i përmendi Zotit.

  1. journal iconPër t’ju ndihmuar të përfytyroni atë që lexuat tek Ethëri 2:16–19, vizatojini maunet ashtu siç mendoni se mund të dukeshin, në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta.

Tabela vijuese do t’ju ndihmojë të zbuloni se si Zoti e ndihmoi vëllanë e Jaredit për problemet me maunet. Studioni vargjet e shkrimeve të shenjta në tabelë dhe pastaj përdoreni informacionin për të plotësuar kolonën “Zgjidhja e Problemit” në tabelë.

Vargje të Shkrimit të Shenjtë

Problemi me Maunet

Zgjidhja e Problemit

Ethëri 2:20–21

Pa ajër

Ethëri 6:4–9

Pa timon

Ethëri 2:22–3:6

Pa dritë

Ajo që Zoti bëri dhe ajo që Ai i kërkoi vëllait të Jaredit të bënte, ishin të ndryshme për secilin problem. Nga secili problem dhe zgjidhje, ne mund të mësojmë një të vërtetë të ndryshme rreth mënyrës se si Zoti na ndihmon kur kemi nevojë për ndihmë. Krahasoni zgjidhjet që shkruat në tabelë me ato në listën vijuese:

Pa ajër (Ethëri 2:20–21). Për ta zgjidhur këtë problem, Zoti i tha vëllait të Jaredit atë që duhej të bënte. Vëllai i Jaredit atëherë kishte besim të ndiqte udhëzimet e Zotit.

Pa timon (Ethëri 6:4–9). Për ta zgjidhur këtë problem, Zoti i dha përgjigje Vetë problemit.

Pa dritë (Ethëri 2:22–3:6). Për ta zgjidhur këtë problem, Zoti i dha vëllait të Jaredit disa udhëzime. Vëllai i Jaredit duhej të mendonte atëherë për një zgjidhje të problemit – bazuar në informacionin që kishte – dhe të kërkonte për miratimin dhe ndihmën e Zotit për ta zbatuar atë.

Nga përvoja e vëllait të Jaredit, ne mësojmë këtë parim: Kur bëjmë pjesën tonë për të zgjidhur problemet tona, ne mund të marrim ndihmën e Zotit. Duke menduar rreth vendimit vetjak që menduat më parë, si mund t’ju ndihmojë njohja e këtij parimi të merrni ndihmë ose drejtim lidhur me këtë vendim? Çfarë mendoni se mund të presë Zoti që ju të bëni për marrjen e këtij vendimi?

  1. journal iconShkruani një paragraf në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta duke shpjeguar atë që keni mësuar nga përvojat e vëllait të Jaredit rreth lutjes dhe rreth marrjes së ndihmës dhe drejtimit të Zotit në jetën tuaj.

  2. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e studiova Ethërin 1–2 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: