Seminari
Njësia 13: Dita 3, Mosia 21–24


Njësia 13: Dita 3

Mosia 21–24

Hyrje

Populli i Limhit ra nën robërinë lamanite si pasojë e ligësisë së tyre (shih Mosia 20:21); ata u përulën dhe u kthyen te Perëndia si pasojë e robërisë së tyre. Populli i Almës u soll nën robëri si sprovë e besimit të tyre (shih Mosia 23:21). Të dy grupet u lutën fuqishëm për t’u çliruar nga robëria. Edhe pse që të dy grupet e njerëzve u çliruan më së fundi dhe arritën në Zarahemla, Zoti e ndihmoi secilin grup në mënyra të ndryshme. Nga studimi i sprovave dhe i çlirimit të grupit të Limhit, ju mund të shihni se Zoti do t’iu përgjigjet lutjeve tona sipas vetë mënyrës së Tij dhe në kohën e Tij, kur ne përulemi. Nga studimi i sprovave dhe çlirimit të popullit të Almës, ju mund të mësoni se si të mbështeteni te Zoti për forcë në mes të vetë vështirësive dhe sfidave tuaja.

Nefitë duke mbartur trungun

Mosia 21–24

Nefitët në tokën e Lehi-Nefit përjetojnë përmbushjen e profecive të Abinadit

Përfytyroni se jetuat në tokën e Lehi-Nefit gjatë mbretërimit të mbretit Noe dhe nuk i kishit pranuar mësimet e Abinadit. Tani ju dhe populli juaj jeni nën robërinë e lamanitëve, sikurse kishte profetizuar Abinadi. Ç’mendoni se do të bënit?

Tani mendoni për ndonjë sprovë ose fatkeqësi që po përjetoni kohët e fundit. Lexoni vargjet vijuese në shkrimet tuaja të shenjta dhe shenjoni atë që ato ju mësojnë rreth të kërkuarit dhe marrjes së shpëtimit: Mosia 21:5, 14; 22:1–2; 23:23; dhe 24:21. Të çlirohesh zakonisht do të thotë të bëhesh i lirë, të ndihmohesh ose të shpëtosh nga diçka.

Plaku Riçard G. Skot

Ndërsa lexoni thënien në vijim nga Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, nënvizoni dy burimet që jep ai për sprovat dhe vuajtjen që përjetojmë në jetën tonë: “Askush nuk e do fatkeqësinë. Sprovat, zhgënjimet, trishtimi dhe dhembja na vijnë nga dy burime në thelb të ndryshme. Ata që i shkelin ligjet e Perëndisë, gjithmonë do t’i kenë ato sfida. Arsyeja tjetër për fatkeqësinë është që të përmbushen vetë qëllimet e Zotit në jetën tonë, që ne të mund të marrim përmirësimin që vjen nëpërmjet vënies në provë. Është tërësisht e rëndësishme për secilin prej nesh që të përcaktojë nga cili prej këtyre dy burimeve na vijnë sprovat dhe sfidat, sepse veprimi korrigjues është shumë i ndryshëm” (“Trust in the Lord”, Ensign, nëntor 1995, f. 16).

Populli i Limhit u soll nën robëri për shkak të mosbindjes së tyre, ndërkohë që populli i drejtë i Almës përjetoi fatkeqësi që do t’i përmirësonin ata. Populli i Limhit u përul dhe u soll te Perëndia si rrjedhim i robërisë së tyre. Studimi i këtyre dy rrëfimeve të çlirimit hyjnor mund t’ju ndihmojë ta rritni besimin tuaj për t’iu lutur Zotit për çlirim nga çfarëdo pikëllimi që po përjetoni.

  1. journal iconNë tabelën më poshtë, pyetjes së parë – Si ranë ata nën robëri? – i është dhënë përgjigjja për ju. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjes së dytë: Si u çliruan ata?

Populli i Limhit

Populli i Almës

Si ranë ata nën robëri?

(Mosia 20:21–22; 21:1–4)

Ngaqë njerëzit nuk u penduan, Zoti u dha lamanitëve fuqi për ta sjellë popullin nën robëri.

(Mosia 23:1–4, 19–20, 25–38; 24:8–9)

Njerëzit i mbajtën besëlidhjet e tyre, por ata u tradhtuan, u kapën robër dhe u përndoqën nga njerëzit e ligj.

Si u çliruan ata?

(Mosia 22:1–9, 13–14)

(Mosia 24:17–25)

Përsiatni përgjigjet ndaj pyetjeve vijuese rreth popullit të Limhit:

  • Sipas Mosias 21:6, çfarë provash pati që grupi i Limhit nuk ishte përulur ende dhe nuk ishte kthyer te Zoti? Si ndryshon kjo nga mënyra se si u përgjigj populli i Almës ndaj robërisë së tyre? Duke menduar mbi përvojën e grupit të Limhit, çfarë mësoni që mund t’ju ndihmojë t’u përgjigjeni siç duhet vetë sprovave tuaja?

  • Edhe pse populli i Limhit nuk u çliruan menjëherë nga pikëllimet e tyre, si i bekoi Zoti ata? (Ju mund të dëshironi ta shenjoni frazën “përparonin pjesërisht” te Mosia 21:16.) A e keni ndier ndonjëherë se Zoti ju ndihmoi të kaloni përmes një sprove pak e nga pak?

  • Si mendoni ju se luajti rol sjellja e njerëzve, e përshkruar te Mosia 21:30–33, në çlirimin e tyre përfundimtar?

  1. journal iconZgjidhni një nga të vërtetat vijuese, të nxjerra nga ajo që keni studiuar rreth sprovave dhe çlirimit të popullit të Limhit. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një paragraf që shpjegon se si e keni zbatuar atë të vërtetë në vetë jetën tuaj.

    1. Kur e përulim veten tonë, i bëjmë thirrje Zotit dhe pendohemi për mëkatet tona, Ai do t’i dëgjojë lutjet tona dhe do ta lehtësojë barrën e mëkateve tona në kohën e Tij të caktuar.

    2. Kur besëlidhim për t’i shërbyer Perëndisë dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij, Zoti do të sigurojë një mënyrë për çlirimin tonë.

Mendoni për pikëllimet dhe çlirimin e grupit të Almës teksa lexoni thënien vijuese nga Plaku Riçard G. Skot: “Pikërisht kur gjithçka duket se po shkon siç duhet, sfidat shpesh vijnë në doza të shumëfishta që zbatohen njëherësh. Kur ato sprova nuk janë pasojat e mosbindjes suaj, ato janë provë që Zoti ndien se jeni të përgatitur që të rriteni më shumë (shih Fjalët e Urta 3:11–12). Prandaj Ai ju jep përvoja që nxitin rritjen, kuptimin dhe dhembshurinë, të cilat ju përmirësojnë për përfitimin tuaj të përjetshëm. Për t’ju çuar nga ku jeni, aty ku Ai dëshiron që ju të jeni, kërkon shumë ndryshim dhe kjo përgjithësisht përfshin shqetësim e dhembje” (“Trust in the Lord”, f. 16–17).

Shenjoni fjalë dhe fraza te Mosia 23:21–22 që tregojnë se Zoti do ta vërë në provë durimin dhe besimin tonë që të na ndihmojë ta rritim mirëbesimin tonë tek Ai (shih edhe DeB 122:5–7).

Shkruani përgjigje të shkurtra për pyetjet vijuese në manualin tuaj:

  • Si mendoni, cila do të kishte qenë sprova më e vështirë për t’u duruar, në qoftë se do të ishit në mes të popullit të Almës gjatë ngjarjeve të shënuara te Mosia 23–24? Përse?

  • Çfarë mund të mësoni nga mënyra se si iu përgjigjën Alma dhe populli i tij sprovave të tyre? (Shih Mosia 24:1–12, 15–16.)

  • Edhe pse Zoti nuk e çliroi menjëherë popullin e Almës, çfarë bëri Ai për ta fillimisht? (Shih Mosia 24:15.)

Një parim që mund të mësojmë nga përvoja e grupit të Almës është se, kur i nënshtrohemi me durim vullnetit të Zotit, Ai do të na forcojë dhe do të na çlirojë nga sprovat tona në kohën e Tij.

  1. journal iconNë ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shpjegoni çfarë mendoni se do të thotë t’i nënshtrohemi me durim vullnetit të Zotit gjatë një kohe sprove dhe se si bërja e kësaj mund t’ju përgatitë për të marrë forcën dhe bekimet që Ai do t’ju sigurojë për t’ju ndihmuar përmes asaj kohe të vështirë.

Në fillim të këtij mësimi, juve iu kërkua të mendonit për sprova ose fatkeqësi që po hasni tani. Ndërsa i sillni ato në mendje, merrni parasysh të shkruani përgjigje për pyetjet vijuese në ditarin tuaj vetjak ose në një fletë letre të veçantë:

  • Me cilat sprova po ndeshem unë tani në jetën time?

  • Çfarë kam nevojë të bëj që ta përgatit veten time për të marrë fuqinë e Zotit për çlirim në jetën time?

  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar Mosian 21–24 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: