Hyrje te Jakobi
Përse të Studiohet Ky Libër?
Duke studiuar librin e Jakobit, ju mund të merrni mësime të rëndësishme nga një njeri që kishte besim të patundur në Jezu Krishtin. Jakobi vazhdimisht dëshmoi për Shpëtimtarin dhe e ftoi popullin e tij dhe ata që do t’i lexonin fjalët e tij, që të pendoheshin. Ai dha mësim dhe e tregoi [me vepra] rëndësinë e plotësimit me zell të thirrjeve nga Zoti. Ai e paralajmëroi popullin e tij kundër rreziqeve nga kryelartësia, pasuritë dhe imoraliteti. Jakobi gjithashtu citoi dhe komentoi mbi alegorinë e Zenosit për pemët e ullirit, që ilustron përpjekjet e palodhura të Shpëtimtarit për të sjellë shpëtimin e të gjithë fëmijëve të Perëndisë. Në përballjen e tij me Sheremin, një anti-Krisht, Jakobi demonstroi se si t’u përgjigjesh me drejtësi atyre që vënë në dyshim apo kritikojnë besimin tonë.
Kush e Shkroi Këtë Libër?
Jakobi, biri i pestë i Sarias dhe i Lehit, e shkroi këtë libër. Ai u lind në shkretëtirë gjatë udhëtimit të familjes së tij për në tokën e premtuar. Në rininë e tij, Jakobi “vuajt[i] hidhërime dhe shumë brenga, për shkak të ashpërsisë së vëllezërve të [tij]” (2 Nefi 2:1). Gjithsesi, Lehi i premtoi se Perëndia do t’i “shenjtëro[nte] hidhërimet e [Jakobit] për të mirë[n e tij]” dhe se ai do t’i kalonte ditët e tij “në shërbimin e Perëndisë [së tij]” (2 Nefi 2:2–3). Në rininë e tij, Jakobi pa lavdinë e Shpëtimtarit (shih 2 Nefi 2:3–4). Nefi e shuguroi Jakobin që të ishte prift dhe mësues i nefitëve (shih 2 Nefi 5:26) dhe më vonë i besoi atij fletët e vogla të Nefit (shih Jakobi 1:1–4). Si udhëheqës priftërie dhe mësues besnik, Jakobi punoi me zell për ta bindur popullin e tij që të besonte në Krisht (shih Jakobi 1:7). Ai mori zbulesa lidhur me Shpëtimtarin, pati shërbesa nga engjëj dhe dëgjoi zërin e Zotit (shih Jakobi 7:5) dhe pa Shëlbuesin e tij (shih 2 Nefi 11:2–3). Jakobi ishte babai i Enosit, të cilit ia besoi fletët para vdekjes së vet.
Kur dhe Ku u Shkrua Ai?
Libri i Jakobit fillon afërsisht në vitin 544 pr.K., kur Nefi ia besoi fletët e vogla Jakobit. Ai përfundon afër fundit të jetës së Jakobit, kur ai ia kaloi fletët birit të tij, Enosit. Jakobi e shkroi këtë anal ndërsa jetonte në tokën e Nefit.