Njësia 8: Dita 1
2 Nefi 26–27
Hyrje
Nefi parasheh vizitën e Jezu Krishtit në kontinentet amerikane dhe shkatërrimin që do të vinte më vonë mbi popullin e tij. Nefi parasheh edhe ata që do të jetonin në ditët e fundit, dhe i paralajmëron kundër krenarisë, kombinimeve të fshehta dhe intrigave të priftërinjve. Për të treguar se si Zoti do të siguronte një mënyrë për ne për të mposhtur ndikimet e ligësisë dhe të braktisjes, Nefi përfshin profecitë e Isaias rreth Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit në ditët e mëvonshme.
2 Nefi 26
Nefi profetizon lidhur me ditët e fundit dhe i fton të gjithë të vijnë te Krishti
A keni qenë ndonjëherë në një tërmet, stuhi të rëndë me vetëtima apo ngjarje tjetër shkatërruese, ose a keni parë fotografi apo video të tyre? Nefi pa që në ditët e mëvonshme, banorët e tokës “do të ndëshkohen me bubullima dhe rrufe dhe tërmete, dhe të gjitha llojet e shkatërrimeve” (2 Nefi 26:6). Çfarë ju vjen në mendje kur lexoni rreth “zemërimit të Zotit” (2 Nefi 26:6) ose “gjykime[ve] [të] Perëndisë” (2 Nefi 25:3)? Gjykimet e Perëndisë kanë qëllim t’i bekojnë fëmijët e Tij – t’i sjellin të ligjtë në pendim dhe t’i mbrojnë të drejtët. Te 2 Nefi 26:1–11, Nefi profetizoi për shkatërrimet që do të paraprinin vizitën e Jezu Krishtit në kontinentet amerikane, dhe për shkatërrimin përfundimtar të popullit të tij për shkak të ligësisë së tyre. Lexoni 2 Nefin 26:8–9 dhe shikoni për bekimet që Nefi tha se do t’u vinin pasardhësve të tij të drejtë. Pastaj lexoni 2 Nefin 26:12–13 dhe shikoni se çfarë na premtohet kur ushtrojmë besim në Jezu Krisht.
-
Jezu Krishti ia shfaq Veten atyre që ushtrojnë besim në Të dhe durojnë në drejtësi. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani përgjigjet tuaja për pyetjet në vijim:
-
Si iu shfaqet Jezu Krishti atyre që ushtrojnë besim në Të? (Shih 2 Nefi 26:13.)
-
Si i keni dëshmuar ose përjetuar disa nga këto shfaqje të Jezu Krishtit?
-
Te 2 Nefi 26:14–19, Nefi profetizoi se në ditët e mëvonshme, pasi populli i tij dhe fara e vëllezërve të tij të jenë dobësuar nga mosbesimi, Libri i Mormonit do të dalë në dritë. Te 2 Nefi 26:20–22, ai përshkroi se sa shumë njerëz në ditët e mëvonshme do të jenë plot krenari, nuk do të pranojnë mrekullitë e Perëndisë dhe do të mbështeten tek urtësia dhe dituria e tyre vetjake. Në çfarë mënyrash keni parë shembuj të përmbushjes së profecisë së Nefit?
Nefi na paralajmëroi që djalli përdor krenarinë, lakminë dhe punët e fshehta për të na rrënuar ose shkatërruar. Në shkrimet tuaja të shenjta, pranë 2 Nefit 26:22, shenjoni se si Satani përpiqet të na lidhë. Një fije liri është një fije e hollë e linjtë që mund të këputet lehtë. Mirëpo, kur fije të shumta thuren bashkë ato bëhen një litar i fortë. Lexoni 2 Nefin 26:32 dhe vini re shembuj të “punëve të errësirës” që Zoti na urdhëron t’i shmangim. Përsiatni se si një fije e vetme filli mund të bëhet “litarët e … fortë” te 2 Nefi 26:32.
-
Përfytyroni sikur po i mësoni një miku si të shmangë kurthet e djallit (Satanit). Duke përdorur 2 Nefin 26:20–22, 32, shkruani një paragraf në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, i cili shpjegon procesin përmes të cilit djalli përpiqet të na lidhë. Te 2 Nefi 26:22 vini re në mënyrë specifike se si kundërshtari përdor fije liri derisa viktima e tij lidhet me litarë më të fortë, dhe jepni një shembull.
Nefi pa shkatërrimin e shkaktuar nga kundërshtari dhe paralajmëroi për kurthet dhe ndikimet e Satanit në ditët e fundit. Në dallim me punët e errësirës të Satanit, Nefi dha mësim se dashuria e Perëndisë është për të gjithë dhe se qëllimi i Tij është që t’i shpëtojë të gjithë që do të vijnë tek Ai. Lexoni 2 Nefin 26:23–24 dhe theksoni me ngjyra fjalët dhe frazat që përshkruajnë mënyrën se si Perëndia punon me fëmijët e Tij. Sipas 2 Nefit 26:24, cili është qëllimi i Perëndisë në çdo gjë që bën Ai? Ju mund të dëshironi ta theksoni me ngjyra frazën që e jep mësim këtë doktrinë: Çdo gjë që bën Zoti është për të mirën e botës.
-
Përgjigjiuni pyetjes në vijim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si ju ndihmon të rritni besimin tuaj në Atin tonë Qiellor dhe ju jep paqe e siguri në këtë jetë, të kuptuarit se çdo gjë që bën Zoti është për të mirën e botës?
Hidhini një sy të shpejtë 2 Nefit 26:25–28, 33 dhe shenjoni sa herë që shfaqen fjalët të gjithë, ndokujt, ndokënd, ndonjë dhe asnjëri, asnjë, askujt. Pastaj kthehuni dhe rilexojini këto vargje, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë këtyre fjalëve dhe se si Nefi dha mësim që Zoti i do të gjithë njerëzit dhe i fton të gjithë të vijnë tek Ai dhe të marrin nga shpëtimi i Tij. Përsiatni se si ky parim ndikon në mënyrën se si ju i shikoni urdhërimet, standardet dhe njerëzit e tjerë.
-
Lexoni 2 Nefin 26:29–31. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta renditni dy ose tri karakteristika të intrigave të priftërinjve të renditura te vargu 29 dhe pastaj përgjigjiuni pyetjeve në vijim:
-
Përse mendoni që intrigat e priftërinjve janë dëmtuese për Kishën?
-
Sipas 2 Nefit 26:30, si parandalohen intrigat e priftërinjve?
-
2 Nefi 27:1–23
Nefi profetizon për daljen në dritë të Librit të Mormonit
-
Përgjigjiuni pyetjes në vijim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si e dini (ose përse besoni) që Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë?
Zoti i zbuloi profetit Isaia hollësitë lidhur me daljen në dritë të Librit të Mormonit, që Nefi i shënoi te 2 Nefi 27. Pasi Isaia profetizoi se në ditët e fundit shumë njerëz do të ishin plot me ligësi dhe nuk do t’i pranonin profetët, ai dha mësim se Perëndia do të zbulonte një libër me shkrime të lashta (shih 2 Nefi 27:1–7). Lexoni 2 Nefin 27:12–14 dhe shikoni se çfarë na mëson ai që do të bënte Zoti për të vendosur të vërtetën e librit që do të dilte në dritë në ditët e fundit.
Një mënyrë se si Zoti vendosi vërtetësinë e Librit të Mormonit është duke lejuar individë të tjerë që të ishin dëshmitarë për fletët e arta. Oliver Kaudri, Dejvid Uitmeri dhe Martin Harrisi u përzgjodhën si Tre Dëshmitarët dhe përmenden te 2 Nefi 27:12. (Shih “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve” në fillim të Librit të Mormonit.)
“Disave” që përmendet te 2 Nefi 27:13 përfshiu Tetë Dëshmitarët (shih “Dëshmia e Tetë Dëshmitarëve” në fillim të Librit të Mormonit). Merrni parasysh ta shenjoni frazën “aq shumë dëshmitarëve, sa i duket atij e përshtatshme” 2 Nefi 27:14. Ndërsa merrni dhe jepni dëshminë tuaj për Librin e Mormonit, edhe ju bëheni dëshmitar i vërtetësisë së këtij libri. Ju mund të dëshironi ta shkruani emrin tuaj pranë 2 Nefit 27:14 si një prej këtyre dëshmitarëve të tjerë të vërtetësisë së Librit të Mormonit.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha lidhur me vetë dëshminë e tij për Librin e Mormonit:
“Dëshmoj se një njeri nuk mund të vijë te besimi i plotë në këtë punë të ditëve të mëvonshme – dhe me të të gjejë masën e plotë të paqes e të ngushëllimit në këto kohë tonat – derisa ai apo ajo të mirëpresë natyrën hyjnore të Librit të Mormonit dhe të Zotit Jezu Krishti, për të cilin ai dëshmon. …
Kërkoj që dëshmia ime për Librin e Mormonit dhe gjithçka që ajo nënkupton, e dhënë sot me betimin tim dhe pozitën time, të regjistrohet nga njerëzit mbi tokë dhe engjëjt në qiell. … Unë dua që të jetë krejtësisht e qartë, kur të qëndroj para shufrës së gjykimit të Perëndisë, që i kam shpallur botës, në gjuhën më të drejtpërdrejtë që mundem të thërras, se Libri i Mormonit është i vërtetë, se ai erdhi me atë mënyrë që tha Jozefi dhe se u dha që t’u sjellë besnikëve lumturi dhe shpresë në vuajtjet e ditëve të mëvonshme” (“Siguri për Shpirtin Njerëzor”, Ensign [ose Liahona], nëntor 2009, f. 89–90).
Mendoni se çfarë mund të bëni për të forcuar bindjen tuaj mbi vërtetësinë e Librit të Mormonit.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani se çfarë do të bëni këtë vit për të forcuar dëshminë tuaj mbi vërtetësinë e Librit të Mormonit.
Për të plotësuar veprimtarinë në vijim, do t’ju duhet t’i drejtoheni Joseph Smith—Historia që gjendet te Perla me Vlerë të Madhe. Lexoni Joseph Smith—Historia 1:63–65 dhe përcaktoni individët në rrëfim. Pastaj lexoni fragmentet e caktuara në tabelën më poshtë nga 2 Nefi 27 dhe lidhni një emër me secilin grup vargjesh.
|
|
Fjala shkronjat te Joseph Smith—Historia 1:63–65 iu referohet shkronjave të reformuara egjiptiane, të cilat Jozef Smithi i kishte kopjuar dhe përkthyer nga fletët e arta, që Martin Harrisi ia paraqiti profesorit Çarlz Entëni. Çarlz Entëni ishte mësues në Kolegjin e Kolumbisë dhe një njeri që ishte me emër për njohjen e gjuhëve të lashta. Pasi pohoi dhe garantoi me shkrim se përkthimi nga Jozef Smithi i shkronjave qe i saktë, profesor Entëni e grisi nënshkrimin e tij të përkthimit kur iu tregua mënyra e mrekullueshme se si ishin siguruar fletët. Ai u ofrua ta përkthente vetë analin. Kur Martin Harrisi shpjegoi se disa nga fletët ishin vulosur, profesor Entëni tha se nuk mund të lexonte një libër të vulosur. Sipas 2 Nefit 27:16, çfarë mësojmë ne rreth shtysës së Çarlz Entënit që dëshironte t’i përkthente fletët?
Lexoni 2 Nefin 27:20–23 dhe shenjoni frazën që përsëritet në vargjet 20 dhe 21.
-
Shkruani në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta se si ajo që keni studiuar deri më tani te 2 Nefi 27:1–23 pohon se Perëndia është në gjendje ta bëjë punën e Tij. (Nëse ju duhet informacion shtesë rreth daljes në dritë të Librit të Mormonit, shihni DeB 20:8–12.)
Ju mund të dëshironi ta shkruani të vërtetën në vijim në shkrimet tuaja të shenjta: Dalja në dritë e Librit të Mormonit është një nga mënyrat se si Perëndia do ta përmbushë punën e Tij në ditët e mëvonshme.
-
Përgjigjiuni pyetjes në vijim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si e forcon përmbushja e profecive të lashta për Librin e Mormonit dëshminë tuaj për librin dhe rolin e tij në Rivendosjen e Kishës së Zotit?
2 Nefi 27:24–35
Nefi profetizon për ndikimin pozitiv të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit
Perëndia zgjodhi një të ri të quajtur Jozef Smith që të ishte profeti i Rivendosjes dhe të sillte punën e Tij të mrekullueshme në ditët e fundit. “Pun[a] [e] mrekullueshme” e përmendur në shkrimet e shenjta është Rivendosja e ungjillit të Jezu Krishtit, që përfshin daljen në dritë të Librit të Mormonit. Lexoni 2 Nefin 27:25–26, shenjoni frazën “një punë të mrekullueshme dhe një çudi” dhe përcaktoni disa nga kushtet që do të ekzistonin kur Zoti të fillonte këtë punë të mrekullueshme. Përsiatni se si Libri i Mormonit dhe Rivendosja ju kanë ndihmuar t’i shmangni ato kushte.
Lexoni 2 Nefin 27:29–30, 34–35 dhe shenjoni bekimet që vijnë për shkak të daljes në dritë të Librit të Mormonit dhe Rivendosjes së ungjillit. Libri i Mormonit dhe ungjilli i rivendosur do t’i sjellin gëzim dhe kuptim atyre që i studiojnë dhe i pranojnë ato.
-
Shkruani përgjigjen tuaj për pyetjen në vijim në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si ka qenë një “punë [e] mrekullueshme” në jetën tuaj Rivendosja e ungjillit, që përfshin daljen në dritë të Librit të Mormonit?
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 2 Nefin 26–27 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: