Njësia 28: Dita 3
Mormoni 3–6
Hyrje
Pas rimarrjes së tokave të tyre nga lamanitët, nefitët u përgatitën përsëri për betejë. Mormoni iu lut nefitëve që të pendoheshin; në vend të kësaj, ata u mburrën me fuqinë e tyre dhe u betuan që të hakmerreshin për vëllezërit e tyre të rënë. Për shkak se Zoti ia kishte ndaluar popullit të Tij që të kërkonte hakmarrje, Mormoni nuk pranoi ta drejtonte ushtrinë e tyre dhe ata u mundën. Ndërsa nefitët vazhdonin me këmbëngulje në ligësi, Perëndia derdhi gjykimet e Tij mbi ta dhe lamanitët filluan që t’i zhduknin nga faqja e dheut. Përfundimisht, Mormoni u kthye që t’i udhëhiqte nefitët në betejë, por ngaqë ata nuk pranuan të pendoheshin, u shkatërruan nga lamanitët. Mormoni u pikëllua për rënien e tyre dhe mosdashjen e tyre për t’u kthyer te Jezu Krishti. Ai profetizoi se analet e popullit do të dilnin në dritë në ditët e fundit dhe ai i nxiti ata që do t’i lexonin ato, që të pendohen dhe të përgatiten për gjykimin e vet përpara Perëndisë.
Mormoni 3–4
Për shkak se nefitët rriten në ligësi, Mormoni nuk pranon t’i udhëheqë ushtritë e tyre dhe lamanitët fillojnë t’i zhdukin nefitët nga toka
A keni ndier ndonjëherë se Zoti donte që ju të ndryshonit diçka në jetën tuaj? A mendoni se Ai ju ka nxitur apo ndihmuar që të ndryshoni diçka në jetën tuaj pa e kuptuar ju?
Gjatë kohës së Mormonit, nefitët shpesh nuk arritën të kuptojnë apo vlerësojnë se si Zoti po ndikonte në betejat e tyre me lamanitët. Pasi nefitët bënë një marrëveshje me lamanitët dhe hajdutët e Gadiantonit, Zoti i la ata të përjetonin 10 vjet pa konflikt. Gjatë atyre viteve ata u përgatitën fizikisht për sulmet e ardhshme (shih Mormoni 2:28; 3:1).
Lexoni Mormonin 3:2–3 dhe shihni për një mënyrë më të rëndësishme me të cilën Zoti donte që nefitët të përgatiteshin për sulmet nga lamanitët. Si u përgjigjën nefitët? Sipas Mormonit 3:3, përse Zoti i kishte kursyer nefitët në betejat e tyre të fundit pavarësisht nga ligësia e tyre?
Siç është shënuar te Mormoni 3:4–8, Zoti i mbrojti nefitët edhe dy herë të tjera në betejë. Një e vërtetë doktrinore që mund të mësojmë nga veprimet e Zotit me kombin e lig nefit, është se, në mëshirën e Tij, Zoti na jep mundësi të mjaftueshme të pendohemi për mëkatet tona. Këto mundësi janë fakte të durimit dhe mirësisë së Perëndisë dhe të dëshirës së Tij që të gjithë fëmijët e Tij të jetojnë në një mënyrë të tillë që të cilësohen për bekimet e plota të Shlyerjes.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta (ju mund t’u përgjigjeni atyre në ditarin tuaj vetjak nëse përgjigjet janë të shenjta apo të fshehta):
-
Si ju ka nxitur Zoti të pendoheni dhe ju ka dhënë mundësi që ta bëni këtë? Çfarë ju mëson kjo rreth karakterit të Tij?
-
Çfarë mund të bëni që t’ju mbajë larg shpërfilljes apo ngurtësimit të zemrës suaj ndaj kësaj nxitjeje, siç bënë nefitët te Mormoni 3:3?
-
Mundësitë dhe ftesat nga Zoti për të bërë ndryshime në jetën tuaj mund të vijnë më shpesh nga sa mund ta kuptoni. Për shembull, ato mund të vijnë kur merrni sakramentin ose kur ndieni një nxitje nga Fryma e Shenjtë për ta përmirësuar veten ose për t’u shërbyer të tjerëve. Kur i kërkoni ato mundësi dhe përgjigjeni duke bërë menjëherë ndryshime, ju do të ftoni fuqinë shëlbuese të Zotit në jetën tuaj. Për t’ju ndihmuar të kuptoni qëndresën e nefitëve ndaj përpjekjeve të Zotit për t’i ndihmuar ata, lexoni te Mormoni 3:9–10 dhe shihni se si vepruan ata pas fitoreve të shumta ndaj lamanitëve. (Ndërsa lexoni, mund të jetë e dobishme të dini se fjala hakmerrem në vargun 9 do të thotë të marrësh hak për një dëmtim.)
Si reaguan nefitët pas fitoreve të tyre mbi lamanitët? Lexoni te Mormoni 3:11–13 dhe gjeni përgjigjen e Mormonit ndaj betimit të ushtrisë për të kërkuar hakmarrje (shpagim).
Mormoni i kishte udhëhequr ushtritë nefite për më shumë se 30 vjet, pavarësisht nga ligësia e tyre e bujshme. Çfarë na mëson mospranimi i Mormonit për ta udhëhequr asaj kohe ushtrinë, mbi peshën e rëndë të kërkimit për hakmarrje?
Lexoni te Mormoni 3:14–16 dhe shënoni frazat që shprehin atë që Zoti i mësoi Mormonit mbi shpagimin (ose kërkimin për hakmarrje). Një e vërtetë që mësojmë nga këto vargje, është se Zoti na ndalon të kërkojmë shpagim.
-
Përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
A keni dashur ndonjëherë të kërkoni shpagim ose t’ia ktheni me të njëjtën monedhë dikujt për diçka që ju ka bërë? Përse mendoni se kjo është një përgjigje e rrezikshme ose e gabuar? Cili mendoni se do të jetë më i dëmtuar nga përpjekja juaj për shpagim?
-
Përse duhet t’ia lëmë gjykimin dhe hakmarrjen dorës së Zotit në vend që ta marrim përsipër vetë?
-
Edhe pse ne mund ta dimë se duhet t’i lëmë mënjanë ndjenjat e hakmarrjes dhe kemi dëshirë të veprojmë kështu, shpesh mund të jetë sfiduese t’i kapërcejmë këto ndjenja kur ato vijnë. Ndërsa lexoni këshillën vijuese nga Presidenti Xhejms E. Faust, i Presidencës së Parë, nënvizoni frazat që ju ndihmojnë të dini çfarë mund të bëni për të kapërcyer ndjenja hakmarrjeje kur ndesheni me to:
“Ne duhet t’i dallojmë dhe pranojmë ndjenjat e zemërimit. Do të duhet përulësi për ta bërë këtë por, nëse do të biem në gjunjë dhe do t’i kërkojmë Atit Qiellor për një ndjenjë faljeje, Ai do të na ndihmojë. Zoti na kërkon ‘t’i fal[im] të gjithë njerëzit’ [DeB 64:10] për të mirën tonë sepse ‘urrejtja vonon rritjen shpirtërore’ [Orson F. Whitney, Gospel Themes (1914), f. 144]. Vetëm kur e çlirojmë veten nga urrejtja dhe hidhërimi, Zoti mund t’i japë ngushëllim zemrës sonë. …
“… … Kur tragjedia godet, ne nuk duhet të përgjigjemi duke kërkuar hakmarrje personale, por përkundrazi ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe më pas të heqim dorë prej hakmarrjes. Nuk është e lehtë të heqim dorë prej saj dhe ta zbrazim zemrën nga ndjenjat e fyerjeve torturuese. Shpëtimtari na ka ofruar të gjithëve një paqe të çmuar nëpërmjet Shlyerjes së Tij, por kjo mund të vijë vetëm kur jemi të gatshëm t’i dëbojmë ndjenjat negative të zemërimit, mërisë ose shpagimit. Për të gjithë ne që i falim ‘ata që shkelin kundër nesh’ [Joseph Smith Translation, Matthew 6:13], madje edhe ata që kanë kryer krime të rënda, Shlyerja sjell një masë paqeje dhe ngushëllimi” (“The Healing Power of Forgiveness”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 69).
Përsiatni si mund ta zbatoni këtë këshillë për të hequr dorë nga çfarëdo ndjenjash mërie, inati apo të ashpra që mund të keni ndaj të tjerëve.
Pasi refuzoi të udhëhiqte ushtritë nefite, Mormoni e drejtoi vëmendjen e vet te të shkruarit për ata që do t’i lexonin fjalët e tij në ditët e fundit. Ai donte që secili prej nesh të pendohet dhe të përgatitet të “qëndro[jë] para fronit të gjykimit të Krishtit” (shih Mormoni 3:18–22).
Lexoni te Mormoni 4:1–2 dhe shihni për çka ndodhi me ushtrinë nefite ndërsa kërkonin shpagim ndaj lamanitëve. Lexoni te Mormoni 4:4 dhe kërkoni arsyen pse ushtritë nefite nuk triumfuan (fituan). Lexoni te Mormoni 4:5 dhe gjeni çfarëdo të vërtetash rreth rezultateve të këmbënguljes në ligësi. Çfarë gjetët ju?
Një nga të vërtetat që mund të keni parë, është se gjykimet e Perëndisë do t’u bien mbi kokë të ligjve. Shpesh “nëpërmjet të ligjve, ndëshkohen të ligjtë” (Mormoni 4:5). Të ligjtë nuk e pranojnë ndihmën e Perëndisë dhe kundërshtojnë të kërkojnë mbrojtjen e Tij hyjnore. Lexoni te Mormoni 4:11–14, 18 dhe shihni për atë se si gjykimet e Perëndisë u derdhën mbi nefitët.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përgjigjiuni pyetjeve vijuese:
-
Sipas mendimit tuaj, cila është pjesa më e trishtuar e situatës së nefitëve te Mormoni 3–4?
-
Si mundet të lidhen me njëra-tjetrën doktrinat apo të vërtetat që keni studiuar deri sot? (Shqyrtoni marrëdhënien midis pendimit, hakmarrjes dhe gjykimeve të Perëndisë.)
-
Përsiatni se çfarë do të donte Zoti që të bëni për të zbatuar këto të vërteta.
Mormoni 5–6
Mormoni vendos ta udhëheqë sërish ushtrinë nefite, por lamanitët triumfojnë; Mormoni vajton shkatërrimin e popullit të tij.
A ka ndryshim midis pikëllimit që mund të shoqërojë vdekjen e dikujt që ishte duke jetuar një jetë të drejtë dhe dikujt që vdiq duke jetuar ligësisht? Cili mendoni se është ndryshimi?
Pas më shumë se 13 vitesh mospranimi për të udhëhequr ushtritë nefite, Mormoni e mori përsëri komandën. Gjithsesi, ai i udhëhoqi ato pa shpresë sepse njerëzit nuk pranonin të pendoheshin dhe t’i thërrisnin Zotit për ndihmën e Tij. Pas zmbrapsjes së disa valëve të sulmeve lamanite, nefitët ia mbathin. Ata që nuk mundën të iknin mjaftueshëm shpejt, u shkatërruan. Mormoni i shkroi një letër mbretit të lamanitëve duke i kërkuar që t’i jepte kohë nefitëve që të mblidheshin për një betejë përfundimtare (shih Mormoni 5:1–7; 6:1–6).
Lexoni te Mormoni 6:7–11 dhe përpiquni të kuptoni pikëllimin e Mormonit kur dëshmoi shkatërrimin e popullit të tij. Përse mendoni se vdekja mund të jetë e frikshme për ata që jetojnë ligësisht?
-
Lexoni te Mormoni 6:16–22 dhe përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Përse profetët, udhëheqësit dhe prindërit na nxitin me aq zell që të pendohemi?
-
Si ju ndihmon shpresa e përqafimit të Zotit që të pendoheni? (shih Mormoni 6:17).
-
Përsiatni nëse ka ndonjë gjë për të cilën Zoti do që ju të pendoheni pikërisht tani në jetën tuaj. Ju mund të doni të shkruani rreth kësaj në ditarin tuaj vetjak dhe të vendosni synime për ta përmbushur atë.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e studiova Mormonin 3–6 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: