Njësia 26: Dita 3
3 Nefi 19
Hyrje
Ngjarjet e shënuara te 3 Nefi 11–18 ndodhën të gjitha gjatë një dite. Në fund të asaj dite, lajmet për vizitën e Shpëtimtarit dhe kthimin e Tij ditën tjetër u përhapën mes njerëzve dhe ata “u munduan jashtëzakonisht, gjithë atë natë, që të mund të ishin të nesërmen në vendin ku Jezusi do të shfaqej mes turmës” (3 Nefi 19:3). Në mëngjes, dymbëdhjetë dishepujt i mësuan njerëzit dhe u lutën me ta. Nefi pastaj pagëzoi të dymbëdhjetë dishepujt dhe ata morën Frymën e Shenjtë dhe u rrethuan nga engjëj. Gjatë këtij manifestimi, Jezu Krishti u shfaq dhe i urdhëroi dishepujt të luteshin dhe Ai gjithashtu iu lut Atit në emër të turmës. Për shkak të besimit të tyre, dishepujt u mbushën me Frymën e Shenjtë. Ata u pastruan dhe u bënë një me Atin dhe Birin.
3 Nefi 19:1–14
Dymbëdhjetë dishepujt u shërbejnë njerëzve sikurse urdhëroi Shpëtimtari
Përfytyroni se si mund të ndiheshit dhe çfarë mund të bënit nëse do të merrnit vesh se nesër Jezu Krishti do të vinte në një tempull në një farë largësie nga ju. Sa fort do të përpiqeshit që të shkonit atje? A do të dëshironit të sillnit njerëz të tjerë me vete? Çfarë do të bënit për t’u përgatitur për këtë përvojë?
Lexoni 3 Nefin 19:1–3 duke kërkuar për përgjigjen e nefitëve ndaj premtimit të Shpëtimtarit se Ai do të kthehej të nesërmen. Pasi turma u mblodh, dymbëdhjetë dishepujt i ndanë njerëzit në dymbëdhjetë grupe dhe filluan t’i mësonin ata. Ata e udhëzuan turmën të gjunjëzohej në lutje dhe u mësuan atyre të njëjtat të vërteta që Shpëtimtari u kishte dhënë mësim ditën e mëparshme. (Shih 3 Nefi 19:4–7.)
-
Lexoni 3 Nefin 19:8–9 dhe përgjigjiuni pyetjeve vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
-
Çfarë dëshiruan dishepujt më shumë se çdo gjë tjetër? Nga përvoja juaj, përse dhurata e Frymës së Shenjtë është kaq e dëshirueshme?
-
Të dymbëdhjetë dishepujt do t’i drejtonin punët e Kishës në kontinentin amerikan pasi të largohej Shpëtimtari. Përse qe thelbësore që ata të kishin Frymën e Shenjtë si udhërrëfyes?
-
Pasi të keni plotësuar detyrën tuaj në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, përsiatni këto pyetje: Cilat janë disa gjëra që dëshironi më shumë nga çdo gjë kur luteni? Sa shpesh luteni për Frymën e Shenjtë?
Lexoni 3 Nefin 19:10–12 dhe kërkoni se çfarë bënë dishepujt pasi ishin lutur. Pagëzimi i përshkruar në vargjet 10–12 qe pagëzimi i dytë për dymbëdhjetë dishepujt. Kisha ishte ngritur për shumë vite mes nefitëve dhe këta vëllezër të priftërisë duhet të kenë qenë pagëzuar më parë, pavarësisht se pagëzimi i tyre i parë nuk është shënuar në shkrimet e shenjta. Ky pagëzim i dytë ishte një rrethanë e veçantë, siç u shpjegua nga Presidenti Jozef Filding Smith: “Shpëtimtari e urdhëroi Nefin dhe njerëzit që të pagëzoheshin përsëri, pasi Ai e kishte organizuar rishtas Kishën nën ungjillin. Më parë ishte organizuar nën ligjin [e Moisiut]” (Doctrines of Salvation, red. Bruce R. McConkie, vëll 3 [1954–1956], 2:336).
Mbani mend se dishepujt dhe nefitët e tjerë qenë të denjë të qëndronin në praninë e Shpëtimtarit. Lexoni 3 Nefin 19:13 duke kërkuar se çfarë iu dha dymbëdhjetë dishepujve për shkak se kishin dëshira të drejta.
-
Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, bëni një listë të bekimeve që vijnë në jetën e një personi i cili e ka dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe jeton i denjë për të. Pastaj krahasojeni listën tuja me citatin vijues nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe shtojini listës suaj ndonjë ide të re që gjeni:
“Fryma e Shenjtë na jep forcën dhe kurajën për t’i drejtuar jetët tona në udhët e mbretërisë së Perëndisë dhe është burimi i dëshmisë sonë për Atin dhe Birin. …
Ne kemi nevojë për Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm për të na ndihmuar të bëjmë zgjedhje më të mira në vendimet me të cilat përballemi çdo ditë. Të rinjtë dhe të rejat tona bombardohen me gjërat e shëmtuara të botës. Shoqërimi me Shpirtin do t’u japë atyre forcën që t’i bëjnë ballë të ligës dhe, kur nevojitet, që të pendohen dhe të kthehen te shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar. Asnjë prej nesh nuk është i imunizuar ndaj tundimeve të kundërshtarit. Ne të gjithëve na duhet fortifikimi i mundësuar përmes Frymës së Shenjtë. … Të pasurit e dhuratës së Frymës së Shenjtë i ndihmon anëtarët e familjes të bëjnë zgjedhje të urta – zgjedhje që do t’i ndihmojnë të kthehen me familjet e tyre tek Ati i tyre Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, për të jetuar me Ta përjetësisht” (“The Covenant of Baptism: To Be in the Kingdom and of the Kingdom”, Ensign, nëntor 2000, f. 8).
Bazuar te studimi që i keni bërë 3 Nefit 19:1–14, përsiatni se çfarë bekimi dëshironi më shumë në jetën tuaj dhe përse e dëshironi atë.
Plotësojeni thënien vijuese të parimit të bazuar te 3 Nefi 19:9, 13: Nëpërmjet dëshirave dhe lutjes së sinqertë, ne mund të .
3 Nefi 19:14–36
Shpëtimtari shfaqet dhe lutet për njerëzit që të pastrohen nëpërmjet besimit të tyre
Lexoni 3 Nefin 19:14–16 për të mësuar se çfarë ndodhi pasi dymbëdhjetë dishepujt u pagëzuan dhe u mbushën me Frymën e Shenjtë.
Pasi dishepujt dhe turma qenë gjunjëzuar, Shpëtimtari i urdhëroi dymbëdhjetë dishepujt e Tij që të luteshin. Lexoni rrëfimin e lutjes së tyre te 3 Nefi 19:17–18, 24–26, 30. Ky është i vetmi vend në shkrimin e shenjtë të regjistruar ku njerëzit iu lutën drejtpërdrejt Jezu Krishtit. Në lutjet tona, ne i lutemi Perëndisë, Atit, në emrin e Birit të Tij, Jezu Krishtit. Nuk ka asnjë vend në shkrimin e shenjtë ku na mësohet që t’i lutemi Jezusit.
Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, sugjeroi një arsye përse dishepujt mund t’i jenë lutur Jezusit në këtë rast të pashoq: “Jezusi i kishte mësuar tashmë t’i luteshin Atit në emrin e tij, gjë të cilën ata e bënë fillimisht [shih 3 Nefi 19:8–9]. … Por këtë herë ‘ata iu lutën Jezusit, duke e quajtur atë Zotin e tyre dhe Perëndinë e tyre’. [3 Nefi 19:18.] Jezusi ishte i pranishëm përpara tyre si simboli i Atit. Kur e shihnin Atë, ishte sikur të shihnin Atin; kur i luteshin Atij, ishte sikur t’i luteshin Atit. Ishte një situatë e veçantë dhe e pashoqe” (The Promised Messiah: The First Coming of Christ [1978], f. 560–561). Shpëtimtari vetë tha: “Ata më luten mua, sepse unë jam me ta” (3 Nefi 19:22).
-
Ndërsa njerëzit ishin të gjunjëzuar, ata dëshmuan që Jezu Krishti bëri tri lutje të dallueshme për dishepujt e Tij dhe për ta. Kopjojeni tabelën vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta. Lexoni referencat e caktuara të shkrimit të shenjtë dhe plotësoni tabelën.
Fragmenti i shkrimit të shenjtë |
Për çfarë u lut Shpëtimtari? |
Si mund ta zbatoni atë që mësuat nga lutja e Shpëtimtarit, në jetën tuaj? |
---|---|---|
Lexoni 3 Nefin 19:24. Çfarë mendoni se do të thotë që “nuk përsëritnin shumë fjalë”? Lidhur me lutjet gjatë të cilave na jepen fjalët që të dimë për çfarë të lutemi, Plaku Brus R. Mek-Konki dha mësim: “Lutjet e përsosura janë ato që janë të frymëzuara, në të cilat Shpirti zbulon fjalët që duhet të përdoren” (Mormon Doctrine, bot. i 2-të [1966], f. 586).
Për t’ju ndihmuar t’i kuptoni më mirë disa prej parimeve që Shpëtimtari dha mësim në lutjet e Tij, rishikoni 3 Nefin 19:28 dhe shenjoni fjalë ose fraza që na mësojnë këtë parim: Kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti, ne mund të pastrohemi. Përsiatni mënyrat në të cilat dishepujt ushtruan besim gjatë përvojave të shënuara te 3 Nefi 19. Për shkak të besimit të tyre, dishepujt u mbushën me Frymën e Shenjtë (shih 3 Nefi 19:13) dhe marrja e Frymës së Shenjtë është e nevojshme për t’u pastruar.
Lexoni thënien vijuese nga Presidenti Marion G. Romni, i Presidencës së Parë, dhe kontrolloni se çfarë do të thotë të pastrohesh: “‘Atëherë vjen pagëzimi i zjarrit dhe i Frymës së Shenjtë’. [2 Nefi 31:13.] Ky pagëzim i zjarrit dhe i Frymës së Shenjtë për të cilin flet Nefi këtu, sjell ndryshimin e madh në zemrat e njerëzve të përmendur nga Alma [shih Alma 5:14]. I kthen ato nga natyra trupore në atë shpirtërore. Ai e pastron, e shëron dhe e dëlir shpirtin. … Besimi te Zoti Jezu Krisht, pendimi dhe pagëzimi me ujë janë së bashku hapa paraprakë dhe parakushte për të, por ai është përmbushja [qëllimi përfundimtar]. Ta marrësh atë, do të thotë të të pastrohen rrobat në gjakun shlyes të Jezu Krishtit” (Learning for the Eternities, përmb. George J. Romney [1977], f. 133).
-
Përsiatni se çfarë do të thotë të pastrohesh dhe përgjigjiuni pyetjes vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta: Si na ndihmon të jemi të pastër dhe të dëlirë, ushtrimi i besimit te Jezu Krishti?
Jezusi bëri një lutje të madhërishme natën e sakrificës së Tij shlyese, e cila qe shumë e ngjashme me lutjet që bëri mes nefitëve ditën e dytë të vizitës së Tij me ta. Lexoni 3 Nefin 19:23, 29 dhe Gjonin 17:9, 11, 21–22. Shenjoni frazën “që ne të mund të jemi një”. Përsiatni se si janë një Jezu Krishti dhe Ati. Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si mund të bëhemi një me Jezu Krishtin?
Një nga parimet që na mësohet te këto vargje, është: Nëpërmjet besimit, ne mund të pastrohemi dhe bëhemi një me Jezu Krishtin, sikurse Ai është një me Atin. Lexoni thënien vijuese nga Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, në lidhje me mënyrën se si ne mund të jemi një me Atin dhe Birin: “Sigurisht ne vërtet nuk do të jemi një me Perëndinë dhe Krishtin derisa ta bëjmë vullnetin dhe interesin e Tyre dëshirën tonë më të madhe. Një nënshtrim i tillë nuk arrihet brenda një dite, por nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, Zoti do të na mësojë nëse jemi të gatshëm derisa, me kalimin e kohës, mund të thuhet me saktësi se Ai është në ne sikurse Ati është në Të. Ndonjëherë dridhem kur mendoj se çfarë mund të kërkohet, por unë e di se është vetëm në këtë bashkim të përsosur që mund të gjendet plotësia e gëzimit” (“That They May Be One In Us”, Ensign, nëntor 2002, f. 73).
Përmbylleni studimin e sotëm duke lexuar dhe përsiatur 3 Nefin 19:35–36.
-
Shkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:
Unë e kam studiuar 3 Nefin 19 dhe e përfundova këtë mësim më (data).
Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: