Seminari
1 Nefi


Hyrje te 1 Nefi

Përse të Studiohet Ky Libër?

Ndërsa studioni 1 Nefin, ju do të zbuloni se “mëshirat e dhembshura të Zotit janë mbi të gjithë ata që ai ka zgjedhur, për shkak të besimit të tyre, për t’i bërë ata të pushtetshëm” (1 Nefi 1:20). Për shembull, ju do të shihni se si Perëndia e ndihmoi Nefin që të merrte fletët prej tunxhi, kështu që familja e tij të mund të kishte shkrimet e shenjta, se si Perëndia e shpëtoi Nefin nga kërcënime fizike për jetën e tij dhe se si Perëndia i shpëtoi Lehin dhe njerëzit e tij nga zia e bukës në vendin e shkretë dhe nga shkatërrimi në oqean, duke i çuar ata të sigurt në tokën e premtuar.

Lehi dhe njerëzit e tij përjetuan mëshirën dhe ndihmën e Perëndisë kur i zbatuan urdhërimet. Lehi dhe Nefi kërkuan udhëheqje nga Perëndia dhe e morën atë nëpërmjet shkrimeve të shenjta, ëndrrave, vegimeve dhe Liahonës. Nefi mori dhe shënoi një vegim për historinë e tokës, që i tregoi atij fuqinë e gjithëditur të Perëndisë. Nëpërmjet vegimeve, Nefi pa pagëzimin, shërbesën dhe kryqëzimin e ardhshëm të Jezu Krishtit.

Ndërsa i studioni përvojat e Nefit dhe të Lehit në këtë libër, ju mund të mësoni se si t’i kërkoni dhe t’i merrni bekimet e qiellit në jetën tuaj.

Kush e Shkroi Këtë Libër?

Biri i Lehit, Nefi, e shkroi këtë libër në përgjigje të urdhrit të Zotit që ai të mbante një anal të popullit të tij. Ka gjasa që Nefi të ketë lindur në Jerusalem ose afër tij. Ai jetoi atje gjatë shërbesës së profetit Jeremia dhe mbretërimit të mbretit Zedekia.

Nefi kërkoi të fitonte dëshminë e vet për fjalët e atit të tij në lidhje me shkatërrimin e Jerusalemit dhe të nevojës së familjes së tyre për t’u larguar. Ndërsa vazhdonte ta kërkonte dhe ta ndiqte këshillën e Zotit, Nefi u bë një mjet në duart e Perëndisë. Duke treguar bindje, ai u kthye në Jerusalem me vëllezërit e tij dy herë – së pari për të marrë fletët prej tunxhi dhe më vonë për ta bindur familjen e Ishmaelit që t’i bashkohej familjes së Lehit në vendin e shkretë. Me ndihmën e Zotit, Nefi ndërtoi anijen që e çoi familjen e tij dhe të tjerët përtej oqeanit, për në tokën e premtuar. Kur Lehi vdiq, Nefi u bë udhëheqësi i popullit të tij.

Kur dhe Ku u Shkrua Ai?

Nefi e shkroi analin që u bë 1 Nefi përafërsisht në 570 pr.K. – 30 vite pasi ai dhe familja e tij u larguan nga Jerusalemi (shih 2 Nefi 5:28–31). Ai e shkroi atë kur ishte në tokën e Nefit.