Seminari
Njësia 5: Dita 1, 1 Nefi 20–22


Njësia 5: Dita 1

1 Nefi 20–22

Hyrje

Te 1 Nefi 20–21, Nefi citoi profeci nga profeti i Dhiatës së Vjetër, Isaia, shkrimet e të cilit u mbajtën në fletët prej tunxhi, që Nefi dhe vëllezërit e tij ishin dërguar në Jerusalem për t’i marrë nga Labani. Isaia na mësoi se, edhe kur Izraeli i lashtë nuk i mbajti besëlidhjet e tij, Zoti ende i donte dhe i ftoi të pendoheshin e të vinin tek Ai. Ndërsa studioni këta kapituj, përqendrohuni mbi atë që Isaia dha mësim për Jezu Krishtin dhe dëshirën e Tij për ta shëlbuar popullin e Tij.

Isaia Shkruan për Lindjen e Krishtit

1 Nefi 20

Zoti e ndëshkon Izraelin dhe i fton ata të kthehen tek Ai

A mund të mendoni për një rast kur bëtë diçka, e cila nuk ishte në përputhje me besëlidhjet që keni bërë apo me standardet e Kishës? Si u ndiet rreth vendimit tuaj? Lexoni 1 Nefin 20:1–2 (të “qëndrosh” në vargun 2 do të thotë të mbështetesh). Kujt po i fliste Isaia? Kush është “shtëpia e Jakobit”?

Në Dhiatën e Vjetër, Jakobi ishte biri i Isakut dhe nipi i Abrahamit. Atij iu dha emri Izrael nga Zoti (shih Zanafilla 32:28). “Shtëpia e Izraelit” u referohet pasaardhësve të tij dhe ndonjëherë quhet “shtëpia e Jakobit”. Ai term gjithashtu i drejtohet çdo besimtari të vërtetë te Jezu Krishti. (Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Izrael”; shih edhe Bible Dictionary, “Israel, Kingdom of [Izrael, Mbretëria e]”.) Ashtu si në kohët e lashta, ata që bëjnë besëlidhje (të tillë si pagëzimi) me Perëndinë sot konsiderohen anëtarë besëlidhës të shtëpisë së Izraelit.

Kërkoni 1 Nefin 20:3–4, 8, 18 dhe nënvizoni fjalë ose fraza që tregojnë se shtëpia e Izraelit nuk kishte qenë besnike ndaj Zotit. Fraza “qafa jote është një brez i hekurt dhe balli yt prej bronzi” (1 Nefi 20:4) në mënyrë simbolike përfaqëson një kusht që shkrimet e shenjta në mënyrë të përsëritur e quajnë “kokëfortësi”. Një shpjegim i mundshëm i kësaj fraze është që kafshë të tilla si qè dhe gomerë i forcojnë qafat e tyre, kështu që ata nuk mund të udhëhiqen apo drejtohen nga zotërinjtë e tyre. Një shpjegim tjetër është se njerëzit që nuk janë të gatshëm t’i përkulin kokat e tyre, janë kokëfortë. Në mënyrë të ngjashme, shtëpia e Izraelit e forcoi qafën e saj nëpërmjet krenarisë e ligësisë dhe nuk pranoi të udhëhiqej nga Zoti.

Për t’i kuptuar më mirë këto vargje dhe për t’i përshtatur me kohën tonë, mendoni se si këto përshkrime të shtëpisë së Izraelit i përshkruajnë veprimet e disa njerëzve sot.

Teksa lexoni 1 Nefin 20:9–14, 16, përsiatni për atë që na mësojnë këto vargje rreth Zotit dhe se si është Ai.

  1. journal iconShkruani përgjigje të shkurtra për pyetjet vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Megjithëse njerëzit kishin qenë rebelë në të kaluarën, si iu përgjigj Zoti atyre? Përse? (Shih 1 Nefi 20:9–11, 14.)

    2. Çfarë donte Zoti që të bënte populli i Tij i besëlidhjes? (Shih 1 Nefi 20:12, 16.)

Nga këto vargje ne mësojmë se Zoti i fton ata që kanë qenë të pabindur, të pendohen dhe të kthehen tek Ai. Teksa e lexoni thënien vijuese nga Presidenti Diter F. Uhtdorf, i Presidencës së Parë, nënvizoni një ose më shumë fraza që e pohojnë këtë të vërtetë:

“[Satani] do që ne të ndiejmë se jemi përtej faljes (shih Zbulesa 12:10). Satani do që të mendojmë se kur kemi mëkatuar, ne kemi shkuar përtej ‘pikës pa kthim’ – që është shumë vonë për ta ndryshuar drejtimin tonë. …

Krishti erdhi për të na shpëtuar. Nëse kemi marrë drejtim të gabuar, Shlyerja e Jezu Krishtit mund të na japë sigurinë se mëkati nuk është pikë pa kthim. Një kthim i sigurt është i mundur nëse ne vërtet ndjekim planin e Perëndisë për shpëtimin tonë” (“Pikë Kthimi të Sigurt”, Ensign ose Liahona, maj 2007, f. 99; Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 123).

1 Nefi 21:1–17

Isaia profetizon se Mesia nuk do ta harrojë popullin e Tij të besëlidhjes

Te 1 Nefi 21:1–13, Nefi shënoi një nga profecitë e Isaias rreth Jezu Krishtit, i cili do të ishte Mesia. Krishti (një fjalë greke) dhe Mesia (një fjalë hebraike), të dyja duan të thonë “i Vajosuri” ose “i Zgjedhuri”. Jezu Krishti u zgjodh për të qenë Shëlbuesi i Izraelit, si edhe i johebrenjve.

Teksa lexoni te 1 Nefi 21:6–13, shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta ato fraza që përshkruajnë Jezu Krishtin dhe atë që Ai do të bënte si Shëlbuesi i Izraelit.

Si pasojë e mëkateve të tyre, fëmijët e Izraelit e kishin larguar veten nga Zoti dhe u ndien të harruar e të braktisur nga Ai (shih 1 Nefi 21:14). Megjithëse u ndien të braktisur nga Zoti, kërkoni te 1 Nefi 21:14–16 prova që Zoti na do dhe Ai kurrë nuk do të na harrojë. Ju mund të doni të shenjoni ndonjë frazë në këto vargje që është kuptimplotë për ju.

Jezusi Tregon Plagët e Tij

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si Shpëtimtari i mbajti plagët e kryqëzimit të Tij si provë se Ai kurrë nuk do të na harronte: “Krishti nuk do t’i harrojë fëmijët që i ka shëlbuar, apo besëlidhjet që ka bërë me ta për shpëtimin e Sionit. Kujtuesit e dhembshëm të kujdesit dhe besëlidhjes së [Tij] janë shenjat e gozhdëve romake, të gdhendura në pëllëmbët e duarve të Tij” (Christ and the New Covenant [1997], f. 84).

  1. journal iconShkruani përgjigje të shkurtra për pyetjet vijuese në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    1. Si mendoni ju, përse ndonjëherë njerëzit ndiejnë se Zoti i ka harruar ata?

    2. Si mendoni ju, çfarë do të thotë të gdhendesh në pëllëmbët e duarve të Shpëtimtarit? Si ju ndihmon kjo për ta vlerësuar vuajtjen e Shpëtimtarit në kryq?

    3. Çfarë përvojash ju kanë ndihmuar të dini se Zoti nuk ju ka harruar?

  2. journal iconPërfytyroni sikur të keni një mik që tha se ai ose ajo nuk ndihet më i/e denjë për të ardhur në kishë për shkak të mëkateve të së kaluarës. Në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta, shkruani një letër të shkurtër inkurajimi për një mik, duke përdorur atë që keni mësuar nga 1 Nefi 20–21 dhe thënia e Presidentit Uhtdorf në seksionin e studimit për 1 Nefi 20.

1 Nefi 21:18–22:22

Nefi shpjegon profecinë e Isaias për shpërndarjen dhe mbledhjen e Izraelit

Nefi përfshiu në analin e tij një nga profecitë e Isaias rreth mbledhjes së Izraelit. Ajo gjendet te 1 Nefi 21:18–26. Te 1 Nefi 22, Nefi dha shpjegimin dhe interpretimin e vet për profecinë e Isaias. Teksa lexoni 1 Nefin 22:4–12, shikoni për shpjegimin e Nefit se në ç’mënyrë do të mblidhet Izraeli në ditët e fundit.

Ai mund t’ju ndihmojë të dini se në Librin e Mormonit termi “johebrenj” shpesh u drejtohet njerëzve që nuk janë pasaardhës të Judës. Fraza “një punë e mrekullueshme” i referohet Rivendosjes së ungjillit në ditët e mëvonshme. Gjithashtu vini re se sa shpesh Nefi përmend fjalën besëlidhje – ju mund të doni t’i shenjoni këto në shkrimet tuaja të shenjta.

Zoti premtoi të rivendoste ungjillin dhe ta mblidhte Izraelin në ditët e fundit. Shenjoni në shkrimet tuaja të shenjta se çfarë do t’i ndodhë Satanit, për shkak të drejtësisë së njerëzve, ndërsa studioni 1 Nefin 22:17, 19–22, 25–28.

  1. journal iconShkruani sa vijon në fund të detyrave të sotme në ditarin tuaj të studimit të shkrimeve të shenjta:

    Unë e kam studiuar 1 Nefi 20–22 dhe e përfundova këtë mësim më (data).

    Pyetje, mendime dhe ide shtesë që do të doja t’i ndaja me mësuesin tim: